E diele, 28.04.2024, 08:59 AM (GMT+1)

Mendime

Luarasi: Kisha Ortodokse Autoqefale të japi shpjegime

E shtune, 15.01.2011, 08:01 PM


Nga Gilmana Bushati 

 

Në redaksinë e "Gazetës Shqiptare", nipi i atdhetarit të shqu-ar Petro Nini Luarasi, i cili mban të njëjtin emër, solli shqetësimin e tij lidhur me shpifjet që po bëhen ndaj këtij personaliteti të kombit shqiptar, një nga martirët e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nga njerëz që ai i konsideron si zëdhënës të qarqeve grekofone. Për këtë arsye, jep një dëshmi të tij lidhur me gjyshin e tij, Petro Nini Luarasin, kontributin që ai dha jo vetëm për kishën, shkollën shqipe dhe në përgjithësi për kombin shqiptar. Petro Luarasi kërkon që kisha ortodokse të prononcohet zyrtarisht se çfarë qëndrimin mban ajo për mallkimin, ç'kishërimin familjar dhe vrasjen e Petro Nini Luarasit. Ai kërkon gjithashtu kërkon që të shprehen jo vetëm për gjyshin e tij, por edhe për martirët e tjerë të kësaj kishe si dhe të shprehen se kush janë për Kishën Ortodokse Shqiptare dhespotët grekë, Qirilli, Grigori, Fillaret dhe Joakim.

Zoti Petro Luarasi, tek forumi "Zëri i Shqiptarëve" keni bërë një deklaratë "NDAL FUSHATËS SHPI-FËSE KUNDËR MARTIRIT TË GJUHËS SHQIPE PETRO NINI LUARASI". Pse u drejtohesh vetëm besimtarëve ortodoksë kur dihet që Petro Nini Luarasi u takon të gjithë shqiptarëve pa dallim feje?

Do të më vijë shumë keq në rast se lind ndonjë keqkuptim. Unë jam edukuar në rrethin familjar e shoqëror me frymën e unitetit kombëtar e tolerancën fetare, me lidhje krushqie të ndërsjelltë, ndaj nuk kam preferuar kurrë të diskutojë apo të shkruajë ndonjë artikull që t'i ndajë, ballafaqojë apo kritikojë besimet fetare, qoftë edhe për ndikimin mbi ngjarje të rëndësishme të vendit tim. Për mua të tëra fetë dhe besimtarët e tyre duhet të respektohen dhe të përkrahen deri në atë cak ku nuk prishin ekuilibra madhorë të unitetit kombëtar, shtetin e arsimin laik. I kam përbuzur me neveri komentet politike e kulturore me paragjykime fetare e krahinore, sidomos kur përforcohen edhe nga trysnia e jashtme. Kur më pyesnin "Epo, ç'je ti?" - u përgjigjem "shqiptar", pa lënë shteg për më tej, i bindur verbërisht edhe në shprehjen e mirënjohur të Pashko Vasës, "Feja e shqiptarit është shqiptaria" edhe të tim gjyshi, Petro Nini Luarasit, "Kombi mbi të gjitha". Dhe ja ku erdhi dita që unë t'iu drejtohem në radhë të parë ortodoksëve shqiptarë, publikisht, papritur e detyrimisht, për një padrejtësi fetare të madhe, të kobshme. Kobi mbahet një shekull i ndrydhur në trungun e familjes Luarasi, dhe ka të bëjë jo vetëm me gjyshin tim, Petro Nini Luarasin, por edhe me tërë familjet e martirëve të ortodoksizmit shqiptar, edhe me të tërë ortodoksët shqiptarë. Theksoj që kjo çështje nuk i përket vetëm të shkuarës, por edhe të tashmes, nuk lidhet vetëm me teoritë e apostujve ortodoksë shqiptarë në luftë me klerin ortodoks shovinist grek për mbrojtjen e gjuhës, shkollës laike dhe institucionit kishtar shqiptar; por edhe me KOASH-in (Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare), që drejtohet aktualisht nga qytetari grek Episkop Anastasios Janullatos. Ndaj deklarata ime u drejtohet dhe u takon në radhë të parë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, si pjesë përbërëse e unitetit fetar shqiptar, pa mënjanuar gjykimin e popullit dhe ligjet e shtetit shqiptar.

Si lindi ky problem?

Sivjet do të përkujtojmë 100-vjetorin e vrasjes të "Mësuesit të Popullit" Petro Nini Luarasi. Gazetat e kohës kanë shkruar se më 17 gusht të vitit 1911, "u nda nga kjo jetë i helmuar nga rrethet orthodhokse shovene greke apostulli i shqiptarizmës, i skolive dhe kishës ortodokse shqiptare", Petro Nini Luarasi. Përgjithësisht jam interesuar e përpjekur të ndriçojë të vërtetën historike të kombit shqiptar dhe ta përhap atë edhe duke testuar opinionin publik, jo vetëm për Petro Nini Luarasin, por edhe tërë bashkëluftëtarët e tij martirë, besimtarë ortodoksë shqiptare si Papa Kristo Negovani, i vëllai Papa Theodhosi dhe nipi Vasil Gjergji, At Stath Melani, At Naum Cerja, Jani Vellaraj, Vasil Gjergji... Duke pasur parasysh emrin dhe popullaritetin e "forumit shqiptar", me konfigurim modern e shumëllojshmëri tematike dhe rregulloren ku garantohej mbi të gjitha fjala e lirë e toleranca, me përkushtim atdhetar, hapa tek indeksi i besimit ortodoks temën "Historiku i krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe martirët e saj." Atje fillova të hedh materiale mbi përpjekjet e para për të përdorur gjuhën shqipe në kishën Ortodokse (ku flitej vetëm greqisht), dhe martirët e parë si Papa Kristo Negovani, Stath Melani etj, përpjekjet e shqiptarëve në Amerikë me Fan Nolin e Petro Nini Luarasin për krijimin e bazamentit të kishës Ortodokse shqiptare dhe ftoja forumistët të paraqisnin materiale e të diskutonim. Papritur tema ime me materialet përkatëse nga forumi ortodoks kishin "fluturuar" tek forumi protestant me një mesazh të moderatorit "Arbëresh Niku", që diktonte se Petro Nini Luarasin dhe të tjerët me Fan Nolin në krye e kishin vendin tek protestantët?! Protestova, por moderatori dhe disa forumistë të tjerë ortodoksë të kudondodhur në temat "përvëluese" kombëtare, si: Ilia Spiro, Ilirian Papa ("Albo") etj, këmbëngulnin në tezën që Petro Nini qe besimtar protestant?! Atje krahas dashamirëve, për habinë time, ndesha në persona të rëndësishëm, shpifës, falsifikatorë dhe mbrojtës mendësish, të cilat normalisht nuk i takojnë shekullit XXI, por periudhave kur populli shqiptar ishte i pushtuar dhe mbi të ushtrohej terrori e sundonte propaganda shoviniste. Nga diskutimet e kuptova që nuk ishte çështje dijesh, por imponim dhe nuk kishte vend për logjikë. Ndërsa përgojuan e tjetërsuan veprimtarinë e Petro Nini Luarasit, mbrojnë e përligjin mallkuesit e vrasësit e tij, dhespotët ortodoksë, shovinistë grekë dhe platformën e tyre antishqiptare! Oponentët nuk janë forumistë të rastësishëm, por persona të kudondodhur në tema historike e kulturore, në përgojime personalitetesh shqiptare, përfshi Fan Nolin, në varrim-zhvarrime eshtrash, në provokacione minoritetesh, në kundërshtime aktesh juridike shtetërore, në deklarata të KOASH-it, në propagandimin e aktiviteteve dhe kultit të drejtuesit të tij. Dhe për më tepër disa prej tyre shprehen në emër të gjithë ortodoksëve shqiptarë dhe vetë peshkopin Janullatos! Pse nuk ka asnjë deklaratë denoncimi nga zyra e shtypit të KOASH-it! Për mua si atdhetar shqiptar, kjo nënkupton jo vetëm paradoks, por edhe përgjegjësi konkrete ndaj i indinjuar vendosa t'i demaskoj publikisht, tashmë që kemi shtetin tonë shqiptar që na garanton mbrojtjen e gjuhës, shkollës, kishës dhe martirëve tanë, konkretisht të Petro Nini Luarasit.

Ku konsistojnë shpifjet ndaj Petro Nini Luarasit?

Deklaratat e tyre ndaj personalitetit e veprës së Petro Nini Luarasit për nga urrejtja, ligësia dhe deformimi i fakteve më kujtojnë inkuizicionin barbar mesjetar. Në mënyrë të përmbledhur po i përmend duke i cituar, pasi nuk mund t'i perifrazoj "Ilia Spiro: PN Luarasin bën pjesë në politizimin e historisë që ka bërë komunizmi, thjesht për të sulmuar Ortodoksinë. Mitropoliti Fillaret e ka ç`kishëruar P.N. Luarasin, si tradhtar të kishës Ortodokse dhe përhapës të herezive protestante, ungjillore e masonike. Këtu nuk ka të bëjë gjuha shqipe e shkruar, sepse në këtë kohë shkollat në gjuhën shqipe sapo kishin filluar të funksiononin...Edhe vdekja e tij është falsifikuar, pasi ai është eliminuar nga turqit". "...Nuk mund të të falenderoj që më ke ngritur aq shumë sa të më njohësh si pasardhës të Mitropolitit Fillaret. Është lavdërim për mua. Për sa i përket historisë (së Petro Nini Luarasit) ajo është falsifikuar dhe duhet rishkruar, kështu që nuk mund të manipulohet me një film të epokës së socializmit, i cili nuk shfaqej pa u miratuar më parë nga byroja politike." Ilia Papa ("Albo") shprehet: Petro Nini Luarasi është produkt i sajuar i diktaturës i keqpërdorur në luftë kundër kishës ortodokse dhe fesë në përgjithësi pasi "kleri e Kisha Ortodokse asnjëherë nuk kanë qenë kundër gjuhës shqipe". Dhe, "peshkopët e Kishës bën shumë mirë që e shkishëruan, pasi kushdo që zgjedh të bëhet protestant, apo romano-katolik, apo mysliman, nuk ka se si të jetë i krishterë ortodoks." Shtoj vetëm që këta persona për të sterrosur të vërtetën e dokumentuar i përdorën të tëra spekulimet e mundshme deri tek pretendimi që dhespotërit e kanë shkruar mallkimin shqip, ndërkohë që në tekst e quanin shqipen gjuhë të paqenë! Pra urrejtja u verboi sytë e iu mori mendjen! Ata përkundër vetëdeklarimit të Petro Nini Luarasi, si ortodoks shqiptar e akuzojnë si protestant me qëllim që të justifikohet mallkimi, ç'kishërimi dhe në fund helmimi i dhe guxojnë t'i japin të drejtë dhespotëve shovinistë grekë, kriminelëve Qirilli, Grigori, Fillareti, Joakim dhe jo martirit të gjuhës shqipe Petro Nini Luarasi.

Një nga tezat e hedhura kundër Petro Nini Luarasit është produkt i komunizmit dhe se historia e tij është politizuar "thjeshtë për të sulmuar Ortodoksinë". Çfarë mendoni ju për këtë?

Në fakt, kjo pyetje duhet t'i drejtohet tërë shoqërisë së emancipuar shqiptare dhe veçanërisht akademikëve dhe burokracisë shtetërore në këto kohë "vorbullash". Këto lloj tezash që rreken të justifikojnë teorinë e "tokës së djegur", se kështu ç'rrënjoset fara e komunizmit (që nga Rilindja Kombëtare!), mbijnë sa herë që kërkohet groposje vlerash e përbaltje, personalitetesh të mirëfillta. Pa mohuar, se në periudhën e diktaturës janë bërë shumë shtrembërime e krime, nuk mund të mohohet gjithçka, madje edhe kontributi i rilindasve tanë. Me keqardhje konstatoj që në realitetin shqiptar sloganet "për hir të..." i lenë shteg shtrembërimeve, falsifikimeve e deri tradhtisë kombëtare. Shprehem kështu, sepse gjykoj që kush saboton apo minon gjuhën, shkollën kombëtare laike dhe kishën shqiptare (përfshi edhe atë ortodoksë autoqefalë) shkel mbi gjakun e eshtrat e martirëve të kombit dhe merr damkën e tradhtarit.

Cilat janë këta persona që hedhin këto teza?

Normalisht nuk do të analizojë opinione individësh të zakonshëm apo gjysmakë, por përfaqësues platformash. Këtu kam parasysh zëdhënës pranë politikave dhe udhëheqjes të KOASH-it, që flasin në emër të ortodoksisë shqiptare dhe shfaqen pranë kreut të tij Janullatos, pa pasur asnjë reagim, distancim apo përgënjeshtrim nga zyra e informacionit të KOASH-it. Ndaj po i marr seriozisht. P.sh., po përmend qytetarin Ilia Spiro, i cili si zëdhënës "bubrron" në temat politike, historike, kulturore e fetare, atje ku diskutohet për zhvarrim eshtrash, për incidente me minoritetin, për kundërvënie ndaj sistemit gjyqësor shqiptar e deri te politikbërja e institucioneve të shtetit laik shqiptar. Në këtë linjë janë edhe shpifjet e manipulimet e tij ndaj atdhetarit ortodoks shqiptar Petro Nini Luarasi të trajtuara në deklaratën e shpallur.

Cili është mendimi juaj për statusin e martirëve ortodoksë shqiptarë në KOASH?

Unë nuk dëshiroj të paragjykoj, por duke u nisur nga deklaratat e këtyre "zëdhënësve", komoditeti që u jepet platforma dhe strategjia e tyre, pasojat që shkaktojnë tek besimtarët ortodoksë shqiptarë e në harmoninë fetare, po i drejtohem publikisht zyrës së shtypit pranë KOASH-it, që të shprehet në lidhje me këta "zëdhënësa", të japë shpjegimet përkatëse në lidhje me martirët ortodoksë, të gjuhës, shkollës dhe Kishës Ortodokse Shqiptare, të cilët provohet, se janë vrarë nga qarqe shoviniste ortodokse shoviniste greke. Konkretisht këtë e bazoj te përndjekja dhe vrasja e gjyshit tim, ortodoksit shqiptar Petro Nini Luarasi, për të cilin kërkoj që KOASH-i të deklarojë si institucion fetar se çfarë qëndrimi mban aktualisht: në lidhje me mallkimin, shkishërimin familjar dhe vrasjen e tij dhe njëkohësisht të shprehen në lidhje me dhespotët grekë, Qirilli, Grigori, Fillaret dhe Joakim, të cilët përkatësisht e kanë mallkuar, çkishëruar dhe vrarë.

Ç' mendoni ju, si duhet trajtuar veprimtaria e Petro Nini Luarasit?

Nuk më takon mua të përcaktoj si të ndjejë populli, si të shkruajnë historianët dhe si të vlerësojnë burokratët Petro Nini Luarasin, një nga heronjtë e dalluar të Rilindjes Kombëtare. Por vë re, që populli në përgjithësi e kujton me nderim, historianët ia evidentojnë disa nga meritat ndërsa shteti e ka dekoruar dhe vlerësuar me emërtime objektesh. Tani që u njoha me tezat që deformojnë veprimtarinë e Petro Nini Luarasit dhe luftën e egër që i bëhet atij nga qarqet shoviniste grekofone, si një ndër martirët e kishës ortodokse shqiptare dhe i ndërgjegjësuar për situatën reale, jam i shtrënguar të them që çdo shtet e ka për detyrë, që jo vetëm të krenohet, por edhe të vlerësojë dhe të ruajë ata që kanë kontribuar për lirinë, gjuhën dhe kulturën e tij. Sidomos brezi i ri, të dijë historinë e paraardhësve të tij martirë, edhe të Petro Nini Luarasit, i cili e la amanet që me gjakun e tij të shkruajnë gjuhën shqipe.

Për tematikën që po diskutojmë më intereson veçanërisht ndjeshmëria e ortodoksëve shqiptarë për Petro Nini Luarasin dhe martirët e tjerë nismëtarë të krijimit të kishës Ortodokse të pavarur shqiptare. Për fat të keq veprimtaritë e martirëve ortodoksë shqiptarë në Jug e në Veri të Shqipërisë, në luftë të ashpër përkatësisht me shovinizmin ortodoks grek e serb, nuk janë evidentuar si duhet, roli historik i tyre është minimizuar dhe nuk është pasqyruar si duhet në tekstet shkollore dhe studimet akademike. Madje therroritë e tyre janë lënë me qëllim në harresë duke i shkaktuar një dëm të madh memories historike dhe ndërgjegjes kombëtare me pasoja të rënda në ditët e sotme. Tashmë ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi dhe ky gabim të ndreqet përkundër sloganeve oportuniste, në realitet antikombëtare "Të nëpërkëmbemi për t'i bërë qefin botës". Ka ardhur koha të mbrojmë e shpallim vlerat tona të mirëfillta, kontribut edhe i paraardhësve tanë martirë, sepse vetëm duke nderuar ata dhe veten do të na respektojnë të tjerët. Kështu më ka mësuar paraardhësi im Petro Nini Luarasi i cili shkroi: Kombi ynë është bashkësia e shqiptarëve, dhe gjuha jonë është shqipja, të cilën e trashëguam nga stërgjyshërit tanë Pellazgët… Ta begatojmë gjuhën edhe kombin tonë me kulturë dhe qytetërim, dhe atëherë do të shohim që gjithë sa folën liksht kundër gjuhës dhe kombit tonë do të turpërohen dhe si dylli përpara faqes së zjarrit do të treten prej nakarit. Le të mos frikësohemi përpara llomotitjeve e prrallave të atyre që nuk e dashurojnë po e urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nënë maskë shenjtorësh e mendarësh duan të na gabojnë ne, dhe le të dimë se ai që është frikacak përkundrejt së drejtës, ai bëhet tradhëtor i mëmëdheut dhe i vetes së tij. Lavdi Perëndisë .

 

Deklarata

 

Të nderuar besimtarë të devotshëm ortodoksë shqiptarë. Me keqardhje dhe indinjatë iu bëjmë me dije që në "Forumin shqiptar" po përhapen shpifje që rreken të njollosin emrin dhe nderin e Petro Nini Luarasit, anëtarit të devotshëm të komunitetit ortodoks shqiptar, martirit të gjuhës shqipe dhe veprimtarit të palodhur për krijimin e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Këto përgojime, njerëz të papërgjegjshëm i bazojnë në hamendësime, keqinterpretime dhe citime nga klerikë ortodoksë shovinistë grekë, kur ata kanë mallkuar e shkishëruar ortodoksin e përkushtuar Petro Nini Luarasi meqë ai dëshironte e të kontribuonte që fëmijët e popullit shqiptarë të mësonin gjuhën shqipe dhe në kishë besimtarët Ortodoksë të komunikonin me Zotin në gjuhën e tyre amtare. Kjo veprimtari e Petro Nini Luarasit për disa klerikë shovinistë përfaqësonte mëkat e motiv për ta mallkuar e shkishëruar. Tashmë që këto dëshira të veprimtarit ortodoks Petro Nini Luarasi janë realizuar me ekzistencën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe garantohen me ligj nga shteti shqiptar, mendoj se çdo opinion apo deklaratë e përkundërt përbën shkelje morale e ligjore, të paktën në territorin e shtetit shqiptar për të cilat opinioni ortodoks shqiptar e ai publik, institucionet përkatëse shtetërore e fetare duhet të deklarohen zyrtarisht. Këtë shqetësim e justifikoj dhe argumentoj ndër të tjera: - me deklaratat përkatëse të dy personave, njëri i përcaktuar si Ilia Spiro dhe tjetri ende anonim, "Albo", anëtarë tepër aktivë të "forumit shqiptar" në internet, me përthithje dhe shpërndarje informacionesh e aktivitetesh të KOASH-it e kreut të tij, që shprehen hapur në emër të tyre. - Nga opinionet jo zyrtare të anëtarëve të tjerë të forumit, të cilët më duken se janë intelektualë kompetentë. Anëtari (apo relator) i forumit, Ilia Spiro, deklarohet në lidhje me besimtarin e devotshëm ortodoks, një nga predikuesit e përdorimit e parë të gjuhës shqipe në kishën ortodokse e flamurtar të autoqefalisë së saj, martir i gjuhës shqipe, "Mësuesin e Popullit" Petro Nini Luarasi, të provuar me fakte që është mallkuar nga dhespotët shovinistë grekë e të helmuar nga agjentët e tyre se: Ilia Spiro, 11.10.2010: http://www.forumishqiptar.com/shoëthread.php?t=129192) "Unë s'e kam të vështirë ta shpreh mendimin tim për PN Luarasin…Më duhet të them se politizimin e historisë e ka bërë komunizmi, thjesht për të sulmuar Ortodoksinë. Mitropoliti Fillaret e ka shkishëruar PN Luarasin, si tradhtar të Kishës Ortodokse dhe përhapës të herezive protestante, ungjillore e masonike. Këtu nuk ka të bëjë gjuha shqipe e shkruar, sepse në këtë kohë shkollat në gjuhën shqipe sapo kishin filluar të funksiononin…Edhe vdekja e tij është falsifikuar, pasi ai është eliminuar nga turqit." "…Nuk mund të të falenderoj që më ke ngritur aq shumë sa të më njohësh si pasardhës të Mitropolitit. Është lavdërim për mua, por unë nuk i pëlqej lavdërimet… Përsa i përket historisë (së Petro Nini Luarasit) ajo është falsifikuar dhe duhet rishkruar, kështu që nuk mund të manipulohet me një film të epokës së socializmit, i cili nuk shfaqej pa u miratuar më parë nga byroja politike. Në thelb të artit në atë periudhë ishte "realizmi socialist", alias: gjithçka duhet deformuar për t'u përshtatur me markizëm-leninizmin e Enver Hoxhës. Gjithsesi një fjalë e urtë thotë se "Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve" Anëtari tjetër i forumit "Albo" (personifikohet në forum si përmetari-gjirokastriti Ilirian Papa, alias lindur më 11-06-1979, rezident në Philadelphia, ShBA) "Albo", dt.29.12.2010 Mos ngatërroni patriotët që shkelën me këmbë fenë e tyre, për hir të interesave politike e kombëtare, duke u bërë propagandues të sekteve protestante në vend me historinë e Kishës Orthodhokse. Shumë nga ata patriotët më lart u shkishëruan me të drejtë nga kisha, pasi zgjodhën që të bëhen vegla të propagandës protestante në vend, në dëm të traditës së lashtë ortodokse të komunitetit prej të cilit ata dolën." "Petro Nini Luarasi ishte një nga figurat më të nderuara nga regjimi komunist, pikërisht se kujtimin e tij regjimi e keqpërdori si pjesë të propagandës komuniste në luftën e saj të hapur ndaj Kishës dhe fesë në përgjithësi. Kështu që parë nga kjo perspektivë, Petro Nini Luarasi e ka luftuar Kishën Ortodokse, jo vetëm sa ishte gjallë, por edhe pas vdekjes, duke u bërë vegël propagandistike e regjimit komunist... Kisha Ortodokse asnjëherë nuk ka qenë kundër gjuhës shqipe, pasi kleri dhe besimtarët e saj e kanë shkruajtur shqipen të parët... Kush ishin viktimat? Viktimat ishin besimtarët e thjeshtë ortodoksë, që ishin komuniteti i vetëm jetim në vend, pa një mbështetje të huaj dhe ishin shënjestra e sulmeve latine nga matanë Adriatikut. Dhe krahas kësaj, u duhej që të përballeshin edhe me propagandën e protestantëve ungjillorë, të dalë nga gjiri i traditës së saj. Dhe peshkopët e Kishës bënë shumë mirë që i shkishëruan, pasi kushdo që zgjedh të bëhet protestant, apo romano-katolik, apo mysliman, nuk ka se si të jetë i krishterë ortodoks." (Shihni http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=129192&page=3). Këto mendime të sipërcituara të Ilia Spiros e Albo-s, duke pasur parasysh se si vetëdeklarohet, më shqetësojnë pa masë. Të nderuar bashkatdhetarë ortodoksë shqiptarë. Unë personalisht ende nuk po i besoj syve që të ketë ortodoks shqiptar me besë e fe që të shprehen kështu. Ndoshta unë jam naiv, ndoshta i paazhurnuar me ndonjë realitet ekstrem të situatës në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Por, dua të sigurohem nëse ky "albo" shpreh një pjesë sado të vogël të mendësisë së strukturave hierarkike (të cilat ai i propagandon) për martirët ortodoksë të gjuhës shqipe (në veçanti P.N.Luarasin), sepse kjo do të përbënte një skandal të madh. Personalisht mendoj se nuk do të kenë vend justifikimi, as të mbulohen me gjethe fiku, por do të shpallen botërisht pasardhës të Fillaretit, dhespoti i Kosturit që mallkoi gjuhën, shkollën dhe kishën shqipe. Këtu nuk bëhet fjalë për përgojim të një personi apo dhjetëra martirëve të tjerë ortodoksë shqiptarë, por të poshtërimit të një populli të tërë. Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me tradhti kombëtare, me mohimin e martirëve ortodoksë shqiptarë, me mohim të gjuhës, shkollës dhe meshës shqip në Kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare, që na ka lënë amanet Fan S. Noli e paraardhësit tanë. Të nderuar, ju kërkoj ndjesë për këtë prononcim personal, vetëm në "forumin shqiptar", në një kohë të papërshtatshme fund-viti e prag-feste, jo aq të "bluajtur" nga pikëpamja formale dhe brendia, por që m'i justifikon emergjenca shumë e madhe e çështjes. Duke rezervuar të drejtën për një deklarim publik të mirëfilltë, ju përshëndes vëllazërisht o të nderuar besimtarë ortodoksë shqiptarë të devotshëm. Zoti ju bekoftë e dhëntë: shëndet, mirësi e begati!

PETRO SKËNDER LUARASI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora