Shtesë » Lajme
Sh.m.a.i.k Illyricum Libertas: Vazhdon praktika e diskriminimit të gjuhës shqipe
E shtune, 12.02.2011, 07:51 PM
Shoqata për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar
ILLYRICUM LIBERTAS – Tetovë
www.illyricumlibertas.org
illyricumlibertas@live.com
Deklaratë
Sh.m.a.i.k ILLYRICUM LIBERTAS –Tetovë, është thellësisht e shqetësuar në lidhje me vazhdimin e praktikës për diskriminimin e gjuhës shqipe si dhe të debatit të pakuptimtë që e ndjek këtë çështje në lidhje me radiodifuzionin republikan.
Është e papranueshme që gjuha e komunitetit të dytë më të madh në vend, të trajtohet si gjuhë e një prej komuniteteve pakicë.
Edhe në rastin e fundit të propozimeve për ligjin për veprimtarinë radiodifuzive, ku ka paqartësi serioze në lidhje me titrimin e programave televizive, gjuha shqipe trajtohet si një gjuhë e huaj dhe nuk gjen përdorimin e njëjtë si gjuha tjetër zyrtare, ajo maqedonase.
Duke u nisur nga kjo gjendje jonormale dhe absurde, u bëjmë thirje përfaqësuesve shqiptarë në qeveri në radhë të parë dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare, që të jenë shumë të kujdesshsëm në atë që propozojnë dhe pastaj miratojnë në Parlament, të kërkojnë ekspertizë profesionale për çështje të caktuara dhe të kenë qëndrim të përbashkët për sfida të tilla kardinale si ajo e gjuhës amtare që është themeli i identitetit të çdo kombi.
Njëkohësisht, kërkojmë nga një numër i televizioneve shqiptare në vend, që të ndalojnë krejtësisht ose në bazë të mundësive të ulin në minimumin e mundshëm, si dhe të dublojnë urgjentisht filmat serialë që i shfaqin në disa gjuhë rivale me gjuhën shqipe këtu, pasi kultura shqiptare është duke pësuar goditje të rënda nga këto filma në gjuhë të caktuara ballkanike në të cilat shqiptarët janë asimiluar dhe nga të cilat shqiptarët kanë qenë në të kaluarën dhe janë akoma sot të rrezikuar.
Tetovë/Oaeneum
11.02.2011