E shtune, 04.05.2024, 03:27 AM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Arka fiskale pra, e jo kaca t’rasojit!

E diele, 16.01.2011, 08:58 PM


Arka fiskale pra, e jo kaca t’rasojit!

 

Debat për arkat fiskale dhe terminologjinë në gjuhën shqipe

 

Nga Isa MULAJ

Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)

 

Analizë Nr. ESP029/10,  Prishtinë, mes janari 2011.

 

I nderuar z. I. Mulaj,

ju uroj edhe unë një vit me mbarësi në të gjitha drejtimet. E lexova me kureshtje shkrimin tuaj bashkëlidhur dhe, pa qenë i asaj fushe, më tërhoqi vija e qartë e arsyetimit. Më pëlqeu që ju, dhe besoj edhe të tjerët në Kosovë, përdorni termin ARKA FISKALE, dhe jo KASA, që po përdoret këtu gjithandej pa shqetësuar aspak asnjërin nga ithtarët e zellshëm të politikave të guximshme gjuhësore. Termi arkë, bashkë me rrjedhojat e tij arkëtar/e, arkëtoj, arkëtim kishin zënë vend prej kohësh në terminologjinë e financës. Tani, me futjen zyrtare të termit KASË (gjithandej nëpër Tiranë shikon tabela me shkronja të mëdha KASA FISKALE), me sa duket në kuadrin e “globalizmit”, do të vijnë pas tij edhe termat kasier/e, inkasoj, inkasim! Zoti mos e dhëntë që të përçudnohet kështu gjuha shqipe!

Emil Lafe  

 

07 janar, 2011.

 

 

*          *          *

 

I dashur prof. Emili,

më lejoni te mbështes mesazhin tuaj ne alb-shkenca për ruajtjen e pastërtisë se gjuhës shqipe me fjalët e Konicës për ata qe ai i quan "xhelatët e gjuhës",

tek thekson:
"Ximtata, bumbum, titihop, haha, hiphip berrr! 
O burrani te bëjmë një gjuhe te re, se ashtu u pëlqen palaçove!"

Ngrohtësisht, 

Fotaq Andrea

 

08 janar, 2011.

 

*          *          *

 Përshëndetje. Për ato që nuk e dinë një informim për mbrojtjen e gjuhës. Franca para disa dekadave ka sjellë një ligj për mbrojtjen dhe përdorimin e drejt të gjuhës frënge. Shembuj të tillë janë të shumtë dhe prandaj edhe Shqipëria dhe Kosova, kurse në Maqedoni edhe BDI-ja si parti e koalicionit në pushtet të iniciojnë sjelljen sa më parë ligje të tillë që do ta mbrojnë dhe respektohen rregullat e gjuhës shqipe. Duhet theksuar se mbrojtja e gjuhës nuk është detyrë vetëm e qeveris dhe ligjit por e të gjithëve në komunikimin publik si shtypi, mjete elektronike të komunikimit, e çdo personi që së paku ka mbaru një tetëvjeçare e të mos flasim për intelektualët. Mjerisht çdo ditë vërejmë se edhe arsimtarët madje edhe ato të gjuhës, politikanët, persona publik në Kosovë dhe Maqedoni nuk e flasin dhe nuk e shkruajnë sipas normave letrare. Madje ,çka është edhe më keq, as që çajnë kokën për gjuhën shqipe.


Qamil Kita

 

09 janar, 2011.

 

*          *          *

 

I dashur profesor Emil dhe të tjerë!

Po përgjigjem pak me vonesë në temën për arkat fiskale, sidomos rreth terminologjisë, meqenëse është temë e përjetshme dhe e pranishme në çdo kohë. Më vjen mirë qe keni lexuar analizën time e cila ishte pak e gjatë, e më tepër më vjen mirë që keni gjetur kohë të komentoni dhe pyesni para ekonomistëve. Çështja e terminologjisë së gjuhës është lëmi specifike dhe me përgjegjësi për secilin studiues në disiplinat përkatëse, prandaj edhe për ata që veti i thonë ekonomist në lëmin e ekonomisë. Terminologjia është përgjegjësi e studiuesve në secilat fusha përkatëse, prandaj edhe të ekonomistëve në ekonomi, edhe pse këta (e kam fjalën për shumicën e ekonomistëve shqiptarë) më tepër duket se i ngatërrojnë gjërat se që i sqarojnë, siç është rasti me këtë termin kasa për arkat që përdoret në Shqipëri me të madhe.

Ndonëse në analizë nuk u kam kushtuar rëndësi termeve të përdorura, do të përqendrohem pak në ato që janë kyçe dhe kritike, sidomos për këtë termin shumë interesant arka, jo vetëm për gjuhën shqipe, por shumicën e gjuhëve indoevropiane.

 

 

Fjalët kyçe: gjuha shqipe, arka, fjalët e huaja, terme ekonomike, etimologjia natyrore.

 

JEL: D31, H21, J31, N33, P46, Z11.

 

 

Arka dhe disa terme tjera ekonomike në gjuhën shqipe

 

Arka është një objekt katror i krijuar nga i krijuar nga dërrasat e drurit, me madhësi të ndryshme, e ngjyrosur dhe zbukuruar me vizatime në pamjen e jashtme, që është përdorur nga familjet ilire dhe më vonë shqiptare (përdoret edhe sot aty-këtu në zonat rurale) për ruajtjen kryesisht të stolive të arit, sendeve tjera me vlerë siç janë, dhe parave. Formimi i emrit arkë është qind për qind shqip. Ai ka rrjedhur rastësisht dhe logjikisht nga sendet që janë futur brenda për t’u ruajtur. Qëllimi i parë i arkës ka qenë të krijohet një objekt për ruajtjen e arit, prandaj në gjuhën e folur kur është pyetur se ç’është ky objekt, pse është krijuar, për çka shërben, çka ka këtu, e kështu me radhë, përgjigja e shkurtë ka qenë ­ar ka ose ar-ka, që do të thotë se aty brenda ka ari. Kështu termi në shqip arkë/a i përgjigjet shumë mirë veprimeve reale dhe gjuhësore të shqiptarëve. Nga arka ka rrjedhë edhe termi arkivë/a që përdoret në shumicën e gjuhëve tjera indoevropiane (psh. archivum në latinisht, arhiva në gjuhët sllave, archive në anglisht) që e ka kuptimin, dhe shërben saktësisht sikur arka tek shqiptarët – për ruajtjen e gjërave të çmueshme, duke përfshirë edhe “napolonat” (paratë, sepse ari ishte sinonim i parave), dokumentet zyrtare, dhe shkresat. Kjo pra është ajo që në shumë gjuhë indoevropiane njihet si arkivë, madje edhe arkivol (arkë për të vdekurit), e cila rrjedh nga gjuha shqipe.

 

Unë po e hasi në një Fjalor Fjalësh të Huaja në Gjuhën Shqipe (Autor: Mikel Ndreca, Botimet Toena, Tiranë, 2007), në faqe 48, këtë përkufizim:

arkë-a f. (lat. arca – sandëk) 1. kuti e madhe e bërë me dërrasa që shërben për të mbajtur sende të ndryshme; 2. kasafortë; 3. zyra a vendi ku bëhen pagesat për veprime të tjera më të holla; 4. fondet në të holla; 5. kursimore; 6. arkivol.

 

Çka i mungon këtyre përkufizimeve për arkën? Vetëm ajo që e përshkruaja më lartë për ­ar-ka. Nëse dikush e di etimologjinë e kësaj fjale arca, atëherë le të na tregoj se çfarë kuptimi të drejtpërdrejtë ka nga vetë rrënjë. Jo përkufizime, por çfarë do të arca në latinisht? A do të thotë se në atë sandëk paska ari siç thotë fjala shqipe ar-ka? Unë nuk besoj dhe nuk po bindem. Po bindëm vetëm se arca në latinisht rrjedh nga fjala shqipe ar-ka, e jo e kundërta siç e thotë fjalori. Kështu ne fjalët tona që i kanë huazuar gjuhët tjera, i paraqesim si fjalë të tyre ose të huaja që përdoren në gjuhën shqipe. Kjo nuk më pëlqen aspak dhe jam në gjendje ta sfidoj gjithmonë. Ja edhe një shembull me një term tjetër ekonomik në gjuhën shqipe me çka sfidohet etimologjia në gjuhët tjera indoevropiane. Po e marrim përsëri si burim Fjalorin në fjalë që aq shumë fjalë ekskluzive dhe me etimologji vetëm në gjuhën shqipe, të huazuara dhe përdorura në gjuhët tjera , na i paraqet si fjalë të huaja në gjuhën shqipe.

 

kuzhinë – a f. (fr. cousine – gjelltore) vendi ku gatuhen gjellët (faqe 344).

 

Të thuash kështu dhe ta paraqesësh termin kuzhina si term të huaj në gjuhën shqipe është mëkat, siç është mëkat të mos e paraqesësh me prejardhje shqipe në gjuhët tjera që e përdorin këtë term në formë pak më të transformuar.

 

Argument:

 

Ku-zina e ka kuptimin e vendit ku ne ziejmë, ose siç përdoret ende në dialektin Gegë, ku zina. E çka ziejmë ne në atë vend? Drunjtë (sepse edhe drunjtë zihen dhe kjo dukuri njihet si impregnim). Jo, jo. Aty ku-zina, aty ne ziejmë ushqim për të ngrënë. Në gjuhën italiane përdoret termi cucina ose i ngjashëm me atë në shqip, por më tregoni nëse cucina drejtpërdrejtë do të thotë ku-zina? Në gjuhën serbokroate përdoret termi i ngjashëm si në shqip kuhinja, por më tregoni ju lutem nëse kjo e ka kuptimin ku-zina? Unë u garantoj se jo. Po të përkthehej termi shqip ku-zina në gjuhën serbokroate, atëherë do të thoshim: gde se kuvamo. Çfarë lidhje ka kjo me kuhinja? Kurrfarë hiç. Në anglisht kuzina quhet kitchen. Nëse termin shqip ku-zina e përkthejmë në anglisht, do të thotë where we cook. A e ka këtë kuptim where we cook termin kitchen. Absolutisht jo. Edhe në anglisht përdoret termi cuisine (lexohet: kuizinë) me të cilën ata identifikojnë kuzinën ose mënyrën e gatimit. Por pyetja më interesante për anglezët dhe amerikanët është se çka zieni aty, që në anglisht do t’i pyesnim: “What do you cook in cuisine” ose “what do you cook in kuizinë?” Textile (tekstil), wood (drunjë), rubber (gomë), or what (ose çka)? Nëse thonë ushqim, atëherë i pyesni si i thonë në anglisht kësaj kuizinë?

 

Po kthehem edhe njëherë tek termi arka, se term më natyral në fushën ekonomisë dhe disiplina tjera, nuk ka. Nëse e keni vërejtur nga analiza, diku kam përdorur termin buxheti i shtetit, e diku arka e shtetit.  Nëse e keni vërejtur këtë fjali në analizën time: “Kjo e ka alarmuar FMN-në i cili brengoset për krizën buxhetore, ose humbjen e të hyrave nga ato subjekte që kanë mjete më së shumti dhe mund ta mbushin arkën e shtetit më shumë – ndërmarrjet e mëdha”. Meqenëse ari identifikohej me paranë, nuk është çudi pse në SHBA Ministrisë së Financave i thonë Departamenti i Thesarit. Pra, prej ekonomive familjare me ar-ka, për arkën shtetërore duhet ari me thasë, ose thes-ari.

 

Fjala buxhet më duket se e ka burimin nga frëngjishtja budget, me të cilën identifikohej çanta e lëkurës së ministrit francez të financave, që shërbente për bartjen e dokumenteve që përmbanin të dhënat rreth planifikimit dhe shpenzimit të mjeteve për arkën e shtetit. Ky term buxhet ka hyrë në përdorim në shumicën e gjuhëve indoevropiane, porse çanta e lëkurës, që mund të përmbaj gjithçka, kurrë nuk e ka pasur, nuk e ka, dhe nuk do ta ketë kuptimin praktik dhe natyral si ar-ka për çështjen në fjalë.   

 

E theksova më herët se në analizë nuk u kam kushtuar aq shumë rëndësi termeve të përdorura. Për shembull, në vend të akumulimi kam mundur të përdori grumbullimi, ose mbledhja. Sidoqoftë, u përqendrova në disa terme kyçe që ju me të vërtetë ngritni shqetësimin pse përdoren terme të huaja si kasa në vend të arka, prej nga mund ta dalin emrat e pakripë dhe banal si kasatim (arkëtim), kasatar (arkëtar)! Kasa ose kaca në Kosovë quhet një tinar i madh ose vozë druri që mbushet me lakra për rasoj. Jam plotësisht i pajtimit dhe reagoj me forcë ndaj të gjithë atyre në Shqipëri, Kosovë dhe kudo, të cilët punët zyrtare mundohen pa kurrfarë logjike t’i bëjnë arkat fiskale si kasa për rasoj. Ari nuk guxon dhe nuk mund të përzihet me rasoj, sepse i pari është në gjendje të ngurtë, ndërsa i dyti në gjendje të lëngët dhe të njelmët. Pse të zëvendësohet arka me kasën për rasoj kur arka ka natyrën, kuptimin, dhe domethënien më të logjikshme dhe praktike në gjuhët indoevropiane. Madje arkën e ka huazuar edhe gjuha latine nga e cila kanë dalë disa grupe gjuhësh si: gjermane (anglisht, gjermanisht, suedisht, holandisht, danisht...), romane (italisht, frëngjisht, spanjollisht...).

 

Titulli i analizës ishte “Reforma me arka fiskale”. Edhe fjala reformë ka domethënie shumë të madhe nga gjuha shqipe në gjuhët tjera indoevropiane, sidomos kjo parashtesa re. I ri dhe e re janë mbiemra tipik të gjuhës shqipe. Reformë në gjuhën shqipe e ka kuptimin e drejtpërdrejtë dhe natyral që do të thotë t’i japësh trajtë të re një forme. Reform përdoret edhe në gjuhët tjera, por nuk e kuptoj pse në anglisht nuk thuhet Newform, në gjermanisht neuform, në serbokroatisht Novaforma, por thuhet me Re që është qind për qind vetëm shqip? Para disa muajve, ndoshta keni vërejtur një mendim me titull “Riformatimi i kaosit...”. Riformatim u përdor shkaku i emrit të gjinisë mashkullore, ose me ri. Kur emri është i gjinisë femërore si arka, atëherë paraprihet me re ose reforma.

   

Në analizë kam përmendur shumë edhe tatimet, por ekzistojnë edhe taksat të cilat në Shqipëri i ngatërrojnë shumë, por të mos thënë gjithmonë, me tatimet. Ky ngatërrim i qëllimshëm bëhet kur nga anglishtja tax/es përkthehet si taksa, e jo si tatim që është përkthimi i drejtë. Në anglisht taksave ashtu si i njohim në gjuhën shqipe, u thuhet fees, në disa raste charges (ngarkesat), dhe ka edhe disa emërtime tjera në anglisht varësisht prej sektorëve (psh. tariffs – tarifat). Nëpër fjalëkryqe të gazetave këtu në Kosovë e hasim përditë pyetjen: Taksë që i paguhet shtetit? Përgjigja: Tatim. Ky është gabim dhe ngatërrim i taksave me tatimet. Jo vetëm për nga emërtimi, por edhe kuptimi, funksioni, dhe format në të cilat mblidhen dhe shpenzohen taksat dhe tatimet, janë krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën.

 

Tatimi është obligim ligjor që i paguhet shtetit për ta mbushur arkën (e pushtetit qendror dhe/ose lokal). Tatimin e merr (pu)shteti dhe me të vepron sipas planeve të tij, që do të thotë se ju paguani tatim pa e ditur se ku saktësisht do të shkojnë ato para të paguara. Ju paguani tatim në Shqipëri, dhe me të njëjtat para mund të financohen ushtarët shqiptarë që shërbejnë në Afganistan, ose, ju paguani tatim, e ato para më vonë mundet edhe t’i vjedh ndonjë pushtetar! Tek taksat është paksa më ndryshe. Ju paguani taksat, dhe në të njëjtën kohë merrni shërbimin ose produktin për atë që paguani. Ky është dallimi qenësor ndërmjet tatimeve dhe taksave. Për shembull, taksa për marrjen e pasaportës, letërnjoftimit, lejes së automjetit, taksa rrugore, taksë komunale për nxjerrjen e gurëve rrasapeta në Gllarevë të Klinës, e kështu. Prandaj, me rastin e pagesës së taksave ju e merrni produktin ose shërbimin për atë që paguani, ose bëni një lloj blerje me çmim sa kushton (në fakt sa caktohet nga shteti) ai produkt ose shërbim, ose siç njihet në gjuhën popullore: tap paret, tap samunin. Me tatime nuk është kështu. Shteti t’i merr tatimet, por nuk ta jep samunin për ato para që t’i ka marrë.

 

Ish-kryetarit të Shqipërisë, Ramiz Alia, me rastin vizitës në Kosovë pas luftës 1998-99, i kishin bërë përshtypje mbishkrimet autolarje, të cilat i pëlqente më shumë dhe i dukeshin më shqip se lavazh gjithandej nëpër Shqipëri. Lavazh në shikim të parë nuk dihet se me larjet të kujt ka të bëjë (të rrobave, tepihëve, (shpër)larje parash!)), ndërsa autolarje kuptohet drejtpërdrejtë se ka të bëjë me larjen e automjeteve.   

 

 

Terminologji tjetër në gjuhën shqipe

 

Po dal pak prej temës së ekonomisë, por ende po qëndroj në terminologjinë shqipe natyrale dhe të pakrahasueshme për nga rëndësia me disa gjuhë indoevropiane.

 

Fjala shqipe hapur ashtu siç e tregon mimika e gojës së hapur në fillim, simbolizon diçka që ndodh në praktikë në formën si e lëvizim gojën, ta zëmë, kur e hapim derën ose dritaren. Kjo fjalë shqipe është huazuar në italisht si aperto, në anglisht si open (lexohet si aopën ose oupën), ose edhe në gjermanisht si offen. Forma angleze e shqiptimit i përgjigjet shumë formës apun në Gegërishte. Me siguri i keni dëgjuar shqiptarët duke thënë le derën apun.  

 

Fjala e kundërt e hapur në shqip është mbyllur. E vëreni se edhe kjo fjalë natyrale simbolizon formën e mimikës së gojës kur në fillim i bashkojmë buzët ose mbyllim gojën për ta shqiptuar, ashtu sikur kur mbyllet dritarja ose dera! Edhe në dialektin e Gegërishtes, pavarësisht se ekziston një term tjetër, përsëri hasim në të njëjtin veprim të mimikës së gojës dhe realitetit – mbyllur në Gegërishte thuhet mshelë.

 

Këtë fjalë (të dy variante: mbyllur dhe mshelë) nuk e kanë huazuar gjuhët që sapo i përmenda. Por, tani kemi një “defekt” në formën e lëvizjes së gojës kur shqiptojmë trajtën e fjalës mbyllur në gjuhën e tyre! Mbyllur në serbokroatisht do të thotë zatvoren, në gjermanisht schliessen, në italisht chiudere, ndërsa në anglisht (meqenëse e njoh më shumë këtë gjuhë), shiko të gjitha këto që e kanë kuptimin e mbylljes: close, shut, locked, off (kjo off në shikim të parë duket se natyralisht thotë hapur, por në fakt do të thotë i shkyçur ose mbyllur!).

Trullan në shqip e ka kuptimin e drejtpërdrejtë të atij që e ka lënë truri. Po ashtu, i çmendur e ka kuptimin e drejtpërdrejtë të atij që e ka lënë mendja. I mendur, i çmendur. Sa bukur dhe shumë thjeshtë. Ta krahasojmë me gjuhën angleze: Trurit në anglisht i thonë brain, mendjes mind. Të mendurit ose të mençurit në anglisht i thonë smart, ndërsa të çmendurit madman. Sa përputhen natyralisht këto smart, madman, me brain dhe mind. Askund. Lost minded (mendjehumbur ose trullan) nuk përdoret shumë nga anglisht folësit, por praktikohet nga shqiptarët që duan ta përkthejnë me çdo kusht trullanin në anglisht.

 

Rekë është term me rrënjë shqipe që është huazuar në serbokroatisht për ta emërtuar lumin (reka në serbisht, rijeka në kroatisht). Reka në shqip e ka kuptimin e një përroske ose lumi të vogël që sjell ujë më shumë gjatë reshjeve atmosferike. Në dialektin e Gegërishtes rekës i thonë rr’ke. Shikoni tani një toponim interesant për një fshat në komunën e Drenasit (me herët i njohur si Murrizajë) në rajonin e Drenicës:

Kishnareka është përdorur gjatë ish-Jugosllavisë në gjuhën serbokroate dhe përkthimi i drejtpërdrejtë në shqip i kësaj është lumi i shiut. Mirëpo, lumi dhe reka ose rr’keja janë të ndryshme në gjuhën shqipe. Një gjeograf (quhet Ibrahim Ahmetaj, tash jeton në Sarajevë) po më tregon se në bazë të hulumtimeve gjeologjike të tij në atë fshat, ka hasur në mbetjet arkeologjike të një kishe të lashtë, siç thoshte ai, stom prrocke ose afër rr’kesë, dhe thoshte Kisha n’rekë. Shqiptarët sot e quajnë atë fshat Kisharekë, çka mendoj se e kanë gabim. Emërtimi më origjinal është Kisha n’rekë.

 

Argument:

 

Edhe në gjuhët tjera ka këso emërtime n’ ose në, dhe mbi. Shembull: Stratford upon Avon (Stratford mbi Ejvën), Church on Hill, ose Churchill (Kisha n’kodër, e jo Kishakodër sikur Kishareka), Hanley on Thames (Henli mbi Temzë), etj.

 

Rekës ose rr’kesë në anglisht i thonë ford. Shembuj: Ox-ford (reka e kaut), Stan-ford (reka e Stenit ose Stenlit – emër mashkulli). Në gjermanisht rekës i thonë furt. Shembuj: Frank-furt (reka e Frankut), Er-furt, Klagenfurt (nuk i di domethëniet).

 

Po kthehemi përsëri tek emrat që mua më duken si shumë natyralë kur përputhen gjuha me objektet, veprimet, tinguj ose zërin e qenieve tjera. Po fillojmë me anglishten së pari. Anglezët sorrës i thonë crow (lexohet krau) ose asaj që bënë krrau, krrau, krrau. Në po të njëjtën mënyrë, pra në bazë të zërit ose këngës së shpendit, është krijuar në gjuhën angleze emri cuckoo (lexohet kuku). Kur shqiptarët e kanë dëgjuar këtë emër interesant, i kanë shprehur habinë njëri tjetrit, qyqyy, dhe nga kjo ka mbetur qyqja!  

 

Mirëpo, në gjuhën shqipe kemi më shumë kësi emra natyral që përputhen ndërmjet gjuhës së shpendëve dhe njerëzve. Për shembull, kur shqiptarët kanë dëgjuar këngën e një shpendi mjaft të përhapur në rajonet e tyre, huuu, huuu, kanë thënë: ky është huti, ose ai që bënë huuu, dhe i janë drejtuar atij me porosinë dhe këngën: Ti që bën huuu, ti je hu-ti! Hutit në gjuhën angleze i thonë Owl (lexohet aull), që nuk përputhet me këngën që e këndon huti. Pse në gjuhën letrare është futur kukuvajka, nuk e di, por e di se huti është emër shumë i natyrshëm, origjinal, dhe i pastër shqip, i kapshëm shumë lehtë për të gjithë shqiptarët, madje edhe për gjuhët e popujve tjerë. Për shembull, kur bisedojmë me dikë që gjuhë amtare e ka anglishten, mund t’i themi: “Do you hear the song of this bird hooo, hooo? We say to it you are hootee, just as you call the one that cries cuckoo-cuckoo” (E dëgjon këngën e këtij shpendi huuu, huuu? Ne i themi atij hu-ti, pikërisht sikur që ju e quani atë që vajton kuku-kuku).   

 

Huti është më i fuqishëm dhe si shpend grabitqar i hanë ato që bëjnë krrau-krrau dhe kuku-kuku!

 

Vazhdojmë tutje. Guguisufi është një shpend shumë i bukur dhe simbol i pafajësisë. E ka marrë emrin në gjuhën shqipe në bazë të këngës që e këndon guguisuf, guguisuf. Në gjuhën letrare shqipe përdoret më shumë pëllumbi, por guguisufi nuk bënë të harrohet, sepse është shumë më origjinal dhe më i natyrshëm. Guguisufit në anglisht i thonë pigeon (lexohet pixhën) që nuk përputhet me këngën që e këndon guguisufi. Shkaku pse po anashkalohet guguisufi në gjuhën shqipe është, po bazohem në përvojën personale, shkaku i emrit të njeriut Isuf. Kur isha nxënës në shkollën fillore, të gjithë ata shokë që ishin bijtë e Isufit, u thosha kur dëgjoja këngën e guguisufit: “E dëgjon se si edhe shpendët ta mallkojnë babin kuku-isuf; me kanë i mirë ti nuk ishe kanë i biri i kuku-isufit”! Gati sa nuk i linin mentë e kresë ata nxënës që u thosha kështu sa herë këndonte guguisufi!   

  

Guguisufi është më i bukur dhe më tolerant se ato që bëjnë krrau-krrau dhe kuku-kuku!

 

 

*          *          *

 

E zgjata pak këtë temë dhe u zgjerova edhe në etimologji e përkufizime shkaku i tendencave që vërehen tek shumë shqiptarë për të nënçmuar gjuhën shqipe, ose edhe baltosur me terma të huaj krejt të panevojshëm si kasa për arkën, mandej, kritikat që i bëjnë gjuhës shqipe, duke filluar nga Kongresi i Manastirit, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por ajo që më brengos më së shumti është se nuk e masivizojnë hulumtimin rreth saj, e që është nj deti i pafund. Derisa Kongresi i Manastirit dhe ai i Drejtshkrimit kanë bërë mjaft jo vetëm për rrethanat e atëhershme dhe të sotshme por edhe të ardhme, është e pafalshme ngathtësia dhe papërgjegjësia e shumë shqiptarëve me terminologjinë e gjuhës shqipe në shumë aspekte. Po u sjelli vetëm një dëshmi nga biseda me një mik timin rreth historisë dhe trashëgimisë së shqiptarëve. Ai miku im po më thotë: “Aiii, le! Në bazë të asaj se çfarë bërlloku(!) jemi ne sot, po mund ta marr me mend se kush paskan qenë Ilirët”! E po, kush i kishte faj këtij mikut tim dhe shumë të tjerëve që në mendje duan të bëhen bërllok, dhe me po atë mendje t’ia hedhin fajin Aleksandrit të Madh, Skënderbeut, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ismail Qemalit, Eqrem Çabejit, Emil Lafes!

 

Një gojëdhëne për Aleksandrin e Madh: Kam dëgjuar se emri Sander në gjuhën ilire do te thotë i Madh. Nëna e Aleksandrit kishte parë ëndërr se do lind një djalë aq te madh sa shtrihej ne sipërfaqe te madhe tokësore. Aleksandri vërtetë kish pas lindur i madh si foshnje ose mbi mesataren e të gjithë fëmijëve tjerë. Nëna e Aleksandrit kish pas thënë: "Aaa, le Sander" që në gjuhën e sotme shqipe do te thotë: "Aaa, ka lindur Sander (i madh). Por edhe në dialektin e sotëm të Gegërishtes nëse dikujt i thuani për foshnjën: "Aaa, u le i madh", kuptohet. Kështu nga fjalia "Aa, Le Sander" (Aa, ka lindur i madh) ka rrjedh emri Aleksandër. Me vonë, ajo ëndrra e nënës se do te lind një djalë të madh që shtrihet në territor të madh, në realitet u interpretua me territoret që i pushtoj Aleksandri. Italianët kanë emër Alesandro (pa “k”).

 

Ka pasur njerëz mosmirënjohës edhe atëherë ndaj përpjekjeve për përparimin e kombit. Nuk është mllefosur kot Gjergj Fishta me një moment kur ka thënë se nuk jam më shqiptar. Me gjasë, ka pasur të atillë që ia kanë plasur barkun me kaca t’rasojit në vend të arkave fiskale!  

 

Një shënim interesant: Qeveria e Britanisë së Madhe ka investuar mbi 2 miliardë funte (në Shqipëri thuhet paund) në mbrojtjen dhe përparimin e gjuhës së Uellsit, nga frika se mund të zhduket nga ndikimi i gjuhës angleze. Pse qeveria e bëri këtë për një gjuhë të vogël brenda shtetit kur anglishtja po bëhet gjuha thuajse më e përhapur në botë? Shkaku: mbrojta e llojllojshmërisë nga zhdukja ose rreziku nga zëvendësimi, me kohë mund të shkaktoj mungesë kreativiteti së pari në gjuhë dhe terminologji, pastaj në kërkime dhe shkencë, e përfundimisht edhe ngecje në zhvillim. 

 

 

Në vend të përmbylljes:

 

Gjuha dhe historia e saj janë pjesë e kulturës së një populli. Kultura pëson ndryshime nga ideologjitë e caktuara dhe religjioni. Religjioni në praktikë më tepër është kulturë se sa religjion. Religjioni shpesh shkatërron edhe kultura, edhe pse është kulturë në vete. Për shembull, krishterimi ka zhdukur shumë kulturë të paganizmit duke shkatërruar shumë objekte me vlerë, në kuadër të asaj që njihet si luftë kundër idhujve. Islamizmi po ashtu ka shkatërruar shumë kulturë të paganizmit në luftën kundër idhujve, plus kulturë të krishterimit. Shikoni tash sekretin e religjionit kundër idhujve:

 

Është e vërtetë se njeriu nuk duhet t’u besoj gjërave jofrymore siç janë objektet ose t’iu lutet atyre. Por në anën tjetër, është gabim i madh i religjionit të shkatërroj objekte që i cilëson si idhuj, ose që përmbajnë(?) elemente të dreqit. Derisa religjioni i shkatërron idhujt e tjetërkujt, ato të ngritura nga vetë i cilëson si të shenjta që duhet mbrojtur në emër të Zotit, ani pse edhe këto janë idhuj. Kisha dhe xhamia janë objekte të ndërtuara me materiale ndërtimore sikur shumë objekte tjera, si psh. Pallati i Dioklecianit. Për religjionin, Pallati i Dioklecianit është idhull që duhet rrënuar, ndërsa kisha e xhamia janë pallate të shenjta që duhet mbrojtur në emër të Zotit deri në vdekje! Ky është top sekreti i religjionit si kulturë kundër kulturave tjera, duke përfshirë deri-diku edhe gjuhën.

 

Komunizmi po ashtu ka qenë një lloj kulture që ka zhdukur shumë idhuj dhe njerëz të krishterimit dhe islamizmit. Edhe komunizmit është një lloj religjioni dhe ka profetët e tij, më i njohuri ndër të cilët është "Hazreti ose Shën Marksi". Gjersa komunizmi shkatërron ose kufizon idhujt e të tjerëve, në këtë rast religjionit, ndërton idhujt e vet.

 

Dhe kultura më e rrezikshme tek shqiptarët, tani duket kjo demokracia në terma abstrakt. Disa ende mendojnë se duhet rrënuar idhujt e komunizmit, siç është rasti me piramidën në Tiranë. Nëse ka njerëz që kanë punuar vetëm një ditë pa pagesë ose si skllav në ndërtimin e saj, atëherë mund të kërkojnë kompensim të plotë nëpërmjet ligjit të restitucionit (kthimin e pasurisë) ku përfshihet edhe puna e detyrueshme. Qytetarët e Evropës Qendrore dhe Lindore janë duke i realizuar këto zhdëmtime me ligje deri në gjykatën e Strasburgut, prej fillim viteve 1930 (kur erdhën Nazistët në pushtet dhe impononin punë e detyrueshme dhe konfiskonin pronat). Gjykata e Strasburgut nuk merr vendime dhe nuk ndikon në legjislacionit e asnjë shteti, por jep mendime. Rrënimin e piramidës ndoshta e duan po të njëjtit që e bashkë ndërtuan, tash për të ndërtuar ndonjë pallat të vetin privat. Ata që kanë bërë punë të detyrueshme, le ta kërkojnë kompensimin dhe le ta realizojnë. Nga kush? Nga këta që duan ta rrënojnë dhe t’i çlirojnë pak shpirtërisht ata që bënë punë të detyrueshme. Por ish-skllavët së pari le ta kërkojnë dhe realizojnë kompensimin dhe mos të pyesin për fatin e piramidës fare. Ky është top sekret i demokracisë. Kthimi i pronës, ku përfshihej edhe kompensimi për punën e detyrueshme, në disa raste ka ndodhur kështu në shumë shtete ish-komuniste: Është e pamundur të kthehet prona origjinale private ashtu si është sepse ajo tash është pjesë përbërëse e një uzine (psh. centrali elektrik) dhe nuk mund të hiqej pjesa që kërkohej se shkaktonte defekt në funksionimin e uzinës. Zgjidhja: kompensimi i ish-pronarit, ndërsa prona mbetet e paprekur ashtu si është. Te piramida çfarë mund të kërkoni? Kërkoni gurët e mermerit që mund të jenë marrë nga shkëmbi i juaj privat. Zgjidhja: gurët nuk mund të hiqen nga piramida, prandaj ofrohet kompensimi. Fut lekët në xhep nga shteti në vend se të kërkosh rrënimin e piramidës në emër të ndonjë rehabilitimi shpirtëror që tani nuk të duhet gjë. Ky është sekreti publik i demokracisë reale.   

 

Për fund:

 

Formula e pagëzimit (e propozuar):

Unë të pagëzoj në emër t’Atit, t’Birit, e t’Shpirtit të Gjuhës Shqipe!

Ku po do pagëzim më i bukur dhe më i shenjtë! 

 

Shahadeti (i propozuar):

La ilahe il-lAllah, Gjuha Shqipe resulullah!

Ku po do Shahadet më i shenjtë!

 

Amin (për të dyja, edhe Formulën e Pagëzimit, edhe Shahadetin, ashtu siç i përkufizova më lartë në formën e tyre “origjinale”)!

 

Me respekt

Isa Mulaj

15 janar 2011.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora