Shtesë » Lajme
Kisha serbe po rrënon Malin e Zi
E premte, 28.01.2011, 08:11 PM
Nga Express
Kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, vlerësoi se Kisha Ortodokse Serbe, me vendosjen e një kishe nga hekuri në malin Rumija, po e rrënon shtetin e Malit të Zi.
“Kisha në Rumi është një objekt për rrënimin e Malit të Zi shumetnik”, tha Krivokapiq në intervistën dhënë Radios së Malit të Zi.
Sipas tij, të gjitha objektet tjera të ndërtuara në mënyrë ilegale nga kisha serbe duhet të trajtohen si objekte ilegale, ndërsa problemi në lidhje me kishën në Rumi është problem politik.
Krivokapiq përkujtoi se maja e malit Rumi është vend i shenjtë, për pjesëtarët e që të tri besimeve në Mal të Zi.
Ai më tutje shtoi se me vendosjen e kishës së hekurit në këtë mal, kisha serbe ka bërë një agresion në këtë vend të shenjtë, duke shtuar se ky agresion është duke vazhduar që tashmë dy dekada.
Krivokapiq më tutje theksoi se kisha serbe nuk po e respekton kushtetutën e Malit të Zi, po mohon ligjet, shtetin dhe kombin malazez.
“Kjo nuk ndodh askund dhe është një gjë e paimagjinueshme”, tha Krivokapiq.
Ai tërhoqi vërejtjen se mitropoliti i kishës serbe në Mal të Zi, Amfilohije, duhet të përgjigjet para gjykatave, për shkak të deklaratave të tij të fundit për kishën në Rumi.
Amfilohije pat deklaruar se do të gjinden njerëz që do ta rrëzojnë xhaminë, nëse rrënohet kisha në Rumi dhe mallkoi të gjithë ata, të cilët synojnë ta bëjnë këtë.
Krivokapiq theksoi se ky është një kërcënim me gjakderdhje dhe se për këtë Amfilohije duhet të përgjigjet.