Shtesë » Lajme
Milazim Kadriu: Universiteti i Prishtinës nderoi Adem Demaçin me titullin “Doctor Honoris Causa”
E merkure, 19.01.2011, 08:10 PM
UNIVERSITETI I PRISHTINËS NDEROI ADEM DEMAÇIN ME TITULLIN “DOCTOR HONORIS CAUSA”
Nga Milazim KADRIU
Me një solemnitet rasti, simboli i gjallë i rezistencës kombëtare, intelektuali, shkrimtari dhe veprimtari i mirënjohur, Adem Demaçi, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti i Prishtinës. Ky titull që ndahet për personalitetet të njohura, që kanë dhënë kontribut të madh për vendin. Këtë titull Adem Demacit ia ka ndarë Universiteti i Prishtinës për kontributin që ai ka dhënë gjatë tërë jetës së tij për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Pastaj për kontributin e shquar akademik, për angazhimin e përfaqësimin dhe ruajtjen e vlerave të UÇK-së, si dhe për vlerat e ruajtjes së demokracisë, sigurisë dhe paqes në rajon. Prorektori Naser Mrasori e ka vlerësuar lartë personalitetin e Demaçit, duke thënë se është personaliteti më emblematik i popullit shqiptar, i cili e ka frymëzuar historinë më të re të popullit tonë. Sipas tij njerëzit si Demaçi lindin rrallë, andaj u shpreh se ndjehen krenarë që nderojnë një disident kombëtar, siç është Demaçi. Ndërsa Adem Demaçi tha se ndihet shumë i nderuar, por sipas tij me këtë çmim kanë nderuar edhe ata që kanë lënë trashëgim vetëdijen kombëtare dhe atdhedashurinë.
Më tej, Demaçi theksoi se nëse me këtë çmim është menduar t’i “mbyllet” goja është shumë gabim, pasi sipas tij, as çmimet dhe as paratë nuk do të arrijnë t’ia mohojnë të kundërshtojë gjithçka që nuk është interes të vendit dhe çështjes kombëtare.
Demaçi iu bëri thirrje shtetasve të Kosovës që më shumë se sa veten ta mbrojnë sovranitetin e Kosovës, dhe kur është në pyetje interesi kombëtarë t’i harrojnë ndasitë që kanë ndërmjet vete. Duke folur për bisedimet me Beogradin, ai tha se këto nuk kanë arsye të ndodhin për faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur.
Ceremonia e ndarjes së titullit u mbajt në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë. Këtë titull e kanë marrë edhe personalitete të njohura botërore si ish-kryetari amerikan Bill Clinton dhe ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.