E premte, 02.05.2025, 08:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Drejt rrënimit shtëpia ku qëndroi Patër Gjergj Fishta

E diele, 05.12.2010, 08:46 PM


Nga Gilmana Bushati

 

Po të shkruanim për Zef Ndokën, që ishte qytetar i mirë i këtij vendi, që nga ai ka mbetur vetëm vepra, pak eshtra e asnjë kujtim tjetër, sigurisht që njerëzit do të çuditeshin, sepse si të tillë e kanë njohur dhe e njohin vetëm një grusht njerëzish. Por po të shkruanim se ky Zef Ndoka më vonë u bë Gjergj Fishta, atëherë po që njerëzit do ta njohin, por sërish si kujtim i tij mbetet vepra, një varr në Kishën Françeskane, me pak eshtra përbrenda. Ky është një nga shembujt ku tregohet se ne si komb, por edhe si shtet, nuk respektojmë dhe nderojmë historinë tonë.
Udhëtimi
Udhëtojmë për në Fishtë, fshati ku u lind Zefi. Udhëtimi çuditërisht është i mirë. Gjatë rrugës Shkodër-Lezhë ndodhet një tabelë ku shkruhet Blinisht, në të majtë nëse nisesh nga Shkodra dhe në të djathtë, nëse nisesh nga Lezha. Deri pas shinave të trenit rruga është e shtruar, por vende-vende asfalti është prishur dhe duhet të kesh kujdes kur të lëvizësh. Më pas vjen një rrugë e shtruar bukur, e më tej kjo rrugë bëhet edhe më e bukur, pasi përveçse e shtruar mirë, ka të gjithë sinjalistikën e nevojshme dhe kjo të habit. Por më shumë të habit fakti kur flet me banorët e zonës përreth. "Rruga asht vepër e italianëve, se me të lidhën Shkodrën me Lezhën, qeveria vetëm sa e shtroi në qershor", thotë një zonjë e re që takojmë. Ajo shton më tej se, "qeveria e ka ba pak ma të ngushtë se ç'e kanë ndërtue italianët", ndërsa qesh lehtë.
Brezi
Altini është një djalë i ri, bashkëshorti i zonjës së mësipërme. Ai flet me dashuri për Fishtën, por edhe i zhgënjyer paksa. Ka ardhur nga Italia për të ngritur në këmbë një sipërmarrje të vetën, pikërisht në mes të rrugës Lezhë-Vau i Dejë dhe e s'kishte si ta quante tjetër, veçse "Mrizi i Zanave". Zhgënjimin e ka për gjithçka që i takon Fishtës, e sidomos për historinë e tij që askush nuk ia shkroi ashtu si duhej, apo që askush nuk ruajti asgjë të tijën. Sipas tij, komunistët ia deformuan historinë. Në kohën e komunizmit, ata pak pasardhës që kishte, një pjesë e mohuan, për shkak të problemeve që u nxirrte mbiemri dhe përkatësia me Fishtën. Edhe tani në demokraci, secili e tregon historinë e Fishtës sipas interesit të tij, qoftë historianët, apo të afërmit, që pas ardhjes së demokracisë, "i janë shtuar shumë". Na tregon se ku mund të gjejmë pjesë të rrënojave të shtëpisë ku ka lindur dhe na duhet të kthehemi paksa.
Vendlindja
Vendi ku ka lindur Zef Ndoka është pikërisht në kufirin mes dy fshatrave, Fishtë dhe Troshan. Që të dy këta fshatra qenë të rëndësishëm për jetën e tij, pasi në Fishtë u lind dhe në Troshan u edukua e mbajti dhe meshën e parë në moshën 19- vjeçare. Vendi ku ka lindur është pranë një ure. Aty, në një vend të rrethuar bukur gjendet një kryq i madh në ngjyrë portokalli, ku diku janë skalitur dhe dy duar. Më 30 dhjetor të këtij viti mbushen plot 70 vjet nga vdekja e tij. Një bari poshtë në luginë thotë se shtëpinë nuk e ka pasur bash te vendi ku gjendet kryqi, por pak më lart, pra sipër rrugës. Atje ngjitemi dhe asgjë nuk të kujton se atje ka qenë ndonjë shtëpi, e për më tepër ku të ketë lindur Fishta. Në 1990-ën, në numrin e parë të gazetës "Rilindja Demokratike" për herë të parë botohet një faqe kushtuar poetit të mbetur në heshtje për vite me radhë. Iu bë një përkushtim i tillë, pasi ai ishte i dënuar nga regjimi komunist jo vetëm si meshtar, por edhe si poet. Që prej atij viti, Gjergj Fishtës do t'i bëhen shumë ndere, kryesisht në Tiranë e në kryeqendra, por jo në vendin ku lindi dhe u rrit. Atje, asgjë. Përveç rrugës, ai vend duket edhe i harruar nga njerëzit. Askush nuk organizoi një pelegrinazh në vendin ku lindi poeti i madh, jo vetëm i gegërisë, por i gjithë Shqipërisë.
Kryqi
Kryqin e kanë vendosur njerëzit e fisit të Fishtës. E gjitha është sipërmarrje e tyre dhe askush nuk i ndihmoi ata të paktën për të vënë një gur. Kryqi është i lartë dhe është vendosur në një platformë gurësh për të mbajtur gjithë atë ngarkesë. Ai është i vendosur poshtë rrugës, në mënyrë që kalimtarët ta shohin që prej larg. Vendi është rregulluar pikërisht mbi tokat e fisit të Fishtës, poshtë vendit gjenden dy rrënjë ullinj, të lashtë duket, ndoshta ullinjtë ku ka qëndruar dhe ai i vogël ndërsa nxirrte në kullotë bagëtitë. Poshtë kryqit është shkruar: "Këtu ka lindur frati i madh, Patër Gjergj Fishta", po janë shkruar dhe datat e lindjes e të vdekjes. Fillimisht kryqi ishte vënë prej druri. Për shkak të reshjeve të shumta ai filloi të kalbej, kështu që familjarëve iu desh që ta zëvendësonin me një kryq prej hekuri, i cili qëndron i vetëm në mesin e asaj lugine. Përveç shenjave të rrugës, ai është shenja e vetme në gjithë atë hapësirë boshe dhe të shkretë.
Shtëpia
Por Zef Ndoka pati edhe një vend tjetër të rëndësishëm për jetën e vet. Është shtëpia ku u rrit, atje prej ku iku Zef dhe u kthye për të bujtur në katin e dytë të saj, tashmë si At Gjergj Fishta. Shtëpia gjendet në Fishtën e Poshtme. Madje sapo kalon shinat e trenit Lezhë-Shkodër, është një rrethrrotullim. Një kalimtar të shpejtë dhe të zakonshëm asgjë s'mund ta kthejë për të parë shtëpinë ku qëndroi Fishta. Por nëse pyet dhe je paksa i vëmendshëm, do shohësh që pas një rrethrrotullimi të vogël është një kryq në rrugë që të kujton diçka. Duhet të pyesësh sërish për t'u kthyer në një rrugë të keqe për nga shtëpia. Është një shtëpi dykatëshe, gati e rrënuar. Deri pas viteve 1990 ajo ka qenë e banuar. Kanë banuar kushërinjtë e tretë dhe të katërt të Fishtës, pronë e të cilëve edhe është. Por të zotët e shtëpisë kanë ikur, duke e lënë të mbyllur me një dryn të madh derën e shtëpisë, që gjithsesi mund të të zërë brenda. Shumë barëra të këqija kanë zënë hyrjen e një shtëpie ku nuk shkon më askush. Nga dy dritare të vogla arrin të shohësh shumë pak brenda, që nuk ka shumë se çfarë të shihet. Shtëpia përbrenda bie erë lagështirë dhe njerëzit e fundit që kanë ikur, kanë lënë kujtimet e tyre, por asgjë që të kujton Fishtën. Në ballë të shtëpisë mund të marrësh vesh se te kjo shtëpi ka qëndruar dikur Gjergj Fishta. Është një pllakatë, jo prej mermeri, por prej materiali hekuri. Edhe ajo është e vendosur nga familjarët. Nuk gjendet asnjë shenjë e Fishtës këtu, përveç dëshmive të njerëzve rreth e rrotull dhe një fisi që mban mbiemrin e Patër Gjergj Fishtës.

 

________

 

Gjon Mark Ndoka: Kemi kërkuar ndihmë nga shteti për shtëpinë

 

Flet për "Gazetën Shqiptare" Gjon Mark Ndoka, stërnipi Patër Gjergj Fishtës, se si e ngriti vetë Kryqin dhe se si vendosi pllakatin te shtëpia ku ka qëndruar.
E keni takuar ndonjëherë Fishtën?
Kam qenë fëmijë kur Patër Gjergj Fishta vinte këtu dhe qëndronte në katin e dytë të kësaj shtëpie. Ndërsa isha gjashtë vjeç kur ai vdiq në Shkodër. Ishte ai Patër Gjergj Fishta që mori babain tim, Markun dhe e shkolloi për topograf në Shkodër. Ai më pas punoi në Tiranë, duke mbajtur mbiemrin Fishta, por që i nxori mjaft probleme.
Kush e ka vendosur kryqin atje mbi Fishtë?
Kryqin e kemi vendosur ne familjarët, edhe pse i kemi vënë në dijeni autoritetet lokale për gjendjen jo vetëm të kryqit, por edhe të shtëpisë ku ka qëndruar Fishta.
Ju, a iu jeni drejtuar autoriteteve për gjendjen e saj dhe cila ka qenë përgjigja?
Sigurisht që u jemi drejtuar autoriteteve, të cilat e kanë parë dhe kanë marrë shumë shënime. Para disa kohësh ishte dhe një deputet që kaloi me Partinë Demokratike, i cili e ka parë, ka marrë shënime, por nuk kemi asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet. Shtëpia është në gjendje të rëndë, ajo pothuajse është duke u rrëzuar.
A keni mundësi ju si familje ta rindërtoni këtë shtëpi?
Jo, nuk është e mundur nga ana financiare ta rindërtojmë. Shtëpia është prej guri dhe duhen fonde të mëdha për ta ngritur ashtu siç ka qenë.
A ka mbetur gjë prej Fishtës nëpër të afërmit e tij?
Në fakt, Fishta nuk ka lënë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, pasi si prift nuk i lejohej të martohej. La vetëm fëmijët e të vëllait, nga rrjedh edhe vetë dhe një motër që kishte. Ajo nuk u martua dhe nuk la trashëgimtarë. Ai që ka banuar në këtë shtëpi ka pasur një mulli të Fishtës, me të cilin bluante kafenë, por që nuk e dimë se ku është.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx