E shtune, 27.04.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Diçka rutinore?!

E enjte, 13.01.2011, 08:59 PM


Diçka rutinore?!

 

Nga Mentor Nazarko

 

Publikimi i videos së një bisede pazaresh midis zëvendëskryeministrit Meta dhe ish-ministrit të partisë së tij, Dritan Prifti, në pikëpamje kohore ndodhi pas dy momenteve të veçanta. Prokuroria sapo mbylli hetimet, duke i pushuar çështjet për të ashtuquajturin skandal të 20% të kryetari  të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe hetimin tjetër mbi dhënien preferenciale të koncesioneve të disa hidrocentraleve, njerëzve të Partisë Demokratike. Por diçka tjetër ishte më frymëzuese për vijimin e hetimit mbi bisedën në video, e që konsiderohet si zënie e dy ministrave “me pelë në dorë”, siç e quajti shtypi kosovar. Para pak ditësh u largua nga një drejtim i gjatë i vendit të vet në role të dorës së parë, kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç. Pas atij largimi, u shtuan zërat se Bashkimi Europian do bënte presion që operacione të “Duarve të Pastra”, të ndodhnin kudo në Ballkan. Një zë autoritar i gazetarisë europiane, me kontakte të mira me institucionet e BE-së, siç është Tim Judah, përfshiu në listën e vendeve të përfshira në korrupsion të niveleve të larta të gjithë vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkim, pra dhe Shqipërinë.

Po ky është vetëm një kontekstualizim i çështjes, përtej atij tradicional. Meritojnë vëmendje elementë të tjerë të historisë së videos, që lidhen veçanërisht me mënyrën sesi reaguan palët e interesuara pas publikimit, diçka që relativizoi shumë publikimin.

Zoti Meta reagoi në mënyrën që pritej, veçanërisht duke mbajtur parasysh sa të rënda ishin akuzat. Nëse ai do pranonte vërtetësinë e plotë të videos, duhej të pranonte penalizimin mbi bazën e tre apo më shumë neneve të Kodit Penal të Shqipërisë. Kështu që ai reagoi në mënyrë krejtësisht të parashikueshme: hodhi poshtë veçanërisht atë pjesë të ndërhyrjeve të tij në video, e cila dënohet qartësisht me këto nene, ndërsa pranoi si krejtësisht normale pjesën e bisedave të tjera. Në të vërtetë, pjesa e pranuar prej tij ishte në normalen e veprimtarisë së partive politike brenda institucioneve shtetërore. Ndërkohë, zoti Meta gjithashtu ofroi në një letër thjeshtësisht të thjeshtë heqjen e imunitetit të vet, akt i cili realisht nuk ka asnjë vlerë ligjore. Prokuroria, e cila nisi hetimin, e ka si barrierë mu përpara hundës së vet imunitetin e tij, pasi ai garantohet me kushtetutë dhe jo me vullnet të përfituesit të tij.

Por ajo që dukej tragjikomike në reagimin qeveritar për publikimin e videos, ishte shpallja e rëndësisë së ullirit, arrës dhe lajthisë, apo e pemëve të tjera frutore, si prioritete të zhvillimit të vendit, me një ton gazmoro-serioz prej kryeministrit. Kjo përzgjedhje, së bashku me temën tjetër të mbledhjes së qeverisë, ajo mbi tarifat e larta të kompanive celulare pa përjashtim, dukej sikur nuk kishte lidhje me videon. Por nënteksti ishte krejtësisht i qartë: asgjë nuk ka ndryshuar prej videos në qeverinë Berisha që të mund t’ia prishë qetësinë asaj, sa mund të lejohen shakara me ullirin! Ndërkohë, kryeministri nuk veproi rrufeshëm si në rastin e Pangos, por ama e kishte lënë Metën të mbrohej vetë. Në një përpjekje qartësisht të lexueshme për të ngjarë fare larg aferës, zoti Berisha reagoi në lidhje me të, vetëm pasi zëdhënësja e Komisionit Europian shqiptoi fjali të forta, shprehëse të sintonisë europiane që Ballkani të pastrohet nga korrupsioni! Edhe atëherë, folësi më i madh i viseve tona kombëtare nuk foli vetë, nuk foli as me zëdhënësen e qeverisë, por me zëdhënësen e Partisë Demokratike. Në reagimin e kësaj të fundit, u kuptua megjithatë sintonizimi anipse i largët i zotit Berisha me zëvendësin e tij, Meta. Videoja u quajt “montazh i neveritshëm prej çimkeje” dhe u ndie duartrokitja e zbehtë për dorëzimin e imunitetit, një hap ky krejtësisht propagandistik, të cilën PD-ja me gojën e Berishës ka bërë sikur e ka dorëzuar që në fillim të vitit.

Pozicionimet e palëve në lidhje me videon, përfshi dhe reagimin e PS-së, i dhanë pra përmbajtjes së videos, një karakter krejt normal dhe rutinor, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. PS-ja reagoi me konferencën e shtypit, mjetin komunikativ standard dhe kryetari Rama vijoi lidhjen e çdo akti korrupsioni me vjedhjen e votave. E vetmja gjë kërcënuese e ligjërimit të tij ishte: prisni nesër mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, pa do ta shihni! Shoqëria civile gjithashtu nuk bëri ndonjë akt të veçantë reagimi që t’i ngjante as paralajmërimit.

Në rrethana të tilla, një pyetje del normale: a thua kemi rënë në nivele të tilla pandjeshmërie si shoqëri, pas veprave më të rënda të pandëshkuara si Gërdeci, apo plot të tjera? Apo palët po presin një raund tjetër publikimesh: gjithë frikë-pala e prekur, Meta dhe Berisha, apo  i sigurt me ç’do të ndodhë më pas - Rama? Pse as Meta dhe as Berisha nuk akuzojnë Priftin, por Ramën si autor të regjistrimit? Pse vetë Prifti shpreh megjithëse në mënyrë të zbehtë shpresën se Berisha do ta largojë ministrin Meta? A ka ashtu siç flitet video të tjera më përvëluese?

Përtej pyetjeve pa përgjigje, apo me përgjigje që qarkullojnë në kafenetë e Tiranës, ajo që duket e vërtetë është se në shoqërinë dhe politikën e vendit mban era kalbësi, me të cilën bashkëjetojnë shpesh të gjithë duke i dhënë asaj karakter rutinor dhe normal. Kështu, ndryshimi do duket larg.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora