Kulturë
Remzi Limani: Shoqërizmi krijues
E shtune, 05.02.2011, 08:46 PM
SHOQËRIZIMI KRIJUES
Me rastin e ekspozitës artistike të organizuar në Prishtinë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, nga dy artistë figurativë, të cilët para publikut artdashës u prezantuan me veprat e tyre nga fusha e grafikës figurative.
Pra, dy të rinj, dy shokë, dy artistë: Armend Fazliu dhe Migjen Limani me shoqërizimin e tyre krijues, në një hapësirë të përbashkët ekspozuese i shpalosën veprat e tyre, duke na dhuruar të bukurën dhe vlerat e një miqësie plot kuptim. Ndaj, kjo vëllazëri na flet se arti ka një koncept dhe kuptim tjetër për jetën, nga e cili lind njerzillëku dhe toleranca e njeriut për njeriun. Nga ky koncept i një miqësie, len të kuptojmë: se krijuesit dhe veprat e tyre krijojnë miqësi të vërteta dhe hapin horizonte të reja drejt një rrugëtimi ku rrjedhat e artit dhe njerëzorja takohen në një pikë.
Nga Remzi Limani
PORTAT SHQIPTARE TË VESHURA ME ARTISTIKEN
Evoluimi i jetës nëpër kohë dhe hapësirë, gradualisht e shtyri njeriun të inkuadrohej në një bashkësi etnike, duke e kuptuar rolin e tij në zhvillimin e kulturës dhe traditës. Në këtë kuptim, shoqëria jonë qëmoti filloi të vishet me petkun e identitetit kombëtar në shumë kuptime. Në këtë kontekst, artisti Armend Fazliu, me një çasje kreative dhe në mënyrë të posaçme, nxjerr në pah begatitë artistike dhe kuptimin e portës; si pjesë e veçuar e një lidhshmërie të artit dhe etnoarkitekturës, përkatësisht kullës shqiptare.
Në grafikat e Armendit, të realizuara në teknikën e monotipisë - sfondi i portave, në shumë raste është shfrytëzuar si bazë themelore për t`i mishëruar vlerat tradicionale të së kaluarës me të bukurën artistike, të cilat fuqishëm korrespondojnë pa u penguar me njëra tjetrën. Përveç materializimit të strukturës figurative të drurit, artisti ynë, në të gjitha portat e trajton simbolikën e dorezës harkore të punuar nga hekuri i shkrirë dhe i rrahur mjeshtërisht - që tek artisti zgjoi ndjenjen e së bukurës kuptimore duke e sendëzuar në trajtë artistike me të gjitha vlerat e duhura grafike.
Në veprat e Armendit, kryesisht dominon gama e ngjyrës së mbyllt. Pastaj shprehet toni i hirtë dhe cinoberi i shoqëruar me të kaftën e çelur dhe të blertën, të cilat së bashku solemnisht i vishen veprave duke i dhënë shkëlqimin e një kohe, për të mos i humbur gjurmët tona duke e vulosur të sotmën me semantikën tonë historike.
Armend Fazliu u lind në Gjilan më 1986. Pas fillores, kreu Gjimnazin Filologjik në Prishtinë dhe më pastaj mbaroi Studimet Themelore Universitare në Fakultetin e Arteve - Drejtimi i Grafikës në Universitetin e Prishtinës në klasën e Prof. Fatmir Krypa. Pas përfundimit të studimeve themelore, përfundon edhe studimet pasdiplomike në Degën e Grafikës më 2009
POETIKA FIGURATIVE E PEIZAZHIT AUTOKTON
Migjen R. Limani dhe krijimtaria e tij në fushën arteve pamore, flasin qartazi duke na dëshmuar se: artin nuk e përcaktojnë dimensionet e tablove por vlerat e mirëfillta artistike. Me këto formulime të begata, artisti na dhuron botën e tij të vaçantë; së bashku me shumë kreacione miniaturiale dhe vlera të pakontestueshme, të mbushura plot frymë jete, shprehje ndjenjash dhe qartësi të pastër figurative.
Të gjitha këto vepra artistike në fushën e grafikës flasin me gjuhën e ngjyrave të veçanta, të një ashpërsie , ëmbëlsie dhe ngrohtësie, me një timbër të qartë figurativisht të kultivuar; duke nxjerr zëra, tingëllima dhe ngjyrime të pastra tonale, të një fryme estetike dhe të një disponimi plot harmoni kreative.
Të gjitha realizimet grafike në teknikën e monotipisë, mjeshtërisht nxjerrin në pah elementet figurative dhe në vetvete ngërthejnë poetikën e peizazhit autokton të mbështjell me artistikën - sikurse vargjet rrëfimtare të frymëzuara me të bukurën e nënqiellit tone, ku u ngjiz artisti dhe nervi i tij krijues. Andaj, edhe yrti i thurur përreth shtëpive të paraqitura në të gjitha veprat e Limanit, flet për intimen dhe simboliken e mbijetesës të kolektivitetit tonë nëpër shekuj. Qielli i veshur me të vrugët dhe me të hirtë, simbolikisht shkrihet nëpër kohët tona, deri tek e portokallta, e cila tashmë llamburit këndshëm mbi Ilirikum.
Migjen R. Limani u lind më 1984 në Prishtinë. Pas fillores, kreu shkollën e mesme të grafikës në Prishtinë, dhe më pastaj mbaroi Studimet Themelore Universitare në Fakultetin e Arteve - Drejtimi i Grafikës në Universitetin e Prishtinës ku edhe i mbaroi studimet pasdiplomike në degën e Grafikës.