Kulturë
Dy poezi nga Hasan Qyqalla
E merkure, 16.02.2011, 07:57 PM
Hasan QYQALLA
 
VDEKJA KRENARE
(Familjes Jasharaj)
U përkula para Teje: t’më dëftosh ti,...o Trim
U gjunjëzova para Syve: t’thellë sa deti i Arbërit
U përshëndetëm pa zë: për Nder të fisit tim
U ndamë në heshtje: unë në udhën e mërgimtarit.
 
Shqiponjë në këngë Kosove
Gjergj (ri)lindur në histori
Baladë shekulli hyre prore
Kandil kombi i brezit të ri.
 
Fryej një çast puhi marsi: flladit ballin atdhetarit
Ndal rënkimin lum Prekazi: flafadan përtej malit
Zjarr trimërie mbi trimëritë: Kosova djep i Shqiptarit
Ndale dhunën barabare, mbi engjujt e Arbërit.
 
Kur të këndohen këngë Lirie
Sjell voglushët për çdo mars
Të takoj n’tel poezie
Dritë, legjendë, në histori e në laps...!
 
 
PREKJA E ËNDRRËS
 
Sot nuk kërkoj aromë lulesh
As lakmoj retë qiellore
As kërkoj ndihmë shenjtërish
 
Sot le të mos vijnë yjet
As rrezet e hënës
Se s’bie më terr në Kosovë
 
P R E K Ë M
            Ë N D R R Ë N!
 
Sot Kosovë e Pavarur
Është vet Dielli i rilindur
Dhe unë shtetasi i saj Shqiptar...
 
Pavarësi e Kosovës
Prekja e ëndrrës së brezave
Qarkullim i gjakut tim në deje.
17.  shkurt 2008









