Udhëpërshkrim
Vasil Filipi: Në Filadelfia festohet festa e Flamurit
E hene, 06.12.2010, 10:59 PM
Duke u kenduar Himni i Flamurit
NE FILADELFIA FESTOHET FESTA E FLAMURIT
Nga Vasil Filipi
Eshtë bërë traditë e bukur festimi i Pavarësisë së Shqipërisë ndër shqiptarët e Filadelfias,traditë kjo e herëshme. Ajo e ka nismën qysh në shekullin e kaluar, kur Ismail Qemal bej Vlora me shokë, të gjithë patriot të zjarrtë, ngritën flamurin në Vlorë dhe emigrant shqiptarë në Amerikë filluan të shtohen në numër. Kështu në Filadelfia filluan të mblidhen çdo vit për këtë datë të shënuar. Në muzeun e vogël të Shoqatës “Bijtë e shqipes”, në qendrën kulturore të saj, ruhen fotografi ku janë fiksuar momente të festimeve të përbashkëta të shqiptarëve në qytetin e Filadelfias. Një prej tyre, që daton në vitin 1958, tregon qartë se janë rreth 400-450 shqiptarë të mbledhur së bashku për të festuar në restorantin e bukur të hotel Sheraton.
Në 10 vjeçarin e parë të shekullit tonë vazhdon të ruhet kjo traditë e bukur. Eshtë këshilli drejtues i shoqatës “Bijtë e shqipes” që kujdeset për ruajtjen dhe vazhdimin e kësaj tradite, duke marë përsipër përgatitjen e këtij festimi dhe zhvillimin normal të tij.
Kështu ndodhi edhe këtë vit. Festimi i Pavarësisë së Shqipërisë u bë ditën e Shtunë më 27 Nëntor. Rreth 450 bashkatdhetarë mbushën sallën e bukur të restorantit Cannstatter V – V në mbrëmjen e kësaj date.
Kishin ardhur për të festuar së bashku me bashkatdhetarët e Filadelfias edhe ata nga disa rrethina të këtij qyteti të madh. Kishin ardhur edhe nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Konektikat dhe Baltimore. Po ashtu merrte pjesë edhe z. Alan Kurtz i kandiduar nga Partia Demokratike për postin e sherifit të Filadelfias. U bashkuan në këtë festim, të ftuar nga këshilli drejtues i shoqatës z. Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve Shqiptaro – Amerikan, së bashku me bashkëshorten, z. Mëhill Velaj, poet e shkrimtar, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Poetëve Shqiptaro – Amerikan, si dhe poetja e shkrimtarja znj. Raimonda Moisiu.
Në këtë mbrëmje festive ishin ftuar nga Shqipëria edhe dy këngëtarë të dëgjuar, tenori i suksesshëm Kastriot Tusha dhe këngëtarja simpatike Mariza Ikonomi të shoqëruar nga grupi orkestral “Alba” me drejtues artistik z. Edmond Xhani.
Mbrëmja festive filloi me himnet e Amerikës dhe të Shqipërisë që u kënduan nga të gjithë festuesit në sallë, të ngritur në këmbë.
E hapi këtë mbrëmje z. Petrit Zanaj, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”. Mbasi falenderoi bashkatdhetarën në sallë dhe ju uroi atyre festën e madhe ia dha fjalën znjsh. Erblina Koka, n/kryetare e dytë e shoqatës. Në fjalën e saj znjsh. Erblina Koka mbasi uroi të pranishmit për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, midis të tjerave tha:
“…..28 Nëntori do të ngelet gjithmonë një ditë historike dhe e çmuar për kombin tonë. Në këtë ditë, 98 vjet më parë, shqiptarët i dhanë fund sundimit osman që zgjati pothuajse 500 vjet. Kujtojmë sot heronjtë e tokës mëmë që derdhën gjakun në mbrojtje të lirisë. Kujtojmë sot themeluesit e Pavarësisë, delegatët e të gjitha trojene shqiptare që u mblodhën në Vlorë, me në krye Ismail Qemalin dhe krijuan shtetin e parë Sovran shqiptar…….”
Kurse z. Alan Kurtz, që përshëndeti pas fjalës së znjsh. Erblina Koka tha:
“…….Ndjehem shumë i kënaqur që marr pjesë së bashku me ju në festën tuaj kombëtare duke mu krijuar mundësia që të prezantoj para jush kanditaturën time për postin e sherifit të Filadelfias……..”
Pastaj zërat e këngëtarëve tanë të njohur Kastriot Tusha dhe Mariza Ikonomi të shoqëruar nga grupi orkestral “Alba” buçitën në sallë, kurse bashkatdhetarët që mbushën plot pistën e vallzimit duke kërcyer valet tona të bukura popullore apo duke vallëzuar nën ritmin e muzikës së lehtë, gjallëruan sallën.
Festuesit u ndjenë të kënaqur, mbasi programi artistik i hartuar me mjaft variacione, me pjesë nga të gjitha trevat shqiptare dhe të interpretuar me mjaft mjeshtëri nga të dy këngëtarët, plotësonte shijet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbrëmje festive. Këtë e tregonte më së miri fakti që burra e gra, të rinj e të reja, dhe jo vetëm të rinjtë në moshë por edhe të moshuarit, shumë pak i shikoje të ulur nëpër tavolina për të shijuar ushqimin e bollshëm dhe cilësor që servirej, kurse kohën më të shumtë i shikoje duke vallzuar. Dhe ne shqiptarët kemi një veçori të bukur, se kërcejmë aq mirë valet popullore sa edhe vallzojmë me muzikën e lehtë, nga tangua e qetë deri në rokun shpërthyes. Në këmbë nuk shikoje vetëm të rriturit por edhe fëmijët, mandej të veshur me kostume popullore.
Në këtë festim është bërë traditë shoqërimi edhe me hedhjen e shortit për fitimin e shumë objekteve të vendosura nga shoqata si edhe të sponsorizuara nga biznesmenët tanë në Filadelfia. Këtë vit dhuruan znj. Silvana Çumani, mjeke dentist, z. Eldion Pajollari, agjent financiar në kompaninë “State Farm”, z. Ervin Rrokaj dhe z. Eldi Gjoci, rinovim kuzhine dhe banjo, shitje materiale por edhe shërbime në shtëpi,që dhuruan një televizor “Samsung” 32 polç, si dhe z. Sadik Elshani dhe z. Arben Xheka. Këta dhurues i prezantoi z. Petrit Zanaj, prezantim që u shoqërua me duartrokitje. Pastaj z. Vlashi Fili i ndihmuar nga z. Viktor Furxhi dhe dy vogëlushe që tërhiqnin numërat fitues, shpallte fituesit. Llotaria ngjalli interesin e të gjithëve, interes ky që arriti kulmin në çmimin e madh, televizorin “Samsung”, që ishte lënë kasten për në fund. Të gjithë po prisnin me kureshtje se kush do ta fitonte këtë çmim dhe kur u komunikua numëri fitues u dëgjuan të thirurat e gëzuara në tavolinën ku u fitua, si dhe psherëtimat e të tjerëve që nuk mundën ta bënin të tyre këtë çmim.
Në vazhdim përsëri muzikë, këngë, valle dhe salla kaloi nga një qetësi fiktive që mbizotëroi gjatë hedhjes së shortit të llotarisë, në gëzimin, harenë dhe zhurmimin që shkaktuan dhjetra e qindra bashkatdhetarë në pistën e vallzimit të mbushur plot në çdo moment që buçiste muzika.
Z. Florian Bezhani, që filmoi momentet më të rëndësishme të kësaj mbrëmje, me intervistat që mori nëpër tavolina, bëri të mundur që ky festim të jetë i dokumentuar për t’u ruajtur në arkivin e shoqatës.
Kështu së bashku dhe me një ambjent të ndezur e të gëzuar, kaluan plot pesë orë. Rreth orës 12:30 të mesnatës salla filloi të boshatisej e të qetësohej. Të gjithë uronin këngëtarët dhe grupin orkestral për kënaqësinë që u falën. Pastaj uronin e falenderonin, Llazarin, Petritin, Vlashin, Sadikun, Erblinën, Suzanën, Viktorin, Elvirën, Bashkimin e Dhimitraqin, si anëtarë të këshillit drejtues të shoqatës dhe organizatorë të kësaj mbrëmje festive, për organizimin shëmbullor dhe ecurinë normale të mbrëmjes, e largoheshin nga salla me urimin: “Ta gëzojmë festën e Flamurit. Kështu u mbledhshim përherë.
Filadelfia, 28 nëntor 2010
Z. Petrit Zanaj ne fjalen e hapjes |
Znjsh. Erblina Koka ne fjalen e rastit |
Këngëtarët Kastriot Tusha dhe Mariza Ikonomi |
Pista e vallëzimit është gjithmonë plot |
Fëmijë i veshur me kostum popullor |
Moment nga llotaria e organizuar në këtë mbrëmje |
Një foto me miqtë është kujtim i bukur |
Një kujtim se bashku me këngëtarët dhe orkestrantët |
Vlashi Fili dhe Mariza Ikonomi |