Mendime
Valbona Sulce: A mundet publiku ta ndikojë median?
E enjte, 13.01.2011, 07:59 PM
A mundet publiku ta ndikojë median?
Nga VALBONA SULCE
Një media cinike, mercenare, demagoge, me kalimin e kohës do të prodhojë një publik po aq pa vlerë sa vetja.” Kjo thënie e gazetarit amerikan, Joseph Pulitzer, në maj 1904 mund të lexohet në shumë mënyra. Për disa gazetarë mund të jetë një lloj kredoje profesionale. Në një lexim tjetër, ajo tregon lidhjen e medias me publikun dhe ndikimin që e para ka tek audienca. Për shumë kohë, ky raport është menduar si me një kah, pra vetëm nga media tek publiku, por a është e mundur e kundërta, pra që publiku ta ndikojë median? A është e mundur të ndodhë kjo, kur dihet që mediat janë një pushtet më vete me mekanizmat dhe ligjësitë e tyre, por që formësojnë botën tonë? Një lëvizje që ka filluar në vitet ’80, kryesisht në Kanada, SHBA, Australi e Britaninë e Madhe, e që njihet me emrin “media literacy” (ML) ose në shqip “aftësimi për të patur akses, analizuar, vlerësuar dhe krijuar mediat” synon pikërisht të zhbëjë këtë raport izolimi midis medias dhe publikut dhe ta bëjë këtë të fundit pjesëmarrës në perandorinë mediatike. Duket bukur, por është dhe e mundur.
Fjala është për t’i aftësuar fëmijët dhe njerëzit tanë ta lexojnë median ashtu siç ajo është dhe ashtu siç paraqitet, pasi sot ne lexojmë vetëm atë që shtypet në letër, shohim në ekran dhe dëgjojmë në radio. Dimë diçka rreth pronarëve, orientimeve politike, po kaq. Nuk dimë që media është një mesazh i koduar sipas ca rregullave fikse; janë ca rregulla të thjeshta, të cilat, nëse i njohim, na orientojnë në botën mediatike dhe na mësojnë të mbrohemi nga abuzimet apo manipulimet, por edhe të vlerësojmë forcën e medias si motor i demokracisë. Pa këtë njohje, ne do të mbetemi në pozitat e atij që gjithmonë i tregohet se si është bota, çfarë duhet të besojë dhe si duhet të sillet. Përveç kësaj, duke e njohur median, ne do të mësojmë të vlerësojmë më drejt kontributin e pazëvendësueshëm të saj në shoqëri dhe në forcimin e demokracisë.
Lidhja me të menduarin kritik
Media vjen në konsumimin e përditshëm si një paketë e gatshme, një lloj konsumi që e marrim të mirëqenë. Një publik që nuk mendon në mënyrë kritike për atë që i serviret, është i prirur ta pranojë atë, e për pasojë manipulohet më lehtë. Në një kohë kur kandidatët për deputetë zgjidhen nëpërmjet spoteve 30 sekondëshe, ose kur luftërat ndiqen në kohë reale në TV, roli unik i ML është të përgatisë qytetarët të angazhohen dhe të kontribuojnë në debatin publik dhe jetën sociale.
Nga ana tjetër, duke u futur si lëndë e veçantë mësimore në shkollë, media literacy ndihmon edhe në reformimin e mënyrës së të mësuarit në shkollat tona. Ajo i vjen në ndihmë reformimit të shkollës, duke e konceptuar atë jo më si një vend ku shkohet për të mësuar fakte rreth botës ( sot ti mund ta marrësh informacionin më të fundit me një shtypje të butonit), por për të mësuar aftësitë që të duhen për t’u orientuar drejt në një botë që të bombardon çdo ditë me mesazhe nga më të ndryshmet. Shkolla duhet t’i pajisë nxënësit me aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, duke ngritur pyetje dhe duke zgjuar dëshirën për të parë përtej asaj që duket. Në këtë mënyrë, ML kontribuon në përgatitjen e të rinjve për të qenë qytetarë aktivë, mendjehapur, që janë të aftë të mendojnë në mënyrë kritike dhe për pasojë i rezistojnë manipulimit.
Natyrisht, Shqipëria nuk është ende në atë shkallë zhvillimi të teknologjive të informacionit, siç mund të jetë në vendet e tjera. Interneti është një luks për shumicën e shqiptarëve, megjithëse pritet që kjo të ndryshojë në vitet e ardhshme. Për momentin, televizioni dhe shtypi janë mediat më të aksesueshme nga shqiptarët dhe që ushtrojnë një ndikim të madh në popullsi. Dhe këtu nuk flasim vetëm për median shqiptare, por edhe për atë botërore, e cila përcillet pa mundim në shtëpitë e shqiptarëve çdo ditë nëpërmjet kabllove, satelitit, platformave dixhitale, etj. Por kjo nuk do të thotë që nevoja për të marrë njohuri rreth medias është e parakohshme. Ne jetojmë në Epokën e Informacionit dhe aftësitë bazë, ajo për të lexuar e shkruar dhe për të numëruar, nuk janë më të mjaftueshme për të qenë të suksesshëm. Që në vitin 1982, UNESCO tërhiqte vëmendjen për nevojën e përgatitjes së të rinjve “për të jetuar në një botë të mbushur me imazhe, fjalë dhe tinguj të fuqishëm”
Nga ana tjetër, ML nënkupton dhe aftësimin për të prodhuar media. Kështu, media nuk mbetet pronë e një grupi të vogël njerëzish, pra një monopol i disa njerëzve që vendosin çfarë duhet të shohim dhe dëgjojmë sipas interesave të tyre, por do të nxisë grupe njerëzish, që të dinë të përcjellin mesazhet e tyre në mënyrë të efektshme në mediat ekzistuese, ose të ngrenë mediat e tyre modeste (ato që quhen “community media.”)
Këtu është vendi të theksohet se ML nuk është një lëvizje KUNDËR medias. Ai është thjesht një mjet për të aftësuar njerëzit ta përdorin median në dobi të tyre dhe jo e kundërta, pra që media t’i përdorë ata. Gjithashtu, është e rëndësishme të kuptohet që “media literacy” nuk është një aftësi e rezervuar vetëm për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe për prindërit e tyre, pra të rriturit, të cilët e njohin median vetëm nëpërmjet përvojës si konsumatorë. Në vendet ku kjo lëvizje ka nisur, organizohen kurse të shkurtra informimi për të rriturit, pikërisht për t’i vetëdijësuar ata rreth mënyrës si funksionojnë mediat. Në këtë mënyrë, mendohet se prindërit do të jenë në gjendje të ndihmojnë fëmijët në momentet kur mesazhet mediatike keqkuptohen, por edhe për vetë prindërit, kjo është një mënyrë e mirë për të ecur në një hap me fëmijët e tyre përsa i përket teknologjisë. Në një plan më të gjerë, edukimi i të rriturve për median ndihmon në formimin e asaj masë kritike të publikut, që kërkon cilësi në media.
“Media literacy” ka marrë një përhapje edhe në Europë (është krijuar Karta Europiane e Edukimit të Medias). Në Ballkan ka disa përpjekje të vona për të futur elementë të ML në diskutimin publik. (Bosnja, p.sh, ka botuar një përmbledhje me ese për media literacy në vitin 2000, ndërsa në Shqipëri, Instituti Shqiptar i Medias ka filluar një seri veprimtarish me këtë temë, ku mund të përmendet një seminar rajonal për shkëmbimin e përvojave në këtë fushë. Ajo që vlen për t’u theksuar në këtë rast, e që është shumë pozitive, është se strukturat shtetërore që merren me arsimin janë shprehur në favor të përfshirjes së medias si lëndë më vete në arsimin parauniversitar, çka kursen kohë dhe energji dhe fokuson përpjekjet në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm të lëndës).
Gjithë sa parashtruam më lart, ofron një mundësi për t’i dhënë një përgjigje pozitive pyetjes që shtruam në titull të shkrimit. Ndërsa po të shpreheshim me fjalët e Pulitzer-it, do të thoshim se jo vetëm një “media mercenare prodhon një publik pa vlerë”, por edhe një publik i paditur mund të prodhojë një media pa vlerë, pasi kjo e fundit nuk ka presionin e duhur për të përmirësuar cilësinë e produkteve të veta dhe as frikën e refuzimit të produkteve të porositura.