Mendime
Arbana Xharra: Ku do t'i marrë Thaçi 100 milionë për paga
E premte, 07.01.2011, 10:05 PM
Ku do t’i marrë Thaçi 100 milionë për paga
Nga Arbana Xharra
Hashim Thaçi, nëse jo 135 mijë vota nga familjet e 27 mijë mësimdhënësve, po bile gjysmën e tyre i ka marrë me premtimin se do të rritë pagat për 50 për qind. Një mësues që jeton në skamje nuk e ka komoditetin që të mendojë për infrastrukturë, investime të huaja, imazh të Kosovës, mjafton t’i rritet paga nga rreth 300 në 450 euro dhe është e pritshme që vota shkon në kuti dhe s’ka kush e bind atë votues se Thaçi është i keq.
Populli nuk i di hesapet përbrenda, llogarinë që e ka bërë kreu i PDK-së për të mbetur në pushtet. Ai është në gjendje që të sakrifikojë çdo gjë për të mbetur kreu i qeverisë. Edhe nëse i prish shumë projekte kapitale Kosovës, apo edhe nëse i lë komunat e Kosovës në krizë buxhetore, apo edhe nëse i rrezikon fondet qindramilionëshe nga institucionet financiare, vetëm e vetëm për të mos e lëshuar karrigen e vet.
Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Jose Sulemane, ka zbuluar detajet e marrëveshjes me qeverinë në largim sa i përket rritjes së pagave në sektorin publik në vitin 2011.
Sulemane ka treguar se marrëveshja mes dy palëve ka qenë që pagat duhet të rriten më së shumti 7-8%, e jo 100% ashtu siç ka premtuar kryeministri në largim, Hashim Thaçi. Premtimet për ngritje kaq të madhe të pagave, sipas kalkulimeve që i kanë bërë ekspertët e FMN-së, kanë një kosto jo të vogël, përkatësisht hiç më pak se 100 milionë euro.
Ata kanë bërë të ditur se nëse qeveria nuk i përmbahet marrëveshjes me FMN-në, për rritje pagash, atëherë vendi rrezikon t’i humbë 109 milionë euro ndihma financiare nga ky institucion.
FMN-ja ka bërë të ditur se çdo rritje e re dhe më e lartë e pagave do të duhej të përkufizohej me shkurtime në shpenzimet tjera rrjedhëse dhe kjo është pjesë e marrëveshjes së arritur.
Stafi i FMN-së ka llogaritur se iniciativa të reja që propozohen për rritje pagash do të kushtonin rreth 2% të GDP-së, apo rreth 100 milionë euro.
Këto të dhëna tregojnë se shkurtimet e kategorive tjera të shpenzimeve për t’i rritur pagat në këtë shumë do të ishin shumë jorealiste. Pra, bëhet e qartë se nëse rriten pagat, projekte kapitale rrezikohen, sikurse edhe fondet e institucioneve financiare.
Jemi paralajmëruar nga ky institucion i rëndësishëm financiar se të hyrat bazohen në sistemin tatimor dhe ekziston një limit se sa mund të grumbullohen, kështu që nëse rriten shpenzimet në një anë, shkurtohen në anën tjetër. Por, nuk duhet harruar një gjë se kemi hyrë në një vit me buxhet të pamiratuar dhe se problemet tek tash mbetet të shihen.
E nëse paratë vendos t’i marrë nga buxheti i komunave, atëherë na pret krizë e madhe sociale. Këtë muaj pritet të shihet sesi do të realizojë këtë premtim Thaçi. Por, sidoqoftë Thaçi nuk e ka atë gajle, më rëndësi është që PDK-ja në krye me të të qeverisë, e çfarë qeverisje nuk ka rëndësi, derisa populli po “përtyp sa po mundet”.