E marte, 10.12.2024, 11:20 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Xhavit Haliti, më i kërkuari në KE

E premte, 28.01.2011, 07:17 PM


Xhavit Haliti, më i kërkuari në KE

Artan M. Haraqia | 26-01-2011 11:05 CET
Foto: Pablo Gonsales
 
Strasburg/Këshilli i Evropës. I veshur shik, si gjithnjë, Xhavit Haliti të martën ka qenë i vetmi që i ka bërë konkurrencë Dick Martyt për tërheqjen e interesimit të medieve në Këshillin e Evropës. 
Mirëpo, përderisa Marty i Zvicrës ka refuzuar gati 60 kërkesat për intervistë, Haliti i Kosovës ka dhënë me dhjetëra intervista në hollin kryesor të Këshillit të Evropës. Kartela identifikuese në gjoks, ku shkruante “Visiteur”, shoi para së gjithash kuriozitetin e madh të gazetarëve serbë se në çfarë cilësie ka hyrë brenda anëtari i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës.
Duke vrapuar pas tij, Xhavit Haliti dha intervista shqip, anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe serbisht. Me një serbishte të thyer, pak para votimit të dokumentit, që ndër të tjera e përfol edhe atë, Haliti e pranoi që “kosovarët e kanë parasysh mundësinë e madhe të votimit në favor të produktit Marty”.
Mirëpo, ajo që tha Marty nuk ishte as për së afërmi çështja kryesore që u interesoi medieve ndërkombëtare. Gazetarëve të huaj nuk u dukej edhe aq interesante as letra që shpërndante delegacioni kosovar në Këshillin e Evropës, ku hidheshin poshtë pretendimet e Martyt. 
Dhjetëra gazetarë shumë pak e shihnin Halitin si udhëheqësin e delegacionit që kishte ardhur për të mbrojtur Kosovën nga akuzat për transplantimin ilegal të organeve të viktimave të luftës. Ata ishin shumë më të interesuar për Xhavit Halitin dhe për “profilin” që së fundmi i bëri atij “Le Monde” e Francës dhe “The Guardian” e Britanisë së Madhe.
“’Bota Sot’ që moti kishte thënë të njëjtat gjëra”, reagon duke qeshur Haliti, kur gazetarët kosovarë i thonë se interesimi i medieve ndërkombëtare duket se lidhet më shumë me dy raportet që e lidhin atë me krimin e organizuar.
Mirëpo, gazetarët ndërkombëtarë pak kishin dijeni për “Halitin e Botës sot”, pasi gjatë gjithë kohës pyesnin kolegët e tyre kosovarë: “Is this Le Monde - Haliti?”.
Gazetarët kosovarë, në fakt, patën jo pak punë për të bërë rolin e përkthyesit për intervistat që jepte Haliti në gjuhë të ndryshme të botës. Megjithatë, anëtari i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës foli vetë para gazetarëve serbë, në serbisht. 
“Kam miq serbë që rregullisht më thërrasin në telefon e më pyesin: a je ti ai njeriu që e njohim, apo qenke ndryshe, ashtu siç të përshkruajnë mediet ndërkombëtare?”, u tha medieve serbe Xhavit Haliti. 
Të hënën “The Guardian”, ndërsa pak ditë më parë dhe “Le Monde”, e përshkruan Xhavit Halitin si “fuqia që qëndron prapa Hashim Thaçit”. Dy gazetat e njohura botërore kanë mbështetur reportazhet e tyre në “dokumente sekrete të KFOR-it” dhe që thonë se Haliti ka lidhje të fuqishme me mafien e shqiptare dhe shërbimin sekret kosovar, SHIK.
 

“Guardian”: Xhavit Haliti, i lidhur me masakrën e Ali Ukës

“Guardian”: Xhavit Haliti, i lidhur me masakrën e Ali Ukës Ali Uka
 
 
Dokumentat sekrete të NATO-s, që citohen nga gazeta ”The Guardian” e konsiderojnë Hashim Thaçin si protagonist të botës së krimit në Kosovë dhe Xhavit Halitin si të lidhur me vrasjen e gazetarit të “Gazetës Shqiptare”, Ali Uka në 1997 në Tiranë. Dokumentet që janë zbardhur nga gazeta, kanë etiketën "USA KFOR" dhe përmbajnë detaje të rrjeteve të krimit të organizuar. 
Duke cituar shërbimin sekret amerikan dhe atë të NATO-s, Xhavit Haliti përshkruhet si i lidhur me një masakër të frikshme. 
"Ali Uka, një gazetar kosovar me qendër në Tiranë që e mbështeste lëvizjen për pavarësi, por e kritikonte atë në shtypin e shkruar, u masakrua me një shishe dhe një kaçavidë në vitin 1997. Shoku i tij i dhomës në atë kohë ishte Hashim Thaçi”, thekson dokumenti. Ali Uka ishte gazetar i “Gazetës Shqiptare” dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë të gjerë në shtypin shqiptar të asaj kohe. 
Në dokumenta, Thaçi identifikohet si një “peshk i madh” i krimit të organizuar në Kosovë. Po kështu edhe Xhavit Haliti, një ish-shef i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është tashmë aleat i kryeministrit dhe një deputet i ri i PDK. 
Duke e përshkruar atë si një fuqi pas Hashim Thaçit, raporti thekson se Haliti ka lidhje të forta me mafian shqiptare dhe shërbimit sekrete kosovar, të njohur si KShiK. Dokumenti thekson se Haliti është i përfshirë në prostitucion, trafikun e armëve dhe të drogës dhe se përdorte një hotel në Prishtinë si bazën operacione të tij. 
Haliti është gjithashtu këshilltar politik dhe financiar i kryeministrit, por sipas dokumentave, ai është bosi i vërtetë i lidhjes. Ai lidhet edhe me frikësimin e kundërshtarëve politikë në Kosovë dhe dy vrasje që datojnë në fund të viteve ‘90, kur UÇK thuhet se ka kryer shumë vrasje. Një prej tyre ka qenë një politikan kundërshtar që u gjend i vdekur në afërsi të kufirit me Kosovën, me sa duket pas një konflikti me Halitin. Ndërkohë, përshkrimi i një tjetër vrasjeje e lidh Halitin me masakrën e një gazetari të ri në Tiranë, Ali Uka që punonte për “Gazetën Shqiptare”. 
Duke iu përgjigjur dyshimeve lidhur me raportin që doli të hënën, një zëdhënës i qeverisë së Kosovës tha se këto akuza që kanë qarkulluar që prej një dekade janë ricikluar së fundmi në raportin “Marty“. Ato skanë fakte dhe dëshmi bazë dhe janë të punuara mbi informatat e shërbimit inteligjent serb. 
Ali Ukaj, “zëdhënësi” i parë i UCK-së 
Ali Ukaj, 26 vjeç, gazetar i “Gazetës Shqiptare” u masakrua në vitin 1997 në shtëpinë ku jetonte në Tiranë, ndërsa vrasja e tij nuk u zbardh asnjëherë përfundimisht. Ai është konsideruar si "zëdhënësi i parë i UÇK-së". Pasi ishte i pari gazetar që kishte publikuar emblemën e UÇK-së në faqet e të përditshmeve ku punonte. Ai kishte lidhje me protagonistët e lëvizjes dhe banonte në të njëjtën shtëpi me Hashim Thaçin, në atë kohë pjesë e UÇK-së dhe sot kryeministër i Kosovës.(bw)
 

Xhavit Haliti: Do të bashkëpunojmë me EULEX-in për hetime

Ish-anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi në Strasburg se autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in gjatë hetimeve për trafikim me organet njerëzore në Kosovë.

“Jemi të gatshëm që akuzat e ngritura ndaj disa personaliteteve, ndër ta jam edhe unë, të hetohen në mënyrën evropiane”, është shprehur ai, duke shtuar se është i gatshëm për hetime në kompetencat e EULEX-it dhe të përgjigjet nëse ka gabuar ndokund.
Por Haliti, raportin e Martyt e ka cilësuar si propagandë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. 
“Jemi të hapur për çfarëdo hetimi, por kërkojmë, nëse ka fakte konkrete, që Dick Marty dhe të tjerët ato t`ia dorëzojnë EULEX-it që të zhvillojë hetime.
Xhavit Haliti, në Strasburg ka vlerësuar se ka shumë gjera për të cilat Prishtina e Beogradi munden dhe duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre.
“Ne jemi dy shtete. Kemi jetuar në një shtet, por ishim të prokupuar nga Serbia. Kemi luftuar kundër Serbisë dhe jemi çliruar, e tashme duhet të nisim një epokë e re të bashkëpunimit në rrugën e përbashkët drejt Europës”, ka thënë Haliti, duke vlerësuar se kjo është rruga për popullin shqiptar e serb të Kosovës.
“Kemi minoritetin serb në Kosovë, kishat dhe trashëgiminë kulturore të popullit serb dhe ne do të përpiqemi që ajo të ruhet në interes të të gjithëve”, citojnë mediat të ketë thënë Xhavit Haliti në Strasburg.
Ish-nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, bashkë me Ibrahim Gashin e AKR-së dhe Enver Hoxhajn mori pjesë në sesionin e KiE, pa të drejtë diskutimi, as vote.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora