E enjte, 14.11.2024, 05:31 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Debati per muzeun e feve, Xhufi kundershton Ramen: Duhet laik jo fetar

E diele, 09.01.2011, 01:56 PM


Nga Esmeralda Keta

 

Një muze për bashkë jetesën fetare ka futur në "sherr" Bashkinë e Tiranës me historianët. Kryetari i bashkisë Edi Rama, ka prezantuar gjatë ditës së djeshme projekt-idenë për ngritjen e një muzeu, i cili do të jetë ngjitur me xhaminë e re të myslimanëve në një sipërfaqe prej mbi 13 mijë m2, ku një pavijon do t'i kushtohet harmonisë mes feve në kryeqytet dhe tjetri do të dokumentojë tmerret që iu bënë besimeve fetare gjatë kohës së monizmit. Ideja e kryebashkiakut Rama, është kundërshtuar nga historiani Pëllumb Xhufi, i cili ka deklaruar se muzeu duhet të ketë një qasje rreptësisht laike, pasi historia ka treguar se kjo është rruga e drejtë për një vend me shumë besime si Shqipëria. Për dy historianët e tjerë, Beqir Meta e Valentina Duka, një muze për fetë, është vlerë pozitive, por që duhet t'i nënshtrohet një debati mes specialistësh e historianësh. Përfaqësuesit e feve kryesore në Shqipëri, e kanë mbështetur idenë e Ramës për një muze fetar, duke thënë se bashkëjetesa fetare, është një pasuri që i duhet treguar brezave.

 

Muzeu i Feve

 

Sipas kryetari të bashkisë, Edi Rama, ai do të jetë i konceptuar me tre pavijone, ku njëri pavijon do t'i lihet ekspozitës së Tiranës, në pavijonin e dytë do të ekspozohet bashkëjetesa fetare dhe në të tretin dhuna dhe tmerri ndaj besimeve fetare gjatë kohës së monizmit. "Për nga mënyra se si ne e shohim dhe për nga natyra e tij është një krijesë krejt e veçantë, është një muze që i mungon kryeqytetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por që pa dyshim kërkon një qasje dhe një realizim inovativ në raport me traditën tonë të muzeve, - ka deklaruar kryebashkiaku, Edi Rama gjatë prezantimit të projekt-idesë. Rama ka sqaruar se ky muze fillon me studimin e qendrës së Tiranës ku parashihet posaçërisht Xhamia e Re e Tiranës dhe do të përmbledhë, si një moment ku të treja prurjet e të tre rrugëve të fesë në Tiranë do të mund të shihen bashkë në historinë e tyre të përbashkët. Sipërfaqja e gjurmës së këtij Muzeu është 1650 metra katrorë, ndërsa ajo totale e ndërtimit është 13200 metra katrorë. Muzeu i ri është konceptuar të mos jetë i mbyllur, por të ketë edhe ambiente të jashtme ekspozimi, kopsht skulpturash, salla audio-vizuale e salla për leksione e seminare.

 

Debati

 

Mes përfaqësuesve të komuniteteve fetare kanë qenë të ftuar edhe historinë, të cilët kanë shprehur rezervat për një muze fetar. Pëllumb Xhufi ka deklaruar se duke qenë se ne jemi një vend laik, do të ishte mirë që edhe qasja ë këtij muzeu të mos ishte fetare, por rreptësisht laike, pasi, sipas tij, historia ka treguar se kjo është qasja më e drejtë për Shqipërinë. "Unë mendoj se qasja laike duhet të jetë shtylla kryesore e këtij muzeu, madje rreptësisht laike, sepse një vend me disa besime siç jemi ne është vërtetuar dhe historikisht që qasja laike është qasja më e drejtë, - ka deklaruar historiani Pëllumb Xhufi. Por Rama i është kundërpërgjigjur Xhufit me argumentin se bashkëjetesa e mirë fetare që kemi ne, duhet t'u dokumentohet brezave që vijnë pasi, ajo mund të mos jetë e tillë më vonë. "Fakti që ne sot festojmë të gjithë si Bajramin, ashtu edhe Krishtlindjet është një vlerë shumë e madhe, por askush nuk na siguron se do të mbetet e tillë përgjithmonë,. Ndaj është detyra jonë që këtë vlerë t'ua transmetojmë brezave që do të vijnë", -e ka mbrojtur Rama idenë për të ndërtuar një muze për fetë. Beqir Meta, një tjetër historian, ka deklaruar se këto ide mund të përfshihen fare mirë brenda muzeut kombëtar, por gjithsesi ka shtuar se një muze është një vlerë. "Këto pavijoni mund të përmblidhen fare mirë te Muzeu Historik, nëse kanë para, le të investohen tek ai muze që kemi, por gjithsesi hapja e një muzeu të tillë është gjithmonë një vlerë. Unë nuk jam kundër hapjes së një muzeu të tillë, vetëm se duhet të bëhet kujdes për religjionet fetare që janë futur në vend, periudhat kur janë përhapur, si kanë hyrë. Shpresojmë që edhe në këtë rast të mos jenë vetëm premtime elektorale, por projekte konkrete", - ka deklaruar historiani Beqir Meta. Në këtë debat është përfshirë edhe historiania Valentina Duka, e cila thotë për "Gazetën" se kjo projekt-ide duhet t'i nënshtrohet një debati dhe studimi të gjerë në qarqet akademike dhe të bëhet kujdes për rrugën në të cilën do të ecet. "Sigurisht që bashkëjetesa fetare është një vlerë e madhe e jona, dhe ideja e një muzeu është një ide e mirë. Por duhet të bëhet kujdes për qasjen që do të tregohet për faktet e përdorura, gjuhën dhe çdo element tjetër dhe kjo do të jetë një punë e vështirë, e cila duhet t'iu nënshtrohet një studimi mes ekspertëve të fushës", - ka përfunduar historiania Valentina Duka.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora