Shtesë » Lajme
FSK-ja shënoi dy - vjetorin e themelimit
E diele, 23.01.2011, 06:19 PM
FSK-JA SHËNOI DY-VJETORIN E THEMELIMIT
Forca e Sigurisë së Kosovës me aktivitete të shumta shënoi dyvjetorin e themelimit, ndërkohë që qysh sot ka filluar edhe fushata e rekrutimit për kadetët e rinj. Në ceremoninë e organizuar me rastin e dyvjetorit të themelimit të FSK-së para përfaqësuesve të lartë vendorë e ndërkombëtar, u prezantuan edhe armët e reja, të cilat do t’i disponojë FSK-ja. Kryeministri në largim Hashim Thaçi, e çmoi punën e FSK-së, ndërsa shprehu gatishmëri për të ndihmuar edhe më shumë në ngritjen e kapaciteteve. U tha se për dy vjet, është arritur mjaft shumë, ndërsa u theksuan si shumë të rëndësishme aksionet e kësaj force në kërkim shpëtimin e shqiptarëve në Shkodër. Ndërkaq, meritat e FSK-së para ushtarakëve, diplomatëve dhe qytetarëve, i prezantuan ministri i FSK-së Fehmi Mujota dhe komandanti Gjeneral Sylejman Selimi.
Edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, Marko Serronja falënderoi krerët e FSK-së për bashkëpunimin dhe ngritjen e tyre në mënyrë profesionale.
Gjatë ditës të gjitha kazermat e FSK-së ishin të hapura për vizitë, ku kishte edhe ciceronë për t’i informuar për punën e tyre.
Po ashtu, nga e premtja do të fillojë edhe fushata e rekrutimit për kadetët të rinj. FSK aktualisht ka 2147 pjesëtarë aktiv, ndërsa është në fazën e rekrutimit të pjesës rezervë.
M. KADRIU