E shtune, 27.04.2024, 07:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Nasho Jorgaqi: Një antologji për poetët shqiptarë të luftërave

E diele, 12.12.2010, 03:30 PM


Nga Oliverta Lila

 

Nasho Jorgaqi

Një antologji për poetët shqiptarë të luftërave

 

Studiuesi ka promovuar dje "Antologjinë e poezisë lirike shqipe midis dy luftërave 1914-1944". Në botim janë përfshirë 43 poetë nga Asdreni te Bardhyl Pogoni, mes tyre autorë të mohuar më parë  dhe poeteshat Jolanda Kodra, Musine Kokalari dhe Selfixhe Ciu-Broja

Poetët shqiptarë që shkruan mes dy luftërave, 1914-1944, janë tashmë pjesë e një antologjie. Botimi, "Antologji e poezisë lirike shqipe" që ka për autor studiuesin Nasho Jorgaqi është prezantuar dje në një rreth të ngushtë studiuesish të letërsisë. Rezultat i një pune disavjeçare, vijim i angazhimit të vazhdueshëm pedagogjik të Jorgaqit, antologjia e botuar nga "Uegen" përfshin 43 poetë shqiptarë që lëvruan poezinë lirike përgjatë këtyre katër dekadave. Nis me Ndre Mjedën, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, vazhdon me të tjerë poetë që u mohuan përfshirë edhe Arshi Pipën për t'u mbyllur me Muzafer Xhaxhiun e Bardhyl Pogonin. Pjesë e kësaj antologjie janë edhe tre autorë: Jolanda Kodra, Muzine Kokalari dhe Selfixhe Ciu-Broja. Arsyeja se pse kjo antologji përfshin krijimtarinë poetike mes viteve 1914-1944, lidhet me përvojën rreth 40-vjeçare të Nasho Jorgaqit si pedagog i letërsisë shqipe të periudhës së Pavarësisë. "E gjithë kjo periudhë leksionesh e studimesh më ka çuar drejt një njohjeje të tellë të krijimtarisë dhe jetës së autorëve. Por pavarësisht kësaj njohjeje të gjithanshme, hartimi i një antologjie ka qenë i vështirë", thotë Jorgaqi, i cili është autor i disa librave të tjerë studimorë mbi letërsinë shqipe apo edhe për autorë të veçantë. "Ishte një detyrim shpirtëror, një ëndërr e vjetër dhe një projekt i hershëm. Duke qenë se një pjesë të madhe të jetës sime aktive ia kam kushtuar punës pedagogjike dhe studimore që përfshinte kryesisht letërsinë e pavarësisë, e kam ndierë si detyrë që të merrem jo vetëm me studimin, por edhe botimin e trashëgimisë së tyre", shprehet studiuesi. Në fakt, projekti për hartimin e kësaj antologjie ka nisur më herët, që në vitet '70. Këtë histori, Jorgaqi e tregoi shkurtimisht gjatë prezantimit të librit, e i ka lënë një vend edhe në pasthënien e antologjisë. "Kur në vitet '70 u krijua situata për të botuar krijimtarinë e disa prej përfaqësuesve të letërsisë së kësaj periudhe, u botua një kolanë me poezi të poetëve të veçantë. Jashtë saj u lanë disa poetë që ishin të barabartë dhe ndoshta më me vlera se ata që u botuan në kolanë. Më këtë kohë hodha idenë që poetët e mbetur jashtë të mblidhen në një antologji. Në fillim ideja u miratua, por pastaj u duk sikur edhe një antologji u jepte rëndësi. Për këtë arsye u reduktua në titullin "Poetë të viteve '30". Kjo vepër nuk shkoi në duart e lexuesve. U krijua një situatë jo e këndshme, me debate, kritika e autokritika dhe vepra shkoi në karton. Në kushte të tjera, ky projekt i imi u bë më i prekshëm, më i mundshëm, e unë i hyra punës në përmasa të tjera e me kritere të tjera për të hartuar këtë antologji që keni në dorë", theksoi Jorgaqi. Në fakt, në diskutimet e atyre që kishin mundur t'i hidhnin një sy qoftë edhe kalimthi antologjisë së sapobotuar, argumenti i prekur së pari ishin kriteret e përfshirjes së autorëve në këtë antologji. Duke nënvizuar përfshirjen e disa emrave të mohuar, apo edhe harrimin e ndonjë tjetri, antologjia u konsiderua si një udhërrëfyes për mënyrën se si duhet parë letërsia dhe poezia e shekullit XX. Vetë Jorgaqi paralajmëroi se kjo punë e tija nuk është shteruese e mund të ketë të meta. "Hartimi i një antologjie ka pasur vështirësi, sepse vetë përzgjedhja rrezikohet nga subjektivizmi apo nga paragjykimi. Unë u përpoqa t'i kapërcej në vija të përgjithshme këto probleme, por kjo nuk do të thotë që antologjia të mos ketë të meta e boshllëqe. Antologu më i mirë është koha dhe për sa u takon poetëve të mëdhenj, solistëve të poezisë shqipe e kam pasur më të lehtë, sepse koha ka seleksionuar dhe ka evidentuar krijimet e tyre më të mira, kurse poetët e tjerë, kori i poezisë shqipe të kësaj periudhe kërkonte një përzgjedhje që varej nga unë, nga shijet e mia, preferencat dhe formimi. Nga kjo pikëpamje kam pasur vështirësi, pengesa, nevojë për angazhim dhe studim të mëtejshëm dhe mendoja se antologjia arriti të ketë një gjithëpërfshirje", thekson autori. Duke iu rikthyer kriterit të përfshirjes apo përjashtimit të autorëve nga kjo antologji, Jorgaqi thotë se është nisur nga dy kritere: ai estetik dhe dokumentar. Kriterit estetik i referohet në përzgjedhjen dhe përfshirjen e vlerave më të mira të letërsisë shqipe. Paralel me të qëndron kriteri dokumentar që ndonëse herë-herë i shkon ndesh të parit, justifikon disa emra që Jorgaqi i ka përfshirë në antologji edhe pse është i ndërgjegjshëm se mund të mos kenë nivelin e kërkuar estetik. "Sipas kriterit dokumentar kam përfshirë disa poetë, të cilët koha në një mënyrë apo në një tjetër nuk i ka lejuar të afirmohen, ose të bëhen publikë e të njihen nga lexuesi. Unë nuk bëra një antologji me autorë elitarë, por gjithëpërfshirëse. Jam i ndërgjegjshëm që një pjesë e tyre nuk arrijnë atë shkallë të poetëve më të mirë, por kjo është e natyrshme, sepse dihet që në art ekzistojnë solistët, por edhe kori". Jorgaqi i referohet poetit Thanas Konomi si një shembull   kur përfshirja e tij justifikohet përmes poemës "Atdhemohonjësi", ndonëse të tjerat nuk janë të atij niveli. Pse të tjerat nuk janë të atij niveli. Si do të duhej të shihej poezia e botuar mes viteve 1914-1944? "Është një nga periudhat që shënon ngritje të letërsisë shqipe gjatë së cilës do të punonin e krijonin tre breza: ata që vinin nga Rilindja e vazhdonin të krijonin si Fishta, Konica, Mjeda, Asdreni etj., brezi i viteve '20 si Lagush Poradeci, Ali Asllani dhe brezi i viteve '30-'40 me në krye Migjenin, Dhimitër Shuteriqin, Andrea Varfin, Vedat Kokonën, Nexhat Hakun e deri me të rinjtë si Bardhyl Pogoni apo Muzafer Xhaxhiu", thotë Jorgaqi. Duke thënë se ndoshta punën e tij do ta çojmë më tej ata që dikur kanë qenë ish-studentë të tij e sot janë studiues letërsie, Nasho Jorgaqi lajmëron se puna e tij e radhës ka të bëjë me një antologji të prozës shqipe nga fillimet deri në vitin 1944.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora