E shtune, 27.04.2024, 04:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Profesorët e mi

E premte, 10.12.2010, 10:59 PM


PROFESORËT  E  MI

 

CIKEL ME POEZI

 

Nga PIRRO LOLI

 

 

GJURMËT E ZOGUT

(MONTALES)

 

Në oborrin tim me pllaka guri.

Shtresë e butë bore

Mbi të ca gjurmë të ndrojtura zogu

Të vogla fare, hollake

Pranë e pranë kthetrave të maces.

Kryqe. E vija. E pupla. E rrathë që ndërpriten

Mbi dëborë. Të pambaruara

Të padeshifrueshme. Si hieroglife kineze.

Ndoshta zogu ka qenë i plagosur

A ndoshta kthetra e hollë

E kish prekur në zemër.

I mbërthyer në këto diagrama

ia preva kthetrat maces

Lus erën të mos fryjë lus shiun të mos bjerë

Gjer në fund

ta deshifroj shpirtin e zogut

shkruar mbi dëborë

 

 

KJO THIKË…

(L.ARAGONIT)

          

Nuk e di kush ma nguli këtë thikë në Zemër

Ndoshta një fëmijë i uritur,

Një nuse që shiti trupin

për të blerë një fustan nusërie

Tehu i mprehtë thikës është

Nëna ime Që e kam braktisur

 

Tani kam tri barkushe me gjak të kulluar

Të thellë si nata

Që nxë miliona fëmijë të uritur

Miliona nuse që presin një fustan nusërie Dhe

 të gjitha nënat e braktisura

 

Kirurgët që më prisin në sallë

Me bisturi në duar

Më kot do ma çajnë barkun e natës!

 

Jam i pavdekshëm nga çdo dhimbje tjetër

Në zemër kam këtë thikë,

Burim i gjakut të kulluar...

 

 

DIELLI  TJETËR

(BORGESIT)

 

Dy sy

Të verbër që nga Homeri.

Dy gropëza të zeza

Ku vezullojnë vetëtimat.

 

Kuajt e natës vrapojnë hapësirave

E përplasen te muri i fundit me gëlqere.

 

Dy dritare me qelqe të terrta

Çelin dy diej të tjerë.

 

Kuqërojnë mesnatat

e

Përndizen pishat

 

E shuhen, e shuhen

Si varre…

 

 

POEZI HERMETIKE

(UNGARETIT)

 

Ti je vajzë prej letre. E palexueshme.

E bardhë shkruar me të bardhë. Nuk e dija

Që kodi i leximit Ishte puthja ime në kërthizë. Sytë e tu shkrepën

Dhe mu hodhën në qafë.

Pasdita e Adamit ishte e qetë

Flokët e tu

 mbanin erë mollë...

 

 

GURI  i  MARTINIT

(M.CAMAJT)

 

Ma mbuloi bora Gurin e Martinit

E  rrukullimave të mia

Ia dëgjoj orteqet.

Unë “barra e vrame” kafehidhur

 mortin e kam ngritur atje.

 

Tek një zog me krah të thyer.

 

te vatra me qirinj të shuar

ku nxijnë rrasat e tymtarit.

ku hesht i ftohur rrethi i hirit,

pëlcet syri  cjapit

e fytyrën shqyen ujku i habitur.

 

Ku një pishë e heshtur nusëron në hone

digjet si lambadhë motra ime.

E loti i nxehtë ia dogji synin.

 

Atje ku pemët i hanë zogjtë

Guri u bë mall

Malli u bë qyqe

E lugjeve të bardha qan nëpër balada

“O vëë-lla,ku je ?!

Në ç’gur a degë dielli je tretur

Oo!,o Gjon

Oo! Gjon,o vëë-lla!”

 

 

PORTOKALLI I HIDHËRUAR

(ZHAK PREVERIT)

 

“Ajo s’më ka harruar”

Një herë në muaj ma dërgon torbën me ushqime

“dhe një portokalle si diell”

 

U mësova me urinë dhe me torturën e shijeve

I ha pak nga pak duart e saj

I fshij me kujdes me cep të këmishës.

Dhe mishin e pjekur ,lagur me shurrën e gardianëve

Që bërtasin e qeshin

Dhe portokallin e hedhëruar.Këtu ushqimet

e burgosura tjetërsohen.

Gardianët ma përziejnë qeskën e sheqerit

Me duhan të grirë.Unë e shpëlaj të ëmblën

Të mbetet hidhërimi.

Me kokrrën e portokallit bëj dashuri

E hedh e pres nëpër duar

Por në buzët e saj

nuk guxoj të vë buzë …

 

MUZGU I BALADAVE

(I.KARARESE)

 

Na kish mbetur e gjallë Dorontina ndaj

E thirrëm të kalëronte mbi një kalë të vdekur

Ta digjte vellon e nusërisë

Të pëlciste si qelqe me verë

                    ***

Na duhej një baladë

Të fliste nga rrasa e varrit

Të pillte të tjera balada

Të vriteshin të tjerë e të tjerë

Me besa besë nën shira gjaku

Nën hi.

 

Brenda vetvetes nuk mund të rrinim pa thyer diçka

Një brinjë,dy brinjë tre..

Dhe ngjalleshim nëpër varre

Me thirrje të kota

Me emra princësh e mbretërish egoistë

Nën mjegulla të gjakta

Nën shi.

 

Me gurë rrënojash ngritëm kështjella

E përsëri balada

Për gurët e përgjakur që kishin qëndruar

Që kishin qëndruar heroikisht me thonj e me dhëmbë.

 

Rozaha duhet ta linte foshnjën në gjumë

S’na duhej qumështi I bardhë I nënës

Na duhej nje gji I gurtë

Që pikon lëng gëlqereje

Të pinin baladat dalëbese

Ne gji të gurtë zëmërak.

 

Buzë mëngjezeve të kuqërremtë

Dhe dasmat do t’I bënim me pushkë

Do martoheshim me xhinde e shtojzavalle

e nuset e bukura

Do t’I mbulonim me duvak të kuq.

E ato syshkruarat

Me lot do ta çanin syrin e zi…

 

Fisi im

I gurtë

I pakur

I rralluar

 me brinjë të thyera një ,dy

Nën mjegulla

e shira të gjaktë

 

***

 

Këtë vit nuk do të mbjellim balada

Po grurë

Ndoshta nga qielli

Do të bien shira prej shiu...

 

LULE KRISHTI

(NENE TEREZES)

 

Fytyra fëmijësh

portokaj të fishkur

çahen nga plagët

 

Një dorë Nëne

i mjekon me ballsam mëllage

këputur nga shpirti

 

Nëpër faqe të xhamta

u çelin Lule Krishti

 

* * * 

Shkurre rënkimesh

pemë dëshpërimi

shushurijnë në heshtje

si shatërvanë të zinj

 

Aty shuhen

Aty klithin

shpojnë qiellin

e shtangen si qiparize.

 

Mbi të qarën e shiut e të erës

një magjistare me të bardha

përqafon qipariza shiu.

 

E tretet

tretet si psherëtimë

Nëpër klithma ere.

 

 

URIMI I NËNË TEREZËS PËR MUA

 

Miliona fjalë e shkronja

Si bletët

Më zhurmojnë në vesh.

Në gjëmba trëndafili ngecin

më shpojnë

më grisin

e flenë qark syve të mi.

Gjilpëra të akullta

më çajnë buzën e prushuritur

e tretën në jerm.

Netëve të jargavanta

humbas

përpëlitem

vdes.

Ringjallem nëpër hoje ëndrrash prej mjalti

e thumbat e helmit

më therin në shpirt.

Ajo,

më vë dorën mbi ballin e nxehtë

e thotë :

“Lum ti, biri im

që dhimbjen e ke me krah e me fletë.”

 

 

EPIRI

(I.DILO SHEPERIT)

 

Pi një kafe të hidhur

e në filxhan shoh

një pyll të prerë

një hartë të grisur

një bisht dhelpre të fshehur

e krahë korbash

që dridhen nga kufomat.

 

*  *  *

Jugu im bie nga jugu

por fjala ma mori gojën

si orakull i heshtur

përtyp duhan të grirë

dhe ha mallkimin e fisit.

 

*  *  *

Pylli ushqehet me histori shirash

që i ka në kujtesë çdo pemë

edhe e prerë

edhe e copëtuar.

 

 

PEMA E PLAGOSUR

(PAPAGJON PALIT II)

 

Pemë e lulëzuar degëshumë

nuk do t’i shijosh frutet e tua

Ti,

prerja e kërcellit të vjetër

Ti, plaga

Rrënja e shartimit

syth elitar

në anën e buzës së prerë

Nga çarja kemi lindur

nga dhimbja

dhe frutet nuk do t’i arrijmë

Brenda teje

lulëzon një pemë e plagosur

në gjak

vezullojnë rubinë prej drite

Mëkatet e globit mban në shpinë

kate-kate

i sistemon në qiell

si varre

Të përkuli,

Të shtrembëron pesha

mal i rëndë qenka njeriu!

Kur ti dridhesh nga dhimbja

nata shtyhet tutje

shpirti flet gjuhë shpirti.

Në degët e tua askush s’ndjehet i huaj

dhe bilbili

dhe korbi

mbetet vetvetja.

Përditë i flet shekullit të pistë

“Hani frutat e arrira mbi mua,

mbi mua,

pemën e plagosur!”

 

 

TE SHIKOSH DO TE THOTE TE MBJELLESH

(OCTAVIO PAZIT)

 

Sytë e poetit

 janë mbushur me farëza

vështrime të gjelbra

degëza të shelgjeve lotues

 

Atje nëpër valëza të kaltra

Ku gjethet e shelgut

Lozin e puthen

Me buzët e ujta

Është mbytur Neraida

Trupi i saj

Është prej loti

 

 

KUSH  E VRAU  POETIN ?

(G.LORKËS)

 

Yjet e Spanjës

Që pasqyroheshin në kroje

Portokallet e diellit

Që digjeshin në tavolinë

Kumbimi i trishtë i kitarës

G r a n a d a

Ku kish lerë

Shkurt  a t dh e u

E vranë poetin

 

Ashtu mbetur pa hënë e pa diell

Spanjë

Kitarë e përmbysur

Pse s’të përpiu dallga e detit



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora