E enjte, 01.05.2025, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Për dramën “Van Goghu kosovar” të Ilir Muharremit

E shtune, 05.02.2011, 08:22 PM


Për dramën “Van Goghu kosovar” të Ilir Muharremit

 

BOTA REALE DHE FIKTIVE PËRBRENDA INDIVIDIT TË TRAUMATIZUAR

 

Nga MIRSAD KUTELI

 

Drama “Van Goghu Kosovar”, e autorit Ilir Muharremi, konsiston në tetë skena, ku përmes stilit bisedor, autori i qaset temës shpejt dhe në mënyrë koncize. Kjo formë komunikimi i mundëson lexuesit që të mishërohet lehtazi me dramën.

 

Autori bën një gërshetim artistik në mënyrë ekspresive, me ç’rast në vend të figuracionit bën personifikimin e personazheve të veprës.

 

Kjo dramë strukturohet mbi bazën e absurdit. Ndaj, autori bën një përqasje ndërmjet ekspresionizmit, abstraktes dhe realizmit për të vënë në pah diferencat mes tyre.

 

“Van Goghu Kosovar” është një dramë me një tematikë mjaft karakteristike. Ajo shquhet për një trajtesë që në shikim të parë duket e thjeshtë. Mirëpo, kompleksiteti i saj sa vjen e shtohet në skenat apo pamjet përgjatë tekstit letrar.

 

Drama ka një strukturë të shkëputur semantike, kjo mbase për shkak të kryepersonazhit të saj, ku dhe vetë gjendja shpirtërore e tij është e tillë. Ndaj, mund të thuhet se ndërtimit të tekstit i jepet qëllimisht kahja e tillë, si konsekuencë e ndryshimeve përbrenda protagonistit të veprës. Mirëpo, një shkëputje e tillë nuk vërehet fare, për shkak të ndërthurjes subtile të personazheve.

 

Fillimisht paraqitet një ngjarje nga koha e luftës së vitit 1999 në Kosovë. Autori i është qasur një teme shumë të ndjeshme, ku pasqyrohet jeta, apo, thënë më mirë, fati i keq jetësor i një artisti.

 

Ndërkaq, në tekstin në vijim reflektohet gjendja e rëndë shpirtërore e kryepersonazhit Rafaello.

 

Lufta kishte shkatërruar pothuajse çdo gjë, por në tekstin e kësaj drame, autori përçapet të vërë në pah jetën e një artisti nga një qytet i Kosovës, i cili në lulëzimin e karrierës së tij artistike sheh tmerret që asnjëherë në jetën e tij nuk do t’i kishte imagjinuar, lëre më t’i përjetonte.

 

Masakrimi i familjes së tij nga paramilitarët serbë dhe shkatërrimi i të gjitha pikturave të tij ia rrënojnë tërësisht jetën Rafellos, që për pasojë kalon në çmenduri. Andaj, në tri pamjet e tjera të dramës “Van Goghu Kosovar” janë dhënë dialogët e Rafaellos me persona fiktivë.

 

Autori ka arritur që përmes një stili bisedor të shpërfaqë botën e brendshme të një të çmenduri. Shfaqjen e personave fiktivë apo imagjinarë, të cilët i përhihen Rafaellos, si Muslimi dhe Leonardo,  por edhe personat e vdekur si nëna e motra e tij, autori i paraqet si halucinacione - një gjendje psikike jo reale.

 

Autori i dramës, Ilir Muharremi, mbase bën një përqasje të Rafaellos me piktorin e famshëm holandez, Van Gogh. Madje, edhe vetë titulli i dramës lë të kuptohet për simbole të tilla. Ndonëse jo rastësisht edhe vetë emri Rafaello, si shëmbëllim i artistit glamuroz italian, aludon në atë se autori dëshiron të reflektojë vlerat universale përbrenda një bote të vogël.

 

Prandaj, ndërthurja e artistëve botëror si Picasso, Leonardo da Vinçi, Van Goghu, si dhe atyre vendor, si Muslimi, nuk janë emra imagjinarë, por është një vendosje me intencë nga ana e autorit.

 

Po ashtu, letrat origjinale të Vincent Van Goghut që ia dërgon vëllait të vet, Teo, janë indikatorë se Ilir Muharremi ka shprehur interesim të madh rreth Van Goghut.

 

Drama “Van Goghu Kosovar” pleks botën reale dhe fiktive përbrenda individit.

 

Autori deri në një masë ka arritur të trajtojë një botë sa specifike, aq edhe të vështirë, megjithëse tragjikja e pësuar ka mundur të ekzagjerohet më tepër në momentet kulminante, kur kryepersonazhi kalon në gjendjen kritike psikike, duke e prerë veshin e tij. Ndryshe, mund të thuhet se monologu i Rafaellos me portretin e Van Goghut në pikturë është dhe moment pikant i paraqitjes së gjendjes së rëndë mentale të protagonistit të dramës “Van Goghu Kosovar”.

 

Autori përpiqet ta shpërfaq dashurinë e piktorit, madje edhe në momentet më kritike, kur ai ballafaqohet me jetë a vdekje, duke na lënë të kuptojmë se në luftë çdokush humb diçka që e do shumë.

 

Mund të konkludoj se libri mund të konsiderohet, jo vetëm thjeshtë si një vepër artistike, por edhe si një kujtesë historike.

 

Autori, është kritik letrar

 

________________

 

Mbresa kritike përkitazi me veprën “Van Goghu kosovar” e Ilir Muharremi

 

Nga Besim Perjuci

 

Sajimi i reflektuar nëpërmjet dramës “Van Goghu kosovar” është një sihariq i llojit të vet dhe paraqet një kënaqësi të këndshme, që na shfaqet me tërë origjinalitetin shpirtëror, si gjini e veçantë letrare moderne e strukturuar artistikisht përmes sintaksës së fjalës dhe organikës së ngjarjeve.

 

Vepra na vjen me një prurje të kohës si një shpërthim i mendimit shpirtëror e në varësi nga karakteret e trajtuara të personazheve na del me nuanca psikologjiko-filozofike e në mënyrë mbase shumë të angazhuar. Në vitet e brishta, në Kosovën e katrahurë, gjeografikisht të lënduar, shumë më herët sesa mendohet, autori Ilir Muharremi përpiqet t’i kodojë dhe sfidojë energjitë e veta nëpërmjet skematizimit të ngjarjeve më të errëta të shekujve të vrarë. Ai e di mirëfilli se perceptimi në thellësi e gjerësi i ngjarjeve të mëhershme, me një distancë të vogël kohore përkon me interpretimin e imazheve që konvertojnë fatet e njëjta në kohë të ndryshme. Ai kalon edhe përtej kohëve sepse sinjalet e një përvoje të hidhur/kuptohet koha e luftës së fundit i shpërbejnë për të gjykuar thellësinë e ngjarjeve nëpërmjet një shpjegimi të thjeshtë që ruhet në kujtesën e autorit. kohët vrastare, streset, traumat, ashpërsia e jetës- skamja janë në shënjestër të autorit, dhe sikur qëndrojnë akoma pezull mbi kohët e vrazhda e të pafund sikur zbresin e ndalojnë tek njeriu i kësaj përditshmërie të tallazuar. Pamjet e shpejta lehtësisht i referohen dramaticitetit që depozitohen brendapërbrenda veprës nëpër aktet e paraqitura me shpërfaqje imazhesh që përkufizojnë konceptin kryesor të integruar përmes tablove pikturave, si terapi e natyrshme për rregullimet e pësuara psikologjike që shpalosin intimen shpirtërore të kryepersonazhit, si pleksje e ndërvarshmërisë psikike duke ndërtuar madje gjëra të ëndërruara e të pabesueshme. Problemi që komunikon  mendimin sikur qëndron pezull tërë kohën, jo për ta penguar konsideratën e kryepersonazhit që ka për piktorët e famshëm të përmendur në lojën skenike të dramës, edhe pse i shkalluar deri në çmenduri e në gjithçka që e rrethon si vlerë njerëzore jashtëkohore e përjetuar në universin e pafund.

 

Dramaticiteti i personazhit nuk mund të fashitet e as të qetësohet ndaj edhe përgatitet për një testim tjetër si pacient apo pseudopacient karshi mjekut. Ai është i pranishëm deri në stadin e fundit të rrezikut mental që i kanoset seriozisht, duke e shterruar deri në rraskapitje energjinë psikofizike të tij. Ndërveprimi me irealën ia pakëson lidhjet direkte me personazhet dhe mjedisin aktual të cilët ai nuk i kursen, por i ndrysh brenda vetës, si një manifestim i klaustrofobizmit simptomatik me çrregullime disociative. Autori posedon një fantazi të bujshme, duke mëtuar thurjen e një vepre të efektshme skenike kreative me nuanca kërkimore psikologjike. Një mëlmesë e veçantë, që i shtohet kësaj vepre artistike janë edhe mendimet e thella filozofike të piktorit të lavdëruar Vincent Van Goghut, të cilat këtë vepër e fuqizojnë me vlera letrare cilësore gjithsesi. Dhe krejt në fund them se autori Ilir Muharremi ka bërë diçka më shumë së sa thjeshtë një dramë psikologjike, prandaj e lavdëroj për punën e shkëlqyer e të dobishme, me shpresë se kjo do ta provokojë dhe nxit për vepra të tjera artistike. 

 

Me rastin e fjalës së promovimit të librit “Van Goghu kosovar” të Ilir Muharremi

_______

 

Drama për dramën e fatit të artistit të persekutuar

 

Moto. Drama e Ilir Muharremi, “Van Gogu kosovar”, përmes poetikës së fjalës, apo të logosit, sipas Haqif Mulliqi, krijon një percepcion interesant dhe, atyre që merren me teatër u zgjon me dhjetëra dhe qindra asociacione, të cilat më pas, si fotografi të shkëputura krijojnë imazhe skenike, për ngjarjen, për personazhet, për vendin ku ndodh ngjarja apo edhe për marrëdhëniet ndërmjet vetë karaktereve të dramës, duke e vënë dramën e tij në një objeksion imagjinativ të pashtershëm të akëcilit lexues të mundshëm

 

Nga Ragip Sylaj

 

Autori i librave të poezisë, “Djalli në qytetin tim” dhe “Dera e Fundit e Çmendurisë”, Ilir Muharremi (Pejë, 1983) botoi edhe dramën tij me titull “Van Goghu kosovar”. Ky tekst i cili është ngjitur në skenën e teatrit “Dodona”.

 

Në fjalën e tij, recensenti i librit Haqif Mulliqi tha se drama “Van Goghu kosovar” e autorit të ri, Ilir Muharremi, që në të lexuarit e parë të saj, krijon  mundësi dhe hapësirë që t’i përvishemi një qasjeje të analizës, teoriko-retorike të kësaj vepre, ngase, është evidente se tek puna e këtij autorit, gati në mënyrë didaktike, mund të hasim dhe të veçojmë tendencat që një vepër të ketë funksion dhe përkatësi të dyfishtë – pra, ta lexojmë si letërsi, por edhe të përpiqemi që t’i identifikojmë vlerat por dhe mundësitë që mund të ofrojë ajo vepër në një proces tjetër – të vënies në skenë.

 

Kjo është e rëndësishme për vetë këtë vepër dhe këtë autor, ngase se Ilir Muharremi në të, përpiqet që angazhimin e tij të krijuesit të dramës ta vë në funksion të një krijuesi tjetër, të regjisorit të teatrit. Kjo, ngase, vepra e tij, “Van Gogu kosovar”, përmes poetikës së fjalës, apo të logosit, krijoi një percepcion interesant dhe, atyre që merren me teatër, por edhe të tjerëve, pse jo, me një shpejtësi marramendëse, ia del që, gjatë leximit të saj t’u zgjojë me dhjetëra dhe qindra asociacione, të cilat më pas, si fotografi të shkëputura krijojnë imazhe skenike, për ngjarjen, për personazhet, për vendin ku ndodh ngjarja apo edhe për marrëdhëniet ndërmjet vetë karaktereve të dramës, duke e vënë dramën e tij në një si objeksion imagjinativ të pashtershëm të akëcilit lexues të mundshëm.

 

Në vijim të fjalës së tij Mulliqi u ndal te struktura e tekstit të dramës së përuruar. Drama “Van Goghu Kosovar” e autorit Ilir Muharremi është një dramë e ndarë në tetë  skena. Ne skenën e parë paraqitet një ngjarje nga periudha e fundit e luftës së Kosovës në vitin 1999, gjë që nënkupton atë se autori priqet që të marrë një trajtim një periudhë shumë të ndjeshme, e mbi të gjitha tejet dramatike të historisë më të re të vendit tonë, paçka se, jo rrallë, në gjykimin teorik një qasje e tillë e trajtimit skenik të temave që vazhdojnë të gjenerojnë probleme dhe drama në një shoqëri (ne jemi dëshmitar të gjallë të tyre edhe sot pas kaq vjetësh të përfundimit të luftës), pa ruajtur një distancë kohore gjenerojnë debate dhe kontroversa. 

 

Sipas autorit, drama “Van Goghu kosovar” buron nga një përjetim i thellë me nuanca ekstaze, surreale dhe absurde. Në fokus të saj, vepra ka një piktor të ri, i cili përjeton momente të vështira gjatë rinisë së tij, gjë që i kushton shumë shtrenjtë në fazat e mëvonshme të jetës. Në luftë ushtria serbe ia vret nënën, babanë dhe motrën. I tmerruar nga masakrimi i familjes, ai kalon në skizofreni. Tërë ngjarja pasqyron jetën e tij prej skizofreni, nga e cila në fund nuk mund të shërohet, ndaj si “strehë” gjen çmendinë.

 

Për dramën e përmendur folën edhe redaktori i librit, Mirsad Kuteli, si dhe krijuesit e studiuesit: Atdhe Hykolli, Ymer Topanica, Besim Perjuci. Ndërkaq me fjalët e tyre përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan edhe Jetullah Haliti- Eti e autorit i librit, Ilir Muharremi.

 

Librin “Van Goghu kosovar” e botoi autori, Prishtinë, 2010.

 

________________

 

 

“Van Goghu Kosovar” i takon dy mediumeve

 

Në Institutin Albanologjik në mesditën e së enjtes u përurua vepra “Van Goghu kosovar” e autorit Ilir Muharremi. Dramë kjo e inskenuar në vitin 2007 në skenën e teatrit “Dodona” nga Hazir Haziri

 

Nga Albana S. Muja

 

Drama “Van Goghu Kosovar” e autorit Ilir Muharremi, e që trajton një teme shumë të ndjeshme ku pasqyrohet jeta dhe fati i keq jetësor i një artisti, është promovuar sot (e enjte) në Insitutin Albanologjik të Kosovës.

 

Kjo dramë është e njohur edhe në skenën e teatrit "Dodona", ku ishte inskenuar nga Hazir Sh. Haziri, në vitin 2007.

 

Drama në vete përmban nuanca tragjike, dhe dramatike, të ndara në tetë skena.

 

Dramaturgu Haqif Mulliqi-recensent i librit, thotë që “Van Goghu kosovar” ka përkatësi të dyfishtë, duke i takuar dy mediumeve, funksionale, organike siç është letërsia dhe teatri “pikërisht drama.

 

“Van Goghu Kosovar” mbase që në të lexuarit e parë të saj, na krijon mundësinë dhe hapësirën që ti përvishemi një qasje të këtillë. Te kjo vepër mund të hasim në këto dy elemente, pra me përkatësi të dyfishtë, ta lexojmë si letërsi por dhe të përpiqemi ti identifikojmë vlerat por edhe mundësit të vënies në skenë” tha Mulliqi.

 

Kjo sipas Mulliqit, është e rëndësishme për këtë vepër dhe për këtë autor, ngase është e çart që vet Muharremi, përpiqet që angazhimin e tij të krijuesit të dramës ta vejë aty ku qon tek një krijuesi tjetër që është regjisori i teatrit.

 

Pwr librin kanw folur edhe Mirsad Kuteli – letrar dhe redaktor i librit, Atdhe Hykolli-profesor doktor i letwrsisw, Imer Toponica-kritik letrar, Besim Perjuci-letrar dhe Jetullah Halili-piktor.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx