E hene, 22.07.2024, 03:44 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Letër e hapur nga ish të persekutuar politikë

E enjte, 10.02.2011, 08:13 PM


Kryesia e Shoqates se Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet të ish-të Persekutuarve Politikë:  Mund të kishim marrë një plumb të gjithë

 

Letër e hapur nga Gjergj Ndreca, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Haxhi Baxhinovski

 

Anëtarë të Kryesisë së Shoqatës së Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet të ish-të Persekutuarve Politikë

 

Ishim edhe ne në manifestimet tragjike të 21 Janarit dhe protestuam paqësisht. Mund të kishim marrë një plumb edhe ne. Sytë na panë njerëz të pafajshëm, të cilët morën Kushtetutën e të drejtave të njeriut me vete në varr.

 

U vranë pa gjyq. Ishin të paarmatosur. Arma më e fuqishme që kanë pasur ka qenë zemërimi që iu vlonte në shpirt. Kryeministri i Shqipërisë nuk diti as këtë herë të mos e çojë popullin e vet deri në atë rrokopujë të skajshme. Tregoi edhe një herë se nuk i dhimbset asgjë, përveç kolltukut.

 

Sot ndihemi sikur po rijetojmë në kohën e Enver Hoxhës, Aranit Çelës, Zylyftar Ramizit, Ilir Mustafarajt. Ky i fundit dje zëvendës/ministër i Punëve të Brendshme, sot këshilltari politik i ministrit të Brendshëm.

 

Ai që drejtoi dhe theu me grusht të hekurt dhe të pamëshirshëm revoltën e të burgosurve politikë në Qafën e Barit në 1984, që i futi plumbin në kolonë vertebrare të burgosurit Konstandin Gerveni, i theu po kolonën vertebrare Sandër Sokolit, i cili vdiq rrugës për në spital, pushkatoi Tom Ndojën, Sokol Zefin, ridënoi Haxhi Baxhinovskin, Nuredin Skraparin e shumë të tjerë.

 

Në fakt, gjendemi edhe më keq se atëherë. Enver Hoxha të vriste pa firmosur asnjë kontratë për të drejtat e njeriut me botën e qytetëruar dhe demokratike. Ndërsa sot ndodhin turpe dhe tmerre "në emër të demokracisë", dhe kur janë nënshkruar të gjitha kartat e të drejtave të njeriut. E të paktën të gjitha gjyqet që bëri Aranit Çela nuk i ka mohuar duke thënë që 'nuk i kam bërë', siç po mohohen krimet sot.

 

Nuk të vrisnin pas shpine, të vrisnin "me ligj". Sot të vrasin në emër të demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe pa gjyq. Të vrasin njerëz me pseudodiploma e mastera.

Kur Ali Pashë Tepelena i tha Lleshit të Zi të Gjonmarkajve të vriste gjithë banorët e fshatit Kardhiq, ashtu të lidhur siç ishin, ky ia ktheu: "Zgjidhi, armatosi dhe atëherë mund t'i vras, por jo kështu..!"

 

Si mund të ndodhte ajo që ndodhi në 21 janar? E si mund t'i qëllosh qytetarët e tu kështu?! Një shtet që i do bijtë e vet gjen mënyra të tjera për të frenuar zemërimin e tyre, ose nuk i çon fare drejt zemërimit.

 

E në vend të drejtësisë, sot na duhet të dëgjojmë fjalimet e Sali Berishës. Përditë e më shumë i ngjajnë fjalimeve të Enver Hoxhës kur mblidhte pleniumin dhe ngrinte dorën përpara publikut, por viktimën e kishte mbrapa shpine: 'Ke dashur të vrasësh komandantin e Forcave të Armatosura, Sekretarin e I-rë të Komitetit Qendror, kryetarin e Frontit Demokratik, mua". Dhe salla duartrokiste: 'Rroftë Partia'.. E qyqari 'i pandehur' që shpesh s'ia kishte as idenë se për çfarë komploti bëhej fjalë, pushkatohej pa gjyq.

 

Na kujtohet një shembull tragji-komik, Bajram Kovaçi nga Kukësi, shkrimtar disident, i cili u akuzua në vitin 1975 për agjenturë, dhe u hartua akuza qesharake se ai kishte ardhur me nëndetëse në Shqipëri dhe me të lundroi "nga Buna në Vaun e Dejës, në turbinat e Fierzës e vajti deri në Kukës" (!!). Sot në 2011 na dalin akuzat për çadrat me katër mbushje, thika me helm, desantë ajrorë, stilolapsa- pistoletë. O Zot!

 

Shqipëria po ndryshon me vrasje e tmerre. Por edhe më parë ka qenë kështu. Veç në dukje ishte pak më e qetë, por në brendësinë e vet ky pushtet e ka pasur të fjetur krimin, i cili zgjohet sa herë e ngacmojnë aty ku nuk i pëlqen.

 

Krimin e paralajmëruan edhe 27 viktimat në Gërdec. I vranë për parà këta makutër. Zoti thotë: "Tokës së keqe largoju, njeriut të keq jo, se ta heq unë". E drejtësia hyjnore do të vijë një ditë. Asnjë nga ne të burgosurit politikë nuk ka kërkuar pasuri në mënyrë të paligjshme.

 

Edhe më i dobëti psikologjikisht ndër ne e ka zotëruar dhe nuk e ka përdorur gjuhën që përdor sot Kuvendi i Shqipërisë. A mund të jetë atdhe ajo Shqipëri që vret dhe ha fëmijët e vet? Iu drejtohemi nënave të viktimave të 21 Janarit dhe Gërdecit: 'Nuk jeni vetëm. Edhe ne na ka vrarë e shkatërruar familjarisht si pushteti dje, edhe ai sot'.

 

Turp edhe për inteligjencën shqiptare! Turp për gjithë ata 'mendje-madhorë', që thonë: "Jemi profesorë, me doktoratura, mastera, të cilët në ngjarje të tilla heshtin. Ata janë zemër-gur. Turp dhe për gjithë ata kameleonë, që me servilizimin e tyre, dritë-shkurtësinë e tyre shesin shpirtin për interesa, duke i shërbyer së keqes e duke e lënë këtë vend peng të së keqes. Turp edhe për komunitetet fetare, që nuk kanë ngritur zërin për ata shqiptarë që u vranë në mes të sheshit, por kanë qëndruar në heshtje.

 

Ne të burgosurve politikë na kanë vdekur mbi 30 priftërinj në duar me fjalët: "Rroftë Shqipëria demokratike" apo 'Do bëhet Shqipëria edhe pa ne', 'Do ta bëjë mirë Zoti për Shqipërinë për brezat më pas'.

 

E që tani nuk iu gjenden varret. Korifejtë e besimeve fetare shqiptare; At Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçorri, kardinali Mikel Koliqi, monsinjor Bumçi etj, donin një Shqipëri ku secili të kishte vendin e vet dinjitoz e jo të nëpërkëmbej kësisoj nga të paudhët. Turp edhe për ndërkombëtarët që flasin me arra në gojë.

 

Turp për Akademinë e Shkencave, gjithë ata dekanë fakultetesh private, na harxhojnë energji duke i ndjekur në ekrane me atë gjuhë të varfër fyerjesh dhe sharjesh, ata analistë që bëjnë të zezën, të bardhë..

 

Ka ardhur koha të vendosë populli me vetëvendosje. E ta bëjë e ribëjë këtë sa herë që ata që e përfaqësojnë, debilosen ose pandehin se janë të pikur nga qielli e guxojnë të shkelin të drejtat e të tjerëve. Ne ish-të persekutuarit për liri dhe demokraci në këtë vend nuk do të rreshtim kurrë së thëni çfarë na vlon në zemër, derisa të marrim frymë në këtë jetë. I drejtohemi të ashtuquajturës "majë": largohu sa më parë natën pa hënë!"

 



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora