E enjte, 01.05.2025, 03:34 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Xhemaledin Salihu: Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë

E hene, 10.01.2011, 08:57 PM


Pas mbajtjes së Tribunës shkencore : “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë”, në Preshevë, më 24 Dhjetor 2010

 

Tribuna arsyetoi qëllimin e organizimit, realizimi i saj ishte i suksesshëm dhe sensibilizoi opinionin dhe ekspertët për vallen preshevare

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Disa fjalë mbi Tribunën shkencore

 

Në pjesën e dytë të tetorit 2010, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë shpalli konkursin në temën bosht të Tribunës shkencore: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrthinë”, me tezat e parashtruara të temës në konkurs: vallja popullore shqiptare sipas ndarjes rajonale, histori e valles, lirika dhe epika e valles, vallja dhe muzika, vallja dhe kënga, Festivali i Këngës dhe Valles Popullore Shqiptare në Preshevë, gjurmimi, evidentimi dhe regjistrimi i valles, vallja në mes të tradicionales dhe modernes, raporti i grupeve amatore dhe profesioniste dhe vallet e burrave, të grave dhe të përziera.

Konkursi zgjati deri më 15 Dhjetor 2010, kur u paraqitën me dhjetëra kumtesa nga ekspertë të lëmisë dhe në temën e shpallur. Pjesëmarrjen e paralajmëruan shumë kryetarë të Shoqërive kulturore artistike , koreografë, vallëtarë, bile edhe e  konfirmuan pjesëmarrjen, mirëpo për shkaqe objektive nuk arritën të marrin pjesë në tribunë.

Tribuna kishte për qëllim kryesor të shqyrtohen  dhe të trajtohen aspekte më të ndryshme të valles popullore shqiptare nga rajoni i Shkupit, Kumanovës, Likovës, Vitisë, Gjilanit, Bujanocit dhe të Medvegjës.

E kishim shumë të qartë se me këtë tribunë nuk do të mundemi ta grumbullojmë tërë at thesar të valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë, sepse kjo trevë përkah gjurmimi dhe grumbullimi i folklorit popullor, sidomos të valles të vjetër burimore, e cila luhet dhe ruhet brez pas brezi në Preshevë dhe në rrethinë ishte e pa gjurmuar, e pa hulumtuar dhe materiali në fjalë i pa mbledhur. E mos të flasim për evidentimin, regjistrimin dhe mbrojtjen e ruajtjen e kësaj

Grupi i Vallëtarëve i SHKA “Abdulla Krashnica” Preshevë
Grupi i Vallëtarëve i SHKA “Abdulla Krashnica” Preshevë
trashëgimie shpirtërore të çdo populli, gjegjësisht të valles popullore shqiptare në këtë trevë.

Në Preshevë dhë në rrethinë mungonte grumbullimi i pasurisë folkloriko-etnografike, pastaj mungonte literatura dhe mjetet e teknikës bashkëkohore në shërbim të këtyre punëve dhe punës shkencore.Gjithëçka që është bërë deri më tash lidhur me vallen popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë është fryt i punës pasionante e të përkushtuar të individëve, të cilët me aftësitë e tyre intelektuale, shkencore, praktike për ta hulumtuar terrenin e kësaj lëmie.

Në Preshevë dhe në rrethinë munguan institucionet e specializuara që do ta gjurmonin, hulumtonin, evidentonin, regjistronin e ruanin materialin dhe pasurinë folkloriko-etnografike të kësaj treve, edhepse herë pas herë pati ekspedita nga Kosova, për ta mbledhur materialin folklorik, por jo edhe vallen popullore shqiptare. Pra, vallja burimore e Preshevës mbeti e pa prekur deri më sot.Ndërsa ekspedita hulumtuese nga Shqipëria nuk pati asnjëherë.

Presheva dhe rrethina kanë pasuri të bollshme folkloriko-etnografike, sidomos valle burimore që janë ruajtur të pa prekura me koreografi dhe stilizim, hiç ndonjë valle, e cila u luajtë nga grupe amatore apo profesioniste. Andaj mbetet detyrë e ardhshme e institucioneve përkatëse të Kosovës dhe të Shqipërisë që këtë pasuri folkloriko-etnografike ta hulumtojnë, gjurmojnë dhe ta mbledhin, për ta ruajtur si trashëgimi shpirtërore të kësaj treve. Vallja burimore preshevare u luajtë brez pas brezi ashtu si luhet në Preshevë dhe në rrethinë.

Tribuna u mbajtë nën patronatin e kryetarit të komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa.

Tribuna shkencore zhvilloi seancën e vet nën drejtimin e Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Xhemaledin Salihut dhe Dilaver Kryeziut, ligjërues në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Në Tribunë shkencore me kumtesa u paraqitën : Prof.Dr. Ramazan Bogdani, etnokoreolog, “Mjeshtër i Madh” nga Shqipëria me: “Vallja e Shotës, një krijim i bukur erotik kosovar”, Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë me: “Vallet popullore të vjetra në Preshevë”, Dilaver Kryeziu, ligjërues në Fakultetin Fillologjik të Prishtinës, lënda e etnokoreologjisë dhe drejtor i Ansamblit Shtetëror të Kosovës “Shota”, Prof. Besim Zekthi, “Mjeshtri i Madh” vallëtar dhe koreograf i Ansamblit Kombëtar të Këngës dhe Valleve të Shqipërisë, Artist i Merituar i Popullit me:”Vallja e krahinës së Preshevës, një shembull i folklorit shqiptar”, Zejadin Ismaili, muzikolog nga Kumanova e Maqedonisë me:”Tradita e valleve popullore shqiptare në Karadak dhe më gjërë”, Sami Piraj, kompozitor, publicist dhe drejtor në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Kosovës me:”Raporti i grupeve amatore dhe profesioniste”, Demir Krasniqi, publicist dhe rapsod popullor nga Gjilani me:” Karakteristika e valleve tona popullore” dhe “ Simbolika e lëvizjeve në vallet tona popullore”, Xhahit Ramadani  nga Bujanoci, nënkryetar i Shoqatës me:”Vallja e Deli Agushit, trim dhe kaçak i maleve tona” dhe Sali Rrustemi, mësimdhënës i kulturës muzikore me: “Vallja popullore”.

Tribunën shkencore e sponzoruan : Buxheti i Komunës së Preshevës, Ndërmarrja “Saba-Bellça”, Ndërmarrja “Fluidi”, Këmbimorja “Osi”, Ndërmarrja “Vlora.com”, ndërsa sponsor medial ishte RTV Presheva.

Në Tribunën shkencore: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë” u shqyrtuan dhe u trajtuan hollësisht nga ligjëruesit aspekti i valles popullore sipas ndarjes rajonale, aspekte të historisë së valles, aspekte të lirikës dhe epikës së valleve, aspekte vallja dhe muzika, aspekte vallja dhe kënga, aspekte të grupeve amatore dhe profesioniste dhe aspekte të valleve të burrave, të grave dhe të përziera, por nuk pati kumtesa në tribunë për shqyrtimin dhe trajtimin e aspektit të gjurmimit,evidentimit,regjistrimit të valleve dhe aspekte shqyrtimi dhe trajtimi i Festivalit të Këngës dhe Valles Popullore Shqiptare në Preshevë, mbajtur më 1995, 1996, edhepse Z. Dilaver Kryeziu në kumtesën e tij, gjatë ligjërimit ceku edhe Festivalin e përmendur, duke thënë se ky Festival duhet edhe më tutje të organizohet dhe mbahet në Preshevë, sepse ishte unik dhe i veçantë përkah përmbajtja folklorike-etnografike nga festivalet të tjera burimore të këngës dhe vallës në Shqipëri, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të trevave shqiptare.

 

Aspekte të valles popullore shqiptare sipas ndarjes gjeografiko-rajonale

 

Në aspektin gjeografiko-territorial, Karadaku përfshin: Shkupin, Kumanovën, Likovën, Vitinë, Gjilanin, Preshevën dhe Bujanocin.

Presheva është komunë shqiptare që shtrihet në Luginën e Preshevës dhe përfshin vendbanimet e Karadakut, në perëndim dhe të Rujenit , në lindje.

Me Kongresin e Berlinit, më 1878 formohet Kazaja e Preshevës, në Sanxhakun e Prishtinës, Vilajeti i kosovës, e cila përfshin edhe nahinë e Bujanocit dhe të Tërgovishtes deri më vitin 1912.

Me themelimin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, Presheva i takoi Banovinës së Vardarit, me qendër në Shkup deri më vitin 1945, kur i takoi pa vullnetin e Popullit Serbisë.

Deri në këto vite, Bilaçi vendbanim ku lindi kaçaku dhe legjenda e kësaj ane, Deli Agush Aga, për të cilin u thurrën këngë për te dhe trimëritë e tij kundër zullumqarëve të atëhershëm turkë. Pos asaj  populli  i këndoi Deli Agushit, më vonë pos këndimit populli, krijuesi anonim e luajti edhe Vallen e Deli Agushit.

 

SHKA “Abdulla Krashnica” në Belgjikë, më 1980
SHKA “Abdulla Krashnica” në Belgjikë, më 1980
Grupi i Vallëtarëve i SHKA “Abdulla Krashnica” Preshevë

 

Emërtimet e valleve preshevare janë më të ndryshmetë. Kështu ka emërtime sipas origjinës dhe vendit ku luhet vallja: Vallja e Preshevës “Preshevka”, Vallja e Miratocit:”Miratocka”.

 

Shpesh vallet emërtohen me vargun e parë të këngës: vallja preshevare :”Ani jom e ligë, ani jom tue dekë…”, vallja preshevare:”Dimke, Dimke Popova…”, vallja preshevare:”Pembe, Pembe…”

Në Preshevë nuk mungojnë emërtimet e valleve edhe sipas veshjes, gjegjësisht sipas mjetit që përdoret për ta udhëhequr vallen: vallja preshevare: “Vallja e Mahramës”/shamisë/.

Poashtu në Preshevë dhe në rrethinë të saj kemi valle popullore  që mbajnë vulën e kohës, trimave, kaçakëve në kohën e Turqisë apo ndonjë kohe tjetër: Vallja e Deli Agushit.

Vallet preshevare i takojnë valleve popullore shqiptare me përmbajtje epike: Vallja e Deli Agushit, Vallja e Miratocit dhe Vallja e Preshevës, epike-lirike: vallja preshevare;Vallja e Mahramës, vallja : Ani jom e ligë, ani jom tue dekë, vallja preshevare: Dimke, Dimke Popova, vallja preshevare: Pembe, pembe dhe lirike: vallja e Preshevës: Tarazejbek.

Të gjitha vallet popullore preshevare luhen në gjysmë rrethi, krah më krah, dorë për dore, brez më brez dhe ajo vallja Tarazejbek luhet karshi-karshi.

 

Aspekte të valles popullore shqiptare preshevare dhe përcjelljes muzikore të saj

 

Në Preshevë, gjatë historisë së valles popullore shqiptare kemi përcjellje muzikore nga më të ndryshmetë.

Kështu më 1937 formohet Shoqëria Shqiptare “Hamijet”, orkestrinën e së cilës e përbënin: Haki Liça-harmonikë, Zenun e Ibrahim Meçaj-mandolinë, Sadri Qazimi i Mulla Qazës-Def. Në kuadër të orkestrinës kishte edhe dajre, tarabuk dhe klarinet.

Me këtë orkestrinë këndohej dhe luheshin vallet popullore preshevare.

Në Preshevë, më 1951 kemi grupin e daulles dhe zurlës që e përbënin Emin Abazi dhe baba i tij Abazi, romë nga Presheva. Grupi vepronte në kuadër të SHKA “Abdullah Krashnica” dhe bënte përcjelljen e valleve popullore shqiptare në dasma, gazmende e tjerë.

Më vonë kemi grupin prap të zurlave dhe të daulles me Zijadin dhe Emin Abazi, romë nga Presheva. Për trashëgimin folklorike, gjegjësisht të daulleve dhe zurlave të familjes Abazi, e vazhdon edhe Taip Abazi me klarinet e zurle.

Poashtu, në Preshevë, një kohë të gjatë në përcjellje të këngëve dhe valleve luan rol edhe grupi i Sadri Maxhupit me klarinet dhe Zejnë Maxhupit me def.

Më vonë lajmërohet grupi i Rafet Maxhupit me klarinet, i cili i përcillte këngët, vallet popullore shqiptare, por edhe vet grupi këndonte.

Pas viteve 1995 lajmërohen një mori grupesh muzikore: Dasmorët, grupi muzikor Presheva e tjerë, të cilët bëjnë muzikë në dasma dhe gazmende të ndryshme.

Kohëve të fundit, në Preshevë lajmërohen edhe grupet e daulleve dhe zurlave shqiptare. Ndër ta është edhe grupi i Dilaver Limanit nga Strezoci, i cili bënë përcjelljen e valles popullore shqiptare në dasma dhe gazmende të ndryshme familjare.

Poashtu të përmendim edhe grupin e Zijush Kamberit nga Garja e Preshevës, me daulle dhe zurle.

Vallen burimore popullore shqiptare e kultivoi prej kohësh, së pari SHKA “Presheva” pastaj SHKA “Abdullah Krashnica” dhe kohëve të fundit SHKA “Rexho Mulliqi”.

Shoqëria kulturore artistike “Presheva” dhe Shoqëria kulturore artistike “Abdullah Krashnica” e kultivuan dhe e luajtën vallen popullore preshevare kudo që jepnin koncerte: në preshevë, në Maqedoni, në Kosovë, në Bosnje, në Belgjikë.

Pra, këto dy Shoqëri këndonin dhe luanin ashtu si këndohet dhe luhet në Preshevë.

Pas ndërprerjes së aktivitetit të këtyre Shoqërive të përmendura, aty kah vitet 80-ta të shekullit XX, morën hov të madh me shfaqjet e tyre koncertale këngë e valle popullore të Karadakut shumë SHKA të Shkupit, Kumanovës, Vitisë, Gjilanit, Bujanocit.

Këto filluan që në vallet popullore preshevare të fusin elemente koreografike dhe stilizime. Bile, disa nga vallet preshevare filluan të marrin edhe emërtime të tjera.

Mund të thuhet se vetëm SHKA”Bajram Curri” i Shurdhanëve ruan burimoren e valles preshevare.

 

Përfundime të Tribunës shkencore

 

Nga Tribuna shkencore u shtresuan këto përfundime:

 

-Tribuna shkencore arsyetoi qëllimin e mbajtjes dhe organizimit të saj, duke e sensibilizuar çështjen e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë, si dhe motivoi shumë ekspertë etnokoreografë, etnomuzikologë, etnokoreologë, muzikologë, koreografë, vallëtarë të marrin pjesë në Tribunë me kumtesa ose thjeshtë të jenë pjesëmarrës e të interesohen më tepër për vallen popullore preshevare,

-Tribuna shkencore ishte e suksesshme në realizimin e shqyrtimit dhe trajtimit të aspekteve të ndryshme të valles popullore shqiptare të Preshevës dhe rrethinës,

-Treva e Preshevës është e pasur dhe e begatshme me material folkloriko-etnografik, sidomos me valle burimore, të cilat duhet të hulumtohen, të gjurmohen, të studiohen, të evidentohen,të regjistrohen dhe të ruhen ashtu sië janë burimore,

-Përshkak të mungesës së Institucioneve përkatëse në Preshevë, detyrën e hulumtimit, gjurmimit, studimit duhet ta marrin ekipet e etnomuzikologëve, etnografëve, etnokoreologëve të institucioneve përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës,

-Tribuna shkencore një ditore ishte kohë e shkurtër për ta shqyrtuar dhe trajtuar një temë aq komplekse :”Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe në rrethinë” andaj në të ardhmen duhet organizuar një tribunë shkencore dyditore, duke e mbeshtjellë edhe me programe të tjera kulturo-artistike dhe

-Tribuna shkencore përfundoi, sidomos ishte shumë kategorik z.Dilaver Kryeziu, drejtor i Ansamblit “Shota” në kërkesën e tij që Festivali i Këngës dhe Valles Popullore Shqiptare të vazhdohet të organizohet në Preshevë.

 

/Autori është kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë/

 

Preshevë, më 09 janar 2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx