| E diele, 12.12.2010, 08:58 PM |
Gjenerata kampione e Dalmacies 1954, foto e marr nga libri i Drago Mariq -Bernard Kotlar, sporti te Arbneshet e Zares
KF "ARBANASI" FESTON 100 VJETORIN E THEMELIMIT
Nga Sylejman Morina
Ndoshta tingëllon si e pabesueshme kur thuhet se ekipi futbollistik i arbneshëve të Zarës KF "Arbanasi" (KF "Arbneshi") është ekipi më i vjetër në Dalmaci, më i vjetër edhe se sa ekipi legjendar i "Hajdukut" të Splitit. Sipas kryetarit të klubit, Edi Peroviq, sivjet, në muajin nëntor, festohet 100 vjetori i ekzistimit të KF "Arbneshi". Arbëreshet e Zarës, fill pas 184 vjetëve të vendosjes së tyre në Zarë, më 1910, formuan seksionin futbollistik, KF "Zmaj". E quajtën kështu për hir të Vicko Zmajeviqit, njeriut me të cilin është i lidhur fati i shpërnguljes së tyre nga rrethinat e Mbishkodrës në Zarë, më 1726. Sipas kryetarit, programi festiv është paraparë të ketë akademinë solemne, ekspozitën me fotografi kushtuar historikut të klubit dhe ndeshjen e veteranëve të KF "Arbanasi" me atë të "Hajdukut" të Splitit. Për këtë jubile të rëndësishëm, Bernard Kotlar, së bashku me miqtë e bashkëpunëtoret e tij, arbëneshin mr. Ivica Mateshiqin - Jeremija, dhe historianin e sportit, mikun e madh të arbneshëve, Drago Mariqin, e ka përgatitur një film dokumentar kushtuar klubit të arbneshëve. Kontaktet e para djelmoshat arbneshë, me këtë lojë e kishin pasur ende pa e formuar klubin-para vitit 1910. Ata, në fushat e Arbneshit kishin luajtur futboll me ushtarët çekë, që shërbenin në kuadër të ushtrisë austrohungareze në Zarë. Çunat arbneshë vetë e kishin ndrequr një topin nga fshikëza e derrit. Për këtë manifestim historik Zhupanija e Zarës ndau 1.500.00 kuna. Për angazhimin e Edit në organet drejtuese të klubit dhe disa njerëzve të tjerë autoritativë ka ndikuar z. Bozhidar Kallmeta, ministër aktual në qeverinë kroate të transportit, i cili konsiderohet politikan i madh kroat me origjinë arbneshe, i cili kurrë nuk e ka mohuar origjinën e tij dhe gjithherë është interesuar për arbneshët.
Kush është Edi Peroviqi?
Edi Peroviqi është arbnesh nga familja e njohur e Peroviqëve. Me profesion është inxhinier i ndërtimtarisë, i cili ka jetuar 20 vjet në Kanada, ndërsa u kthye në vitin 2004. Postin e kryetarit të klubit e mori pas dorëheqjes së z. Mario Nikpali më 2007. Edi ka vizion dhe energji të madhe, me shprehi pune perëndimore, të cilën e zbaton edhe në kompaninë e tij private në Zarë. Ky, pas marrjes së postit të kryetarit në vitin e kaluar, ishte i interesuar të bënte ndryshime. Njëra nga ato ishte kthimi i ekipit në amatorizëm, ku lojtarët nuk do të financoheshin nga klubi; inkuadrimi i arbneshëve në klub, formimi i shkollës së futbollit etj. Megjithatë, preokupimi kryesor i tij është si të bëhet rikthimi në fushën e tyre në Arbnesh. Si zgjidhje ka propozuar ndërtimin e fushës në vendin e quajtur Gjiu i Bregdetit.
Tani në klub janë angazhuar 200 anëtarë, të cilët janë të ndarë në shtatë seksione. KF "Arbanasi" bën gara në ligën e Zhupanisë së Zarës dhe është i radhitur në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit.
Rikthimi i emrit të KF "Arbanasi"
Themelues të klubit ishin arbneshët: Ante Marushiqi, Mate Kërstiqi, Josip Shvol Petani etj. Gjatë hististorisë klubi ka kaluar në situata e faza të ndryshme historike, si edhe vetë qyteti i Zarës, e arbëreshët në veçanti. Në vitin 1946 emërohet "Arbanasi", ashtu si i quajnë vendësit, arbneshët. Këtë emër e mban deri më 1955, pastaj i ndryshohet në "Fabrika e duhanit", që e mbajti deri më 1956, ndërsa prej 1956 e deri më 1991 e mbajti emrin "Omladinac". Pas vitit 1991 i rikthehet emri KF "Arbanasi". Anëtarët e klubit e mbajnë uniformën e bukur kuq e zi që nga viti 1952. Sipas gazetarit të njohur arbnesh, Bernard Paleka nga Zemuniku, "emrin "Omladinac" klubi e mbaji gjatë, pra deri në shkatërrimin e Jugosllavisë", ndërsa kryetari i parë që përjetoi rikthimin e emrit, KF "Arbanasi", që në shpirt e kishin arbneshët Angjelo Mazija, ishte shprehur: "Kjo është fitorja më e dashur në 82 vjetorin e lojës së futbollit në Arbnesh, e cila të gjithë neve na jep motiv të veçantë për punë" (Drago Mariq & Bernard Kotlar, "Sport kod Zadarski Arbanasa" (Sporti te Arbneshët e Zarës, faqe 86). Vërtet ishin kohëra e rrethana, kur politika kishte ndikim në klub. Pas viteve të shtatëdhjeta kisha kontakte me shumë arbneshë, të cilët ishin të pakënaqur me ndërrimin e emrit të ekipit të tyre, me të cilin identifikoheshin. Ata mendonin se ndërrimi i emrit është bërë për shkaqe politike. Bindja e tyre mund të konsiderohej si e mundshme, sepse elementi komunist serb ishte me ndikim në Kroaci, e sidomos në Dalmaci e, për ta, as shqiptarët e as arbneshët nuk ishin në sy të mirë. Në pyetjen tonë drejtuar gazetarit, z. Bernard Palekës: "A mendon se politika ishte e implikuar në këtë rast?", Paleka ishte shprehur: "Sigurisht që edhe politika lokale e shtetërore ka pasur ndikim në ndërrimi e emrit, si edhe në strukturën e udhëheqjes dhe në vetë ekipin, por për mua më rëndësishmja është se klubi ka qëndruar dhe tani vepron".
KF "Arbanasi" e do stadionin në Arbanas
KF "Arbanasi", pos ndërrimit të emrit, iu muar edhe fusha e vet e futbollit. Disa herë u shpërngul nga njëra fushë në tjetrën, e kjo pati shumë pasoja për këtë klub, e sidomos për simpatizuesit. Edhe Paleka është i mendimit se "Problemi kryesor është mbetja pa stadion në mesin e Arbneshit, problem ende i pazgjidhur deri më sot". Prandaj, kryetari i ri, tejet ambicioz e largpamës, i preokupuar për kthimin e ekipit në mesin e arbneshëve, por kjo do të varet edhe nga strukturat e tjera të qytetit të Zarës. KF "Arbanasi" i zhvillon ndeshjet larg simpatizuesve të vet, në pjesën tjetër të qytetit, ndërsa në ekip luajnë tani vetëm dy arbneshë. Për gazetën "Slobodna Dalmacija", të datës 16. 08. 2010, Edi ishte shprehur: "Mendoj se klubi lokal duhet të jetojë nga përkrahja lokale, ... Në ekip të parë i kemi vetëm dy arbneshë ..... Shikuesit nuk mund të identifikohen me ekipin ... Ne kemi mbetur pa identitet. Këtë çast, prioritet kryesor imi është kthimi i shpirtit klubit, e jo rezultatet..."
Klubi i arbneshëve ishte fidanishte për futbollistë e për ekipe të tjera. Suksesi më i madh i ekipit të arbneshëve ishte ai i vitit 1954, kur kishin fituar edhe kupën e Dalmacisë. Arbneshët kishin dhënë futbollistë të shumtë, që kishin luajtur edhe në ekipe të tjera dhe jashtë kufijve të Jugosllavisë. Ne po i përmendim vetëm ca emra të futbollistëve arbneshë, që kanë luajtur për ekipin e arbneshve KF "Arbanasi", edhe atëherë kur klubi kishte emërtime të tjera, si: Kërsto Petani, Josip Marushiqi,Angjelo Mazija , Milo Petani, Gjani Musapi, Gjani Mateshiqi, Ivan Musapi, Shime Mazija, Sinisha Petani, Rade Petani, Mario Nikpali. Pati edhe emra të mëdhenj të futbollistëve arbneshë, që luajtën në ekipe të tjera, e disa edhe në klube jashtë Jugosllavisë: Mate Shestani, Kopenhagë; Gjani në Francë, Livio Kotlari, në Zvicer etj, Ndëkaq, futbollisti më i mirë arbresh konsiderohet Vice Mazija .
Arbneshët janë të njohur edhe si këngëtarë të mirë. Simpatizuesit arbneshë e kishin krijuar edhe himnin e tyre, që, pas fitoreve, buçiste kënga në tri strofa në kroatisht:
"Hej, hej, arbneshë jemi ne,
Këso djelmoshash në botë s'ke.
Kudo shkojmë, atje këndojmë
Dhe tërë botën e ngacmojmë.
Hej, hej, arbneshë jemi ne"*
(Drago Mariqi e Bernard Kotlari, "Sport kod Zadarskih Arbanasa", f. 65 )
A mund të funksionojnë klubi i bazuar në amatorizëm në kohen e këtj komercializmi të tepruar gjithkund. Edi e kishte shpjeguar në gazetës kroate "Zadrski List", se: "Arbneshët gjithmonë kanë jetuar me klubin e tyre, kemi pasur lojtarët dhe simpatizuesit tanë dhe askush nuk është dashur të paguhet". Ndërkaq, mesazhi i tij ishte: "Duam ekipin e seniorëve, në të cilin do të jenë ata që e duan vendin e tyre dhe klubin tyre dhe, për të cilët, shpërblimi më i madh për ta do të ishte se mund të luajnë për arbneshët.