Shtesë » Lajme
Isuf B. Bajrami: Shefi i EULEX-it në Shkup për thjeshtëzimin e procedurave të vendkalimeve kufitare në rast të urgjencës
E premte, 04.02.2011, 07:58 PM
Shefi i EULEX-it në Shkup për thjeshtëzimin e procedurave të vendkalimeve kufitare në rast të urgjencës
Nga Isuf B. Bajrami
Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB), Gordana Jankuloska sot është takuar me shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Xavier Bour de Marnhac, me kërkesë të këtij të fundit.
Në takim, sipas MPB-së, u bisedua për shumë çështje me interes të përbashkët dhe të dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar se të dy palët posedojnë shumë interese të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta, për të cilin shkak duhet edhe në të ardhmen të punohet në thellimin e bashkëpunimit dhe të këmbimit të informatave.
“Njeriu i parë i EULEX-it, mes tjerash, e theksoi nevojën për gjetjen e mënyrës për thjeshtëzimin e procedurave të vendkalimeve kufitare në rast të urgjencës, si për shembull, në rast të nevojës urgjente për evakuim mjekësor të personelit të tyre e ngjashëm, për çka ministrja Jankuloska ka shprehur mirëkuptim të plotë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga ana e De Marnhac është aktualizuar edhe çështja rreth mundësisë për hapjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare me policinë kufitare kosovare. Në këtë kontekst, ministrja Jankuloska ka potencuar se kufiri duhet të jetë i sigurtë dhe i mbyllur për krim dhe kriminelë, por në të njëjtën kohë edhe më me rëndësi është që ai të jetë i hapur prë qarkullim të lirë të mallit dhe njerëzve.
Ministrja Jankuloska theksoi se institucionet në Maqedoni çdoherë kanë qenë të hapur për bashkëpunim, e kjo edhe në të ardhmen do të bëhet, pra në këtë drejtim MPB-ja e Maqedonisë është e gatshme për përparim të mëtejshëm të procedurave operative për kalim të kufirit për pjesëtarët e EULEX-it.
"Republika e Maqedonisë, veçmë ka kontroll të tillë në kufirin me Bullgarinë, e së shpejti e njëjta duhet të realizohet edhe me Serbinë, ashtu që MPB-ja është e disponuar që këto përvoja t'i ndajë edhe me policinë e Kosovës, kur do të realizohen mundësitë për mënyrë të tillë të përbashkët të veprimit", ka thënë Jankuloska.
Shefi i misionit të EULEX-it, në kuadër të sigurisë në rajon, si dhe rreth veprimit më efikas gjatë kërkesës për azil në vendet-anëtare të BE-së, propozoi që të shqyrtohet mundësia për ndarjen dhe këmbimin e bazave biometrike të të dhënave.
Në këtë kontekst, Jankuloska ka potencuar se është e domosdoshme që paraprakisht të arrihen marrëveshje adekuate ndërshtetërore, të cilat do ta rregullonin këmbimin dhe mbrojtjen e këtyre të të dhënave. Ministrja pozitivisht e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me EULEX-in dhe me Policinë e Kosovës.
Pas vizitës në Beograd, shefi i misionit të EULEX-it do të vizitojë edhe Tiranën.
Sipas zyrës së këtij misioni, kjo vizitë është në vazhdën e takimeve që shefi i EULEX-it ka mbajtur dhe do të mbajë në Beograd, Shkup dhe Podgoricë si dhe ofron mundësi për të diskutuar për luftimin e krimeve serioze në kontekstin rajonal dhe çështjet e tjera të lidhura me sundimin e ligjit në të cilat është i përfshirë EULEX-i.