E shtune, 15.06.2024, 07:08 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Konsulli i larguar i Korçës: Regjistrimi në Shqipëri, shansi ynë i fundit për VorioEpirin

E diele, 20.02.2011, 08:19 PM


“Vorio Epiri”, zbulohet letra e kongresmenit drejtuar Rajs

Gazeta SHQIP,2011-02-20

SHBA

Gilirakis përdor termin “Epiri Verior” për t’i shpjeguar ish-sekretares vendndodhjen e minoritetit grek

Përfaqësuesit e lartë të komunitetit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ngurruar për asnjë çast të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me Vorio Epirin dhe problemet e supozuara të tyre për diskriminimin që i bëhet minoritetit grek në Shqipëri. Gazeta “Shqip” zbardh sot një letër që kongresmeni republikan greko-amerikani Gus (Kostandin) Bilirakis i shkruante.
Kondoliza Rajs, në atë kohë sekretare e Shtetit e SHBA-ve. Në letër që mban datën 20 maj 2008, kongresmeni amerikan me origjinë greke shpreh shqetësimin për mungesën e informacionit dhe mosveprimin e autoriteteve shqiptare, në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që të ofrojë të drejtat themelore të njeriut për pakicën greke në Shqipëri. Po kështu, kongresmeni kërkon që të jetë ambasada amerikane në Shqipëri ajo që të mbledhë të dhëna statistikore për çdo problem që sipas tij, ka minoriteti grek në vendin tonë. Ndër të tjera, Bilirakis në letër shkruan: “Unë mendoj se do të ishte më mirë që ambasada e SHBA-së në Tiranë, duke mbledhur të dhëna të sakta statistikore, të bëjë një vlerësim në lidhje me atë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë që të bindë qeverinë shqiptare të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave. Shqipëria është e obliguar që të realizojë analiza që të përcaktojë se a është dhe deri në ç’masë është gjendja e rëndë e disa minoriteteve, rezultat i diskriminimit etnik ose racor kundër tyre”. Kongresmeni i lobit greko-amerikan, Bilirakis, para se t’i shkruante ish-sekretares së Shtetit Rajs, kishte zhvilluar një takim në Amerikë me kryetarin e Omonias dhe të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollanon, duke dëgjuar nga ai ankesa të shumta për keqtrajtimin që Shqipëria i bën minoritetit grek si “refuzimin nga qeveria shqiptare për të miratuar legjislacionin që të sigurojë titujt e pronës dhe tokave kullota, që u përkasin familjeve të minoritarëve grekë”. Gjithashtu Bollano shfaqi shqetësimin e moskthimit të pronës së Kishës Ortodokse dhe artefaktet fetare të përvetësuara gjatë diktaturës komuniste. Në fund të letrës së tij, Bilirakis nuk lë pa përmendur termin Vorio Epir për Shqipërinë Jugore. Kështu Bilirakis letrën e tij drejtuar Kondoliza Rajs e përfundonte: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë kampionë të të drejtave të njeriut për të gjitha pakicat etnike dhe fetare në botë. Unë kam çdo besim që SHBA-të do të marrin udhëheqjen në sigurimin e mbrojtjes së pakicës greke në Shqipëri. Unë do ta çmoj shumë të di se çfarë veprimesh planifikon Departamenti i Shtetit që të bindë zyrtarët shqiptarë të përmirësojnë trajtimin që ata u bëjnë pakicave në vend, dhe çfarë bën për momentin ambasada amerikane drejt këtij qëllimi. Çështja është personale për mua, pasi shumë nga zgjedhësit e mi duke përfshirë edhe familjarët e gruas sime, vijnë nga një rajon i Shqipërisë Jugore i njohur si Epiri i Veriut, ku është i koncentruar minoriteti grek. Unë besoj fuqimisht, se është në interesin më të mirë të Shqipërisë që kërkon integrimin në Europë, që të trajtojë pakicat e veta në atë mënyrë që insiston të trajtohen shqiptarët etnikë në vendet fqinje. Ju faleminderit për kohën dhe konsideratat tuaja. Unë shikoj para që të punoj me ju, që të garantojmë që të gjithë pakicës greke në Shqipëri t’i sigurohet liria fetare, politike dhe ekonomike”.

Kush është kongresmeni Gus Bilirakis

Kongresmeni republikan, Gus Bilirakis (grekët e thërrasin Kostandin) ka lindur më 1963 në Florida. Babi i tij, Michael Bilirakis, është zgjedhur disa herë Kongresmen nga viti 1983-2006, duke ia pasuar më tej frontin të birit. Gus Bilirakis është zgjedhur për herë të parë kongresmen më 7 nëntor 2006. Momentalisht ai gëzon mandatin e dytë si kongresmen dhe shërben në Komitetin e Sigurisë së ShBA-ve, në çështjet e Veteranëve dhe Punëve të Jashtme, është kryetar i nënkomitetit për emergjencë. Jeton në Palm Harbor, i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Kongresmeni Bilirakis është shumë aktiv në lobin greko-amerikan në çështjet e minoritetit grek në Shqipëri dhe për zgjidhjen e çështjes së Qipros.

 

 

Qeveria tërhiqet nga regjistrimi etnik i popullsisë

Gazeta Shqip,2011-02-20

Fatjona Mejdini

Procesi i parashikuar të niste më 1 prill është shtyrë pa vendosur një tjetër datë se kur do të kryhet

Qeveria shqiptare ka shtyrë projektin e saj për të regjistruar popullsinë në vend mbi baza etnike dhe fetare. Burime zyrtare brenda kabinetit qeveritar bëjnë të ditur se procesi i shumëpërfolur i regjistrimit të popullsisë, i cili pritej të fillonte në 1 prill të këtij viti është shtyrë, pa përcaktuar një tjetër datë se kur ai do të nisë. Në lidhje me këtë shtyrje, burimet japin një sërë arsyesh, por tri mësohet se janë më kryesoret. Arsyeja e parë lidhet me faktin se procesi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare ngjalli menjëherë reagimin e ashpër të shumë intelektualeve dhe grupeve të interesit në vendin tonë. Frika se me këtë proces do të abuzohej, duke rritur në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve, u shpreh menjëherë nga intelektualët shqiptarë dhe po kështu nga grupe të caktuara interesi, siç është komuniteti çam në Shqipëri. Shqetësimi u fokusua kryesisht tek një pjesë e shqiptarëve të cilët për interesa të ditës mund të deklaronin se i përkisnin etnisë greke, nisur edhe nga eksperienca e hidhur që vendi ynë ka pasur me këtë çështje me një pjesë të popullsinë që jeton në Jug. Nga ana tjetër, regjistrimi i popullsisë, proces ky që zakonisht kryhet njëherë në 10 vjet, përkon me fushatën elektorale të partive shqiptare për zgjedhjet lokale të 8 majit. Një proces i zhurmshëm regjistrimi, i përzier me një fushatë zgjedhore intensive, e cila nisur nga gjendja aktuale politike pritet të marrë ngjyrime të forta, nuk do t’i shërbente klimës së përgjithshme në vendin tonë. Burimet përmendin si arsye të tretë, por jo më pak të rëndësishme në marrjen e këtij vendimi, edhe kërkesën që Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ka bërë qeverisë shqiptare, për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë. PDIU, e cila është një parti e formuar nga shkrirja e dy partive që përfaqësonin komunitetin çam në vend, konsiderohet sot si një aleate kyçe për qeverinë ‘Berisha’, nisur edhe nga fakti se kjo parti përfaqësohet me dy deputet në Parlamentin shqiptar. Në këtë kuadër, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi përgjatë ceremonisë së krijimit së partisë së re, i kërkoi në mënyrë të qartë qeverisë që ta shtynte procesin e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare dhe të kërkonte më shumë konsulta në lidhje me këtë proces. Procesi i ri i regjistrimit të popullsisë shqiptare është njoftuar nga përfaqësues të qeverisë në fund të vitit të shkuar, dhe Kryeministri Berisha mandatoi ministrin e Informacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo për ta drejtuar dhe mbikëqyrur atë. Regjistrimi i popullsisë mbi këtë formë u konsiderua si normal dhe si një praktikë që zhvillohej në shumë vende europiane. Por, problemet që mund të hapë ky proces duket se e kanë shtyrë qeverinë që ta rikonsiderojë edhe njëherë këtë çështje dhe të gjejë një mënyrë të re për kryerjen e këtij procesi të rëndësishëm.

 

 

Moisiu: Ligji i gjendjes civile, anti-kushtetues

Gazeta Shqiptare, 20/02/2011

 

Ish-presidenti Alfred Moisiu e cilëson anti-kushtetues ligjin për gjendjen civile, i cili përcakton kombësinë e shtetasve. Në një prononcim të djeshëm për mediat, Moisiu tha se mbështetur mbi këtë ligj, që bie ndesh sipas tij dhe me konventat ndërkombëtare, po mundësohet ndryshimi i kombësisë nga shqiptare në greke, pa u mbështetur në prova dhe fakte. Ish-numri një i shtetit është pozicionuar njëherësh edhe kundër nismës së qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnie, duke e cilësuar edhe atë si anti-kushtetues. Moisiu thekson se ligji themeltar i shtetit nuk e njeh kombësinë, por ka të shkruar në të vetëm shtetësinë. “Vërtet nuk shoh të përmendet fjala ‘kombësi’ në Kushtetutën tonë. Atje përmendet vetëm fjala ‘shtetësi’. Nga ka dalë ky formular? Si është hartuar ky formular? Cili e ngriti gjithë këtë zhurmë të drejtë?” - është shprehur ish-presidenti i Republikës. I fokusuar mandej tek formulari i regjistrimit të popullsisë, ai shtoi se “ligji ynë mbi gjendjen civile, aq më tepër formulari i regjistrimit të popullatës ka defekte që bien ndesh edhe me Kushtetutën, por në mënyrë të veçantë me interesat e popullit shqiptar, me interesat e kombit shqiptar. Unë nuk e di si janë bërë këto, me qëllim apo pa qëllim, me dije apo pa dije, por fakti është që këto qëndrojnë dhe këto duhen rregulluar. Ka ardhur koha që shteti ynë, qeveria jonë duhet ta shikojë seriozisht këtë problem. Është një problem që e cenon shqiptarin, e cenon nderin e shqiptarit dhe e vë këtë të fundit në kushte të pabarabarta me të tjerët”, - tha Moisiu. Referuar pretendimit të subjekteve politike që mbrojnë tezën e regjistrimit të popullsisë duke përfshirë etninë dhe fenë, ish-presidenti Moisiu thotë se për këtë është konsultuar edhe me praktikën europiane për të dhënë këtë përgjigje: “Si e sheh këtë legjislacioni i Bashkimit Europian? Si trajtohet ky problem në shtete të tjera të Europës? Nuk ka kërkesa të tilla”, - përfundoi ish-kreu i shtetit.

Gjykata Kushtetuese

Ligji “Për Gjendjen Civile” ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nisma është marrë nga kryegjyqtari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, pas shqetësimeve të fundit në lidhje me dhënien e kombësisë së shtetasve shqiptarë duke i kthyer ata në grekë. Sipas kryegjyqtarit, ligji është antikushtetuese. “Kombësia nuk zgjidhet pa prova. Ligji është në kundërshtim me konventën e Këshillit të Evropës. Ai ka krijuar shumë probleme në Gjykatën e Sarandës”, - ka deklaruar ai. Sipas kreut të Gjykatës së Sarandës, Gjykata Kushtetuese duhet të shfuqizojë ato dispozita të ligjit që kanë të bëjnë me kombësinë. Ligji është miratuar në vitin 2009 dhe duket se ka krijuar shumë hapësira për abuzime. “Nëse në kuptim të nenit 20/2 dhe 24 të Kushtetutës, ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore dhe gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër të vendosë një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

 

 

Konsulli i larguar i Korçës: Regjistrimi në Shqipëri, shansi ynë i fundit për VorioEpirin

Shekulli,19/02/2011

 

Një intervistë në median greke e konsullit të sapolarguar nga Korça. Këmbëngul në qëndrimet e tij dhe përkrah vendimin e qeverisë Berisha për regjistrimin me bazë etninë dhe fenë: "Korça është greke, atje është veriu i Greqisë"

 

Në një intervistë të 17 shkurtit, për median greke, që mund të gjendet në sajtin http://www.noiazomai.net/, ish-konsulli grek në Korçë, Economou flet për largimin nga detyra. "Nuk tërhiqem nga ajo që thashë për grekët dhe veriun e kontinentit"-u shpreh konsulli që u largua nga detyra pas protestave mbi deklarimet e tij në Shqipëri.

 

Tërheqja juaj nga Korça shkaktoi protesta. Arsyeja e vërtetë për revokimin tuaj ishin fjalët tuaja që thatë në Epirin e Veriut..?

Konsulli Economou: "Unë bëra detyrën time. Asgjë më shumë. Dhe nuk do të heq asgjë për ato që thashë mbi grekët dhe Epirin e Veriut.! Për këtë arsye, më tërhoqën në Athinë. Unë isha në misionin tim. Unë isha në Epirin e Veriut. Nëse do ta isha në Canberra (Australi-shënimi i redaksisë) ose ndokund tjetër, do të punoja sipas rrethanave. Por unë isha në Epirin e Veriut..

Çfarë do t'i thoni ju tani botës greke, ata duan të dëgjojnë prej jush?

Konsull Economou: "Unë sapo thashë se bëra vetëm detyrën time. Asgjë më tepër. Atë që bëjmë të gjithë. Pse duhet të braktisim çështjet tona kombëtare dhe ligjet tona ndërkombëtare. A kemi luftuar kudo, në çdo kohë! Të lidhura bashkë dhe të bashkuar të gjithë grekët për të gjitha rreziqet dhe sfidat!"

 

Pas largimit tuaj të papritur, çfarë mesazhi mund t'u çoni juve atyre?

Konsulli Economou: "T'u japim atyre rregjistrimin! Është shansi i fundit i tyre për tu deklaruar grekë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në Epirin e Veriut! Dhe kur unë thashë Veriu i kontinentit, ne kuptojmë atë që përshkruan protokolli i Korfuzit në 1914! Asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne nuk kërkojmë tokë, por ne bëjmë fjalë për njerëz dhe të drejta. Rregjistrimi është shumë i rëndësishëm! Dhe unë jam i lumtur se fjalët e mia zunë vend në Korçë dhe ata vrapuan masivisht të deklaronin se ishin grekë dhe të përfshiheshin te Omonia! Për mua ky ishte synimi! Dhe shumica e grekëve të Korçës, 80 për qind flasin gjuhën vllahe. Kështu që ju mund të shihni se sa i rëndësishëm është ky synim, që në veçnati shqetësoi shqiptarët, që u ankuan duke më tërhequr mua në Athinë"....

Ambasadori grek në Tiranë, tha se deklarimi juaj për grekët dhe Epirin e Veriut ishte "opinion personal"...

Konsulli Economou: "Opinioni im personal? A nuk është ai ambasador atje ku ka popull grek? A është ai Epiri i Veriut? Kur këto janë pikëpamje personale? Përse të mos flasim? Çdo herë që është hedhur poshtë dhe djegur flamuri grek dhe asnjë fjalë! Pse?

Linku: http://translate.googleusercontent.com/translate_c?hl=en&sl=el&tl=en&u=http://www.noiazomai.net/oikonomou.pdf&rurl=translate.google.com&usg=ALkJrhhf6MGqw5XBw8hX930E28duMrB-AQ

 

Regjistrimi dhe Gejxh-Berisha

 

Ne nje interviste me Nikolas Gejxh, njeriun simbol te perpjekjeve greke per Vorio Epirin, thuhet se regjistrimi me baze fene, i eshte premtuar fillimisht atij (Gejxhit) nga Berisha. Pyetjes: "Takimi juaj me Berishën ishte një surprizë. Çfare u tha në atë takim?", Gejxh iu përgjigj: "Ne diskutuam kryesisisht për të ardhmen e Shqipërisë, si ta përmirësojmë atë, përfshi dhe situatën e minoritetit grek. Ai tha se ishte i vendosur që minoriteti grek dhe minoritetet e tjera të kenë të drejtën për të deklaruar identitetin etnik dhe fetar në një regjistrim të pritshëm. Ne nuk disktuam për të kaluarën, sepse unë mendoj se ishte një keqkuptim prej të cilit të dy kemi nxjerrë mësime..."

 

Shifrat sipas Enciklopedi '85

Qeveria shqptare është shprehur "shumë e vendosur" për të bërë rregjistrimin me këto kushte të kritikuara. Regjistrimi i fundit zyrtar në Shqipëri është bërë në vitin 1979. Të dhënat për këtë regjistrim mund të gjenden në botimet enciklopedike të vitit 1985. Sipas këtij regjistrimi të 79-ës, në Shqipëri kishte 54.687 vetë me kombësi joshqiptare (që hyjnë tek pakicat kombëtare). Kjo shifër përbënte 2.1 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj kohe. Ndër ta, 49.037 vetë ishin grekë që banonin kryesisht në krahinat kufitare jugore në Gjirokastër dhe Sarandë; 4.163 ishin sllavë (pjesa kryesore e tyre, ishin maqedonas që në kohën e regjistrimit të 79-ës banonin në zonën e Prespës).

 

 

Akti më i rëndë pas 1913-s

Vendimi i qeverisë Berisha për të kryer një regjistrim me kushtet e diktuara në veçanti nga fqinji jugor, është kritikuar shumë rreptë veçanërisht nga historianët. Ata e kanë quajtur këtë vendim të qeverisë për regjistrimin e popullsisë me vetëdeklarim, si një nismë e hapur e shtetarëve tanë për greqizimin e popullsisë autoktone shqiptare dhe përbën një sulm të hapur kundër kombit shqiptar, dhe për nga pasojat është goditja më e rëndë që i bëhet shqiptarëve, pas Kongresit të Berlinit të vitit 1913! Shumë kritikë të qeverisë e shohin këtë vendim si një tjetër hap shumë të dyshimtë, pas tentativës antikushtetuese të po kësaj mazhorance për caktimin e një kufiri të ri detar

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora