E diele, 08.09.2024, 11:21 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Myslimanët e integruar

E hene, 24.01.2011, 09:07 PM


Ç’do të thotë një mysliman “i integruar”? Një mysliman që flet frëngjisht? Shumica e tyre flasin rrjedhshëm fare, madje më mirë se edhe vetë presidenti francez? Një mysliman që përdor pije aperitivë? Ka edhe të tillë, ashtu siç ka edhe francezë që nuk përdorin pije të tilla. Një mysliman që ha mishin e derrit? Gjithsesi, francezët parapëlqejnë mishin e pulës e të peshkut, prandaj...

 

Nga Express

 

Pandeh apo është vërtetë e sëmurë, e megjithatë është rëndë? Rëndom Franca është nën ethe dhe rënkon: nëse ajo lëngon, ky është faji i të huajve. Për të qenë më të saktë, i myslimanëve, që asaj i faniten si “të paintegrueshëm”, madje edhe më keq se kaq- kërcënojnë “identitetin kombëtar” të Francës.

 

Po, çfarë kuptimi merr vallë ky lloj diagnostifikimi? Ç’do të thotë një mysliman “i integruar”? Një mysliman që flet frëngjisht? Shumica e tyre flasin rrjedhshëm fare, madje më mirë se edhe vetë presidenti francez? Një mysliman që përdor pije aperitivë? Ka edhe të tillë, ashtu siç ka edhe francezë që nuk përdorin pije të tilla. Një mysliman që ha mishin e derrit? Gjithsesi, francezët parapëlqejnë mishin e pulës e të peshkut, prandaj... Një mysliman që martohet vetëm më një grua? Pothuajse shumica e tyre janë të tillë, ndërkohë që jo-zyrtarisht janë të shumtë francezët me dy-tri gra, në mos më shumë...

 

T’i japim fund këtij hamendësimi të pakuptimtë: Integrimi nuk mbetet të jetë gjë tjetër veçse një pseudo-koncept, apo më mirë të them një sebep-koncept që shpreh diçka tjetër nga ajo që rëndom duket se shpreh. Kjo dukuri është diçka që ditëve të sotme shfaqet si e papëlqyeshme. Megjithatë, duhet pranuar se paraqet shkallë të lartë rrezikshmërie: racizmi përbën krim. Ndërkaq, duke bërë lojëra fjalësh me integrimin apo mosintegrimin - një mënyrë e pranueshme në rrafsh shoqëror dhe politikisht korrekte për të shprehur kundërshtinë ndaj tjetrit - ky është racizëm.

 

Edhe për të super-diplomuarit dhe “thuajse në të gjitha raportet” një mysliman mbetet në fakt një mysliman, edhe nëse ndodh habia dhe nuk e nxjerr në pah këtë “myslimanizëm”, ndjeshmëria mbetet brenda individit, sigurisht e paprekshme, por e aftë(nuk dihet kurrë plotësisht) për t’u shpërfaqur: kur dikush quhet Mustapha Kessous - gazetar i “Le Monde” - ai nuk mund të jetë “i integruar”! As “i integrueshëm! Edhe sikur të ketë dalë nga “shkencat politike”, ai mbart një të keqe me të cilën kurrsesi nuk duhet të pajtohemi.

 

Të qortosh myslimanët se nuk duhet të jenë(të shfaqen) në publik ose jo tepër, në këtë rast integrimi nuk merr kurrfarë kuptimi: për pasojë, u takon atyre të qortohen përse janë të tillë dhe paksa të shumtë në numër këtu mes nesh.

 

I huaji që përfaqëson “I ziu”, të cilit i ndalohet prej kohësh shtënia në dorë e leje-qëndrimit “në të ëmblën Francë”; rusët (“gërvisht rus, del tatar”, mund t’u thoshte Dostojevski francezëve), polakët, banorët veriorë të Lilës dhe të tjerë “veriorë” duhen qortuar që nuk janë katolikë “të vërtetë”, hebrenjtë e Aushvicit, myslimanët që popullojnë qytete të mbushura me plehra: përgjatë gjithë historisë së tyre, francezët si dhe shumë popuj të tjerë e ndiejnë veten si të jenë bërë “kurban” i mëkateve të të tjerëve, prandaj u duhet të pastrohen nga fantazmat që i rrethojnë.

Në gjirin e këtyre fantazmave: ky “kërcënim” nga myslimanët, siç na bëhet me dije, rëndon pikërisht mbi “vlerat tona”. Për më tepër, cilat? Në këtë pikë gjendemi në kundërshti totale dhe prej nga inskenohet gjithçka. Mohojeni nëse mundeni: “Liberté, Egalité, Fraternité"(Liri,Barazi,Vëllazëri) nuk janë shqitur kurrë nga fasadat e bashkive, edhe pse nuk shfaqin as strukturën dhe as realitetin e shoqërisë franceze. Lirinë e gëzon dhelpra në kotecin e pulave, hendeku mes të varfërve dhe të pasurve thellohet, gjithnjë e më shpesh qytetarët humbasin vendet e punës, shtresa e mesme e shoqërisë nuk ndalet së varfëruari dhe shkolla e ka humbur funksionin e saj: korr elitë, lë pa mbledhur qindra e mijëra individë që nuk bien menjëherë në sy.

 

Laicizmi rreh fort krahët për të fluturuar: një klerik zë vend më të rëndësishëm në shoqëri sesa një mësues, deklaron presidenti i Republikës; për të formësuar ndërgjegjen e fëmijëve, edhe vetë ‘Vëllazëria’(La Fraternité) ka mbetur thjesht një ëndërr e bukur. Vlerat tona kërcënohen nga myslimanët? Do të jemi të parët që do të na qesëndisin!

Në lidhje me mosrespektimin e femrave, ku qortimi shpërfaqet shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, fillimisht duhet akuzuar shoqëria jonë. Një shoqëri gjithmonë e më tepër patriarkale, thellësisht konservatore e maskiliste, që e mban shumicën e grave në zgrip të posteve drejtuese dhe përfaqësuese.

 

Madje më keq se kaq, një shoqëria e paaftë për ta mbrojtur siç duhet gjininë femërore nga abuzimet: çdo ditë keqtrajtohen mesatarisht 200 gra (në vitin 2010 ishin 654 mijë të tilla, 25 për qind më shumë se në vitin 2009); në çdo dy ditë e gjysmë, një grua ndërron jetë për shkak të rrahjeve dhe goditjeve që pëson. Në vend që të pranohet ky realitet, e mbi të gjitha, të vihet në zbatim një politikë që mbron jetën- të drejtën për të jetuar – dhe dinjitetin e gjysmës së popullsisë franceze, nis lufta kundër ‘burqa’-s!

 

Të shprehim indinjatën tonë të thellë, siç kërkon Stéphane Hessel-i? Pa dyshim. Ta denoncojmë dhe të ngremë krye. Por, në atmosferën e apatisë së përgjithshme që karakterizon këtë lloj shoqërie, ku, “si për të majtën ashtu edhe për të djathtën, synohet më tepër shërbestaria e të drejtave të fituara sesa lëvrimi i atyre të së ardhmes”, ka pak gjasa që të davariten menjëherë fantazmat përmes të cilave perceptohen myslimanët dhe për shkak të së cilave pamundësohet të shquhet e kuptohet se deri në ç’masë pjesa më e madhe e tyre janë integruar plotësisht në gjirin e shoqërisë franceze.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora