E premte, 25.07.2025, 08:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Shazim Mehmeti: Rrëfime nga Anëtejana (III)

E diele, 06.02.2011, 08:15 PM


SHAZIM MEHMETI

 

RRËFIME NGA ANËTEJANA

 

 

TI KISHE NJË NËNË, TI KISHE NJË NËNË...

(rrëfimi i shtatë)

 

Ti kishe një nënë,

ti kishe një nënë!

Unë nënë nuk pata,

unë nënë nuk kam!

 

Një nënë kishe ti!

Një nënë

që gjuhën e shtërzimit

kafshoi për ty,

e shijen e gjaklindjes provoi

mbi lindjen tënde!

 

E kujtoj çastin kur linde ti,

e kujtoj çastin e dritës në sytë e saj,

shkëlqimin nënor në bebëza!

O dritë njeri,

ti terri je!

 

Njëshi im,

pendimi im!

Si pemën e mallkimit,

ti veten dashurove

dhe përkrenimin e kotë!

 

E kujtoj pleqërimin,

e kujtoj rrënimin e tët ëme,

e kujtoj vetmirrethimin e saj,

lumenjtë e rrudhave

që i rridhnin fytyrës!

 

Dhe largimin tënd e kujtoj,

dhe ikjen tënde

nga mishi yt!

Të fali jetë,

i fale vetmi!

 

Lodronte uria

në lukthin e saj,

kasollja rrënkonte

mbi dergjjen e trupit,

sëmundja kërdinë bënte

mbi shpirtin që s’jepej!

Vdekja pispillosej

deri në kreshpërim!

 

Ku ishe ti?

 

Ti hesht,

ti nuk flet, o mallkim,

po unë e di!

 

Në anën tjetër t’oborrit,

dy hapa larg vdekjes,

ti bëje dashuri me fat(keqësinë) tënde!

Ti ngopjen ngopje!

Shkrehjen shkrehje ti!

 

O verbëri mëkatare!

Ti u bëre i gjallë,

veç kur e nuhate kutërbimin!

 

Tri ditë e tri netë,

trupi i tët ëme prishej!

Vdekja pendohej mbi të!

 

Dhe kur hape ti derë,

ti nënë nuk gjete!

Ti gjete kërmë!

 

Ti krimba mbi kërmë gjete!

Gushti të mallkoi

me zemrën time, njeri!

 

O njëshi im që t’urrej, t’urrej!

Pendohem për mua!

Pendohem për ty!!!...

 

 

KU FALESH TI?...

(rrëfimi i tetë)

 

Emrin e vet

ta dha Ty!

 

Ai që ta dha emrin Ty

qe stërgjyshi yt!

 

Vdekja

tallej me te!

Vdekja s’e adhuronte dot

mjekrën e tij të bardhë!

 

Në kujtesën tënde

dhe timen

veç mjekër ka mbetur ai,

dhe kollitje e rëndë!

Dhe emër (kuptohet)!

Ai kishte emër

për shtatë palë katunde!

 

E njihnin

për baba të dhembjes,

për baba të trollit,

për baba të fjalës!

E njihnin për burrë

dhe për buallar të rrallë!

 

Në shtatë palë katunde,

veç ai nuk falej në faltore!

Ai falej me këmbët në dhé!

Ai faltore trollin kishte,

dhe bimën e mëkëmbjes,

o Ti!

 

E Ti?...

Ku falesh Ti?

 

Të shoh si endesh ndjenjash

mbi trollin e akullt

të femrës jetë!

Shpirti yt

është bimë e verdhemtë!

 

Nuk ke ngé për yjet,

nuk ke ngé për natën,

nuk ke ngé për fjalën,

nuk ke ngé për mendimin,

nuk ke ngé

për ndryshimin e motit, ha, ha!...

 

Dimri nuk të ndal,

pranvera nuk të lulëzon,

vera nuk të ngroh,

vjeshta nuk të lag!

 

As hije nuk je Ti,

as dhé nën këmbë nuk ke,

as buallar je,

as emër!

 

Ti je erë në erë,

Ti je akull në verë,

Ti je helm në gjak,

Ti je pikëllim në gëzim,

Ti je gëzim në hidhërim!...

 

Jeta nuk është gjëmë!

Jeta s’është pëllitje,

o Ti!

 

Të dhashë pasqyrë,

veten shikoje!

Mati veshët me mot,

dhe pëllitësin në livadh kujtoje,

në lirinë e tij pa fre!

 

Ah, i shkreti, ai!

Dhe  ai,

lakmi të ka

për një gjë të vetme!

 

Më shumë se bukën e pjekur,

ti bukën e djegur do!

Më shumë se lirinë,

ti do anarkinë!

 

Më shumë se lulen

do vyshkjen!

Më shumë se detin

do piklën e zhbërë!

 

Ooo, eterim,

o eterim!...

O eterim i dhembjes dhembje!

Hamall i vetes je Ti,

dhe hamall i kotësisë!

Me lakuriqësinë tënde në shpinë,

i jepesh jepjes!

 

Miliona sy njerëzorë,

në miliona vite kohë,

qajnë për Ty,

oooo, NjëshHarrim!

Pendimi im, pendim!!!

 

 

JAM ATI YT, E DIGJEM PËR TY!...

(rrëfimi i nëntë)

 

Jam Ati yt, e digjem për ty!

Jam Ati yt, e digjem me ty!

Jam Ati yt, e digjem në ty!

 

Ti më dhe shkak

frymën time mitike

ta rizbuloj!

Ti më dhe shkak

vdekje të mos shpik

për veten!

 

Të adhuroj,

të adhuroj, Njëshi im!

Paçka se je, i tëri, mallkim!

Paçka se ik e digjesh

jashtë kozmosit tim!

 

Kisha kohë, i vdekur!

Kisha kohë që s’fluturoja dot

mbi shpirtin tim!

 

Isha i përhumbur, i harruar

në vetminë time drithëruese!

Ishe i përhumbur, i harruar

në vetminë tënde vetmitare!

 

Shpirti im,

shpirti yt,

kishte harruar ta shijonte

erën dashurore të jugut Jonak!

Shpirti im,

shpirti yt,

kishte harruar ta shijonte

klorofilin lulor

në ishujt shpirtbardhë!

 

Mosha e dhembjes,

venitja,

të lundronte thellë

nëpër vena!

 

Mosha e dhembjes,

venitja,

më lundronte thellë

nëpër damarë!

 

Për sytë e tu,

për sytë e mi,

dritën risajova:

në bebëzat e tua fluturake,

në bebëzat e mia dëshpërake!

 

Në ishujt e vegjël të Sarandës,

rishpike shijen e njelmët-

shijen e ëmbël

të dashurisë!

 

Atje të dërgova ëndërr,

atje të dërgova bjondinë!

 

E kujtoj magjepsjen

në sytë e tu,

e kujtoj rimbirjen e shikimit

në sytë e mi!

 

E kujtoj

rizbulimin e buzëqeshjes

në buzët e tua të mishta!

 

E kujtoj magjinë e ajërt

në dritën time sterile!

 

E kujtoj sirenën e lagur,

në dridhjen e saj prej rëre!

 

Oh,

mishi yt i lagësht,

gjuha jote e mishtë,

mbi kripën e barkut

rrëshqiste si ngjalë!

 

Ti rizbulove veten,

në mua

dhe mbi ngjalë!

Ti e ringjalle Zotin në Zot

dhe Ujin n’Ujë!

 

Ti e rizbulove veten,

ti e rizbulove gjuhën,

në mua

dhe në ngjalë!

 

Përdore, Njësh,

përdore, Njësh:

në Dashuri e në Fjalë!!!...

 

 

ME LOTIN E GËZIMIT, LOTO BABANË E DËSHPËRIMIT...

(rrëfimi i dhjetë)

 

Të shpika Ty

t’i bëj fole gëzimit!

 

Njëshi im,

shiko veten

në kërrusjen e tët ati

dhe qaj për mua!

 

Shiko veten

në fytyrën e rrudhur të tët ati

dhe qaj për mua!

 

Shiko veten

në sytë e shterrur të tët ati

dhe qaj për mua!

 

Shiko veten

në dhembjen e tët ati

dhe qaj për mua!

 

Shiko veten

në mplakjen e tët ati

dhe qaj për mua!

 

Shiko veten

në fundin e tët ati

dhe qaj për mua!

 

Oh, Njëshi im,

yt at është me fat,

yt at është me fat!

 

Ti gjen kërrusje tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ti gjen fytyrë

me lumenj rrudhash tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ti gjen sy të shterrur tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ti gjen dhembje tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ti gjen mplakje tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ti gjen fund tek ai

e tek unë nuk gjen!

 

Ç’i bëra vetes,

ç’i bëra vetes,

Njëshi im!!!

 

I lodhur jam

e nuk kam kërrusje!

 

I lodhur jam

e nuk kam

lumenj rrudhash mbi fytyrë!

 

I lodhur jam

e nuk kam shterrje në sy!

 

I lodhur jam

e nuk kam dhembje!

 

I lodhur jam

e nuk kam plakje!

 

I lodhur jam

e nuk gjej fund!

 

Qaj për mua,

qaj për mua, Njëshi im!

Me Lotin e Gëzimit, loto

Babanë e Dëshpërimit!!!

 

 

PËR VDEKJE, TADHUROJ!...

(rrëfimi i njëmbëdhjetë)

 

 

Atë ditë që mora

shpirtin e tët vëllau,

qanë dhe zogjtë e prillit!

 

Atë ditë që mora

shpirtin e tët vëllau,

qanë dhe lulet në vetëbërthamë!

 

Atë ditë që mora

shpirtin e tët vëllau,

qanë dhe grimcat ngrimca!

 

Me mushkëritë e kalbura,

dëneste

e jotja nënë!

 

Dëneste

dhe yt at

me mushkëritë e nxira!

 

Veç ti nuk dënesje,

veç ti nuk qaje,

biri im!

 

Qante prilli,

për ty!

 

Zogjtë qanin,

për ty!

 

Qarja qante,

për ty!

 

Atë ditë,

ti

veç gishtat kërcëlloje

me buzëqeshjen nbuzë!

 

Atë ditë,

ti

veç gishtat kërcëlloje

me buzëqeshjen ndhembje!

 

Ti buzëqeshjen ndhembje shpike,

o bir!

Ti shpëlave dhembjen nbuzëqeshje,

o bir!

 

Oooo, mbarësi e mbrapshtë, e mbrapshtë!

Oooo, prapështi e mbarë, e mbarë!

Për vdekje, tadhuroj!!!

 

 

PO E RIGJEJ VETEN NË BETEJËN PËR ASGJËNË

(rrëfimi i dymbëdhjetë)

 

Po e rigjej veten

në betejën për asgjënë.

Sapo ma pohoi dita këtë.

 

Gjithnjë

ka qenë

pohuese e njëpërnjëtë

e Premtja Jote.

 

Me vetminë për dore

kam risjellur veten

në kaffe colosseum,

kati i dytë i ngesë.

 

Kjo

se si më thotë

se nuk jam vetëm.

 

Kjo

se si më thotë

se kafeja që gjerb

nuk është vetëm.

 

Kjo

se si më thotë

se Vetmia e së Premtes

nuk është vetëm.

 

Është dhembje, kjo ditë

në kujtimet e mia,

Ti e di!

(2 prill, 2 prill, 2 prill!...)

2 prill,

e Zemra

sapo ma pohoi

zemrën e saj!

 

Se si bëhet zemër

kjo ditë

në zemrën time!

 

Se si bëhet frymë

kjo ditë

në frymën time!

 

Se si më vjen,

gjakimin pas Teje

ta rinoj!

 

Se si gjej shërim

te Kurmi Yt,

o hije e jetës,

o hije e vdekjes!

 

Se si e ndjej

se je

në secilën grimcë

të dritës!

 

Se si e ndjej

se je

te fryma ime,

te ndjenja ime,

dhe te fryma e rinimit

nAnëtejanë!

 

Se si e ndiej se je

te dhembja ime!

Se si e ndjej se je

dhe te dhembja jote!

 

Ska bletë,

ska fletë,

ska lule,

ska lumë,

ska njeri

ku Ti nuk je

me Frymën Tënde Ribërëse!

 

E di se

në frymën tënde

rrjedhja merr frymë!

 

Dhe fryma

frymë merr

në frymën tënde!

 

Dhe rrjedhja

veten ndal

te fryma jote!

 

Dhe ndalja

veten rrjedh

te fryma jote!

 

Oh, Mbinjësh, Mbinjësh!

Jam pikturë e dhembjes,

jam drithërimë vetmimi,

jam lakuriqësi e lakuriqtë

në ngjyrimin virgjëror për Ty!

 

Shikomë, shikomë

si po e rigjej veten

në betejën për asgjënë!!!

 

 

VERTIKALJA ËSHTË VIJË E VDEKJES!...

(rrëfimi i trembëdhjetë)

 

 

Oh, jermush i vogël, me sy trishtimi!

Sot është e shtunë.

Data 3 prill.

Viti dymijëedhjetë.

 

Pas nëntëdhjetë e një milionë hamendjesh,

pas nëntëdhjetë e një vitesh tatëpjetë,

përfundimisht m’u dorëzua

edhe La Fonteni yt!

 

Kot i tregonte bukur përrallat!

Kot i urrente lepujt!

 

Tashmë,

në dorën time,

shpirti i tij

nuk është as pendël!

 

Ti mos u mërzit,

ti mos u mërzit, biri im!

Botën, gjumin përreth teje,

dot s’e lë pa përrallë!

 

E pe si vizatova përrallë

në sytë e gjysmës?

Ju e lanit kufomën e La Fontenin tënd,

ju e bënit gati për në Tejanë,

e zonja gjysmë u thoshte:

pse ia shkurtoni qiqin?

pse e bëni synet?!

 

Sa m’u dhimbs zonja!,

sa qesha me gjysmën, biri im!

 

Kështu do m’jepesh dhe ti,

kështu do m’jepesh dhe ti!

Mos e mba kurrizin drejt!

 

Ti e mban kurrizin drejt

e unë rri pjerrët!

 

Ti e mban kurrizin drejt

e kurrizi im është i pjerrët!

 

Ti e mban kurrizin drejt

e kurrizi i globit është i pjerrët!

 

Uji, ajri

nuk kanë kurriz

dhe na mbajnë në jetë!

Në bahçen time

gjithçka bazon në tatëpjetë!

 

Pjerrësohu!

Pjerrësohu, jermush!

Vertikalja është vijë e vdekjes!!!...

 

 

ÇASTI I DRITËS, ÇASTI I LULES...

(rrëfimi i katërmbëdhjetë)

 

O thelb i dhembjes ëmbëlore,

o çast i çastit dritësor,

për Ty frymoj!

 

I kujtoj

ujëvarat e dritës

tek më rrëshqisnin gjoksit,

tek më rrëshqisnin trupit!

 

Dhe atë shi të zi flokësh

e kujtoj

që lëvarej e derdhej mbi mua,

bashkë me pranverën,

në ditën e parë

të ardhjes!

 

Ishte çast i ujit,

ishte çast i dritës,

ishte çast i flokut

ai çast!

 

Sapo kishte çelur

Luleja e Parë e botës,

sapo kishte çelur

luleja e parë e gëzimit!

 

E ndjeja

lëngun e haresë

duke më rrjedhur në vena,

e nuk dija ç’është!

 

E ndjeja

shpeshtimin e frymëmarrjes,

e nuk dija ç’është!

E ndjeja

sëmbimin ëmbëlor

nën kosh krahërori,

e nuk dija ç’është!

 

E ndjeja

lumturimin e mishit,

e nuk dija ç’është!

 

E ndjeja

vetëdorëzimin e flokëve

mbi kokën time,

e nuk dija ç’është!

 

E ndjeja

gjëmimin ujor në veshët e mi,

e nuk dija ç’është!

 

Atë ditë,

Ti dritës formë i fale!

Eh,  grua shpike Ti

mbi trupin tim!

 

Dhe çastin e lules

e shpike n’atë çast:

Në gojën e saj!

Në gjinjtë e saj!

Nën barkun e saj!

 

Dhe, po n’atë çast fole,

siç di të flasësh

vetëm Ti:

Dashuroje, Njësh!

Dashuroje, bir!

Me buzë,

me gjuhë,

me gojë,

me krahët e tu,

me zemrën tënde,

me shpirtin tënd,

me trupin tënd, Njësh!!!

 

 

JETA PA DREQ ËSHTË ËNDËRR PA VASHË!...

(rrëfimi i pesëmbëdhjetë)

 

Mendoja për Ty

kur e shpika dreqin!

Qëllova me dreq

kur të shpika Ty!

 

Dreqi është i bukur,

Njëshi im!

Me dreq mund ta pijsh

kafenë e mëngjesit.

 

Majën e mustaqes

mund ta dredhësh me dreq.

Me dreq

mund të llafosësh,

duke dredhur cigare

gju më gju.

 

Në faltore engjëjsh

mund të shkosh me dreq.

Me dreq mund ta provosh

muzikën e shpirtit.

 

Vallen e lepujve

mund ta hedhësh me dreq.

Me dreq mund të drekosh

në sofër diellore.

 

Mund të dalësh

edhe për gjah me dreq.

Me dreq është bukur

të jesh dhe gjah.

 

Hënën drapër

mund ta rrëzosh me dreq.

Me dreq, në shtrat

mund të biesh,

si me gruan e jetës.

 

Rrugët e xhelozisë

mund t’i marrësh me dreq.

Me dreq mund të përfundosh

në thertore zemrash.

 

Në vazë, mund ta këputësh

zemrën e lules me dreq.

Me dreq mund ta këputësh

lulen e zemrës n’zemër.

 

Të gjitha mund ti bësh,

me dreq, Njëshi im!

Jeta pa dreq

është ëndërr pa vashë!

 

Të gjitha mund ti bësh,

me dreq, biri im!

Jeta pa dreq

është lule në hi!!!

 

 

ËSHTË LULE ÇASTI DRITË!...

(rrëfimi i gjashtëmbëdhjetë)

 

Për bardhësinë e dëlirë,

për shpëtimin

mendoja

kur shpika moshë.

 

Për bukurinë e bardhë,

për thjeshtësinë e bardhë.

 

Nga përbërja,

unë vuaj, o Njëshi im,

nga misteri i pafund

i akullsisë ujore.

 

Nuk ka ditë,

nuk ka natë jetake

në universin tim dëshpërak.

 

Vibroj

në dridhjen time të pafund.

Në dridhjen time vdes,

pa vdekur asnjë çast.

 

Me sytë e tu të ndezur dashurorë,

me sytë e tu të shterrur pleqërorë,

dashuroje ikjen,

dashuroje shpëtimin!

 

Dhe

për çastin e bardhë lutu,

për Çastin Dritë!

 

Është lule, Çasti Dritë!

Është pendël, Çasti Dritë!

I lehtë,

i lehtë,

pikël!

 

Pikël eterike,

pikël e tejdukshme

që pik!

 

Eh,

e kujtoj Soreskun

në ditën që m’u dha!

 

Shtrati qante,

Ai frymonte rralluar

dhe qeshej

me Varg!

 

Shpirti i pikonte

pik

pik

pik...,

në Varg,

në Tejanë!

 

Veç ta shikoje

si i vizatohej

buzëqeshja në buzë!

 

Veç ta shikoje

si i vizatohej

buzëqeshja në bardhësi!

Në bardhësinë e bardhë të thjeshtësisë!

Në thjeshtësinë e thjeshtë të bardhësisë!...

 

 

TI JE KAFSHA IME GJENIALE...

(rrëfimi i shtatëmbëdhetë)

 

Dëgjoj një ulërimë brenda meje,

dëgjoj një ulërimë brenda meje, Mbinjësh!

 

Mbase të duket,

mbase të duket, Njësh!

 

S’është se më duket!

Po m’i gërryen zorrët!

Ka një kafshë brenda meje, Mbinjësh!

 

S’dërgova kafshë në njeri!

Mbase të duket,

mbase të duket, Njësh!

 

Po ma gërryen lukthin,

po ma gërryen zemrën, Mbinjësh!

 

Mbase të duket,

mbase të duket, Njësh!

 

Mos bë sikur s’e di!

Po më gërryen të tërin,

po më ha të tërin, Mbinjësh!

 

Mbase të duket,

mbase të duket, Njësh!

 

E ndjej përgjakjen e barkut,

e ndjej përgjakjen e zemrës,

e ndjej përgjakjen e shpirtit, Mbinjësh!

 

Paqëtoje kafshën,

paqëtoje kafshën, Njësh!

 

Me brinja po më gërryen,

me brinja po më copëton, Mbinjësh!

 

Kape për brinjash,

kape për brinjash, Njësh!

 

Jam i pafuqishëm përballë rrëmimit!

Se zë dot për brinjash,

s’e zë dot për brinjash, Mbinjësh!

 

Kape për këmbësh,

kape për këmbësh, Njësh!

 

Se zë dot as për këmbësh,

s’e zë dot as për këmbësh, Mbinjësh!

 

Jepi të hajë,

jepi të pijë, Njësh!

 

I jap e nuk ndalet,

i jap e nuk ndalet, Mbinjësh!

 

Jepi dhe ëndërr,

jepi dhe ëndërr, Njësh!

 

Po më gërryen pandalur!

As ëndrra nuk e ndal, Mbinjësh!

 

Jepi dhe shpresë,

jepi dhe dritë, Njësh!

 

As shpresa se qetëson,

as drita se dritëson, Mbinjësh!

 

Jepi grua,

jepi grua, Njësh!

............

.............

............

 

Nuk po më përgjigjesh, Njësh?!

Çu bëre?

Ike?

Nuk flet më?

Nuk ankohesh më?

Nuk ulërin më kafsha brenda teje, Njësh?

 

Pushoi kafsha, Mbinjësh!

S’ka më ulërimë brenda meje!

 

Aaaaa ha ha ha ha ha hah!...

E kuptova:

Ti je kafsha ime gjeniale!

Ja pse t’adhuroj, Njësh! 

 

 

DËSHPËRIMI ËSHTË SYTH I VDEKJES!

(rrëfimi i tetëmbëdhjetë)

 

Me vetmidashurinë nën krah,

buzëvarur,

në katin e dytë të ngesë,

në kafe coloseum,

ti veten gjerb!

 

Sa më qeshet me ty,

sa më qahet për ty,

o eremit!

 

Ditën që ke përpara syshë

mendoje si ëndrrën e fundit!

 

Këngën që je duke dëgjuar

mendoje si gëzimin e fundit!

 

Kafenë që t’avullon përpara hunde

mendoje si gllënjkën e fundit!

 

Lapsin që të dergjet mbi varg

mendoje si ndjenjëmendimin e fundit!

 

Cigaren që të digjet mes gishtash verdhakë

mendoje si frymën e fundit!

 

Çastin e çastit dhembjesor

mendoje si sekondën e fundit!

 

Buzëvarjen që të vizatohet fytyrës

mendoje si dëshpërimin e fundit!

 

Dëshpërimi është syth i vdekjes!

Këpute sythin, Njëshi im!

 

 

NUK KA DITË TË BUKUR PA BUZËQESHJEN TËNDE!

(rrëfimi i nëntëmbëdhjetë)

 

 

Prilli, panvera

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Dritarja, mendimi

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Kopshti, dardha, lulebardha

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Ëndrrat, eteriket

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Braktisja, vetmia

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Vargjet, shpërthimet

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Dehja, sëmundja

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde.

 

Dhembja, tmerrimi

më buzëqeshin bukur,

e nuk ka ditë të bukur

pa buzëqeshjen tënde...

 

Oh, MbiNjësh!

Vdekja kreshpërohet

pa buzëqeshjen tënde:

pikur mbi prill,

pikur mbi pranverë,

pikur mbi dritare,

pikur mbi mendim,

pikur mbi kopsht,

pikur mbi dardhë,

pikur mbi lulebardhë,

pikur mbi ëndrra,

pikur mbi etër,

pikur mbi braktisje,

pikur mbi vetmi,

pikur mbi dehje,

pikur mbi sëmundje,

pikur mbi dhembje,

pikur mbi tmerr,

pikur mbi varg,

pikur mbi pikë...,

pyyyyyyykkkkkëëëëë!!!!!

 

 

DASHURIA ËSHTË FUNDI I PAFUND I FUNDIT PA FUND

(rrëfimi i njëzetë)

 

Dashuria është fundi i pafund

i fundit pa fund.

Jeta është tepër e gjatë

për të dashuruar shkurt,
tepër mister

për të dashuruar cekët,
tepër e rrotullt

për të dashuruar veç një herë,
tepër e madhe

për të dashuruar pak.

 

Dashuria është fundi i pafund

i fundit pa fund.

Ne jemi shqerra Tejane

që dashurojmë me Anë.
Të dashurojmë duam,

të mos lëndohemi duam,
e të mos lëndojmë.

Harrojmë se jemi njerëz

harrojmë se harrojmë.

Dashuria është fundi i pafund

i fundit pa fund-

shija e preferuar

e Mbinjëshit që është një.

Sa shumë harrrojmë,
sa shpejt harrojmë:
se të lënduar jemi

edhe kur frymojmë;
se të përgjakur jemi

kur s'kemi kend të dashurojmë;
se të vdekur jemi

kur s'ka kush na dashuron.

Dashuria është fundi i pafund

i fundit pa fund.

Ne jemi shqerra Tejane

që dashurojmë me Anë.

Shqerrat jemi ne dhe bari i njomë.

Sa mirë kullosim mbi dhembjen tonë.

Sa mirë rimbijmë mbi veten tonë.

Dashurona, Mbinjësh!

Na kujto të dashurojmë!

 

 

DËBIMI E PASKA SHIJEN E MOLLËS...

(rrëfimi i njëzetenjëtë)

 

Bota dhe dashuria

kanë të njëjtën moshë!

 

Dashuria dhe mëkati

kanë të njëjtën moshë.

 

Mëkati dhe dëbimi

kanë të njëjtën moshë.

 

Për botën

dashurinë

mëkatin

nuk dija asgjë.

 

Dëbimin

e njoha sot.

 

Dëbimi paska

shijen e mollës.

 

Thonin

një mollë në ditë

e mban mjekun larg!

 

Ajo më dëbon përditë

duke më kujtuar si sot!

 

Ajo më kujton përditë

duke më dëbuar si sot!

 

Dëbimi nga Tejana

është rinim!!

Bota dashuria mëkati

janë mollët

që ti kafshon, Mbinjësh!!

Ne jemi njerëz....!!!

Ne jemi mëkati..., Mbinjësh!!!

Fli, mos na dëgjo...!!!

Fli, mos na dëgjo...!!!

.... !!!!!!!!!!.....

 

 

ÇASTI SHTERP!

(rrëfimi i njëzetedytë)

 

Asgjë s’lëviz,

asgjë s’frymon

në frymën e këtij çasti shterp!

 

Shterpe dita,

shterpe drita!

 

Shterpe muzika e shiut,

shterp zëri i Joe Coker-it

në kafe Coloseum!

 

Shterpe drenushat

në fytyrat e vajzave

në tabolinat përballë,

shterpe dashuria!

 

Shterpe buzëqeshja,

shterp mendimi!

 

Shterp udhëkryqi

te rrugë e Dibrës,

shterpe lëvizja!

 

Poshtë dritares së kujtesës,

Jashar Kasapi shterp,

thikën shterpe mpreh,

e zëri shterp i hoxhës

nga Xhamia e Sahatit,

lajmëron vdekjen

e një birit tënd shterp!

 

Në shterpësinë shterpe

të këtij çasti shterp,

veç vdekja nuk është shterpe!

 

Vdekja ha portokalle,

Mbinjësh?!...

 

 

THIKA!...

(rrëfimi i njëzetetretë)

 

Unë të them:

je kasap, jam dem.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

gota e birës

është bota virgjër.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

vajza që më buzëqesh ëmbël

nga tavolina përballë,

më ka në zemër.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

vajza që më buzëqesh ëmbël

do qajë për mua.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

këtu  ku jemi

(unë, ti, gota e birës

dhe vajzushka që buzëqesh ëmbël)

është purgatori.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

purgatori nuk është iluzion.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them,

iluzioni është shpëtimi.

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Unë të them:

Ti më vetëtin

matanë dritares!

E sytë e tu më thonë:

ti nuk je mirë,

ti nuk je mirë!

 

Oh, Mbinjësh,

sytë e tu më thonë...,

por sytë e mi të shterrur

nuk u besojnë!

 

Sytë e mi kanë pikur

në banakun e mishtores

përballë,

aty ku

ngulur mbi mish demi,

thika e kasapit

vetëtin me teh!!!

 

 

PA ZEMËR S’MUND TË SHKOHET AS NË TEJANË!
(rrëfimi i njëzetekatërt)

Çast i zemrës
jeta,
Mbinjësh!
Çast i zemrës
Kujtimi!

Ishte mesditë.
E premtja e bekuar
në ethe zjarrmie përpëlitej!

Ia mbaja dorën nën dorë,
zemrës së çastit!

Prarohej
drita mbi të,
e me trupin e saj të hajthëm
vallëzonte era!

Ndizej e fikej
zemërimi im praptak!

Kalimtarëve buzëvarur,
mbi hirret e saj,
sytë u piknin,
si kokra rrushi të zi,
të pjekur në vjeshtë shpirti!

Në rrugën Erveheja,
një çunak flokëkaçurrel,
mbi flokun e saj të derdhur
e sapoprovonte
lindjengatërrimin e ndjenjës!

I gjori çunak,
u mpak
e ra,
e ballin për vdekje përgjaku
mbi pllakat mermerzeza!

Dy bilbila
tmerrimin provuan
mbi degën e blirit plak mbi trotuar,
e këngën zemërore ngjyen
në ëmbëlsinë e gjakut dashuror!

Mbi ballëskuqurin,
ajo u përkul,
me delir erak,
dhe gishtat e hollë ngjyu
në gjakun e valë të ballit!

U përkula, Mbinjësh!,
dhe dorën gishtpërgjakur
ia mora nën dorë,
e ngushëllova
me zërin tim vdeksor:
Është sprovë zemre, zemër!
Ec me mua, zemër!
Pa zemër s’mund të shkohet
as në Tejanë!

 

 

VRASJA BANON NË SHPIRTIN E ÇASTIT!

(rrëfimi i njëzetepestë)

 

Vrasja banon në shpirtin e çastit!

Vdekja banon në zemrën e vrasësit!

 

Lëkundej prilli

mbi  krahët e mëngjesit, atë ditë,

unë ngisja veturën

për në dëshpërim!

 

Dhe,

në grimcën e Çastit Vetëtimë

pashë një zog!

 

Bukurisht vallëzonte me dritën.

Bukurisht vallëzonte me erën.

 

Bukurisht ngritej e binte,

n’ajër

e në çast,

e në xhamin e përparmë

u përplas

me Fundin e Fillimit!

 

S’i dola dot para Çastit Vetëtimë!

Gjak e pupla u bënë sytë e mi!

Gjak e pupla më mban peng kujtimi!

 

Që atë ditë e sot

vdekja banon në zemrën time!

 

 

JAM KOLLI YT!...

(rrëfimi i fundit)

 

Në sytë e tu

jam

veç një milingonë.

 

Jam veç një Njësh

mes miliarda Njëshash.

 

Më frymëzon

pritja e së Hënës

dhe e Diela plastike.

 

Bëj gjellë

prej ndjenjash,

drekoj mbi ëndrra.

 

Shpirti im burg,

i veshur murg

Diellin pikturon

në sytë e Natës.

 

Në sytë e mi

hëna

e mbarëson mërgimin

në dhe të huaj,

në terr të huaj.

 

E provova

kalërimin mbi hiç,

abortin e dritës

dhe rënien me teh.

 

Sot është e Diel,

dita e fundit e javës,

muaji prill,

data njëzetepesë.

 

Kuvendimin me Ty

do ta vazhdoj,

por, më,

varg prej vargu

s’do shkruaj për këtë.

 

Qëllova i marrë!

Nuk shkruhet për Dritën!

Nuk shkruhet për Terrin!

Nuk shkruhet për TerrDritën!

Nuk shkruhet për DritëTerrin!

Nuk shkruhet për Misterin e Bukur

të Bukurisë!

 

Nuk shkruhet për Gjithëmundësinë!

Nuk shkruhet për Veçdashurinë!

Nuk shkruhet për Adhurimin

që veç Adhurohet!

 

Nga stërgjyshi

(që kishte

edhe ai emrin tim),

mësova bardhësinë

e fërkimit të mjekrës.

 

Stërgjyshen

nuk e njoha.

 

Nga gjyshi sykaltër,

mësova krenarinë arare,

mbajtjen e mustaqeve vesh më vesh,

dhe adhurimin e qiellit

në netë gjinkallash.

 

Nga gjyshja

artin e kollitjes mësova,

dashurinë për lotin

dhe dashurinë për shiun.

 

Nga nëna ime, ndjesëpastë,

e mësova buzëqeshjen,

përcjelljen për në ndjenjë,

dhe kapërcimin e vdekjes.

 

Nga im at,

sot e kësaj dite vjedh

leksione për vetminë,

dhe për artin e lodhjes

kot së koti.

 

Nga fati im

mësoj,

dashurinë për sofrën

dhe dashurinë për mbledhjen

e thërmijave të bukës.

 

Nga ime bijë

vjedh leksione

për përmallimin prindor.

 

Nga im bir,

pikturimin e dhembjes

mësoj

dhe pikturimin

e dashurisë qiellore.

 

Nga ime mbesë

mësoj çapkëninë,

fshehjen e dashurisë mbesore

dhe çastin dritësor.

 

Nga im nip,

syshkeljen e kaltër dyshe

e mësoj

dhe mbajtjen gjallë

të fëmijës brenda meje.

 

Jam kolli yt, Mbinjësh!

Bë ç’të duash me mua!

Bë ç’të duash

me pikëllimin tënd

dhe timin!

 

Veç për dy gjëra

të lutem:

Mos mi ndalo mësimet

dhe mos më ndaj nga mësuesit,

as në Anë,

as në Tejanë!!!



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx