Shtesë » Lajme
Maqedoni: Ngrihen tensionet në lidhje me Kalanë e Shkupit
E shtune, 12.02.2011, 07:36 PM
Nga Isak Ramadani, Zëri i Amerikës
Në Maqedoni janë ngritur tensione pas një incidenti në kalanë e Shkupit kur një grup shqiptarësh deshi ta rrëzonte konstruktin e hekurt të një kishe të cilën autoritetet kanë nisur ta ndërtojnë në mungesë transparence. Ndërsa shqiptarët druajnë se po humbasin dhe dëmtohen artefaktet ilire në kala, Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore bën thirrje që të mos politizohen projektet e karakterit të këtillë që synojnë ringjalljen e kalasë dhe shërbejnë për qëllime turistike.
Kalaja e Shkupit, gjatë kohë e lënë pas dore, viteve të fundit është kthyer në një burim potencial konfliktesh ndëretnike dhe ndërfetare. Kështjella që daton qysh në kohërat ilire, por që mbahet më shumë mend gjatë sundimit osman, në katër-pesë vitet e fundit po gërmohet gjithandej në kërkim të gjetjeve me vlerë. Shqiptarët kanë shprehur shqetësim se autoritetet po përpiqen të fshehin gjurmët ilire dhe se po imponojnë kulturën orthodokse-sllave në këtë vend.
Ky konstrukt që po ndërtohet është bërë fshehurazi dhe në mungesë të transparencës. Madje as partia shqiptare në pushtet nuk dinte se bëhet fjalë për kishë. Autoritetet tash thonë se në kala ka pasur të paktën dy kisha, por bashkësia fetare islame dhe njohësit e rrethanave të Shkupit pohojnë se këtu ka pasur edhe xhami dhe tyrbe.
Pasi njëherë u urdhërua të pushonin punimet për shkak të tensioneve në rritje, megjithatë një natë fshehurazi punëtorët kanë vazhduar punën. Rrjedhimisht, dhjetra shqiptarë të zemëruar me aktin e organeve qeveritare janë përpjekur para një dite që ta shkatërrojnë konstruktin. Dhe të gjitha këto zhvillime duket se vetëm po e zhysin Maqedoninë drejt përkeqësimit të raporteve ndërfetare dhe ndëretnike. Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri i kundërvihet këtij projekti. Një ministër, zëvendësministri i Punëve të Brendëshme, një deputet i BDI-së dhe kryetari i komunës së Cairit të Shkupit ishin të pranishëm natën kur për pak sa nuk u shkatërrua kisha.
Në mënyrë qyqare, duke menduar se nuk do të zbulohen, kishin ardhur pas orës dhjetë në mbrëmje të punojnë. Ne erdhëm këtu për të dhënë mundësinë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të pasqyrojë historinë e kalasë në të gjitha periudhat, mirëpo këtë haspsirë dikush u përpoq që ta keqpërdorë, thotë Izet Mexhiti, nëkryetar i BDI-së dhe prefekt i Çairit.
Demokracia e Re, ndërkaq ka mbështetur grupin që deshi ta rrëzonte konstruktin e hekurt të kishës.
Gruevski dhe qeveria e tij duan të përfitojnë pikë politike duke ngarkuar rëndë marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare, thotë Imer Selmani, kryetar i DR-së.
Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare kërkon llogari nga BDI-ja pse lejon projekte të këtilla:
Kurr, asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur probleme me sllavët për shkaqe fetare. Ky është një manipulim skandaloz i Ali Ahmetit kinse reagojnë për mbrojtjen e të drejtave të muslimanëve, thotë Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski në një komunkatë me shkrim është shprehur se nuk do të lejojë që situata të ndikojë ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe nuk do të lejojë që dikush ta keqpërdorë atë për synime të veta dhe të krijojë skenare dramatike për destabilizim të vendit. Zoti Gruevski thekson se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut, ndërsa njofton se ka biseduar me partnerët e koalicionit qeveritar lidhur me këtë incident.