E shtune, 27.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Mendime

Behxhet Sh. Shala: Krrokama e dytë e Shpendkeqe Krasniqit!

E premte, 14.01.2011, 08:13 PM


Krrokama e dytë e Shpendkeqe Krasniqit!

 

Nga Behxhet Sh. SHALA

 

MBROJTJA E NDERSHMËRISË APO MBUSHJA E XHIROLLOGARISË: Shpend Krasniqi të cilin nuk e njoh fare, për herë të dytë  po “fërkohet” për mua, jo pse ka ndonjë mosmarrëveshje me mua, por se po e mbron Behgjet Pacollin. Në të përditshmen “Infopress”, të datës 7 janar 2011, në faqen 8, nën rubrikën opinione dhe me titullin “ Shpirtngushtësia e Behxhet Shalave” “polemizon” me qëndrimet e mia për “politikanin” Behgjet Pacollin. Gjithashtu, në të përditshmen “Bota Sot”, të datës 7 dhe 8 janar 2011, në dy vazhdime merret me mbrojtjen e emrit, veprës dhe nderit të pronarit të AKR-së në ndërkohë që kjo gazetë as që e ka botuar shkrimin tim, me të cilin merret Shpendkeqe Krasniqi! Duket se ky magjistër i shkencave politike është paraPAGUAR të shkruajë për Behgjet Pacollin e kundër Behxhet Shalave, të cilët nuk e ndajnë mendësinë e këtij “gardisti” të revolucionit islamik që ishin të thirrur ta mbrojnë nderin dhe frytet e këtij revolucioni! Që në fillim të këtij reagimi dua të them se aspak nuk e urrej Behgjet Pacollin, Ibrahim Rugovën, Shpend Krasniqin, e as një njeri tjetër në botë! Madje, as ata që më patën dënuar 15 vjet burg për shkak të aktiviteteve politike dhe kombëtare! Aspak nuk më intereson “figura” dhe “personaliteti” i  Pacollit, ku punon, me kënd punon dhe me çfarë biznesi merret! As për Kazakistanin, as për Iranin, Libinë. Moldavinë, Ishujt Faroe apo Maldivet e doktorit të nderit të Universitetit AAB! Sigurisht se di shumë para teje për punën e Behgjet Pacollit në Zvicër dhe në vendet tjera! Kjo nuk ka fare të bëjë me atë për çka kam shkruar! Ndërkaq, për ato shtete që thoni se “shpirtngushtësia” ime ndoshta ka dëgjuar për herë të  parë, Ju them se në kohën kur unë e kam mbaruar shkollën fillore, ajo dëftesë ka qenë më e vlefshme ose së paku e barasvlefshme me titullin e magjistrit të shkencave politike të cilin Ju e përdorni si suvenir intelektual për t’u dukur më bindës në poltronizmin ndaj atij që ta mbushë grazhdin dhe të cilin e fetishizoni aq shumë, Behgjet Pacolli! Nëse Behgjet Pacolli zgjidhet president i Kosovës me referendum, atëherë do të ishte e parëndësishme nëse e kontestoj atë apo jo? Dhe, në këtë rast sigurisht do t’i përfillja rregullat e demokracisë! Mirëpo, në anën tjetër, nëse edhe zgjedhjet mund të llogariten si një lloj referendumi, atëherë 1% që i ka fituar presidenti Juaj nuk Ju japin shumë të drejtë në mbrojtjen që i bëni atij! Këtë e them nëse kemi parasysh faktin se koalicioni Kosova e Re (7 subjekte) ka fituar 7,1% të votave. Madje, e them me përgjegjësi se fetishi apo presidenti i Juaj duhet t’i therë një kurban për së gjalli Ferid Aganit, frontmenit të Partisë së Drejtësisë që e futi në Parlament,  ndryshe do të bëhej pjesë e mrizit të Nexhat Dacit!

 

LAVDI I QOFTË SEJDO BAJRAMOVIQIT: Investimi    ndërtimin e Universitetit Amerikan në Kosovë që e ka bërë Pacolli nuk nënkupton se për këtë e ka pasur përkrahjen e shtetit amerikan, por më tepër ka qenë përpjekje për vardisje dhe çështje biznesi! Ka qenë më se e nevojshme  që së pari të investohet në Universitetin e Prishtinës, i cili në atë kohë ka bërë luftë për mbijetesë! Ashtu do të ishte më e pranueshme, por paratë kanë qenë të Pacollit dhe është e drejtë e tij t’i shfrytëzojë sipas vlerësimit të tij! Aspak nuk do të mërzitem se a do të bëhet Behgjet Pacolli president i Kosovës apo nuk do të bëhet! Jam mësuar me kësi presidentësh ma! I tillë ka qenë më parë Sejdo Bajramoviq! Madje, ai ka qenë president i krejt ish-Jugosllavisë! Nëse nuk keni dëgjuar për të, pyeteni dikë që është më i madh në moshë se Ju! Ju tregon se kush e ka zgjedhur president, si është zgjedhur president dhe kë e ka përfaqësuar dhe interesat e kujt i ka mbrojtur ai! Tash po i akuzoni tri partitë e mëdha se janë përgjegjëse për këtë gjendje, duke e injoruar faktin se presidenti Juaj ka qenë kukull e tyre dhe tërë kohën u ka bërë shërbime, si përfaqësues i “opozitës”! Shërbime materiale dhe politike! Madje, me përgjegjësi e them se edhe frymëmarrjen e ka koordinuar me disponimin e Hashim Thaçit. Mirëpo, aspak nuk garantoj se nëse nesër bëhet president se nuk do t’ia vërë lakun në fyt pikërisht Hashim Thaçit! Për këtë madje jam i sigurt! Do ta bëjë,  patjetër! Me një gjë pajtohem me Ju, z. Shpendkeqe Krasniqi! Se jam një hiç në politikën e sotme në Kosovë! Dhe, për këtë ndihem shumë mirë dhe rehat. Bëni Ju politikë, me presidentin Tuaj! Sepse është kohë për Ju, kohë e vlerave të dyshimta dhe e antivlerave ku mund të keni vend të merituar dhe ku do të jeni të nderuar! Ku për një grusht eurosh do të bëheni me tituj shkencorë! Dhe të bëheni politikanë! President madje! Duke e ndërlidhur shkrimin tim me shkrimet e opinionistëve tjerë po bëni përpjekje që t’i bindni lexuesit se ndaj presidentit Tuaj, z. Pacolli po përgatitet një konspiracion që nuk është aspak e vërtetë. Me z. Pacolli as që do të merresha nëse ai do ta ushtronte zanatin që e bënë mirë, atij të biznesmenit! Po ka hyrë në një zanat që nuk di ta bëjë fare, atë të politikanit! Në këtë mënyrë po e dëmton Kosovën, urbi et orbi! Ma gjeni një rast kur një deputet i Kuvendit të një shteti apo kryetar i një partie politike ndërton sistem paralel  të lobimit, bëhet ministër i Punëve të Jashtme, kryeministër dhe president pa qenë i mandatuar nga askush?! Ka “lobuar” te Gadafi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke mos pasur guxim ta bëjë publik atë çka u ka thënë Moamer el Gadafi se në çfarë kushtesh do ta njohë Kosovën e pavarur! Prandaj, në çaste të “dëshpërimit” që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me Gadafin e ka nënshkruar një marrëveshje biznesi! Qindra milionëshe! Kësi lobimi ka bërë, kudo që ka shkuar presidenti Juaj! Në planin politik, gjë të hairit nuk ka bërë deri më sot për Kosovën! Përveç se e ka dëmtuar! Atëherë kur Behgjet Pacolli do të sigurojë njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Kazakistani dhe Rusia, vende ku ndikimi i tij do të duhej të ishte i padiskutueshëm, botërisht do t’i kërkojë falje!

 

PRIVILEGJ APO DISKRIMINIM, KU ËSHTË DALLIMI: Të merrem me presidentin Tuaj për mua nuk është fare privilegj, madje as që do të merresha me të në rrethana normale. Ndërkaq që për Ju mund të jetë privilegj, madje edhe detyrim! Këtu ne dallojmë! Po të kisha dëshirë të merresha me njerëz të “mëdhenj”, siç thoni Ju, njeriu i fundit në Kosovë me të cilin do të merresha do të ishte Behgjet Pacolli. Më parë do të merresha me Ferid Zekollin  dhe Aziz Salihun. Përveç se janë më të mëdhenj, ata kanë bërë shumë më tepër për Kosovën dhe shqiptarët! Pastaj, z. Krasniqi, duhet ta keni të qartë se humanizmi nuk matet me shifra! Humanisti i vërtetë asnjëherë nuk i përmend shifrat, nuk fshihet prapa tyre! Humanizmi, bujaria, burrëria, trimëria, atdhedashuria, morali nuk blihen me paratë e krejt botës! Nëse i ke, i ke! Nëse nuk i ke, Zoti të lashtë shëndoshë! Prandaj, nuk më duhen të jetojë, jo 1 000 vjet e të bëhem humanist si Behgjet presidenti, por as 10 sekonda të vetëm! Nuk kam unë nevojë ta pastroj të kaluarën time me para! Kush ka nevojë dhe kush ka para, le ta bëjë këtë! Por, duhet ta keni parasysh një të vërtetë se në raste të tilla, sa më shumë të bësh përpjekje të pastrohesh nga e kaluara, duke i blerë të gjithë me para, më shumë të dalin duqet!

 

Më duhet të Ju përkujtoj z. Krasniqi se njerëzit e familjes së ngushtë të presidentit Tuaj më janë kërcënuar, se presidenti Juaj më ka dërguar njerëz dhe se në fund vetë Lartmadhëria e tij, presidenti Juaj, më është drejtuar me e-mail! Po të kisha urrejtje ndaj tij, do t’i bëja publike të gjitha këto! E sidomos letërkëmbimin pas të cilit do të ndaheshit shumë i zhgënjyer!

 

Dhe, krejt në fund, më duhet ta bëj një krahasim të vogël, por shumë domethënës për Ju dhe lexuesit.

 

Fiameta Biankini është kryepersonazh në romanin “Në shoqërinë e një kurtizaneje”. Është një kurtizane e “ndershme” që ka punuar në Romë gjatë viteve 1527 në kohën kur kjo u shkatërrua nga spanjollët dhe luteranët gjermanë! Pas kësaj u detyrua të ikë për Venedik nga e kishte prejardhjen dhe ku bëri emër të madh si kurtizane e “ndershme”. Pse e ushtronte zanatin e kurtizanes së “ndershme” dihej shumë mirë, përfitimi material ishte përcaktues!

 

Në Kosovën e sotme, një numër jo i vogël i intelektualëve dhe bartësve të titujve shkencorë shërbejnë si shërbyes civilë të politikanëve injorantë, sepse atyre ua detyrojnë këta tituj dhe statusin prej intelektuali! Me një fjalë, shndërrohen në kurtizane intelektuale!

 

Ku jeni në këtë mes Ju, z. Shpend Krasniqi, intelektual dhe bartës i titullit magjistër i shkencave politike?! Unë e kam përgjigjen! Jeni varianti mashkull i Fiameta Biankinit, kurtizanes më të njohur dhe më të “ndershme” të krejt Romës dhe Venedikut! Si pjesë e stafit të presidentit tuaj, nuk Ju takon të veproni ndryshe. Latinët e moçëm thoshin “ubi bene, ibi patria” ose “aty ku e ke mirë, aty është atdheu”! Shqiptarët janë shumë më praktikë! Një thënie shqipe thotë: “Qeni leh aty ku ha”!

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora