E diele, 10.11.2024, 06:08 PM (GMT)

Kulturë

Ferit Ramadani: Në përvjetorë janarësh

E diele, 16.01.2011, 07:58 PM


Nga Ferit RAMADANI:

 

NË PËRVJETORË JANARËSH

 

Kushtuar Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut

 

Në përvjetorë janarësh mes nesh si viganë

gjithmon me një pamje , me një qëndrim !

Shtrihet kobmisteri se si u vranë ?!

- U vrafshin nëpër shekuj deri në shfarim!

 

Kosova shtet ringritet mbi jetën e martirëve,

ju arkitektë që i kënduat për rritë !

Tiranët si mumje - toborr i sahanlëpirsve,

shtërzojnë e rënkojnë të ndalin atë dritë !

 

Si mund të shuajnë gjithë atë vullkan ,

ai doli nga zemrat e martirve të idealit !

- Jusuf Gërvalla Diell - ndriçoj anembanë,

se shqipja e Kosovës rrit lisat e malit!

 

Në përvjetor janarësh regëtimë, mall e zjarr,

del gjama si ngrica pushton me pikëllim !

Tre martirë të përjetshëm, të gjallë në varr

Shqiptarëve u flasin për shtigjet Bashkim!

 

U kanë bërë vendin heronjtë , atdhetarët

nuk ndalon frymëzimi i praron lirika

Janë vezullimkushtrimi qe perndez janarët

Rroftë shqiptaria ! Rroftë Republika!

________________________________________________

 

Ferit Ramadani:

 

Jusuf Gervalla - Kompleksi i sfidave

 

Fragmenti u lexua sonte, ne Manifestimin tradicional "Flaka e Janarit 2009" që mbahet ne Kërçovë. Mori pjese edhe Suzana Gervalla, bashkeshortja e Jusufit, babai i Nuhi Berishes, dhe shume familiare te deshmoreve dhe hronjve te renë nga Shqiperia, Kosova dhe Ilirida.

 

...Pas ndodhisë, Jusuf Gërvalla u shndërrua shenjti i përlindjes sonë ! Ai i shoqëruar me bashkeveprimtarët e tij, vëllaun Bardhoshin, dhe shokun e idealit, Kadri Zekën nuk mbetën tri shenja të heshtura e, të mbuluara me tokën e varrit, por, u bënë jehona që u prinë gjithë manifestimeve që e mbuluan përmasën gjithshqiptare. Jusuf Gërvalla, promotori i Lëvizjes tanimë vetëm fizikisht mungonte. Ai shpirtrisht ishte në mes të çdo shqiptari , po aq i dashur, po aq vullkanik, po aq elokuent, se rruga e fitores duhej të ecte , dhe të arrihej deri tek qellimi!

 

Në distancën e shqyrtimeve për ardhmërinë Jusuf Gërvalla krahas shumë veçorive ngërthen në vedi kultin e përlindjes së njeriut që kthehet në shëmbëlltyrë historike. Edhe si krijues , edhe si këngëtar, edhe si udhëheqës, ai del dhe vendoset në profilet e njerëzve që kanë virtytet e afrimeve, të unitetit! Për këtë arsye, nëse ai me shkrimet e tij mbetet Promethe i simbolikës lirike, edhe në definimin e zhvillimit të ngjarjeve dhe etnipsikologjisë shqiptare ai është kompleksi i sfidave për shumë arsye.

 

Në planin e parë:

 

Kur çështja shqiptare akoma ndodhej në proceset e bllokimit nga shumë vendime cënuese të sistemit socialist, dhe zhvillohej ndjenja e një varfërimi shpirtëror për Të, edhe ngritja e një muri të përhershëm të ndarjes së Shqipërisë nga pjesa e saj më e madhe ku jetonin shqiptarët e okupuar nga regjimet ortodokse, ishte një natyrëshmëri e domosdoshme e arsyetuar nga gjithë mekanizmat botëror, Jusuf Gërvalla kishte parandjenjë se duhet të dilej nga këto vargonj! Kjo padrejtësi e copëtimit të Atdheut, Jusufin parasëgjithash si poet, e frymëzoi që të bëjë shestimet nëpër vargjet e një sipërfaqjeje të lavdisë por të mbuluar me metaforën dhe simbolin e lirisë. Pikërisht , tashti konsiderata për të, e ka përfëshirë çdo dimension shqiptarë .

 

Në planin e dytë :

 

Jusuf Gërvalla, shndërrohet në udhërrëfyes që e pret ardhmërinë e rëndë. Edhepse është i vetëdishëm se çështja shqiptare është çështja më e goditur, prandaj është edhe më e përçudnuara për t’u zgjidhur, ai e hap kontestin e një Historie të Re që prej saj s’duhet hekur dorë. Vargu “ në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë” kthehet si arsye ku përballen mirësia me prapësinë, e me këtë rast ndeshet poeti me “gjuhën e vjetër të kafshës së zezë”. I vetëdishëm se në këtë rrugë do të pësojë, sepse edhe shumë vëllezër të kësaj ideje në frontin e përballjeve, apo në distancat e qëndresës kishin përjetuar dëmtimet tragjike, për atë se “Kafsha e zezë” kaurroshkinia sërbosllave nuk do, as nuk e pranon variantën tjetër , pos nënshtrimit! Jusuf Gërvalla në sëndërtimin e nismave e ka të qartë se do të ndeshet me të papajtueshmen, me anticivilizimin, me antinjerinë, me pushtetmbajtësit, dhe me manovelat e tyre shqiptarë! Megjithatë, për nga drejtimet e kaheve ai e ka arsyen ta kërkojë në trollin e vet gjithë atë që i takon një situate vendimtare, që në analet e jetës kthehet në kulm përcaktues :

“Vermëni atje tek do të tregojë guri për udhën”!

 

Në planin e tretë:

 

Universalja si buronjë ekspresive krijon fenomenin e tërësisë që idenë e sëndërton në çështje! Të këtillë kanë qenë pak, apo, të tillë, rrallë ka pasur në botën e historisë krijuese! Në botën e revolucionit! Jusuf Gërvalla është veçoria unikate që ka ndezur mekanizmat e Lëvizjes Kombëtare dhe sot është bërë militanti më i madh i karakterit sfidues. Ai e paralajmëron shpalljen e sfidës së tij me vargun :

“Ja tek po zgjohem er’ e re e dashurisë së tokës”! për Vetvendosjen Shqiptare !

________________________________________________

 

Ferit Ramadani:

 

LETËR JUSUF GËRVALLËS!

 

Kohë korbash, lalashë që turren

për kazanin e hashasë mburren

se përziejnë mistere krijojnë verbësi

në damarin e rritës mbjellin hi!

 

Dhe dalin në shesh, në foltore

xhuxhmaxhuxhë në veprime, horre

dhe ndërrojnë për çdo çast astarin

pak pushtet të marrin!

 

Zgjohu! Dhe shikoi! Të kujtohesh!

Mos janë ata të Untergrupenbahut?

Se krijuesëve ua ngulin pas shpine

sikur janë figura të shahut!

 

Dorë e zezë ! Vepron kokë e krimit

T’a gjakosë legjendën mbi janarin !

shkina e sërbisë ia fal uratën

kaurria ia mbjell ugarin!

_______________________________________________

 

Ferit Ramadani:

 

JUSUF GËRVALLA – identiteti origjinal i rrugëtimit

 

Sot: Në 65 vjetorin e Lindjes së Jusuf Gërvallës

 

Duke dashur të ndërlidh kriijimet e mëherëshme për Jusuf Gërvallën, po ky krijim në ditëlindjen e tij të 65-së , vjen e ndez kërshërinë të bëjë dritë mbi personalitetin e krijuar, pas arratisjes së Jusuf Gervallës ,të cilit i shkon epiteti - njeriu me identitetin origjinal të rrugëtimit .

 

Në këtë përllogaritje , janë të pamundëshme të përfshihen të gjitha, por, janë evidente shumë bëma të tij, sado që në numër nuk janë as edhe pak për aq pak kohë sa jetoj dhe krijoj, ndërsa, për nga prurja e nivelit artistik, flasin se , ai arriti një nivel shumë të lartë , dhe të mirfilltë krijues.Qysh në nismën krijuese nëper gazeta të kohës , si tek “Flaka e Vëllazërimit në Shkup, më 1974, apo tek gazeta e studentëve “ Bota e re “ në Prishtinë , u bënë të paharruara poezitë e stilit lirik, me një prurje metaforike të mbuluar me hermetizmin mjeshtror në domethënie, e që godisnin gjithë realitetin e kohës që bënte kalitjen e kthetrave robëruese të jugosllavofederalistave titoist . Ndaj poeti i ri, Jusuf Gërvalla, përmes lirikave poetike “ Baladë për shavarin “ dhe “ Kalon pranë meje “ stigmatizon fuqishëm arritjen e atij urragani krijues të fushës poetike!

 

Nëse jo te gjithë , lexues e artdashës, e kuptuan se në analet e jetës krijuese arrin Migjeni i ri, është shumë e arsyeshme që ai , u ra në sy atyre që ishin rrek me studime të artit, dhe përcillnin çdo gjë, që krijonte nivel, dhe në ugarin letrar sillte prurjen e shendetshme të artit poetik. E kjo, do spikatur, se poezitë e Jusuf Gervalles, për nivelin që kishën , në atë kohë, u bënë shtyllë e fuqishme e titulluar si “çaste poetike “ në strehën e madhe dhe të mirënjohur të “Jeta e re”, që drejtohej nga kryeredaktori i saj , dr.Rexhep Qosja. Jam i bindur se publikimi i ciklit “ Çaste poetike”, në revistë ka krijuar vulën e profilit krijues, që më vonë , të dëshmojë se ai, jo vetëm në krijimtari e ka atë ndjenjë për unifikimin e çështjes shqiptare, por, se ajo ka kaluar horizontin dhe është shtrirë në dimensionin e këngës si nje fuqi karakteristike, që krijon ritmin e pathyeshëm deri në kryengritje për asociacionet e ndjesisë që të përndez për revolucionaritetin që ka.

 

Gjithë ky konglomerat i ideve, përgjithësimet ,larushia e pastër e preokupimit e mbërthyen krijuesin të ndërtojë lirikat që dita ditës lexoheshin me ëndje nga lexuesit, sa herë publikoheshin në shtypin e kohës. Ishte kënaqësi e veçantë përmbledhja e botuar nga Redaksia e botimeve “ Rlindja”, dhe dalja e saj në shitje tek Libraria e Teatrit në fillim të vitit 1975. Asokohe, si i ri, me një elan prej studenti, ngjisja shkallët të dëgjoja risinë nga librashitësi plak i asaj librarie, që posedonte një kapital të madh njohurishë , natyrisht, kishte dhe kondicion të fuqishëm leximi dhe interperetimi për vlerat krijuese.

 

- Merre këtë libër ! Sapo ka dalë ! Por është me vlerë ! më tha.

 

Nuk kisha dilemë për ate. E mora dhe nisa ta shfletoj. Vetë titulli më krijonte emblemën domethenëse të shumë ngjarjeve e kujtimeve të jetës së rëniengritjeve, që hapte portën e kujtimeve në krijimtarinë poetike të frymëzimit të poetit të ri. Ndaj, përmbledhja vinte si një llavë vullkanike, saherë që kalimthi në atë shfletim lexoja vargjet përkushtime për vendlindjen, e cila mbahej gjallë fal qëndresës së saj shekullore , përkundër gjithë pengesave, dështimeve, urrejtjes që i vinte nga sistemi që krijonte përmasa goditëse, duke u dhëne përparësi atyre që i kishte në permasën e përkrahjes, ndërsa, për shqiptarët, krijonte projektet e robërisë.

 

Ishte një ogur i mirë për poetin përkrahja që ai e kuptonte se libri dita dites shitej e lexohej.Gjithsesi ishin edhe sinjale shumë të veçanta notat që në shtyp vërshuan nga esetë dhe recensionet. Të gjitha kishin një ekuilibrim, se vepra poetike e Jusufit, ka krijuar një sfond të ri pamjesh në kontekst të lirikes domethënëse të tematikës , dhe në shtresimin e kuptimsisë. Ky krijim i linjave që e ndërlidh të kaluarën me të tashmen, dhe hap vizionin e një meditimi për të ardhmen, paraqitej si refleks i revoltës ! Alarmi i kësaj drame nuk ishte pa qëllim. Në skenën e përditëshmerisë kishte shumë shqetësime, dhe ato nga padukshmëria e prapavisë goditeshin që kurrë të mos rimerrnin forcë për mbrojtje. Vargu artistik i poetit, dilte si një shtysë dhe krah , se dikush, më thellë shikon si të arrihet tek liria!

Këto nuanca të kësaj pamjeje u spikatën në intervisten e Jusufit, dhënë gazetarit të asaj kohe , poetit të ndjerë Qerim Arifi në revistën Zeri i rinisë, Prishtinë. Ai ndermjet të tjerave do të thotë se : “ Parabolla krijuese poetike e Jusuf Gervalles fillon aty ku shumë krijues do të donin ta perfundonin...”. Ishte një e vërtetë e pamohueshme se Jusufi kishte shpallur protestën e tij tek poezina:

Njeri ku je “. 

 

njeri, ku je

t’lënduan rëndë me poezi

e arte abstrakte

të kanë mbërthy

n’regjistra e akte

se je njeri

s’u shkon ndërmend

 

Nëpër vorbullin tundues të këtij rrezatimi, në laboratorinë krijuese të vizionit ku dhembja dhe plaga e popullit kërkonin shpresën e shpëtimit, nëpër arrogancën dhe ashpërsinë shtypëse të pushtuesve, poeti me një veçori specifike, valviti në lartësi flamurin lirik, e me të paraqiti tragjikën kombëtare, që ishte bërë një vazhdim i vuajtjes së përditshme që e sillte jufederalizmi nga tirania!

 

Ai e mbajti vazhdimsinë e kësaj ideje, dhe ate e bëri më të spikatur e më të thellë tek libri i dytë poetik i botuar më 1978 me titull “Kanjushë e verdhe”.

 

Atë kohë, plejada e re e krijuesve me individualitet, për komponentën e realizimit të tutjeshëm të imazhit krijues,në Kosovë, organizoi tryzën e diskutimeve, ku me theksim të veçantë u analizua edhe përmbledhja “ Kanjushë e verdhë” e Jusufit. Për komponentet e realizimit të kësaj përmbledhje , Mehmet Kraja tha : “frymëzimi, idilika, imazhi, janë pjesë e saj",ndersa, " tabloja impresioniste, narracioni janë observimet që mbështeten mbi tablo dhe imazhe, ku i jepet hapësirë asociacionit për ndërtimin e ligjëratës së vet poetike, e cila, mbështetet te metafora.”

 

Vështrimi mbi botëkuptimet krijuese të poezise së Jusufit ishte bërë pasqyrim prej të cilit, dilnin vlerësimet për kualitetin dhe nivelin realizues. Këtë ambient të krijuar të vlerësimeve e ndiqte Jusufi, i cili, pandal krijonte të sjell të arriturat krijuese. Në dhjetor të vitit 1979, nga biblioteka “ Valët “, e Flakës së vëllazërimit” pa dritën libri I tretë poetik “Shenjat e shenjta “.

 

Ishte koha e një sfide shpalljeje. Veprimtaria e tij ishte bërë e dashur dhe gjithkah shpërndahej e lexohej, ndërsa, autori i saj, në vend që të fitonte admirim për këto e të shpërblehej, nga organet nisi të shikohej si person nongrata. Nëpër keto rrethana të krijuara, Jusufi arriti të bëjë arratisjen e tij, ndërsa vepra poetike “Shenjat e shenjta “ krahas ndalimit të qarkullimit si libër, intensivisht u kthye në manifest letrar që lexohej e përdorej si biblika më e ngrohtë e metaforës për liri, për ta kthyer Jusufin në njeriun me identitetin origjinal të rrugëtimit unikat...!

________________________________________________

Ferit Ramadani:

 

2. Jusuf GËRVALLA - prozatori i ngujuar

 

Njëkohësisht, si në rrugëtimin poetik , Jusufi angazhohej në prozë. Atij nuk i mungoj frymëzimi që të spikasë tregimin e zhvillimit mbarëshoqëror, që përmes dialogut të personazhit të rrezatonte disponimin e shqetësuar, prej nga rrënohej mirëqenia, për arsye të kthetrave të robërisë. Këto proza me këtë spikamë Jusufi nisi t’i publikojë në gazetën Flaka e vëllazërimit në Shkup, jo se ajo ishte gazeta me horizontin ma të gjërë të lirisë, por se censorokuqët e saj, ishin shumë kokëtrashë e nuk arrinin të zbulojnë qëllimin metaforik që me mjeshtri dhe nivel artistik dinte ta paraqesë prozatori, e me to të fshikullojë mbi përmasën e pushtetit okupues. Të këtij profili , ishin edhe prozat e botuara në revistën Jeta e re, ku Jusufi ishte bërë shtylla e veçante për prurje artistike me risi botëkuptimi .Ndërsa në revisten letrare “ Fjala” dhe në Zëri i rinisë, në Prishtinë, krijuesi kishte hapur dyerët e botimit dhe aty kishin bërë jehonë tregimet Vazhdim…, Borsiloku i trimit, Lindja e Cufës.

 

Kjo mprehtësi e narracionit në prozë krijoj një vulë të pranuar, sespe krijuesi u shndërrua në emër emblematik, që rrezatonte fuqi krijuese. Dhe ajo u dëshmua shpejt tek tregimet Sharkia me dymbëdhjetë tela, Abdylrrezakhalimi, Sporteli, që për nga transparenca dhe bartja e mesazhit, patën edhe nje tis të hollë e plot elegancë të dialogut dramatik me karakteristika humori, që kishte shijen e specit djegës ! Këto sinjale të tilla, i kishin vënë në shenjestër censorokuqët, por , meqë ishin shumë të vegjël përpara asaj stilistike artistike, prisnin në pusi! Dhe ja, përpara u bëheshin publike vargani I prozave si “Katrahura qindrakëmbëshe”, “Rrum tetë “ dhe proza të tjera që tani më merrnin trajtën e romanit. Ky rrumbullaksim i tillë u bë shumë shpejt, saqë më 1975, ai mbaroj së shkruari romanin “Dy florinj të një dashurie, që hyri në planin botues të bibliotekës “Dituria” që dilte në kuadër të revistës studentore “ Bota e re “, në Prishtinë. Megjithatë , edhe pse ishte paraparë botimi i romanit, për shumë arsye ku mbizotronte misteri, romani, nuk arriti të shoh dritën e botimit . Tanimë, censorokuqët, u kishin rënë në gjurmë ideve dhe qëllimeve krijuese të shkrimtarit të ri, dhe për të kishin marrë vendimin ta ngujojnë me mospublikimin e veprave. Ata kishin një pasqyrë komplete të paraqitjes së linjave komplekse të temës ku trajtohej ngjarja, dhe po ajo, kishte vënë gishtin në realitetin e kohës që kishte krijuar pozicionin e nënshtrimit, pas gjithë trumbetimit se paqa e pas luftës së vëllazërim bashkimit, do të sjellë pavarësinë kombëtare të shqiptarëve. Për këtë ngjarje të zhvilluar në kompleksin e linjave te romanit censorokuqët e kohës pas shumë kuvendimeve sjellin vendimin e ngujimit të veprës, që ajo mos të botohet.

 

Në një intervistë të dhënë gazetarëve , Agim Malës dhe Shaip Beqirit , Jusuf Gërvalla do te theksojë :

 

“ Do të pajtohemi ndoshta se sot këtu ndër ne mbretëron të shumtën një kohë eksperimentimesh. Dhe burimet e njohurive dhe preokupimeve, që po bëhen shtytje për prozatorin tonë – në vend që burim i vetëm të jetë trualli ynë konkret, me të gjitha atributet, mbi të cilat mund të ndërtohen projeksione origjinale e autoktone – te ne po vijnë me erëra drejtimesh të ndryshme. Ndonjëherë, pamundësia që ta përkufizosh e ta radhitësh prozën tonë, këtu, në vend të caktuar unik dhe me mjete të caktuara, prapë unike, ka zënë e po zgjon edhe neveri. Është e vërtetë se nuk kemi nevojë për tradicionalizëm të ngurosur, se ndoshta do të gjendeshim në rrugë edhe më të gabuar. Por, s’do mend se largimi total nga tradita (dinamike – me rrotullimin e saj ndër varietete e rrjedha që e shpien përpara) nuk do të na damkoste; përkundrazi, ndoshta kjo do të jetë e vetmja rrugë e shëndoshë për krijuesi tonë.”

 

Ishte koha e zellit që shkrimtari e kishte. Ai me vrull kishte mbaruar edhe romanin e dytë të titulluar “ Rrotull” i cili, pas dhenies së vlerësimeve nga juria botuese, kishte arritur të hyjë në planin botues të Redaksisë së botimeve të “ Rilindjes. Megjithatë ishte koha kur ishin zgjuar shumë përndjekësit, dhe për hir të publikimeve dhe pikëpamjeve në to, shkrimtari ishte në shënjestër. Edhe ai kishte nuhatje, se pushtetarët ditaditës vërsuleshin, prandaj, pa asnjë hezitim , lëshonte kundërmesazhet që e paralajmëronin opinionin se diçka po ndodhëte në analet e realitetit jetësorë të shqiptarëve .Këto raporte e frymëzuan që ai të nisë shkrimin e romanit të tretë me tematikën e baladës , për rinjohjen e vëllaut me vëlla. Sespe, kishte kaluar një kohë e gjatë prej kur kishin ndarë tokat shqiptare, dhe ishte po ai brezkufiri ndarës që kishte pamundësuar të bashkëjetonin vëllezërit e një gjuhe e një gjaku në tokën e Atdheut të ndarë. Për këtë pamundësi shprehëse në përditëshmëri, dhe në krijimtari, Jusufi përpara gazetarëve do të japë opinionin :

 

“Po trumbetohet me të madhe se ka perënduar koha frymëzimit, se frymëzim as që ka pasur... ekziston laboratori i artistit, thonë. Dhe, u muar vesh që këtu ka diçka që mban. Por, mbi të gjitha, më bëhet se është qëndrimi ynë ndaj frymëzimit ai që ka ndryshuar: nuk e mendojmë më si pozitë të jashtme e të brendshme emfatike – larg kësaj. Edhe kjo është në rregull. Megjithatë, mendoj se frymëzimi është një akt i domosdoshëm, të cilit krijuesi nuk i shmanget dot. Dhe, ky farë akti – solemn (por me transformime e varietete të gjendjes solemne ndër kohë e frymë), merr atribute të ndryshme, varësisht nga koha në të cilën trajtohet. Po qe kështu, e kështu më bëhet se është, meqë kështu disi ngjan tek unë, atëherë momenti i tillë të thuash se nuk gjurmohet në kuptimin e plotë të kësaj fjale; imponohet fuqishëm, më së shpeshti. Është me rëndësi që të kapet menjëherë, pastaj, sa për “përpunimin në laborator”, ka kohë dhe për këtë gjë nuk duhet ndonjë kohë e posaçme. Në kushte të sotme përpunimi mund të bëhet ndonjëherë edhe mes punëve të tjera, të ditës – po deshëm, ndoshta pa ndonjë rrezik serioz nga keqtrajtimi. Sa më përket mua, koha e poezisë është gjithë koha që e kemi përpara, prandaj nuk është vështirë ta zësh.

 

Do të thosha se projeksione absolutisht të pastra, në të cilat s’e heton dot gjurmën e gjendjes së rrëmujës para projektimit konkret – kemi vetën në letër, në inkarnimin sadokudo material të formave e të përmbajtjeve të tyre të përfytyruara. Unë për vete nuk rresht dot nga rrëmuja, që shkaktohet me hapjen e themeleve, kur grumbuj dheu ende kanë mbetur rreth godinës që ke marrë të ndërtosh. Dhe, të thuash se nuk çaj kokë t’i mënjanoj domosdo gjurmët e rrëmujës nga të gjitha fazat e ndërtimit. Më mjafton që, sipas mundësisë, punimet finale rreth pikave kryesore të projeksionit të marrin shkëlqimin e vet të domosdoshëm, e kështu të bëjnë që edhe unë, edhe lexuesi, ndjenjën e rrëmujës ta harrojmë spontanisht për ta shijuar rezultatin final".

 

Po ky rezultat që shkrimtari e priti , nuk vinte aq lehtë. Atë e ngujuan ! Sespe si i tillë , kishte krijuar rrëmujën , me të cilën pushtetmbajtsit e kohës, arritën të koordinojnë mbajtjen në robëri për shumë vite, të pjesëve të okupuara e të ndara të tokës së Atdheut, për të cilën Jusufi, edhe në prozën e tij, projektonte linjat e bashkimit! Kjo , e bëri që ai nga censorkuqët e kohës të shpallet : prozatori i ngujuar ...!

________________________________________________

 

Ferit Ramadani:

 

3.Jusuf GERVALLA : Poliedri i mirësisë

 

Duke vënë në spikamë të studimit te “ Rruga jetësore e Jusuf Gërvallës “ Kadri Rexha, nuk mbeti pa përmbldhur shumë krijime , që i kishte mbuluar harresa e qëllimshme , ose, ashtu si ishte vetë realiteti i kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve jetësore , nëpër të cilën kalonte edhe krijuesi, poashtu , vuante dhe populli i robëruar i Kosovës, që ia kishin vënë gjithë jetën në pranga, për të brohoritur kunder lirisë së vet, saherë që i shtohej kërbaçi e dhuna, e sa herë që derdhte djersën e gjakun, që të mëkëmbeshin padronët. Por, këtë realitet të hidhur, nuk e heshtëte poliedri i mirësisë , Jusuf Gërvalla! Ai kishte vulosur qëndrimet e tij nëper shumë intervista të kohës, por edhe më 1975, në “Zëri i Rinisë” do të jehojë :

 

“Ajri është përplot klithje, që shprehia na i ka bërë memece. E di një dhembje, di shumë dhembje, që nuk do t’i dija po të mos distancohesha pak prej tyre; e di gëzimin e jetës, që nuk do ta dija, po të mos e shikoja pak me syrin e atij që nuk e ka bukë të përditshme. Po kështu, duke u përpjekur që në momente t’i bëjë pak të huajat edhe bardhësitë, edhe pezmin e jetës, në mënyrë që më vonë të më kthehen të sheshuara, të ndara – ëmbëlsia nga e amshta – me kohë kanë zënë të më bëhen më të qarta konturet e njeriut me etje për sende të imta dhe për gjakime të shumta, po edhe të njeriut me një shpresë të patundshme të varur për ndërgjegjen e vet e të sojit të vet.”

 

Eshtë jehona e poliedrit të mirësisë që bën ekuilibrin e gjendjes së popullit, karshi gjithë aparatit të një sistemi kriminal, që dita ditës, kishte ngritur ndasinë, për të shpronësuar përmasat e gjëra të popullit të varfër e të shtypur. Prandaj, nëpër këto rrezatime shtypëse, ai edhe kur jep intervistë, vlon nga mëllefi për të krijuar mundësinë përmbytëse të atij pirgu mizor, që kishte ngulfatur mundësitë e shfrytëzimit të lirë edhe të ajërit , i cili, ishte stërmbushur me memecllëkun e klithmave !

 

Kush i dëgjonte këto synime të krijuesit, që kishte shtrirë veprimtarinë e tij nëpër gjithe segmentet e artit. Ai ishte bërë emër emblematik në shkrim të poezisë dhe prozës, por aq ma shumë shkëlqente edhe në shkrimin e skicave poetike, në drama, ese. Kjo dhunti krijuese dita ditës ia shtonte elanin dhe ai pandal bënte edhe përkthime nga gjuhët e huaja në shqip, dhe anasjelltas. Ky intenzitet pune nuk e largoj nga dashuria që kishte për muzikën, të cilës, ia kishte fal përkushtimin dhe me një veçori dalluese të zërit dhe interpretimit, ishte bërë prezent në shumë manifestime gëzimi ! Por, edhe me paraqitjen e recensioneve, eseve dhe kritikave letrare në Rilindje dhe periodikun tjetër të kohës, si në Flaka e Vëllazërimit dhe revistën Jehona, Jusufi ishte shquar si personaliteti më elokuent i një niveli të lartë, në dimensionin e prurjeve artistike.

 

Do të ishte shumë e gjymtë të përmbyllej veprimtaria e një krijuesi si Jusufi , nëse nuk përmendeshin bëmat e tij prej përkthyesi, prej skenaristi, prej njeriu që mbante ditarin dhe për të cilin përkujdesej të krijojë rrethana të duhura, se mirëqenia e popullit , i ndjente në shpirt kthetrat gjakatare, por, nuk arrinte t’i shprehë ato. Ndaj, duhet theksuar veçmas veprimtarinë e Jusufit, si njeri organizues i cili u paraprinte dhe ishte bërë frymëzuesi i një përmase të madhe të të rinjve, që ndiqnin me elegancë përditëshmërinë që kanalizonte përmbytjen e idesë liridashëse dhe ndjenjën e pavarësisë.

 

Kjo veti e tillë, për arsye të rrethanave të asaj kohe, akoma nuk e ka hap arenën e veprimtarisë të flasë për pjesëmarrjen e Jusufit si organizues me grupet e të rinjve studentë nga Peja, Lipjani, Ferizaji, Podujeva dhe Mitrovica. As me ata që përsëpari herë u lidhën në ide dhe veprim nga gjithë trojet shqiptare, dhe përfaqësuan Strugën , Ohërin, Dibrën , Kërçovën, Tetovën. Të gjithë flisnin për një qëllim. Dhe ai, dita ditës, projektohej në krijimin e Platformës gjithshqiptare, për të qenë në rrjedha se si do të bëhej 100 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, e pastaj, se si do të niste vargani i gjatë i kolonave liridashëse.Kjo ishte njëra anë e veprimit për të cilën , shumë pak njerëz mund të takoje që flisnin me dashamirësi, dhe kishin përgjegjesi për rrjedhën e zhvillimit të gjithmbarshëm , për të krijuar mundësi veprimi. Aso kohe, arrita të njoh veprimtarët e Pejes, nga Kelmendet, dhe Muriqët, që e konsideronin Jusufin - njeri shenjt. Krahas tyre , me të njëjtin mendim edhe grupe të të rinjve nga shumë qytete të banuara me shqiptarë. Të gjithë, me një kërkim dinjitoz se si të arrihej te qëllimi ! E për të, me një stil të veçantë, përkushtoheshin Ismet Gusia, Ukshin Hoti, Avdi Kelmendi, Zeqir Gërvalla, Ismet Begolli e shokë të tjerë. Ashtu si Mehmet Gega, Shaban Xheladini, Shaqir Sadiku, Abidin Hyseni e Naser Hani që kishin krijuar strukturat dhe ato i koordinonin me të gjithë, për të vënë linjat e veprimit në përputhje me tërësinë e krijuar të pjesëmarrësve .Por, kjo veprimtari, nuk mundi të dalë në përballje të hapur, sepse, në çdo skaj kishte sy përndjekës që për një alarm , të përpinte nata. E tillë shfaqej edhe krijimtaria që publikohej, dhe censorokuqët e instaluar në zyrat speciale të Rilindjes, të Fjalës, të Zerit të rinisë, në Flaka e Jehona, e ku jo, vetëm përgjonin. Pastaj, duke zgudulluar sytë mbi shkrime, tentonin të ngulfasin mendimin e lirë, që të mos krijojë atak me pushtetin e Sfinksit, për të cilin, një turmë e madhe e shkarravitësve, kishin krijuar përkushtime.

 

Përderisa shkarravitesit e tillë bënin shkrime me porosi, dhe merrnin honoraret e majme, për të përmbytur zërin e lirisë, me zërin që i këndonte robëruesit, Jusufi, projektonte idenë e dramës “ Procesi” . Por, kjo dramë kishte nis herët të jetë prezente , dhe shumë aktorë të saj, kishin marrë rolet nëpër zëndanet teatrore të Gradishkës, Goli Otokut dhe Idrizovës, pa qenë të pandehur, u behej akuza dhe dhuroheshin me kërbaç dhe burgim shumëvjeçar, nuk pati mundësi të bëhej publike . Prandaj, Jusufi, si shume krijues te tjerë, krahas frymëzimit dhe linjave krijuese që pati, priti ditë të tjera ku do të ulej të hartojë ndodhitë e kobit dhe sjelljen kriminale të personave të një pushteti okupues. Ai i kishte personazhet e saj, por, pritja e krijimtit të rrethanave, atij i solli mundësinë e spikatjes së karaktereve të personazheve, ndërsa, durimi i tyre , fliste edhe per nje dhunti, se Jusufit edhe Perendia qyshkur ia kishte krijuar talentin për të shperthyer në krijim. Këtë veçori të jusufit, e vë në shënjester për ta përkufizuar edhe Ismail Kadare, i cili me plot bindje flet se :

 

“Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.”

 

Ky rrumbullaksim i bërë për Jusufin, nga gjeniu i krijimtarisë letrare shqipe, shkrimtari Ismail Kadare, padyshim është vulë e vërtetë , se shpirti kriminal i pushtetit të asaj kohe i ngritur nga demonë e shtriga, ndërpreu veprimtarinë e njeriut me force poliedrike krijuese dhe mirësie.

 

Për ta rrumbullaksuar shkrimin, sërish do të nderlidh shkrimin përmbylles të Kadri Rexhes, që u bë itinerarë në horizontin e këtyre tre shkrimeve, që kishin për qëllim në 65 vjetorin e lindjes së Jusuf Gërvallës, të shkundin pluhurin e harresës, nga Kolosi, që as vdekja se mposhti, as anatemat se heshtën! Sado që të shkruhet për të, ka se çka të shkruhet, sepse ka shumë gjera të pabotuara e të panjohura për lexuesin , të cilat i thekson edhe studiuesi Kadri Rexha:

 

“Ndër studimet e pabotuara të Jusuf Gërvallës vlejnë të përmenden Poetika e romanit “Lumi i vdekur” i shkrimtarit Jakov Xoxa, punim diplome, të cilin e mbrojti para komisionit në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës si dhe tezën e magjistraturës Poetika e poezisë së Nolit, punim i papërfunduar dhe i pambrojtur për shkaqe tashmë të njohura. Në revistën “Fjala” Jusuf Gërvalla botoi të panënshkruar edhe një recension për romanin Klepsidra të Danilo Kishit, me rastin e botimit shqip të kësaj vepre.

 

Me vlerë të theksuar janë edhe shkrimet kritike të Jusuf Gërvallës lidhur me filmat artistikë, dramat televizive si dhe me emisionet dokumentare të shfaqura nga Televizioni i Prishtinës. Këtu po i cekim vetëm këto shkrime të kësaj natyre: vështrimet mbi serialin e filmit televiziv Era e Lisi të Besim Sahatçiut, të atij Rrënjët, si dhe vështrimet lidhur me emisionet dokumentare për Arbëreshët e Italisë dhe ato për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

 

Në këtë kuadër mund të inkuadrohen edhe disa biseda të Jusuf Gërvallës lidhur me disa ngjarje të shënuara kulturore në Kosovë, të cilat i realizoi në Programin Dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet këtu biseda impresive e Jusuf Gërvallës me rastin e hapjes së ekspozitës artistike Rilindja Kombëtare Shqiptare në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në vitin 1978. Është me interes të veçantë të përmendet edhe një bisedë e Jusuf Gërvallës e zhvilluar dhe e shfaqur nga Televizioni i Prishtinës me rastin e Tetë Marsit – Ditës ndërkombëtare të Gruas, në vitin 1977”.

 

Kjo përmbyllje e këtillë , jam i bindur se do të hapë kaptinën e re, për studime e krijime të reja për Jusufin mërgimtar dhe veprimtar në diasporë për Bashkim dhe pavarësi të torojeve shqiptare .Ashtu siç do të hapë kaptinën krijuese, për Jusufin hero, që bëri dekadë jete në varr duke pritur të prehet në tokën e Atdheut, e cila, për arsye të realitetit okupues, e përkujtoj në këngë, por e anatemoj në sistem...!

________________________________________________

 

Nga Ferit RAMADANI

 

4.JUSUF GËRVALLA - PROMETHEU I SIMBOLIKËS LIRIKE

 

Periudha e shfaqjes se këtij fenomeni të quajtur Jusuf Gërvalla në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, tërësisht në planin ideor e kombëtar, politik e social, e mbi të gjitha atë artistik, pushton një dimension poliedrik që, përmes shfrimit karakteristik krijon kompleksin e sfidës e , në përmasë, përfëshi prirjet e afrimit dhe identifikimit intim me atë të popullit shqiptarë që artikulon kërkesën për të drejtën legjitime të tij. Vizioni që dita ditës vjen e bëhet realitet, ishte i projektuar në këmbënultesinë e ketij vigani, që në çastet ma delikate, arriti te shperthejë dhe si tribun, u përball me mekanizmat e pushtetit okupues te jufederalizmit sllav.

 

Në këtë rrafsh kjo shpallje e gjenisë së këtij populli të robëruar, në paralelen e ngritjeve përballohet me tendencat e rezistencës krahas goditjeve e shpërbërjeve që ia bëjnë, dhe nëpër varfëri e degjenerime të idesë, nëpër dezintegrime e përqëndrime të partikularizmit përçarës, nëpër klimën e tronditjeve e shpërthimeve që pranojnë jetësimin e karakterit të robërisë, nuk u gjunjëzua, as nuk u mposht. Prandaj, kjo pasojë e kësaj shprehje kushtrimi, nga aparati i juntës okupuese federaliste, s’kishte si të mos e cilësojë këtë rrezik njeri të veçorisë unikate revolucionare dhe frymëzues të simpatisë së unitetit shqiptarë, si person nongrata! Tek e mbramja , fryma e tij e pavarësisë në horizontin e vetëdijes ishte mbjellur ndaj, ai ishte plotësisht i bindur se sido që të ndodhëte, ai mbetej pararojë e ndërgjegjes, pa çka se goditjet dhe shtypjet e aparatit federalist okupues tentonin të krijojnë pozitën e përhershme të nënshtrimeve!

 

Në cilën gjendje ishte pozita e shqiptarëve, e si purfundonin ata, mund te pasqyrohet mireqenia e popullit me tekstet e shkruara te rapsodëve që pas ndodhive , zakonisht , ngrisnin jehonen e kushtrimit me kenge e cifteli.Ashtu u veprua edhe per JUsufin , Bardhoshin e Kadriun, nje tresh heroik që kurorës së lavdisë i shtuan heroizmin, po aq ma shumë edhe dhimbjen që e perjetoi populli per keta viganë. Edhe rapsodi Agim Gashi , tek kënga e tij e krijuar ne Lipjan me 1982, do te shkruaj :

 

Agim GASHI:

 

KANGË PËR JUSUF GËRVALLËN

 

Me shtatëmbdhet të Janarit

O tetëdhjet e dy

U hap lajmi në gjithë botën

Për shqiptarë ish zi.

Sepse UDB-eja Jugosllave

Atje n´Gjermani

Në mënyrë mizore e tradhëtare

I vrau tre djem t´ri.

Na e vranë Jusuf Gërvallën

Trimin guximtar

Na e vranë dhe Kadri Zekën

Me Bardhoshin vranë.

Qohu Jusuf shihe Bardhoshin

Ma të voglin vlla,

Qohu e shihe Kadri Zekën

Shok kurrë pa u nda.

Qohu Jusuf shihe Donikën

Që po të rri përbri,

Shih sa duket sot krenare,

Lot si sheh në sy.

Qohu Jusuf e shih shokët

T´popullit tand trim-o

Fjala Jote para vdekjes

Na ka dhanë kushtrim.

 

Kompleksi i sfidave, Jusuf Gërvalla, i përgjithësuar në çështje kushtëzoj ndryshimet që ndodhën për kërkesën e drejtë e natyrore të shqiptarëve.Ai duke shprishur rehatinë shpirtërore për çështjen madhore të idealit , e vrau vetminë që të shpeshtën u vardisej shumë intelektualëve karrieristë e luftëtarë gradash të okupatorëve që saherë në proceset shoqërore vardisej përmbytja e përndjekja ata heshtnin dhe ishulloheshin, dhe i shoqëruar nga masa e mërgimtarëve krijoj varganin e gjatë të aradhave që artikulonin zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Krahas krijimit të saj, krijoi komunikimin përmes tubimeve nga njëra anë, dhe vargjeve të prozës e poezisë, dramës e artikujve publicistik, dhe këngës së gjatë të lirisë nga ana tjetër. Pa u lodhur kurrë e me përkushtim intelektuali dhe krijuesi, Jusuf Gërvalla më tepër se prisi, i priu idesë për t’u krijuar klima e historisë së re deri në skajshmëri, e për t’u bërë ndikimi në ndryshim të fizionomisë së kërkesës së shqiptarëve që gjithmonë ishin nisur nga hallakama e mjerimi!

 

Vetem atë që e priti okupatori se me vrasjen e tij, nuk ndodhi.Perkundrazi, ashtu si del ne theksim te këngës së rapsodit te nderuar Agim Gashi, Jusufi beher feniksi i ri i ringjalljes, që në çdo anë të atdheut ku ishte i cliruar, dhe i robëruar , bëhet motiv i kushtrimit. Ndersa, familja e tij, Nena, gruaja e bija, tri simbole heroizmi te vecanta. E para, se me nje heroizem te paparë bën deklarime burrërore, e dyta, Suzana, me pende dhe veprimtari per te nxjierr misionin e Jusufit atje ku ai e kishte amanetin, kurre nuk u gjunjezua, ndersa bija, per te nderuar misionin e babait i qëndroi me krenari dhe durim asaj plage te madhe , për të pa te ndritur fytyren e babait hero, i cili, me nje pergjegjesi të lartë kishte nis misionin deri në vetëflijim !

 

Ky njeri sublim duke parë katandinë e shqiptarëve nuk mundi të gjejë prehje në vendlindje , prandaj, i shtërnguar nga rrethanat e një dëshprimi u nis që nëpërmjet të letërsisë dhe egzilit t’i shpallë luftë obskurantizmit ortodoksist jugosllav që krijonte tragjedinë dhe vdekjen e shqiptarit ashtu siç do ta pësojë edhe Jusufi tok me Bardhoshin e Kadriun, dy bashkëmendimtarë të tij të paluhatshëm të idesë. Kjo plagë e shekullit për ne fokusohet në dhembje të një motivi të fuqishëm ashtu si të gjithë mërgimtarët që e përjetojnë shkëputjen nga vatani nëpër katër anët e botës dhe ëndërrojnë ditë e natë atdheun e lirë, por, u treten kockat larg tij si sot e ndër mote. Megjithatë kështu nuk ndodh me Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun! Sado që prehen larg atdheut ata kthehen për të jehuar në përvjetorë si kulte e shenjtorë të drejtësisë për atë, përse u privuan padrejtësisht nga të drejtat dhe jeta!

 

Universi i kësaj pikëpamjeje padyshim krijon natyrën etike të këtyre martirëve e veçmas të Jusufit, këtij njeriu pararojë e ndërgjegjes dhe zgjim rilindës i vizionit të arsyes etike! S’ka dyshim se ai në përkujdesje të tillë krijoi binarët e rrugëtimit drejt kërkesës për liri, pavarësi dhe bashkim të shqiptarëve, por, pa kërkuar kurrë që t’ua marrë lirinë dhe pavarësinë të tjerëve. Ai nuk kishte as nuk i pranonte kërkesat e dukurive irreale. Në të vërtetë ai krijoi kërkesën e një realiteti të natyrshëm dhe elementarë që është i domosdoshëm të bëhet si në ndërdijen e shqiptarit poashtu dhe në sipërfaqen e një lavdie historike të përmbytur nga varfëria dhe robëria okupuese.

 

Njeriu i këtij karakteri, Jusuf Gërvalla, në nëntekstin e shprehjeve si krijues , solli stilin e veçantë në poezi, tregim, dramë, gazetari dhe këngë.Ai duke shfrytëzuar fjalën e shkruar dhe të interpretuar, temat, motivet, teknikën e vargut, simbolet e metaforat, forcoj thellimin e ndjenjës dhe të mendimit, ngriti fuqinë dhe parimet e shpirtit sugjestiv shqiptarë për të mbetur përjetësisht: Promethe i hyjnizuar i simbolikës lirike!

 

Të flasish për Jusuf Gërvallën do të thotë të flasish për kompleksin e sfidave. Për atë që përballoi anatemat, mposhtjet dhe përçudnimet dhe u kthye në kult përlindjesh.U kthye në shëmbëlltyrë historike. U kthye në virtyt shpirtëror të afrimeve dhe unitetit. Të flasish për Jusuf Gërvallën do të thotë të flasish bindshëm për himnizimin e virtytit të trimërisë, për nxitjen e dukshme të etnopsikologjisë shqiptare, për konsideratën dhe gjendjen morale , e veçmas për kulturën intelektuale. Domethënë, Jusuf Gërvalla është veçoria e kualitetit tonë militant që edhe i vdekur, del fitimtar, për të thyer perandorët e tërbuar, që pa asnjë arsye, i vardisen ta mposhtin e copëtojnë me primitivizëm dhe brutalitet, ndërgjegjen e pavarësisë dhe lirisë së shqiptarëve, pa u kujtuar se Jusufët, Bardhoshët e Kadritë, lindin e rilindin për atdheun …



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora