Shtesë » Lajme
Kombësia, në Gjykatën Kushtetuese
E merkure, 16.02.2011, 05:45 PM
Nga Thoma Nika
Kryetari i Gjykatës së Sarandës atakon ligjin për gjendjen civile si antikushtetues
Shfuqizoni ligjin për ndryshimin e kombësisë! Ka qenë kjo kërkesa që kreu i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese të hënën. Argumenti bazë ku mbështetet kërkesa e tij është vlerësimi që Çela ka për ligjin ekzistues të gjendjes civile, si antikushtetues dhe që vjen në kundërshtim edhe me Konventën Europiane.
Kërkesa
Kreu i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e dispozitave të ligjit "Për gjendjen civile", i miratuar në vitin 2009, i cili ka të bëjë me ndryshimin e kombësisë. Çela ndalet në nenin 58 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 "Për Gjendjen Civile", që sanksionon se “ndryshimi i kombësisë bëhet vetëm me vendim gjyqësor, duke u thirrur në çdo rast, si palë në proces, shërbimi i gjendjes civile, edhe kur kombësia ka qenë caktuar përkohësisht ose kur është bërë gabim material”. Sipas Çelës, ky nen i ka hapur rrugën vitet e fundit ndryshimit të kombësisë nga shqiptare në greke. Në një analizë të fundit, numri një i Gjykatës së Sarandës, vlerëson se “ligji është antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Europiane”.
Pasi argumenton rast pas rasti mospërputhjet e ligjit aktual me nenet e Kushtetutës, kryetari i Gjykatës së Sarandës shkruan në kërkesën e tij: “E drejta e përkatësisë etnike, ashtu sikurse e drejta e përkatësisë fetare tashmë trajtohen në kuadrin e të drejtave të njeriut, si të drejta private të individit.
Në këtë linjë ka evoluar edhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me çështjen Planned Parenthood v. Casey dhe ajo e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut me çështjen e gjykuar së fundmi, Ciubotaru kundër Moldavisë”.
Rastet
Në Gjykatën e Sarandës nuk janë evidentuar raste të abuzimit me konvertimin e shqiptarëve në grekë, përmes ndryshimit me vendime gjyqësore të kombësisë dhe kjo argumentohet edhe me faktin që brenda dhjetë vjetësh rezultojnë vetëm 200 vendime gjyqësore. Por, me sa duket Çela ka ndërmarrë nismën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke marrë shkas nga raste ekstreme.
Ai paraqet një rast të ndryshimit të kombësisë, kur si Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë dhe ajo e Apelit në Gjirokastër e kanë refuzuar konvertimin në grek, për mosmbështetje në dokumentacion, si dhe një tjetër rast, kur në mënyrë spekulative Gjykata e Gjirokastrës vendos ndryshe nga ajo e Sarandës, duke i njohur kombësi greke motrës, ndërkohë që për vëllain, me të njëjtët prindër, me të drejtë u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Sarandës. Reagimi kontestues për ligjin në fuqi i kryegjyqtarit të Sarandës, Alltun Çela, vjen pak ditë pas inspektimit të kryer në gjykatat e Gjirokastrës, Korçës dhe Sarandës nga numri dy i KLD, Kreshnik Spahiu, në verifikim të dosjeve për ndryshimin e kombësisë. Spahiu ka dhënë alarmin për një rrezik real asimilues dhe tjetërsues të strukturës reale të popullsisë me kombësi shqiptare nga veprimi i gjykatave, edhe pse ai në Sarandë ka porositur “zbatoni ligjin”.