E merkure, 13.11.2024, 06:27 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: I apasionuari pas thesareve të së shkuarës

E marte, 28.12.2010, 07:59 PM


Në Elbasan me koleksionistin  e numizmatikës  Vangjel Kapedani 

 

I  APASIONUARI PAS THESAREVE TË SË SHKUARËS

 

Nga Pëllumb Gorica

 

E kam bërë të udhës, që të përshkruaj mbresa, takime me miq, të portretizoj krijues, intelektual me vlera, të apasionuar pas thesareve të së shkuarës. Përsosmërisht e aftë për çdo krijues që dëshiron të shkruajë me kendvështrimin e duhur për emra që kanë synime të qarta në jetë, pasione për të bërë diçka ndryshe nga të tjerë, me vlera të veçanta dhe që i dallon në shoqëri, duke lënë gjurmë.

 Me një dëshirë të hershme e kënaqësi të veçantë, në një nga këto ditët e fund vitit 2010, u gjenda në studion e koleksionistit Vangjel Kapedani, në një nga ambientet e Bashkisë së qytetit të Elbasanit. Ndonëse nuk më ishte dhënë rasti ta njihja më parë, për të kisha dëgjuar shumë nga miqtë e mi elbasanas, por edhe lexuar në median e shkruar, ku është thënë jo pak herë për këtë koleksionist të veçantë. Siç thashë, kisha dëgjuar e lexuar dhe i nxitur nga kureshtja dëshiroja ta njihja. Studioja e tij, një ambient i vogël, por madhështor për koleksionin me objekte antike, antikuare, dorëshkrime, piktura etje. Aty vështron një përzierje midis së vjetrës, të resë, së bukurës, modernes, dhe historisë.

Të arrish të komunikosh me të është e lehtë. Pas fjalëve të para përshëndetëse, në pamje të parë të krijon përshtypjen e njeriut të qetë, por ajo që të befason është përzemërsia e tij, dëshira e interesi kur flitet për lashtësinë, thesaret e kulturës sonë, botimeve të këtilla, kërkimeve dhe objekteve antike. Kjo të imponon respekt si  shenjë e njeriut me kulturë të gjerë. Me pasionin e shenjtë dhe vizionin për veten ai është bërë i njohur me koleksionimin e thesareve të vjetra. Ky pasion i ka dhënë aq shumë emocione dhe ndihet tepër i mrekulluar nga këto objekte që e rrethojnë, por ka kaluar edhe sakrifica, shqetësime, madje, duke iu kërcënuar edhe jeta. Me shpirtin njerëzor që e karakterizon Vangjel Kapedani i ka mposhtur këto vështirësi. Dhe me një njeri të tillë të përkushtuar mund të bisedosh gjatë. Me modesti ai nis të tregon për pasionin e tij, koleksionin dhe vlerat që ai përfshin. Sigurisht ke dëshirë ta dëgjosh gjatë.

 Kur flasim e shkruajmë për Vangjel Kapedanin është tepër e rëndësishme të theksojmë se me dëshirën, pasionin e tij  ka mbi 40 vjet që gërmon, mbledh antikuare dhe objekte tepër të rralla arkeologjike, dorëshkrime të vjetra, që gjatë viteve të fundit janë bërë të njohura edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë aspak për një gjë të lehtë. Është diçka e rëndësishme që dua të nënvizoj, se ky pasion brilant është edhe kuptimi i jetës së tij. Ja vlen të nënvizohet po ashtu edhe fakti, se koleksionisti Vangjel Kapedani posedon mjaft antikuare me vlera, thesare të së shkuarës, të bëra të njohura. Ndërsa ai nis e tregon për objektet e rralla që zotëron vlerat e tyre, impresionohesh me pasionin e tij të jashtëzakonshëm. Ai nuk është kufizuar vetëm me koleksionimin e antikave, të dorëshkrimeve, të gjetjeve të rralla, por edhe si një interpretues i tyre, me shpjegime të hollësishme edhe nga këndvështrimi i historik dhe përqasjes së kohëve, kulturave, rëndësisë dhe  ndikimit. Dhe kjo tregon edhe erudicionin e tij, por edhe duke u dhënë rëndësinë e duhur që kanë këto zbulime autentike. Edhe pse e pranon që deshifrimi i tyre kërkon njerëz profesionist. Këto i ka studiuar me vëmendje të madhe me ndihmën e studiuesve, historianëve, arkeologëve. I njohur për këtë pasion nga historianë, studiues, shkrimtarë, gazetarë. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu miqësinë e tij me arkeologun Neritan Ceka, eruditin Moikom Zeqo, poligloti Zef Simoni, të cilët e kanë ndihmuar mjaft. Herë pas here mjetet e informacionit masiv shkruajnë e flasin për zbulimet e ndryshme, vlerat, pasionin e tij, por ndërkohë me modestinë që e karakterizon,Vangjel Kapedani boton shkrime ku hedh mjaft dritë mbi lashtësinë e tyre e duke zgjuar interesimin dhe kërkon më shumë preokupim nga studiuesit, institucionet përgjegjëse për gërmime, ruajtje, etj.

 - Çdo objekt apo gjetje ruan një vlerë, - të thotë ai. - Nëntoka jonë fsheh thesare ndaj dhe mjaft gjera janë akoma mister.

 Me shumë kënaqësi të tregon për zbulimin e mozaikut paleokristian para dy vitesh në afërsi të Rrapit të Bezistanit në Elbasan, i cili sot është lënë në mëshirë të fatit. Duke shkruar në një nga mediat e qytetit të Elbasanit, ai pranon se gërmimi dhe zbulimi i këtij mozaiku është edhe një gërvishje  e lehtë në historinë e lashtë e kulturën e qytetit të Elbasanit. Më shumë zbulimi i mozaikut është një dëshmi e njëmend për fakte të lashtësisë së krishtërimit në Shqipëri dhe ky është një argument bindës për të vazhduar gërmimet. Kjo del edhe në atë çka është përfolur edhe nga studiues të tjerë për gjurmime të mëtejshme për të zbuluar thesare të tjera të fshehura, por që institucionet nuk po shfaqin asnjë interes.

 Duke hyrë në të fshehtat e historisë së thesareve tona, që ndoshta për dikë janë të parëndësishme, po pasqyrojmë disa grimca nga gjetjet e tij në Elbasan. Kupa e Shenjtë apo Shën Grali i gjendur para viteve ’90, që ka përmasa të tilla 145 x 99 cm i realizuar në një lëkurë keci. Për këtë zbulim ai shprehet se i është dashur një punë kolosale për ta pastruar e ruajtur. Po ashtu interesant është një kodik të shkruar me dorë, që i përket shekullit XV, deshifruar nga Zef Simoni. Interesimin e studiuesve e ka shfaqur edhe gjetja e një kryqi, që i përket kohës së lindjes së Krishtërimit.Koleksionisti Vangjel Kapedani zotëron edhe dy bibla hebraike; një e viteve 1700 e tjetra në mesin e viteve 1800. Ato ishin të veçanta  sepse ishin larë me ar. Po ndërkohë, teksa aludon në lidhjen me hebrenjtë, shprehet se prania e tyre në Elbasan nuk është e panjohur. Rruga Egnatia ishte një itinerar që bënte të mundur kalimin e mjaft udhëtarëve të kombësive të ndryshme edhe hebrenjve. Aty kanë qenë ndërtuar disa sinagoga.

 Dhe në fund përmbledhur me pak fjalë për Vangjel Kapedanin dhe pasionin  e tij  është më se normale të shkruhet përsëri.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora