Udhëpërshkrim
Murat Gecaj: Festohet 85-vjetori i gjimnazit ''Q. Stafa''
E shtune, 11.12.2010, 08:27 PM
Takim i paharruar…
TIRANË: FESTOHET 85-VJETORI I GJIMNAZIT “Q.STAFA”
(Me këtë rast, përurohet muzeu historik i tij)
Nga: Prof.as.Dr. Murat Gecaj
Publicist e studiues
1.
Gjatë jetës sime në profesionin e gazetarit, që nga vitet ’60-të të shekullit të kaluar, sa e sa herë kam shkuar për vizitë në Gjimnazin emërmirë “Qemal Stafa”. Qëllimi ka qenë për të mbledhur të dhëna e për të shkruar në shtyp ose për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme, në kujtim të mësuesve të shquar të kësaj vatre diturie e atdhetarizmi. Por kështu, me këtë shkollë të mesme, ndër më të rëndësishmet e Shqipërisë, më ka lidhur edhe fakti se kam shkruar për të, në librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë,2001 dhe ribotim, 2008). Në të gjitha rastet, kam provuar emocione e jam ndierë mirë, kur kam mësuar e kam lexuar për historikun e këtij Gjimnazi, ku kanë dhënë mësim ose kanë qenë drejtues edhe ish-mësues e ish-pedagogë të mi ose ish-bashkëstudentë e kolegë të mi. Emrat e tyre nuk do t’i përmend këtu, se lista e tyre do të ishte e gjatë.
Pranë stendave të Muzeut…
Por dua të shënoj se dita e sotme kishte më të veçantën për mua, në lidhje me këtë shkollë të mesme. Kjo sepse drejtueset e saj, drejtoresha Mirela Berisha e koordinatorja Shpresa Bejo më bënë ftesë për të marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara, me rastin e 85-vjetorit të krijimit të saj. Të them të vërtetën, edhe më parë kam qenë në dijeni të përgatitjeve të shumta, që bëheshin për këtë përvjetor, sidomos me punën për ngritjen e muzeut dhe pasurimin e bibliotekës, për të cilat kemi dhënë një ndihmesë modeste, nga Shoqata jonë e Arsimtarëvë të Shqipërisë, bashkë me znj. Yllka Beçi, ish-drejtuese në arsimin e mesëm të Tiranës, me shkrimtarin e publicistin Viron Kona e të tjerë.
Bashkëbisedim, për vitet e shkuara…
2.
Ende pa ardhur ora 10.00, kur ishte caktuar koha e mbledhjes të të ftuarëve, mjediset e Gjimnazit “Q.Stafa” nisën të mbushen. Ndërmjet tyre, kishte mësues e drejtues dhe nxënës të brezave të ndryshëm, profesorë e studiues të fushave të larmishme të dijes, personalitete të arsimit, kulturës e shkencës e tjerë. Por kishte edhe prindër e pasardhës të ish-mësuesve vetaranë. Ndër ta, ishin edhe Prof. Osman Kraja, Rozeta Uçi, Pajtim Bejtja, Ivan Koli, Neritan Babamusta, Petrit Ristani, Agron Ahmet Gashi, Petro Skënder Luarasi, Mirnie Avni Zajmi… Takoheshin plot mallëngjim dhe bisedat ndërmjet tyre nuk kishin të mbaruar. Secili kujtonte vitet e shkuara dhe bashkërisht nderonin mësuesit e tyre, që tashmë nuk jetojnë.
Nxënëset-valltare, në skenë për festën e tyre…
Mësues e nxënës të sotëm dhe prindër të tyre, si dhe të ftuarit, të mbledhur në oborrin e saj, dëgjuan përshëndetjet e kryetarit të Bordit të shkollës, Zeni Qinami dhe kryetares së Qeverisë së Nxënësve, Amarida Demirlika. Pastaj të gjithë së bashku morën pjesë në përurimin e muzeut të ri historik. Për stëndat e mbushura plot fotografi e dokumente interesante, si dhe për trofetë e fituara gjatë jetës së këtij Gjimnazi, të pranishmëve u foli mësuesja Sh.Bejo. Tërë kureshtje, ata kaluan nga një stendë në tjetrën dhe secili përpiqej të fiksonte në kujesë ato që shihte. Mendimi i pjesëmarrësve ishte se mësuesit e drejtuesit e kësaj shkolle kanë bërë një punë mjaft të mirë e profesionale për rifreskimin e kujtesës historike dhe sjelljen para brezave të sotëm të mësuesve e nxënësve, udhën e përshkuar nga kolektivat e mëparshëm. Sigurisht, kjo gjë do t’u vlejë atyre si për mësim dhe edukim.
Vlerësime të merituara, ndër vite…
3.
Në orën 12.00 pjësëmarrësit në këtë përvjetor të shënuar të Gjimnazit të Tiranës ndoqën pjesën e dytë të veprimtarive, të organizuara në sallën e Teatrit të Operas e Baletit. Drejtuese edhe këtu ishte Shpresa Beja ose, siç e quajti një nxënës, “mësuesja më e palodhur e më special” e tyre. Ndërsa drejtoresha, Mirela Berisha bëri një pasqyrë të shkurtër të udhës, nëpër të cilën ka kaluar kjo shkollë e mesme, që nga dhjetori i vitit 1925 e deri sot. Ajo përmendi ndihmesën e pakursyer të brezave të drejtuesve e mësuesve të saj dhe u shprehu nderimin e falendërimin e kolektivit të sotëm mësues-nxënës. Në mes tyre, ishin dhe drejtorët e parë, Mihal Sharko e Safet Butka e tjerë me radhë. Janë aq shumë emra të njohur, sa duhen faqe të tëra për t’u shënuar. Ndër ta, një vend nderi zënë dëshmorët e heronjtë e luftës për liri, njëri nga ata Qemal Stafa, emrin e të cilat e mban ky institucion arsimor që në vitet ’40-të të shekullit të kaluar. Sot në këtë shkollë të mesme vijojnë 1.300 nxënës dhe u japin dituri afër 60 mësues, të përgatirur mirë nga ana profesionale.
Pastasj folën e përshëndetën: Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit e Shkencës; Lidra Biçoku e Abdulla Kollozi, ish- drejtues të Gjimnazit; ish-nxënësi Dr. Spiro Qirko etj. Gjatë tërë kohës, nga nxënësit e sotëm pati këngë, valle e recitime të frymëzuara dhe u shfaqën në ekran pjesë nga filmat, ku kanë luajtur aktorë të shquar, ish-nxnënës të kësaj shkolle. Po kështu, u ndoqën me interes edhe këngët e ish-nxënëseve, Eranda Libohova e Rovena Dilo.
Në mbyllje, pjesëmarrësit morën pjesë në koketjin e shtruar, në këtë përvjetor të paharruar të Gjimnazit “Qemal Stafa”.
Tiranë, më 1 dhjetor 2010
(Fotot nga: M.Gecaj)