Kulturë
Xheladin Mjeku: Emblema e kohës në tregimin e Nase Janit
E premte, 31.12.2010, 02:17 PM
EMBLEMA E KOHËS NË TREGIMIN E NASE JANIT
Nase Jani: “Gruaja në kafaz”, tregime dhe novela, botoi “Toena” – Tiranë, 2002
Nga Xheladin MJEKU
Nase Jani (1947), i njohur edhe më parë me shkrimet letrare dhe publicistike, autor shumë përmbledhjeve për fëmijë dhe të rritur, si: “Po nesër?”, “Unë dhe ti”, “Humbas udhët nëpër udhë” dhe “Lirikat”, pastaj në prozë: “Unaza”, novelë dhe romanin “Çmendina”, kurse në krijimtarinë për fëmijë, me poemën “ Lotët e hënës” dhe përmbledhjen e vjershave për fëmijë “Si ndriçon një xixëllonjë“.
Përmbledhja me tregime dhe novela “Gruaja në kafaz”, që kemi vënë në shqyrtim , si lëndë të këtij shkrimi, vjen tek lexuesi si një dhuratë e veçantë, si nga përmbajtja tematike, ashtu edhe nga niveli i ndërtimit letraro-artistik, me elementë të bollshëm figurash, metafora, simbole, përshkrime ambientesh dhe bukurish natyrore, që për rezultat sjellin edhe vlerësimin me çmim për libër më të mirë në prozë nga Klubi i shkrimtarëve “Drita” dhe Lidhja e botuesve të Shqipërisë, për vitin 2002.
Me rileximin e këtyre tregimeve dhe novelave të përmbbledhura në librin “Gruaja në kafaz” të Nase Janit, arrita dy efektiva, mbase të domosdoshme për vullnetin që kisha prej kohësh. Kisha lexuar këto tregime edhe herën e parë dhe sikur ëmbëlsira joshëse që të grryen joshjen, më yshti që të rikthehesha që nga fillimi, duke menduar gjithnjë në zbërthimin e të panjohurave eventuale nga shpejtësia kurreshtare e leximit të parë. Dhe ishte e vërteta kjo që dyshoja që në fillim. Shkoqitja e këtyre temave të shtjelluara këtu sikur ia humb kuptimin t’i sugjerohet lexuesit të kaloj edhe pak çaste me ngjarjet dhe vlerat që shtjellohen nga njëra në temën tjetër. Veçimi i disa prej pikave më mbresëlënëse do të jap një udhëzim të mjaftueshëm që të rrugëtohet sigurt dhe komod një labirinthi imagjinar të penës së rryer dhe të spikatur të Nase Janit.
Historia e ngulitur në kujtesën e gjeneratave
Ndërtimi strukturor i kësaj përmbledhje paraqet një pasqyrë të mirë ngjarjesh e situatash në një periudhë të njohur tashmë edhe botërisht, që konsiderohet si periudha më e vështirë dhe komplekse për shtjellimin e temave letrare. Tregimi “Heshtja përvëluese” paraqet në mënyrë mjaft interesante jetën e një vajze që gjithë kohën po kujtonte letrën e gjetur nga e ëma., ku i rrëfen rrugën e saj të mundimshme të ardhjes në këtë botë gërshetuar me situata të rënda e rrënqethëse për fatin e saj. Përpëlitjet e parreshtura të takoj babain, që kurrë nuk e ka takuar dhe as që ka gjetur ndonjë gjurmë të ekzistencës së tij ia imponojnë jetën me “heshtje përvëluese” dhe hamendësimin e saj në çdo çast. Karakteristikë e një kohe të kaluar, ku varfëria e skajshme kishte imponuar një jetë tepër të rëndë dhe me pasoja edhe në aspektin moralo-etik, duke sjellur në spikamë qëndresën stoike të femrës shqiptare nëpër krajatat e jetës dhe botëkuptimet e kohës.
“Tërmeti” fantastiko-letrar paraqet ngjarje shumë interesante, që korrespondon me relacionet e ëndrrës dhe fantazisë, të ndërlidhura në kallëzimin e ngjarjeve nga jeta e tejbotshme, si çështje e shumëpërfolur edhe në nivelin e besimeve të ndryshme fetare. Kjo laryshi ngjarjesh të shumta pasqyrojnë mendimet e ndryshme të personazheve në besimin në lirinë e veprimit jashtë rregullave natyrore të kësaj bote. Tregimi fillon me fjalinë: “Duhet të jetë fundshekulli XXI ose fillimi i shekullit tjetër…” që si parandjenjë e personazhit vjen e akceptuar me mjaft kujdes si një mendim i tejbotës me shumë interpretime mbi organizimin e jetës së lirë dhe të shkujdesur nga rregullat e jetës së njerëzimit. ‘U prish Pallati i Parajsës”, të kujton çthurjen e mendimit të një bote të dytë pas vdekjes, duke krijuar botën e lirë dhe pa ndonjë rregull të kushtëzuar. “Plot ishte Ferri me shpirtëra-gjahtarësh e shpirtëra-mbretërish, shpirtëra priftërinjësh e hoxhallarësh e shpirtëra gjykatësish, me shpirtëra të mençurish e të marrësh… Të gjithë aty ishin”. “Si nuk vjen kush në Mbretërinë e Poetëve?!...”, do të shpreheshim kushtimisht në aludimin e bashkëjetesës me botën e lirë, me artistiken e pakufizuar në rregulla e ligje të botës.
Totalitarizmi kishte edhe “bukurinë” e vet, sidomos tek tregimi “Gruaja në kafaz”, ku dashuria triumfon mbi të gjitha, edhe në aspektin e rrezikueshmërisë deri në ekzistencën fizike. “Për politikën u betuam apo për dashurinë?!”, ishte arsyetimi i kësaj lidhjeje dashurie, pa e përfillur situatën e krijuar politike.
“Më vinin ndër mend romanet e Stendalit e të Floberit, novelat e Çehovit e Cvajkut, gjithë ato histori dashurie më vinin ndër mend, por përsëri mbetesha, disi jashtë reales, me dashurinë e Ljudmillës nga Rusia me shokun tim shqiptar”, përkujton rrëfimin në vetën e parë, gjithnjë duke ruajtur besnikërinë e një dashurie të fortë dhe vendimtare, përkundër rreziqeve që mund të pasonin. Një përfundim që shpjegon më së miri se cili ishte ndikimi i totalitarizmit komunist në jetën e popullit të përvuajtur. Emblemë e një kohe të rëndë plot sfida e rreziqe deri në ekzekutime fizike.
“Ujqit e tërbuar” është një tjetër tregim, i cili paraqet periudhën pesëdhjetëvjeçare të shekullit të kaluar, me të fshehtat dhe pasojat e një ndërskamce politike që ishte vënë këtij vendi, i cili në asnjë çast nuk kishte mundësinë t’u shpëtonte kthetrave të këtyre ujqve të tërbuar, që silleshin gjithandej kah frymonte bota intelektuale, që synonte ecjen me kohën përparimtare të botës së zhvilluar ekonomikisht dhe filin e jetës demokratike.
Socializimi i jetës dhe fillet e ngritjes nga letargjia
Në tregimet e Nase Janit takojmë edhe tematikën për jetën sociale, që kishte psuar deformimin ekstrem gjatë periudhës diktatoriale, por që kishte zënë fillet e zhvillimit me fillimin e ndryshimeve politike të shoqërisë. Letargjia gjysmëshekullore sikur ka marrë fillet e jetës në dorë, me lëvizjet e para të demokracisë, që ndryshuan shumëçka në të mirë në mirëqenjen njerëzore dhe sociale, por për pasojë kishin dyndje të mëdha njerëzish drejt vendeve tjera për të gjetur zgjidhje në aspektin e përgjithshëm të organizimit të jetës, nga mundësitë e shkollimit më të mirë, ngritjes së vlerave materiale e deri në shërbimet shëndetësore, shprehjen e vlerave artistike, etj. Të këtilla janë tregimet: “Vajza pa fustan apo artistja e Holliwudit”, “Macja me sy të kuq”, “Dështimi”, etj. Të cilët pasqyrojnë jetën e njerëzve në mërgatë, përfitimet dhe pasojat nga kjo pjesë e jetës së tyre.
Tregimi “Dasma e vdekjes”, ka për motiv kurbetin, që është shtjelluar qysh në kohën e Rilindjes kombëtare, që nënkupton përcjelljen e fatit të këtij populli për kohë të gjatë. Mosnjohja e prindit, pastaj frika nga njerëz të huaj që lajmërohen si “diversant”, shpreh dhimbshëm situatat e krijuara nga propaganda e fuqishme e një pushteti, duke aluduar në ruajtjen e vendit nga agresione diversante të mundshme nga revizionizmi i parafytyruar nga pushteti i atëhershëm. Kjo gjendje shpeshherë do të përfundoj tragjikisht, duke lënë gjurmë të errta e të pashlyera të një epoke të zymtë diktatoriale. Kjo situatë përshkruhet mire dhe me episode rrënqethëse si vetë ngjarja.
Edhe tregimet tjera, si: “Rusja e bukur”, “Djalli i dashuruar”, “Bishti i cigares”, “Lulja e çuditshme”, “Gjysmëkomça”, etj. shquhen për tematikën e shtjelluar dhe meritojnë një lexim kurreshtar nga lexuesi i konsideruar i veprës së Nase Janit.
Trinia tematike e shtjelluar në novelë
Tri novelat: “Ada”, “Kafka” dhe “Kënga e gjarprit” të vendosura në pjesën e dytë të librit ngërthejnë në vete një dëshmi të pakontestueshme, për faktin se paraqesin vlera të realizuara artistiko-letrare në aspektin e ndërtimit teorik dhe tematik që shtjellojnë, e që tërë kohën të cysinë t’i kundrosh në prizmin e realizimit dhe të shtjellimit të temave interesante. Kështu, derisa në novelën e parë “Ada “ ngjarja është vendosur në një ngjashmëri me tregimin “Heshtja përvëluese”, por në formë të zgjëruar, duke përshkruar jetën e fillimviteve të shkollës së Adës, peripetitë me mjekun e praktikës së përgjithshme, lindja e fëmijës së padëshiruar, pastaj mbyllja në shtëpinë e saj e deri në ekspeditën e studentëve të arteve ku bie në kontakt me piktorin Pavlin. Këtu edhe ndodhia merr kulmin e novelës, ku autori sjell një motiv sa interesant aq edhe të dhimbshëm e që është prekur edhe nga autorë të hershëm të Rilindjes. Njohja përmes nishanit është temë e njohur tashmë në letërsinë tonë. Në një situatë tepër delikate vjen deri te njohja e saj me djalin e vet, që e kishte lindur nga dashuria me doktorin, e që përfundimi vjen si mallkim: “Pse më shpure deri në këtë mëkat, o Zot!”. “Sot është dita e lindjes sime, dita e fundit…”, do të përmbyll rrëfimin e saj Ada.
Novela tjetër që ka për temë përfitimet nga vlerat e të tjerëve, tradhtia më çnjerëzore që iu bëhet personaliteteve, deri te përfundimi me zhdukje të trupit të heroit. Kthimi në skenë i këtyre figurave ndodhi gjatë dekadave që lamë pas, e që autori e paraqet mjaft suksesshëm dhe pa maskim. “Kafka” simbolizon dy anët e medaljes, duke sjell tek lexuesi portretin e heroit të vërtetë dhe atë me kafkë të shpuar nga një plumb, që dëshmon përfitimet e njerëzve nga këto fytyra heroike, varësisht prej situatave që imponohen.
Kurse novela “Kënga e gjarprit” e ka tematikën e vet të ndërtuar mbi bazën e rrëfimit mitologjik. Gjarpri si figurë mitologjike sjell kobin, të keqen, vdekjen. Lindja dhe vdekja vijnë këtu duke besuar në diçka të thënë kahmot, në bestytni të përcjella nga kohërat e lashta. Kënga e gjarprit sjell fatkeqësitë, dhe kjo i besohet edhe në rastin e dëgjimit të zërit të tij para katërmbëdhjetë vdekjeve të fëmijëve të familjes së Koço Licajt. Por, përkundër kësaj, fëmijët këndojnë, luajnë dhe i gëzohen jetës, edhepse janë të vetëdijshëm se në një kohë të moshës së tyre të njëjtë do të vdesin. Ata më së rëndi e përjetojnë dhimbjen e prindërve të tyre për katërmbëdhjetë vdekjet që përjetojnë: “Ne nga një vdekje kemi, po ata që kanë gjithë vdekjet tona në zemër?!...”.
Këto novela, me organizimin tematik dhe paraqitjen e tri motive dhe periudhave kohore të ndryshme, që mbase edhe janë të prekura edhe më heret, vijnë si një relaksim tek lexuesi, që të kthej kujtesën në një të kaluar të mundimshme, por me personazhe që sfidohen në nxjerrjen në shesh të së vërtetës.
Pesha e fjalës
Do të ishte i mangët mendimi se proza e Nase Janit ka vlera artistike si një shkrim letrar dhe poza imagjinative të realizuara nga dorë mjeshtrore. Kjo prozë para së gjithash shquhet për prekjen sensitive të tematikës shumë fuqishëm, duke vulosur thellësisht në formë gravurimi shenjat dhe njollat e zeza të një kohe të jetuar me mundin dhe sakrificën e quajtur mbijetesë.
Tek të gjitha tregimet dhe veçantë te novelat e përfshira në këtë libër takojmë një botë të pasqyruar me penelë artistike, me ngjyrim ambienti dhe kohe, duke ruajtur ndjeshëm traditën, vlerat dhe qëndrimin burrëror që e përcjell popullin tonë nëpër shekuj.
Nase Jani sikur e ka vulosur mjeshtrisht një kohë, me prekjen dhe shtjellimin e temave mjaft interesante dhe të veçanta, duke gërshetuar mitologjinë, historinë, jetën sociale, dashurinë dhe vuajtjet shpirtërore të personazheve, që përbëjnë një mozaik jete nëpër shekuj.
Vlera e kësaj vepre qëndron në faktin se pasqyrimi i ngjarjeve vjen nga një mjeshtër i fjalës së shkruar kujdesshëm, me tematikë të përzgjedhur dhe mbresëlënëse për kohë të gjatë dhe ka mesazh të çartë me vulën historike të një zhvillimi të periudhave të veçanta kohore dhe sensitive për nga zhvillimet e jetës politiko-shoqërore dhe kulturore në përgjithësi.