E premte, 13.12.2024, 08:41 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Shqipëria tërthorazi mohon shtetësinë e Kosovës

E shtune, 12.02.2011, 06:12 PM


Prishtinë/Tiranë, 11 shkurt - Qeveria e Shqipërisë ka firmosur memorandum me gjashtë shtetet që kanë dalë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, për kthimin e borxhit që peshon 20.7 milionë dollarë. Kosova është lënë anash nga kjo marrëveshje e arritur më 14 dhjetor, duke u konsideruar kështu edhe nga Shqipëria si pjesë e Serbisë. Qeveria e Shqipërisë atëherë, por edhe gati dy muaj më vonë, nuk dha asnjë koment lidhur me detajet e bisedimeve dhe kushtet e marrëveshjes, ndonëse ajo është njëra nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan "Koha Ditore".

Në Qeverinë e Shqipërisë thanë se i vetmi njeri kompetent për të zbardhur të vërtetën e kësaj marrëveshjeje është Xhentil Demiraj, drejtor i administrimit të borxhit në Ministrinë e Financave. Ky i fundit nuk u bë i gjallë me gjithë përpjekjet e gazetës për të vënë kontakt, të enjten.

Ndërkohë për marrëveshjen e 14 dhjetorit kanë raportuar disa nga mediet e vendeve që ishin pjesë e pazarit të Tiranës. Sipas agjencisë shtetërore të Sllovenisë, "SRT", borxhi që u trashëgua nga sistemi komunist do të paguhet dhe përfshin edhe normën e interesit. Përfaqësuesi slloven në bisedime, Rudolf Grabovec, kishte thënë se marrëveshja është arritur mbi një raport shkëmbimi 1 me 1 të shlyerjes së borxhit në dollarë dhe përqindje interesi.

"Bisedimet ishin të suksesshme për të gjitha palët, duke pasur parasysh që secili shtet arriti pajtueshmëri për përgatitjen e një memorandumi me Shqipërinë", ka thënë Gabrovec.

E gjithë shuma, sipas portalit boshnjak "eKapija" do të ndahet mes Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë e Malit të Zi.

"Vendet që u krijuan nga ish-Jugosllavia mbyllën bisedimet dyditore në Tiranë, me arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë për shlyerjen e borxhit që i kishte ish-Federatës, në vlerë 20.7 milionë dollarë, ndërsa me normë interesi arrin në 23.7 milionë dollarë".

Në dokumentin zyrtar të marrëveshjes janë përcaktuar shumat e pagesës për secilin shtet veç e veç. Përfituesja më e madhe është Serbia, me 8.52 milionë dollarë, e pasuar nga Kroacia me 5.48 milionë, Sllovenia - 3.81 milionë, Bosnjë-Hercegovina - 3.69 milionë, Maqedonia - 1.78 milionë dhe Mali i Zi me 532,823 mijë dollarë.

Bisedimet e Tiranës u mbajtën pasi Komiteti për shlyerjen e borxheve arriti në një konsensus në Sarajevë.

Mbyllja e bisedimeve me shtetet e ish-Jugosllavisë ishte pjesë e procesit të bisedimeve me të gjitha vendet që regjimi komunist u mori borxhe.

Lidhur me marrëveshjen mes Tiranës zyrtare dhe gjashtë shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, nga dhjetori e këndej nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga pala kosovare. Ata heshtën edhe këtë të enjte, ndonëse ky është mohimi më i madh i shtetësisë së Kosovës, që nga heqja e flamurit kosovar në takimin e përfaqësuesve të Aviacioneve Civile të disa shteteve mbajtur më 4 dhe 5 shkurt të vitit 2009, ku organizator ishte Shqipëria. Që në fillim të atij takimi delegacioni serb pati kundërshtuar praninë e Kosovës duke kërkuar që përfaqësuesit e saj të largoheshin. Pas disa debatesh kishte nisur mbledhja dhe secili prej delegacioneve kishte vendin e tij, si dhe flamurin përkatës përpara. Pikërisht gjatë pushimit të parë pati ndodhur akti i shëmtuar nga pala shqiptare.

"Të gjitha shtetet që ishin pjesëmarrëse në takim, përfshirë edhe zyrtarët e Aviacionit Civil nga Kosova, e kanë pasur përpara flamurin. Mirëpo gjatë pushimit, përfaqësuesit serbë kanë protestuar për faktin që Kosova është pjesëmarrëse e këtij takimi, në të njëjtën kohë kanë kërkuar që të largohet edhe flamuri. Gjatë pushimit të drekës është larguar flamuri kosovar", pati deklaruar një ditë pas incidentit të atëhershëm drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj.

Shqipëria si organizatore e takimit nuk i kishte rezistuar kërkesës së Serbisë, ndaj takimi kishte vazhduar pa flamurin zyrtar të Kosovës.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora