Mendime
Shqipe Xoxi: Krushqitë me krimin e organizuar të Arta Dades dhe Erjon Braçes
E merkure, 12.01.2011, 08:54 PM
Krushqitë me krimin e organizuar të Arta Dades dhe Erjon Braçes
Nga Shqipe Xoxi
Pak a shumë të gjithë e dimë se “PSSH është organizatë politike e pavarur dhe e hapur që bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarë brenda e jashtë atdheut si dhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri, të cilët shprehin vullnetin për të aderuar në radhët e saj”, sepse kështu të paktën shkruhet në fillimin d Statutit të Partisë Socialiste. kushdo e gjen në internet në faqen zyrtare të PS.al.
Mirëpo në fjalinë e dytë të Statutit shkruhet se “PSSH është bartëse e vlerave më të mira kombëtare dhe e mendimit progresiv ndërkombëtar”. Dhe këtu pa dyshim ka për të debatuar jo parimisht por penalisht. Sepse të gjithë ne, të Djathtë dhe konservatorë qofshim konstatojnë përditë se kjo organizatë politike ka qysh në lindje trashëgon kromozomin e kulturës së bunkerit. Shartimi i kësaj organizate politike vullnetare me sojin e kriminelëve më të rrezikshëm të shoqërisë shpreh bashkëpunimin e ngushtë në veprimi anti-ligjore.
Mbi të gjitha po të lexosh shtypin e muajit të fundit kupton se prezenca e deputeteve të majtë si Erjon Braçe apo Arta Dade, të dy deputetë afër kryetarit Rama nuk është për protagonizëm politik porse të kronikave të zeza. Bile Erjon Braçe është futur së fundmi në programin e mbrojtjes sepse kërcënohet nga mafia ballkanike për larje hesapesh. Kurse Arta Dade është identifikuar nga media si një ndrikull e terroristëve të “hakmarrjes për drejtësi”, krijesë e bijve të Haredin Shytit, ish/Zv.Ministër i Sigurimit në vitet 90-të.
Faktet e fundit flasin për një Parti Politike që është në vëmendje të opinionit publik jo për politike por për implikimet në qarqe të malavitës ballkanike.
Nuk është hera e parë që gazeta “55” demonstron me fakte se Edi Rama, Erjon Braçe, Taulant Balla, Arta Dade janë pika kontakti të botës së krimit të organizuar. Lideri i PS dhe deputeti i Beratit figurojnë në përgjime të anti-mafies italiane si ura të Bandës së Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare. Djemtë e Arta Dade-Dabulla në disa raste kanë qenë protagonistë të ndjekjes së policisë së shtetit. Miqësia e Alban Dabullës me kreu e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” është tash e konfirmuar me dërgimet e kolive që djali i Dades dërgon në Zvicër, aty ku gjallon Orik Shtyti. Djali tjetër i deputetes socialiste Besnik Dabulla, aktualisht është në arrest shtëpie, për armëmbajtje pa leje dhe tentativë plagosje të nipit të Adil Carçanit, Endri Lufi.
Familjarizimi i Arta Dades me krimin e organizuar nuk është një lajm, por një fakt i pakundërshtueshëm. Krushqia e paprinciptë është përgjegjëse për vendosjen e autobombës së parë në Ballkan. Krushqia e shëndoshë është përgjegjëse për vdekjen e 6 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosjen e 20 të tjerëve. Mbi këtë krushqi të shëndoshë rëndojnë 10 vrasje të tjera për të cilat është dënuar nga drejtësia shqiptare me vendime të formës së prerë në mënyrë të përsëritur. Ndërkohë që Arta Dade dhe djemtë e saj ndajnë trofetë e krimeve të shëmtuara të kësaj organizate. Edhe sot, në 2011 Drejtësia shpërfillet, qytetarët shqiptarë ndjehen të rrezikuar dhe kjo, vetëm e vetëm që të mos preket kupola e pinjollëve të diktaturës jakobine.