E diele, 04.05.2025, 11:40 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Shala: Pa Zot Shtëpije

E marte, 11.01.2011, 08:55 PM


Pa Zot Shtëpije

 

Përplasjet e të gjitha llojeve, në raportet brenda politikës kosovare dhe në ato të Kosovës me Botën, duket që kanë marrë hov në ditët e para të këtij viti. S’është rend stabiliteti politik.

 

Nga Blerim Shala, Express

 

Si shtet, si shoqëri, si politikë, së paku bazuar në zhvillimet e dy-tri javëve të fundit, duket që po hyjmë në një periudhë shumë të rrezikshme kur përplasjet dhe konfrontimet do të jenë tipari kryesor i Kosovës. Dhe kjo po ndodhë në kohën kur jemi objektivisht pa institucione të mirëfillta, pa Zot Shtëpie, pa adresë të qartë, dhe kur, pas lajmeve të mbrama për ri-votimin që do të ndodhë edhe në Mitrovicë, mund të parashihen ndërlikime të reja në përpjekjet për ta bërë Kosovën me institucione qendrore, pas zgjedhjeve të mëdyshura në të katër anët.

Fillim më të keq të një viti nuk ka mundur të ketë.

Janë tri shembuj (së paku), që konfirmojnë mbizotërimin e përplasjes si veçori themelore të ngjarjeve në Kosovë, në një shtet që në shkurtin e këtij viti, do t’i mbushë vetëm tre vjet jetë.

Shembulli i parë është ai që ka të bëjë me politikën kosovare pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Këto zgjedhje, midis tjerash, prodhuan, së paku deri tani, një gjendje të jashtëzakonshme politike, jo vetëm për shkak të vakuumit real institucional, por edhe në vijim të tensioneve tejet të larta politike, kur opinioni vendor gjithë ditës dëgjon dhe përcjell deklarata që shquajnë konfrontimin e madh midis politikanëve dhe partive kryesore të Kosovës. Gjithçka i përngjet asaj thënieje të moçme politike të luftës të të gjithëve kundër të gjithëve, si në fillet e organizimit të një shoqërie dhe të bërjes së një shteti. Nuk ka fare shenja që në ditët dhe javët e ardhshme, mund të ketë zbutje politike, apo, që do të mund të niste një dialog politik, midis politikanëve kyç të Republikës së Kosovës, qoftë edhe në adresim të disa temave të cilat janë barrë e gjithë politikës së vendit, apo, që godasin pamëshirshëm të gjithë politikën kosovare. Ka shumë mllef të akumuluar tek partitë dhe politikanët kosovarë, ka shumë hesape të pasqaruara midis partive, por edhe brenda tyre (për shkak të manipulimeve të shumta gjatë zgjedhjeve me votat e kandidatëve për deputetë brenda partive), ka shumë probleme politike dhe të të gjitha llojeve të tjera, ka edhe më shumë pakënaqësi të qytetarëve të rëndomtë me jetën e tyre të tashme, dhe kjo shumësi lajmesh të këqija, do të kërkojë shtegdaljen e zbrazjeve të saj. Natyrisht, poqëse diç e tillë ndodhë, atëherë, pozicioni ndërkombëtarë i Kosovës, i cili edhe ashtu ka rënë në shkallën më të ulët që prej se jemi bërë shtet, do të bie në stadin e rrezikimit të themeleve të tij.

Shembulli i dytë që flet për dinamikën e gabuar dhe të rrezikshme të përplasjeve, është ai që sipërfaqëson reagimet e këtushme ndaj Raportit të Dick Martyt.

Çfarë kemi parë në javët e fundit, shquan si emërues të përbashkët synimin e autoriteteve të tashme të vendit, me apo pa qëllim, kjo nuk ka fort rëndësi, që të krijojnë rrethana kur e gjithë shoqëria kosovare konfrontohet me një raportues dhe me një Raport, në vend se të përqafohet logjika shtetërore, sipas të cilës, natyrisht, të Zotët e Shtëpisë, apo ata që megjithatë, janë në ballë të shtetit të Kosovës, ofrojnë përgjigje zyrtare në përballje me këtë sprovë shumë të mundimshme.

Raporti nuk zhbëhet ndryshe pos me zbardhjen e të vërtetës përmes mekanizmave ligjorë. E tek ne në Kosovë, siç e dimë të gjithë, ekziston edhe Misioni i EULEX-it, bashkëpunimi me të cilin është edhe detyrim kushtetues i Kosovës.

Shembulli i tretë se çfarë përplasjesh mund të kemi si vend tash e tutje, apo, se mund të mbërrijmë në shkallën e konfrontimit të gjithë shoqërisë kosovare me institucionet relevante ndërkombëtare është ky që flet për rritjen e rrogave për 100 milionë Euro në buxhetin e vitit 2011. Dihet që planet e Qeverisë së Kosovës së Kryeministrit Thaçi, para se të niste fushata për zgjedhjet e 12 dhjetorit (2009), kanë spikatur një rritje prej 24 milionë Eurosh për vitin 2011 (në total), e cila do të ishte në përputhje me Marrëveshjet ekzistuese me Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF-in).

Kemi të bëjmë me një çështje shumë të ndieshme, sepse gati askush në këtë shoqërinë tonë që karakterizohet me një mjerim masiv social, pa marrë parasysh argumentet që i ka, nuk mund dot të kontestojë nevojën e rritjes së pagave. Por shteti ndanë, përmes buxhetit të vet, vetëm paratë që i ka, e rrogat rriten në një shtet stabil vetëm poqëse ka zhvillim ekonomik dhe shtim të të hyrave. Qeveria e sotme e Kosovës, bazuar së paku në shpjegimet e ofruara nga Ahmet Shala, Ministri i Ekonomisë dhe Financave, llogaritë që këto para do t’i sigurojë përmes kursimeve në Ministri dhe madje, në komuna, edhe pse dihet që me buxhetin aktual, edhe ashtu Ministritë dhe komunat tona funksionojnë me njëqind probleme dhe mungesa.

Ky veprim i Qeverisë-në-shkuarje-e-sipër, dihet që do t’i sjellë kokëçarje të mëdha Kosovës në javët dhe muajt vijues, sepse mohon Marrëveshjen që vetë kjo Qeveri ka nënshkruar me FMN-në, për ndihmë financiare të FMN-së. Pa respektimin e kësaj Marrëveshjeje, nuk ka përkrahje financiare as të Komisionit Evropian dhe të Bankës Botërore. Dhe kjo ndihmë matet me qindra milionë Euro për shtetin e Kosovës.

Por Kryeministri Thaçi, i zënë peng me premtimet e tij marramendëse parazgjedhore, vendosi, në këtë mënyrë, ta shpërgjegjësojë veten para qytetarit, duke mos çarë kokën për raportet e Republikës së Kosovës me FMN-në, Komisionin Evropian, Bankën Botërore, dhe duke krijuar kushtet për përplasjen e gjithë shoqërisë kosovare me instancat më të rëndësishme ndërkombëtare, thuajse, dhe këtu sërish i kthehemi atij konstatimi të mëparmë, Kosova nuk ka autoritet qendror, nuk ka Zot të Shtëpisë.

Kosova gjithsesi është e rrezikuar, si vend, si shtet prej këtyre përplasjeve, të cilat mund të marrin një dinamikë edhe më të keqe, edhe më kërcënuese, kur të kihen parasysh problemet e mëdha me integritetin e shtetit në veri dhe me statusin pezull ndërkombëtarë të Kosovës.

 

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx