Kulturë
Skënder R. Hoxha: Lirinë e kam parandjerë ndryshe
E enjte, 30.12.2010, 07:22 PM
SKËNDER R. HOXHA
(Vargje pak idhnake e krejt reale)
LIRINË E KAM PARANDJERË NDRYSHE
1.
Edhe si fëmijë
E kam kuptuar se më mungon liria
Gjithmonë kam parandjerë
Se duhet të ndodhë lufta!
Kam parandjerë
Se lufta sjell masakra,
Kufoma, varre
Pastaj –
Nënat, motrat, nuset
Me duar në gji,
Babatë që thonë –
M’u vra djali a vajza për LIRI!
2.
Kam parandjerë
Rrugët e ferrit
Që duhet përjetuar
për LIRINË…
Kam parandjerë
Dhe tokën e djegur,
Rrënime, shkatërrime,
Ndjekje, përndjekje –
Të gjitha këto për LIRINË…
Por,
LIRINË
E kam parandjerë ndryshe,
E kam përfytyruar ndryshe,
E kuptoj ndryshe,
Ta dini –
Shumë më ndryshe!...
(31 janar 2010, Pejë)
SHEKULL I PISTË
Shekulli XXI
Në troje të mia –
U nis me gënjeshtra,
Me lajka e mashtrime
E abuzime!...
Nuk i kemi pasur në traditë…
Të pafytyrët e këtij shekulli
Të pafytyrë –
Me plot gojën gënjeshtra, interes,
Të shtiret për mik
I fjalës i besimit –
Të gënjen të mashtron,
Të thotë PO –
Të del JO!!!
Burrave këto
Nuk u kanë hije
Jazëk!...
Rracë e qelbur,
Rracë e përdalë,
Jazëk!!!
(Shkurt 2010)