E hene, 29.04.2024, 01:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ismail Qemali kujtohet në Vlorë

E enjte, 27.01.2011, 08:06 PM


Intelektualë dhe qytetarë të Vlorës bënë dje homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit. 24 janari shënon 167-vjetorin e lindjes dhe 92-vjetorin e vdekjes së një prej figurave më të rëndësishme historike të Shqipërisë. Kryebashkiaku Gjika, shoqëruar nga drejtues të tjerë në nivel lokal, drejtues të universitetit “Ismail Qemali”, përfaqësues të shoqatave, shoqërisë civile, historianë, intelektualë kanë vendosur kurora me lule, duke u përulur me nderim para kësaj figure simbol për kombin tonë.

Kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, përkujtimi i Ismail Qemalit, në ditën e lindjes dhe vdekjes së tij, ka sjellë trajtimin historik dhe shkencor të kësaj figure historike në "Akademia përkujtimore Ismail Qemali- themeluesi i shtetit të parë shqiptar" në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës Labëria. Aktiviteti shkencor, organizuar nga Bashkia e Vlorës dhe Instituti i Studimeve Politike "Ismail Qemali", është ndjekur nga shumë të pranishëm. Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Bujar Leskaj, tha se "Padyshim që në këto data, gjithë Shqipëria, por veçanërisht vlonjatët përkujtojmë 24 janarin, ditën që sjell në vëmendje figurën e Ismail Qemalit, i cili erdhi në jetë si një pinjoll i një nga familjeve më të lashta shqiptare dhe iku nga kjo jetë me një amanet të plotësuar të lëvizjes kombëtare shqiptare, krijimin e shtetit të parë shqiptar”. Referatin kryesor për figurën shumëplanëshe të Ismail Qemalit e mbajti historiani, prof. dr. Pëllumb Xhufi, i cili dha një rrjedhë kronologjike të momenteve kryesore nga jeta e vepra e Ismail Qemalit si themelues i shtetit shqiptar, duke u ndalur sidomos në jetën politike të tij. Referate janë sjellë edhe nga emra të tjerë të njohur si Neritan Ceka, Vaso Tole, Bardhosh Gaçe. Në përshëndetjen e tij kryebashkiaku Shpëtim Gjika kujtoi ndër të tjera se Ismail Qemali është shndërruar në një simbol të Shqipërisë, krahas Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Si e tillë, kjo figurë është tashmë pikë reference për të gjitha momentet historike të vendit tonë. Nuk mund të shkruajmë dhe të analizojmë periudhën e Pavarësisë dhe gjithçka ndodhi më pas, pa u ndalur tek themeluesi i shtetit”, ka thënë ai. Referuesit ishin ndalur në momente të caktuara të jetës dhe veprës së Ismail Qemalit.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora