Mendime
Kastriot Myftaraj Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip (1)
E shtune, 08.01.2011, 08:55 PM
Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip (1)
Nga Kastriot Myftaraj
Paradoksi i madh i historisë dhe i bashkëkohësisë shqiptare është se, aq sa ç’ është e vështirë që të vërtetosh me dokumente se dikush është agjent i shërbimeve sekrete të vendeve fqinje, Serbisë dhe Greqisë (kjo për shkak se këto vende nuk t’ i hapin arkivat për këto gjëra), aq është e lehtë që t’ i identifikosh këta njerëz me anë të veprimeve të tyre, për motivet e të cilave veprime nuk mund të gjesh shpjegim tjetër përveç atij se janë të paguar nga spiunazhet serbe dhe greke.
Në vitin 1879, kur në Stamboll u mblodh një grup rilindasish shqiptarë, për të vendosur për një alfabet unik me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe, idea dominuese ishte që alfabeti të ishte latin. Por befas dolën disa pjesëmarrës në mbledhje dhe propozuan që përveç karaktereve (gërmave) latine, alfabeti shqiptar të kishte edhe karaktere greke dhe sllave. Argumenti i mbështetësve të alfabetit mikst ishte se shumë shqiptarë, të cilët dinin që të lexonin dhe shkruanin në gjuhët e vendeve fqinje, serbisht dhe greqisht. Por ky argument ishte jologjik, sepse ata shqiptarë të cilët qenë në gjendje të lexonin karakteret sllave dhe greke dhe t’ i shkruanin ato, nuk do ta kishin të vështirë që të mësonin diçka më tepër karaktere latine. Qartësisht, halli i mbështetësve të alfabetit mikst ishte që fusnin një element sllav dhe helen në gjuhën shqipe. Duke qenë alfabeti shqiptar mikst, nuk do të ishte e vështirë që të bëheshin huazime nga këto gjuhë në shqip, si dhe të adaptoheshin struktura të këtyre gjuhëve. Mbështetësit e alfabetit mikst qenë natyrisht njerëz të paguar të Serbisë dhe të Greqisë.
Rilindasit më të rëndësishëm shqiptarë, të cilët qenë të pranishëm në mbledhjen e Stambollit, nuk e pëlqenin alfabetin mikst, por donin atë thjesht latin (“Drita që lind andej nga perëndon” do të shkruante më pas Naim Frashëri). Por, për të mos shtuar një përçarje të re mes shqiptarëve ata e bënë këtë kompromis. Në atë kohë kishte një përçarje mes shqiptarëve për alfabetin, kishte shqiptarë të turqizuar, të cilët donin që gjuha shqipe të shkruhej me karaktere arabe, me të njëjtin argument si ai i mbështetësve të alfabetit mikst. Kështu që një tjetër përçarje midis shqiptarëve u gjykua e tepërt dhe u vendos për alfabetin mikst.
Tre dekada më pas, çështja e alfabetit u ngrit përsëri në Kongresin e Manastirit, në 1908. Këtë herë krahu pro alfabetit latin ishte më këmbëngulës. Ai i kishte edhe të gjitha argumentet në anën e tij, si ato teknike, ashtu dhe ato parimore. Alfabeti mikst krijonte probleme të mëdha në shtypjen e librave dhe gazetave, se procesi i shtypshkrimit për to ishte shumë më i ndërlikuar se në rastin e librave dhe gazetave të cilat shtypeshin në secilin prej alfabeteve që e përbënin atë. Gjithashtu, alfabeti mikst u krijonte të huajve përshtypjen se shqiptarët kishin një identitet të paqartë. Mbështetësit e alfabetit mikst kishin si argument kryesor atë se tashmë ky alfabet qe në përdorim prej tridhjetë vitesh dhe se njerëzit qenë mësuar me të. Qartësisht, ky ishte një argument alogjik, se shqiptarët të cilët qenë mësuar me alfabetin e vështirë mikst, do ta kishin shumë më të thjeshtë të mësoheshin me alfabetin e ri, ku karakteret sllave dhe greke, qenë zëvendësuar me latine.
Kongresi, i cili ishte duke dështuar për shkak se asnjëra nga palët nuk tërhiqej, u mbyll me një kompromis. Kongresi vendosi që gjuha shqipe të shkruhej në dy alfabete, në një alfabet latin dhe në alfabetin mikst. Në shkolla do të ishte i detyrueshëm mësimi i të dy alfabeteve. Nuk është e vështirë që të kuptohet se sa absurd ishte ky vendim dhe sa në dritë të keqe i nxirrte shqiptarët para të huajve. Shqiptarët, në vitin 1908 ende nuk qenë pajtuar për alfabetin në të cilin do të shkruhej gjuha e tyre! Por meqënëse edhe kjo betejë për alfabetin u zhvillua në kontekstin e luftës që bëhej kundër atyre që donin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet arab. Dhe të cilët kishin mbështetjen e autoriteteve osmane, krahu i alfabetit latin e pranoi kompromisin.
Me krijimin e shtetit shqiptar, nuk shkoi shumë kohë dhe alfabeti mikst u braktis vetiu dhe në përdorim mbeti vetëm alfabeti latin. Me krijimin e shtetit shqiptar u kuptua shpejt se përdorimi i alfabetit mikst në dokumentet zyrtare dhe në shkolla vinte në diskutim identitetin e shtetit dhe atë të nacionit shqiptar. Por gjuha shqipe ende ka atavizma të trashëguara nga kjo krizë që pësoi dikur. Kështu, ne sot sipas gjuhës normative duhet të shkruajmë “Evropë”, si serbët dhe grekët, dhe jo “Europë”, siç shkruhet në të gjitha gjuhët europiane që kanë alfabet latin. Serbët dhe grekët shkruajnë “Evropë” se ata nuk e kanë grupin e zanoreve “Eu”. Edhe me alfabetin mikst, në shqip duhej shkruar “Evropë”. Gjuha shqipe e shkruar në alfabet latin e ka grupin “Eu”, e megjithatë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos që të shkruhet “Evropë” dhe jo “Europë”. Ky natyrisht se ishte një homazh për alfabetin mikst!
Pasi mbështetësit e alfabetit mikst e humbën betejën për karakteret në të cilat do të shkruhej gjuha shqipe, ata e zhvenduan luftën në një fushëbetejë tjetër. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 vendosi që brenda dy vitesh të tubohej në Elbasan një kongres i cili të merrte vendim për gjuhën standarde shqipe. Ky kongres u mbajt në vitin 1909 dhe vendosi që e folmja e Elbasanit, si një pikë ku konvergonin dy dialektet, toskërishtja dhe gegërishtja, të bëhej baza për gjuhën standarde shqipe. Kjo do të bëhej gjuha standarde shqipe deri me ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet në 1944. Kongresi i vitit 1972 e ndryshoi vendimin e Kongresit të Elbasanit të vitit 1909 vendosi që gjuha standarde shqipe të ishte dialekti tosk. Kongresi i vitit 1972 u bë premisë për rihapjen e një debati tashmë të mbyllur shqiptar, atij për gjuhën standarde. Diktatura komuniste në Shqipëri e mbajti kongresin e vitit 1972 se donte që të legjitimonte aktin e faktit të kryer që kishte bërë pas ardhjes në fuqi, duke dhunuar vendimin e një forumi të Rilindjes, çka ishte Kongresit të Elbasanit, për gjuhën standarde shqipe.
Aspekti më i keq i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 është se në të dominoi fryma, të cilën e kemi ende si trashëgim, e atij krahu të hershëm të Rilindjes, i cili mund të quhet si Anti-Rilindje, që ishte për alfabetin mikst me karaktere sllave e greke, përveç atyre latine. Këtë e zbulon sot ndonjëri prej nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të vitit 1972, siç është rasti me prof. dr. Shaban Demiraj, emri i të cilit ishte i pari në listën prej dyzet intelektualësh të cilët në dhjetor 2010 nënshkruan një apel drejtuar opinionit shqiptar ku kundërshtonin konferencën që mbajti Qendra Albanologjike, dhe ku ndër të tjera do të diskutohej për rishikimin e gjuhës standarde të përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Në konferencën e mbajtur në vitin 2002, në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, prof. Shaban Demiraj, e kundërshtoi kështu tezën se në gjuhën standarde shqipe duhet futur paskajorja e gegërishtes: “I vetmi ndryshim i rëndësishëm midis dy dialekteve tona në rrafshin gramatikor është mungesa e paskajores perifraztike të tipit ‘me punue’ në dialektin jugor. Por a ka përbërë kjo mungesë një pengesë në funksionimin e rregullt të shqipes standarde? Siç dihet, në gjuhën shqipe, ashtu si në gjuhët e tjera ballkanike, është zhvilluar prej kohësh prirja për përdorimin e rregullt të formave të mënyrës lidhore edhe në ato funksione që janë karakteristike për paskajoren”. (“Shaban Demiraj: Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde”; cituar sipas librit me përmbledhje kumtesash: (“Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Shtëpia Botuese “Shkenca”, Tiranë 2003, f. 34.)
Ky është një argument sa i çuditshëm aq edhe domethënës. Shaban Demiraj është një shkencëtar dhe jo një sharlatan. Ai e kupton mirë se është një gafë kolosale që kur diskutohet për krijimin e gjuhës standarde shqipe ku do të konvergojnë dy dialekte, toskërishtja dhe gegërishtja, në rastin e paskajores, të merren parasysh gjuhët ballkanase të vendeve sllavo-ortodokse, pra serbishtja, bullgarishtja, greqishtja, dhe të abandonohet gegërishtja. Sipas Demirajt, i cili vetëm sa zbulon frymën e Kongresit të vitit 1972, derisa toskërishtja e ka të ngjashme me gjuhët sllave dhe greqishten mungesën e paskajores, atëherë kjo është një arsye e mjaftueshme që mos të pranohet paskajorja. Pra gegërishtja quhet më e largët se serbishtja dhe greqishtja!!! Ç’ kuptim tjetër ka kjo përveç që shqiptarët gegë quhen më të largët se serbët dhe grekët?! Pra, thuhet qartë se orientimi i shqipes duhet të jetë kah gjuhët ballkanase sllavo-greke. Këtij Demirajt dhe të tjerëve si ai as nuk u shkon ndër mend as sot, se shqipja nuk duhet orientuar tek gjuhët ballkanike sllavo-ciriliko-greke, por te gjuhët perëndimore dhe posaçërisht tek anglishtja.
Nëse gjuhët perëndimore, dhe posaçërisht anglishtja, e cila është lingua franca bashkëkohore, e kanë paskajoren, madje e kanë boshtin rreth të cilit ndërtohet gjuha, atëherë përse të mos e ketë edhe shqipja, kur një dialekt i saj e ka paskajoren? Por t’ u japësh argumente shkencore mbrojtësve të standardit të vitit 1972, është njëlloj sikur t’ u jepje argumente të arsyeshme dhe shkencore mbrojtësve të alfabetit mikst dikur. Sot lufta kundër paskajores gege është bërë ekuivalenti i kauzës së alfabetit mikst. Meqenëse gjuhët sllave dhe greke nuk e kanë paskajoren, atëherë mungesa e saj në gjuhën shqipe shihet si kompensimi për humbjen e alfabetit mikst.
Vijon...