E enjte, 01.05.2025, 07:27 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Sylejman Morina: KF "Arbanasi'' feston 100 vjetorin e themelimit

E diele, 12.12.2010, 08:58 PM


Gjenerata kampione e Dalmacies 1954, foto e marr nga libri  i Drago Mariq -Bernard Kotlar, sporti te Arbneshet e Zares
Gjenerata kampione e Dalmacies 1954, foto e marr nga libri i Drago Mariq -Bernard Kotlar, sporti te Arbneshet e Zares

KF "ARBANASI" FESTON 100 VJETORIN E  THEMELIMIT

 

Nga Sylejman Morina

 

Ndoshta tingëllon si e pabesueshme kur thuhet se ekipi futbollistik i arbneshëve të  Zarës KF "Arbanasi" (KF "Arbneshi") është ekipi më i vjetër në  Dalmaci, më i vjetër  edhe se sa ekipi legjendar i "Hajdukut"   të Splitit. Sipas kryetarit të klubit, Edi Peroviq, sivjet, në muajin nëntor, festohet 100 vjetori i ekzistimit të KF "Arbneshi". Arbëreshet e Zarës, fill pas 184 vjetëve të vendosjes së  tyre në Zarë, më 1910, formuan seksionin futbollistik,  KF "Zmaj".  E quajtën  kështu për  hir    Vicko Zmajeviqit, njeriut me të cilin  është i lidhur fati i shpërnguljes së tyre nga rrethinat e Mbishkodrës në Zarë, më 1726. Sipas kryetarit, programi festiv është paraparë të ketë akademinë  solemne, ekspozitën me fotografi kushtuar historikut të klubit dhe ndeshjen e veteranëve të KF "Arbanasi" me  atë të "Hajdukut" të Splitit. Për këtë jubile të  rëndësishëm, Bernard Kotlar, së bashku me miqtë  e bashkëpunëtoret e tij, arbëneshin  mr. Ivica Mateshiqin  - Jeremija, dhe historianin e sportit, mikun e madh të arbneshëve, Drago Mariqin, e ka përgatitur  një film dokumentar kushtuar klubit të arbneshëve. Kontaktet e para djelmoshat arbneshë,  me këtë lojë e kishin pasur  ende pa e formuar klubin-para vitit 1910. Ata, në fushat e Arbneshit kishin luajtur futboll me ushtarët çekë, që shërbenin në kuadër të ushtrisë austrohungareze në Zarë. Çunat  arbneshë  vetë e kishin ndrequr një topin nga fshikëza e derrit. Për këtë manifestim historik Zhupanija e Zarës ndau 1.500.00 kuna. Për angazhimin e Edit në organet drejtuese të klubit dhe disa  njerëzve të tjerë autoritativë ka  ndikuar z. Bozhidar Kallmeta,  ministër aktual në qeverinë kroate të transportit, i cili konsiderohet  politikan i madh kroat  me origjinë  arbneshe, i cili kurrë nuk e ka  mohuar origjinën e tij  dhe  gjithherë është interesuar për arbneshët.

 

Kush  është  Edi Peroviqi?

 Edi Peroviqi është arbnesh  nga  familja e njohur e Peroviqëve. Me profesion është inxhinier i ndërtimtarisë, i cili ka jetuar 20 vjet në Kanada, ndërsa u kthye në vitin 2004. Postin e kryetarit  të klubit e mori pas dorëheqjes së z. Mario Nikpali më 2007. Edi  ka  vizion  dhe  energji të madhe, me shprehi pune  perëndimore, të cilën e zbaton edhe në kompaninë e tij private në Zarë. Ky, pas  marrjes së postit të kryetarit në vitin e kaluar, ishte i interesuar të bënte ndryshime. Njëra nga ato ishte kthimi i ekipit  në amatorizëm, ku lojtarët  nuk do të financoheshin nga klubi; inkuadrimi  i  arbneshëve  në klub, formimi i shkollës së futbollit etj. Megjithatë, preokupimi  kryesor i tij është si të bëhet rikthimi në fushën e tyre në Arbnesh. Si zgjidhje ka propozuar ndërtimin e fushës në vendin e  quajtur Gjiu i Bregdetit.

     Tani  në klub janë angazhuar 200 anëtarë, të cilët janë të ndarë  në shtatë seksione. KF "Arbanasi"  bën gara në ligën  e Zhupanisë së Zarës dhe është i radhitur në vendin e pestë  në tabelën  e klasifikimit.

 

Rikthimi i emrit të KF "Arbanasi"

Themelues  të klubit ishin arbneshët: Ante Marushiqi, Mate Kërstiqi, Josip  Shvol Petani etj. Gjatë hististorisë  klubi ka kaluar në situata e faza të ndryshme historike, si  edhe  vetë qyteti  i Zarës, e  arbëreshët në veçanti. Në vitin 1946 emërohet "Arbanasi",  ashtu si i quajnë  vendësit, arbneshët. Këtë emër e mban  deri më 1955, pastaj  i ndryshohet në  "Fabrika e duhanit", që e mbajti deri më 1956, ndërsa prej 1956 e deri më 1991 e mbajti emrin "Omladinac". Pas  vitit 1991 i rikthehet emri KF "Arbanasi". Anëtarët e klubit e mbajnë uniformën e bukur  kuq e zi që nga viti 1952. Sipas  gazetarit të njohur  arbnesh,  Bernard Paleka nga Zemuniku,  "emrin "Omladinac" klubi e  mbaji gjatë, pra deri  në shkatërrimin e  Jugosllavisë", ndërsa  kryetari i parë  që përjetoi rikthimin e  emrit, KF "Arbanasi", që në shpirt e kishin arbneshët Angjelo Mazija, ishte shprehur: "Kjo është fitorja  më e dashur në 82 vjetorin e lojës së futbollit  në Arbnesh, e cila të gjithë neve na jep motiv  të veçantë për punë" (Drago Mariq & Bernard Kotlar, "Sport kod  Zadarski Arbanasa" (Sporti te Arbneshët e Zarës, faqe 86). Vërtet ishin  kohëra e rrethana, kur politika  kishte ndikim në klub. Pas viteve  të shtatëdhjeta kisha kontakte me shumë arbneshë,  të cilët  ishin të pakënaqur me ndërrimin e emrit  të ekipit të tyre, me të cilin  identifikoheshin. Ata  mendonin se ndërrimi i emrit është bërë për shkaqe politike. Bindja e tyre mund të konsiderohej si e  mundshme, sepse  elementi komunist serb ishte me  ndikim  në Kroaci, e sidomos në Dalmaci e, për ta, as shqiptarët e as arbneshët nuk ishin në sy të mirë. Në pyetjen tonë drejtuar gazetarit, z. Bernard  Palekës: "A   mendon  se politika ishte e implikuar në këtë rast?", Paleka ishte shprehur: "Sigurisht që  edhe politika lokale  e shtetërore ka pasur ndikim   në ndërrimi e emrit, si edhe në strukturën  e udhëheqjes  dhe  në vetë ekipin, por për mua  më rëndësishmja është se  klubi  ka  qëndruar  dhe tani vepron".

 

KF "Arbanasi" e do stadionin  në Arbanas

KF "Arbanasi", pos  ndërrimit të emrit,  iu muar  edhe  fusha e vet e futbollit. Disa herë u shpërngul  nga njëra  fushë në tjetrën, e kjo pati shumë pasoja  për këtë klub, e sidomos për  simpatizuesit. Edhe Paleka është i mendimit se "Problemi kryesor është mbetja pa stadion  në mesin e Arbneshit, problem ende  i pazgjidhur deri më sot". Prandaj,  kryetari  i ri, tejet ambicioz e largpamës,  i preokupuar  për kthimin e ekipit  në mesin e arbneshëve, por kjo do të varet  edhe nga strukturat e tjera të  qytetit të Zarës.  KF "Arbanasi" i zhvillon   ndeshjet larg simpatizuesve të vet, në pjesën tjetër të  qytetit, ndërsa në ekip luajnë tani vetëm dy arbneshë. Për gazetën "Slobodna Dalmacija",  të datës 16. 08. 2010, Edi ishte shprehur: "Mendoj  se klubi  lokal  duhet të jetojë nga përkrahja lokale, ...  Në ekip të parë i kemi vetëm dy arbneshë ..... Shikuesit nuk mund të identifikohen me ekipin ...  Ne kemi mbetur pa identitet.  Këtë çast, prioritet  kryesor imi është  kthimi i shpirtit  klubit, e jo rezultatet..."

Klubi i arbneshëve ishte  fidanishte për futbollistë e për ekipe të tjera. Suksesi më i madh i ekipit të arbneshëve ishte  ai i vitit 1954, kur kishin fituar edhe kupën e Dalmacisë. Arbneshët kishin dhënë futbollistë  të shumtë, që kishin  luajtur edhe në ekipe të tjera dhe jashtë  kufijve të Jugosllavisë. Ne po i përmendim  vetëm ca emra të futbollistëve arbneshë, që kanë luajtur  për ekipin  e arbneshve  KF "Arbanasi", edhe  atëherë kur klubi kishte emërtime të tjera, si: Kërsto Petani, Josip Marushiqi,Angjelo Mazija , Milo Petani, Gjani Musapi,  Gjani Mateshiqi, Ivan Musapi, Shime Mazija,  Sinisha Petani,   Rade Petani,   Mario Nikpali. Pati edhe emra të mëdhenj   të futbollistëve arbneshë,  që luajtën  në ekipe të tjera,  e disa edhe në klube  jashtë Jugosllavisë: Mate Shestani, Kopenhagë; Gjani në Francë, Livio Kotlari, në Zvicer etj, Ndëkaq, futbollisti   më i mirë  arbresh konsiderohet Vice Mazija .

Arbneshët  janë të njohur edhe si këngëtarë të mirë. Simpatizuesit arbneshë e kishin krijuar edhe  himnin e tyre, që, pas fitoreve,  buçiste kënga në tri strofa në kroatisht:

 

             "Hej, hej, arbneshë jemi ne,

             Këso djelmoshash në botë s'ke.

             Kudo shkojmë, atje këndojmë

             Dhe tërë botën e ngacmojmë.

             Hej, hej, arbneshë jemi ne"*

 

(Drago Mariqi e Bernard Kotlari, "Sport kod Zadarskih Arbanasa", f.  65 )

 A mund të funksionojnë klubi i bazuar në amatorizëm në kohen e këtj komercializmi  të tepruar gjithkund. Edi e  kishte  shpjeguar në  gazetës kroate "Zadrski List", se: "Arbneshët gjithmonë kanë jetuar me klubin e tyre, kemi pasur  lojtarët dhe simpatizuesit tanë dhe askush nuk është dashur të paguhet". Ndërkaq, mesazhi i tij ishte:  "Duam ekipin e seniorëve,  në të cilin  do të jenë  ata që e duan  vendin e tyre dhe klubin  tyre dhe, për të cilët, shpërblimi më i madh   për ta do të ishte se mund të luajnë për arbneshët.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx