Kulturë
Ndue Ukaj: Simbolika e fjalës dhe arti i kontrasteve
E hene, 06.12.2010, 10:57 PM
Simbolika e fjalës dhe arti i kontrasteve
Nga Ndue Ukaj, Suedi
Poezia është trajta më universale e komunikimit poetik, ku ideja dhe figura përplotësojnë harmoninë e intencën poetike. Ato ecin paralelisht dhe ndërtojnë një Olimp perceptimesh e ndjesimesh për të bukurën e të shëmtuarën, për të këndshmen e dobishmen, për tragjiken dhe lumturinë. Në trajtat më të bukura, poeti si një orakull i frymëzuar perceptimit e tij i bën perceptime universale, përmes gjuhës si veçanti poetike. Kjo formë universal e komunikimit të mesazhit e fjalës artistike, përjetësia e ideve, në harmoni më sistemin poetik, funksionalizon trajtat e shumëfishta estetike e ideore. Me perceptime dhe botë të veçantë, poeti zbret në rrathët e ferrit, hulumton me sensin e krijuesit purgatorin dhe synon gjithherë rrugën për në Parajsë, në përjetësinë ku shkrihet Arti Poetik, me një mori procedimesh ligjërimore që shfrytëzojnë tropet e metaforat e shumta, simbolet dhe krahasimet, kontrastet dhe paradokset, gjithnjë në funksion të realizmit të katharsisit letrar.
E, këto karakteristika poetike i hasim në poezinë e Jeton Kelmendit, përmbledhjen "Fryma" të cilën po ia ofron ky poet i talentuar lexuesit anglishtfolës. Ashtu sikurse shkruante Horaci te "Arti poetik" se "poetët duhet të sjellin dobi ose të argëtojnë, ose njëkohësisht të thonë gjëra të këndshme dhe të dobishme", poezia e Kelmendit ngërthen në vete tipare poetike origjinale, sjell të këndshmen dhe të dobishmen para lexuesit, me një stil të kultivuar e gjuhë të dendur me simbole të gjetura, por asnjëherë duke e ngarkuar poezinë. Poezia e tij, diskursi lirik, apo "mimezisi i brendshëm i tingullit dhe imazheve mëton të jetë një modues tematik" (Northrep Fraji) edhe në poezinë e Kelmendit. Ky modues tematik që është karakteristikë e poetikës së tij, ndërtohet nga figura të përpunuara, me vargje të ëmbla, me ritëm të brendshëm e tonalitet impulsiv, shpeshherë me pasthirrma, apo një shkronjë të vetme që mbart shumë shprehësi- elemente këto që i japin kësaj poetike dimension specifik dhe origjinal poetik.
Jeton Kelmendi i përket brezit më të ri të letërsisë shqipe, brez ky i cili ka përjetuar katrahurat më tragjike në Ballkan dhe që tani ecën krah trendëve bashkëkohëse të letërsisë, duke mbart mbi sup një të kaluar të hidhur, të cilën Kelmendi e përjetëson me imagjinatë të bujshme dhe diskurs poetik dinamik. Dhe në këtë periudhë ai ka debutuar me disa përmbledhje poezish tejet cilësore e të vlerësuar nga kritika dhe opinioni letrar.
Përmbledhja poetike "Fryma" e këtij shkrimtarit ofron para receptuesve e dashamirësve të poezisë universin poetik të traditës letrare shqipe, shtresat e bukura të fjalës poetike, ku nuk mungojnë temat ekzistenciale si bosht poetik, me trajtat shumëformëshme të shprehësisë së tyre dhe nuancat që marrin, duke u ndërlidh me tema dhe motive tjera. Poezia e tij interkomunikon me të kaluarën, me të tashmen dhe të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo komunikon me qenien e letërsisë, sikundër mund të lexojmë tek poezia "Sprovë për matjen e fjalës" ku poezia bën betejën e vet: "Diku në mes territ e dritës/ Dikujt i dhimbset fjala". Këtë model të diskursit poetik, Kelmendi e artikulon edhe tek poezia "Ardhja jonë në pergamen" ku atdheu dhe poeti identifikohen, mbi të gjitha nga klithma e përbashkët, për pasigurinë dhe paradokset që sjell e ardhmja e mjegullt, ngase vendi i tij, dhe përgjithësisht Ballkani mbesin rajone të paradokseve dhe shqetësimeve të vazhdueshme, tmerre këto që më së shumti i përjetojnë krijuesit. Së këndejmi autori klithë: "Duken ëndrra e zhgjëndrra/ Ujë e bukë antinjeriu" (Kodi im për nesër). Dhe kjo filozofi e krijimit mbetet kërshëri e poetit, për të kuptuar "Ka i bie kufiri ndërmjet/ Hidhërimit e gëzimit/" (Dramë, akti i parë), për faktin se ky kufi, gjithsesi poetik, luan një rol të rëndësishëm në këtë përmbledhje poezi, përmes kontrastit në ide e figura dhe simboleve poetike qw hidhërimin e gëzimin ta kthej nw art. Madje, edhe për faktin se kështu "Lirikës iu zbardh ashti i hijes/ Sa prisnim ritet e muzgut" dhe kënga fillon jetën e saj të fuqishme.
Poezinë e Kelmendit e karakterizon perceptimi specifik për të bukurën, nën substratin e së cilës ndeshen perceptimet për kategoritë e shumta të saj: të bukurën që sjell arti i poezisë, për vashën dhe dashurinë, për atdheun dhe historinë, sikundër në poezinë "Çast" ku poeti me simbole dhe krahasime, me vargje koncize, ritëm, sintetizon trajtat më të bukura vargjet: "Sikur të isha shi/ Sonte/ Krejt rastësisht do të pikja/ Në faqe/ Ama/ Pikë që rrjedh ngadalë/ Shikimin përballë teje". Në përgjithësi vargu poetik i Kelmendit është lakonik, me një shprehësi emocionale dhe shprehësi semantike. Struktura poetike është e ndërtuar mbi paradoksin si tipar i veçantë. Përmes kësaj poeti ruan substancën e idesë dhe synon përjetësinë e fjalës me klithma të frymëzuara poetike.
Diskursi dominues poetik i poezisë së kësaj përmbledhje është thellësisht lirik. Toposi i temave dhe motive sillet rreth boshtit nacional, femrës dhe dashurisë, përsiatjeve për artin, fjalën artistike. Poeti komunikon dhimbshëm me historinë, sikundër për shembull në poezinë "Ilirishte" në vargjet: "I kapërcen të gjitha/ Për shpirt të fjalës", ngase atdheu i tij nuk matet në asnjë formë, prandaj vargu tjetër me domethënie konotative përmbyll klithëm shekullore: "Atdheu im i Zotit që ma dha emrin". Kjo, mbi të gjitha, për faktin se Dimri i poetit mbetet një kodeks i çmendur. Temat e atdheut formësohet me trajta dhimbje në poezinë "Morfe" ku spikaten vargjet: "Etja as uria/ Në fushën e një fjale/ Atdhe/ Sa kush i kulloti e piu…Sa heshtja u përplas/ Neveria na çmendi për ty nostalgji". Një ndër poezitë tejet interesante mbetet ajo për Ibrahim Rugovën, ku poeti me pasion i këndon figurës së presidentit, krijuesit dhe malësorit, simbolit të shqiptarëve për dekada, si dhe modelit të shkrimtarit: "Ëndërro/ Dhe lutu për Dardaninë/ Tënde/ Dimri i vetmisë të ka rënë…Gjithçka erdhi me lotin/ Mot i madh/ Dita e shkëputjes" (Dimri i shkëputjes së madhe, Ibrahim Rugovës).
Poezia e Kelmendit është asociative. Ajo sa evokon perceptime, aq krijon. Ajo është imagjinatave aq sa reale. Poeti ec me vargun për të kuptuar skutat e botës, ai gjendet në tehun e paradokseve edhe atëherë kur ndoshta e "ka zënë ora e ligë" (Pas njohjes), por ai ka në shpirt fuqinë e poezisë për të sfiduar dhe këndej pari për të triumfuar fjala: "Më fol diçka për zjarrin pa tym/ Pas tashit/ Na presin kafja jote/ Dhe vargu im i dridhjes" (Pas njohjes). Me fuqishëm, kjo tendencë poetike artikulohet në poezinë me vlera të mëdha "Zonja fjalë dhe zotëri mendim", ku poeti përsiat për filozofinë e krijimit me një tendencë moderne poetike të transformimit të mendimit nga paradoksi në kontrast, nga kontrasti në simbol të qëlluar: "Kam fol/ Pak ndryshe/ Zonjushë/ Por them/ S'ma merr për të madhe/Fundja fjalët e një poeti/Janë".
Poetika e Kelemendit është e konsoliduar, vargu është i lirë dhe paradoksi në mendime dhe kontrasti në ide bëhen tipare shënjuese të kësaj lirike: "Erdhi një ditë një kohë/ Sa e hutuar aq e gëzuar/Të bardhen as të zezën kush s' ja diti" (Pak histori). Apo edhe në poezinë tjetër interesante "Për gotën e merakut" ku Kelmendi krijon vargje jashtëzakonisht të bukura, me një stil konciz, por të realizuara me emocionalitet e frymëzim, që krijojnë shprehësi poetike dhe që të kujton poetin e madh Omer Kahjamin dhe vargjet e tij emblematike për verën dhe dashurinë: "Pije njeri/ Gotën tënde/ Verën e kuqe të merakut/ Saj/ Pije dehshim/ Shtere/ E mos ja le/ Pikën/ Vargut/ Që shkruhet vetmishtë/ As kështu/ I pa dehur s'je njeri". Këtë model të ligjërimit e kultivon mjaft bukur edhe në një sërë poezish, mbase dashuria apo kjo "Bukuria e bukurive", vajza si personifikim e saj përbën një temë të veçantë në kuadër të topoesve dhe motive që e përshkojnë këtë përmbledhje: "Sonte mund të ngopet vjeshta natë/ Hëna ra n'dritare/ Më të mirat/ Vargje /Do t'i shkruaj për ty" (Dhjetë e dhjetë në Tiranë). Ky ritëm poetik zhvillohet me një gradacion të fuqishëm edhe në dy poezitë "Purtekje" dhe "Ëndrra e saj". Shikuar përgjithësisht, kjo përmbledhje ofron një poezi të bukur, një art të frymëzuar, ku lexuesi mund të gjejë komponentët themelore të letërsisë, të dobishmen dhe të këndshmen (Horaci), "Se kam të qartë/ Do të flet apo hesht/ Lirike si magjia e Helenes" "Çast për admirim". Lexuesi ka në dorë një libër që ka një strukturë të bukur poetike, një poetikë e brumosur nga kontrastet e fuqishme që e kanë përshkuar atë dhe qenien e tij poetike, nëpër vitet e stuhishme dhe tragjike, pjesë e së cilave ka qenë shkrimtari.