E diele, 28.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Mendime

Godo: Meta ose Prifti, apo të dy bashkë të ndiqen penalisht

E enjte, 13.01.2011, 08:56 PM


“Zoti Meta s’mund ta hedhë këtë hendek vetëm me përçmime dhe frazeologji”

 

Sabri Godo, politikani veteran shqiptar dhe një nga “baballarët” e Kushtetutës së Republikës deklaron se Shqipëria duhet të japë prova reale se di të luftojë korrupsionin. Në një intervistë ekskluzive për “Shqip”, në mënyrë direkte, Godo thotë se “Prifti dhe Meta duhet të ndiqen penalisht”, duke theksuar se kjo është detyra e prokurorisë. Për dy protagonistët kryesorë të videos së publikuar ekskluzivisht në emisionin “Fiks Fare” në “Top Channel”, mbrëmjen e 11 janarit, politikani Godo ka dhënë për secilin argumentet ligjore dhe politike. Edhe pse tregohet skeptik ndaj punës së prokurorisë për ta çuar deri në fund këtë çështje, Presidenti i nderit të Asamblesë së Partisë Republikane sqaron edhe strategjinë që duhet ndjekur për t’u dhënë fund akuzave reciproke për korrupsion nga partitë politike. Heshtjes së dy drejtuesve të lartë të PD-së, Sali Berishës dhe Jozefina Topallit, politikani Godo tha se “Kjo është një çështje që djeg dhe ka të bëjë me koalicionin. Prishja e këtij koalicioni praktikisht do të çonte në rrëzimin e qeverisë”.
Zoti Godo, publikimi i një videoje në emisionin “Fiks Fare” ka sjellë tronditje politike në kabinetin “Berisha” ku protagonistë të saj direkt janë një ministër dhe një ish-ministër i qeverisë që ai drejton. Pyetja është, si e perceptoni ju korrupsionin në institucionet e larta drejtuese? 
Korrupsioni është i pranishëm, i dhimbshëm dhe shkatërrimtar. Sipas meje dallohet në dy plane, korrupsioni me të cilin qytetarët janë në kontakt të përditshëm dhe që ndeshet në administratën lokale, në drejtësi, shëndetësi, arsim dhe deri në polici. Kur korrupsioni hyn në këta organizma, zë e kalbet vendi. Pastaj kemi korrupsionin në sferat e larta, për të cilat folët ju në institucionet qendrore dhe në ministritë. Këtu veprohet nga dy tre persona dhe shtrihet në dy drejtime, në tenderë dhe në pronën publike e private. Ky është kasapllëku i madh i zotërinjve të veshur me kostume të shtrenjta dhe që gërryejnë ekonominë dhe ushqehen me djersën e një populli të varfër. Erdhi ajo kohë për të cilën më ka thënë Dritëro Agolli 10 vjet më parë se do të gdhihemi në mëngjes duke përshëndetur njëri-tjetrin: “si je o i korruptuar dhe a bërë ndonjë lek me tenderin ore maskara”. Kjo kohë ka ardhur. Qeveria s’mund të thotë se ia ka dalë të mposhtë korrupsionin dhe kjo përbën mangësinë më të theksuar të kësaj qeverisjeje.
Lidhur me rastin konkret të denoncuar në “Top Channel”. Cili është vlerësimi juaj? A vazhdon ta ketë kjo qeveri imazhin e qeverisjes me duar të pastra? 
Padyshim kjo video duhet t’i kalojë ekspertizës dhe njëri nga të dy, Dritan Prifti ose Ilir Meta duhet të ndiqen penalisht. Ose të dy së bashku. Paraprakisht e shqyrtoj në dy aspekte, në atë ligjor dhe politik. Në aspektin ligjor them se denoncimi i zotit Prifti nuk është i besueshëm. Denoncuesi, zoti Prifti nuk është i besueshëm. Videoja është e marsit të vitit të kaluar. Zoti Prifti u shkarkua në gusht. Pra ai e ka mbajtur këtë armë të fshehtë shantazhuese për pesë muaj duke qenë në detyrën e ministrit. Nëse pretendon të jetë i kristaltë, ai këtu del si një xham i thyer. Po të ishte i pastër dhe i ndershëm ai duhej t’i kishte denoncuar presionet e Metës së pari në LSI kur ishte nënkryetar dhe së dyti, pranë Kryeministrit nga i cili varej. Ai ka në ngarkim një llogari personale të hershme disamilionëshe. Ai ka vepruar si mafioz me porto-videon dhe prandaj nuk është i besueshëm. Për sa i takon Metës, ai bëri mirë që dorëzoi imunitetin, por duhet të provojë me fakte se së paku kjo afera me “Gimin” s’ka pasur efekte praktike. Zoti Meta s’mund ta hedhë këtë hendek vetëm me përçmime dhe frazeologji politike. Që të provojë që është i pastër, ai vetë duhet të padisë Priftin në prokurori, ndryshe në çdo rast ai do të mbetet një politikan me hije.
Ju folët për dorëzimin e imunitetit të zv/kryeministrit dhe ministrit Meta. Për t’i shërbyer jo vetëm prokurorisë për të hetuar, por edhe opinionit publik nga ana morale, a është e mjaftueshme pas këtij skandali që një ministër të dorëzojë imunitetin apo duhet të ndiqet në këtë rast shembulli i Ilir Rusmalit kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë, edhe pse nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në akuzat që iu bënë kur ishte ministër.
Megjithatë, Rusmali, prapë mbeti deputet. Kjo çështja e dorëzimit të imunitetit, nuk e di sesa efektive është, sepse prokuroria dhe gjykata mund të thonë se ligji është në fuqi dhe është kushtetues. Dhe nuk e di sesa efekt ka kjo nisma individuale e deputetit. Megjithatë, meqë Meta e quan këtë krejt një trillim, unë them që ai ende nuk del i larë. Ai duhet ta provojë që është i tillë. Vetëm hetimet në prokurori mund të thonë se ky është thjesht një montazh apo ka diçka të vërtetë dhe çfarë ka të vërtetë brenda. Unë them se që të gjithë duhet të bëjmë pak durim dhe të presim. Për habinë time, prokuroria veproi menjëherë, madje që sot filloi sekuestrimin e materialeve. Ajo duhet ta shikojë këtë çështje me prioritet dhe të japë një përgjigje për veten dhe opinionin publik se a qëndrojnë këto, a do të merret me to dhe sa do të merret dhe në cilat konkluzione do të arrijë.
Duke marrë parasysh edhe rastet e mëparshme dhe akuzat reciproke të politikës për korrupsion, a besoni se prokuroria do ta çojë këtë çështje deri në fund? 
Nuk besoj dhe aq. Kjo prokurori nuk ka çuar në fund asnjë çështje. Kjo i mban dosjet hapur derisa thartohet dhe pastaj i kalon në harresë. Kjo është edhe pika më e dobët e asaj që thuhet luftë ndaj korrupsionit dhe që është si luftë me mullinjtë e erës.
Çfarë duhet bërë në këtë situatë? 
Do hapet luftë brenda partive, por edhe kjo ka pak të ngjarë. Kjo sepse që atje janë vatrat e korrupsionit. Të bëhet rishqyrtimi i gjendjes nga organet qendrore të drejtësisë, të rishikohen ligjet në Parlament, të mobilizohet shoqëria civile. Nuk mund të themi se mbasi jemi kredhur në korrupsion asnjë forcë nuk mund të na nxjerrë prej andej. Në mënyrë të përmbledhur do them se vendi nuk mund të shkojë më gjatë kështu siç është. Jemi duke paguar një haraç të rëndë të prapambetjes ekonomiko-shoqërore dhe jemi duke dëmtuar imazhin tonë me efekte shkatërrimtare.
Rreth 24 orë pas transmetimit të videos në mediat elektronike dhe të printuara ka rënë në sy heshtja e krerëve të institucioneve. Kryetarja e Kuvendit ka anuluar një konferencë të paralajmëruar në kuadër të dhunës kundër grave, ndërsa Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë foli veçse për ullinjtë, shegat dhe lajthitë, ndërsa për akuzat ndaj Metës, të cilin e kishte në krahun e tij të djathtë në mbledhje nuk tha asgjë. Ç’koment keni? 
Kjo është një çështje që djeg dhe ka të bëjë me koalicionin. Prishja e këtij koalicioni praktikisht do të çonte në rrëzimin e qeverisë. Prandaj edhe këta që përmendët, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri, duan të shikojnë zhvillimet e mëtejshme përpara se të marrin një qëndrim përfundimtar në këtë çështje. Unë dëgjova një deklaratë të Partisë Demokratike dhe për aq sa dëgjova m’u duk korrekte. Pra ia kalon këtë çështje prokurorisë, pa marrë ndonjë qëndrim paraprak nga ana e tyre.
Do të ketë të ardhme koalicioni PD-LSI, pas këtij skandali? Apo Kryeministri do të kërkojë aleanca të reja për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme? 
Së pari njëherë, Kryeministri nuk ka ku kërkon aleanca, meqë aleanca duhet të konsistojë në deputetë. Ato aleanca të mundshme parlamentare që mund të bënte i ka bërë. Ky koalicion nuk është aq i qëndrueshëm sa trumbetohet nga palët, ndonëse do të jetë për tani, do të vlejë për zgjedhjet e ardhshme etj etj… U fol me shumë entuziazëm për këtë koalicion, por mua nuk më duket se është i tillë.
A mendoni se denoncimet për korrupsion ndaj njëra-tjetrës ndihmojnë partitë për të fituar elektorat ndaj kundërshtarit? 
Nëse bazohemi në realitetin dhe nuk janë thjesht kurdisje, mirë se të vijnë denoncimet. Por do të duhet një lavatriçe e madhe për të gjithë plaçkat e palara të partive. Që të nxirret ndonjë dobi publike nga këto denoncime duhet të funksionojë drejtësia.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora