Udhëpërshkrim
Milazim Kadriu: U shënua 12 vjetori i betejës së Tabeve të Llapashticës
E merkure, 29.12.2010, 08:58 PM
U SHËNUA 12 VJETORI I BETEJËS SË TABEVE TË LLAPASHTICËS DHE U PËRKUJTUAN DËSHMORËT E RËNË NË KËTË BETEJË
DEMAÇI: HERONJ JANË ATA QË E DESHËN LIRINË MË SHUMË SE JETËN E TYRE
Nga Milazim KADRIU
Betejat e dhjetorit të zhvilluara në Llap që filluan më 24 dhjetor e që nuk pushuan për pesë ditë me radhë, njihen si Beteja e Tabeve të Llapashticës që është një vend strategjik dhe që filluan aty më 24 dhjetor 1998. Kjo ishte njëra ndër betejat më të rëndësishme të luftës së lavdishme të UÇK-së në ZOLL. Beteja e 24 dhjetorit 1998, e zhvilluar në vendin e quajtur Tabet e Llapashticës , afër Podujevës ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim në Glalmnik,Kastrat e fshatra tjera. Kjo betejë në historinë më të re të luftës sonë për liri, njihet edhe si beteja e "Tabeve të Llapashticës". Ky vend, gjithmonë është konsideruar një vend shumë strategjik për luftë. I tillë ishte edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku sidomos më 24 dhjetor 1998 u zhvillua edhe njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në ZOLL kundër hordhive pushtuese serbe. Ishte 24 dhjetori i vitit 1989 ku filluan betejat e pareshtura në ZOLL-it, ndërsa Llapashtica ishte shndërruar në një kala të pathyeshme për tre muaj me radhë, muret e saj ishin çelikosur nga luftëtarët e lirisë që u bënë gur kalaje dhe nuk mundej ti rrënonte e tërë ajo makineri luftarake e pushtuesve sllav. Luftëtarët e lirisë u hidhnin si luaj mbi tank dhe nuk lëshonin pozicionet. Jeta e tyre ishte një hiq para qëllimeve që kishte lufta jonë çlirimtare. Ata dëshmuan me jetën e tyre se si duhet jetuar, luftuar dhe si duhet të vdiste për lirinë e atdheut. Ishte vazhdimësia e luftës së Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Luan Haradinajt, Mehë Ukës etj
Në këtë betejë u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica . Para emrit dhe veprës së dëshmorëve ,që ranë në këtë betejë dhe në betejat anekënd Kosovës , përulemi me respekt të veçantë. Atyre u takon lavdia e historisë dhe respekti nga të gjithë ne , ngase falë atyre ne jemi të lirë.
Rezistenca e fuqishme në Tabet e Llapashticës riktheu jehonën e betejave të mëdha shqiptare si të Grykës së Kaçanikut e Grykës së Carralevës.
Në këtë betejë ranë dëshmorët Isë Havolli, Ismet Dërguti, Miftar Zejnullahu, Lulëzim Jashari,Skënder Zejnullahu, Bajrush Murati, Avni e Fatmir Selmani,Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.
Udhëheqësi i manifestimit Avdulalh Balkqori duke prezantuar të pranishmit në hapje të manifestimit ndër tjera tha se këtu është Kruja e Kosovës. Duke e ftuar për ta marrë fjalën Adem Demaçi e prezantoi si simbolin e qëndresës,humanist,publicist dhe hero o gjallë i Kosovës .Me të marr fjalën Adem Demaçi tha se Heronj janë ata që guxuan të luftonin ndaj robëruesve tanë. Heronj janë ata që e deshën lirinë më shumë se jetën e tyre .Heronj janë ata të cilët nuk lejuan që të qëndrojmë më tutje në robëri. Nuk deshën që të tërhiqen dhe këtu në Llapin e mbuluar me borë, të shtrënguar me acar kur hordhitë e çetnikëve të Beogradit erdhën të shtypnin Llapin heroik. Këtu e gjetën përgjigjen që meritonin. Prandaj ne e kujtojmë sot dhe do ta kujtojmë gjithmonë Betejën e Tabeve sepse ishte në mbarim të 99-ës përgjigja edhe për çetnikët e Beogradit dhe skeptikëve të Evropës dhe Botës, se shqiptarët nuk do të kënaqen me kurrfarë autonomie, me kurrfarë dallaveresh, po kërkojnë lirinë dhe janë të gatshëm të vdesin për lirinë e vetë. Këtu i kemi heronjtë tanë që ranë pikërisht në këtë vend. E ne do ti kujtojmë dhe do ta kujtojmë të kaluarën tonë. Nuk do të lejojmë ta harrojmë të kaluarën tonë sepse do të pësojmë keq tha Demaçi.
Në varrezat e fshatit Llapashticë u zbulua lapidari për dëshmorin Isë Havolli që ra në këtë betejë duke u hidhur mbi tank si Mic Sokoli dikur në grykën e topit. Lapidarin ia ngritën lagja e Havollëve. Në këtë përkujtim ku merrnin pjesë përpos familjarëve të dëshmorëve edhe bashkëluftëtar të dëshmorëve,qytetarë të shumtë të Llapit e më gjerë u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek Lapidari te Tabet e Llapashticës ,te lapidari në Kastrat dhe tek Lapidari i Isë Havollit. Në fund për të pranishmit u dha edhe një program kulturo artistik.
LLAPAHTICË -24 DHJETOR
Viti 1998, 24 dhjetor
Acar i thatë dhe shumë borë
Armiku me shumë tank
Në Tabe mësyn me dalë.
Aty qëndruan shqipet e malit
Sypatrembur si gjithherë
Baca Isë shtrëngoi bombat
Dhe nga tanku u nis drejt.
U hodh mbi tank
Mic Sokoli i Llapit
Tankun e armikut e shkatërroi
Ndërsa vet në pavdekësi shkoi.
Humbje të mëdha armiku
Atë ditë në Tabe ka pësuar
Luftë e rreptë u zhvillua
Gjashtë dëshmor ranë duke luftuar.
Ranë Isë Havolli e Bajram Murati,
Ra komandant Ismet Dërguti
Bashkë me Skënder e Miftar Zejnullahun
Dhe Qingjin, Lulëzim Jasharin.
Kurse po atë ditë në Vendenis
Ranë Avni e Fatmir Selmani
E në Kastra,Remziu e Jetullahut
Ata djem të ri, s’ju dhimbsej jeta për liri.
Ne sot me nderime i kujtojmë
Dhe Betejën e Tabeve të Llapashticës
Historia jonë me shkronja të arta
Për brezat e ardhshëm do ta shënoj.
S’ BASHKU JETOJMË NË LIRI
Për 15 dëshmor,
U ngrit ky lapidar
Gjaku i tyre gurëzuar
Ditë e pashuar.
Pesëmbëdhjetë dëshmorë
Në Llapashticën heroike
Luftuan pa ndal
Në UÇK – së legjendare.
Jetën e flijuan
I kujtojmë me krenari
Falë veprës së tyre
Ne jetojmë në liri.
Përmendorja kujton veprën e tyre
Përherë me krenari
S’ bashku me ne, të pandarë
Jetojnë në të shtrenjtën – Liri.