E premte, 02.05.2025, 07:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Limfa e baladave

E shtune, 04.12.2010, 08:58 PM


Pirro Loli

 

LIMFA  E  BALADAVE***

 

KUFINJTË E DHEMBJES DHE TË BUKURISË

 

Atë ditë isha vetëm në shtëpi. Ekrani i televizorit më dukej i përgjakur. Ndërroja kanalet por njollat e gjakut ishin gjithandej njëra mbi tjetrën. Prej andej , nga teatri i luftës , më dukej se gjaku rridhte i pastër , i nxehtë , rrëke ; lante ekranin e televizorit dhe binte në dyshemenë e dhomës sime i kuq flakë. Gjëmojnë në qiell avionë të rëndë. Në tokën e Kosovës ngrihen zjarre ferri e hapen gropa të mëdha. Turmat e grave të fëmijve , të pleqve , e gjithë popullsia e Kosovës , ndiqet pas nga hienat serbe. Qindra hiena të uritura serbe kafshojnë nga pas. Dhe mishin e njomë të fëmijve dhe kockën e pleqve 90 vjeçarë. Dhe s’ngopen me gjak…

Ashtu të plagosur , të raskapitur , me shapka në këmbë e me rrobat e trupit , të lagur , të ftohur , të pangranë , vendosur nëpër kollona të gjata , me foshnja në duar ; ashtu të heshtur e dinjitozë , të urtë gjer në palcë , kalojnë kodra e lumenj e pyje , kalojnë qafa malesh , kalojnë kufijtë e vdekjes.

…Ku , ku t’i varrosim të vdekurit ?! Kërkojmë një vend , të hapim një varr ! Jo , vazhdo rrugën ! Pas kemi serbin. Edhe pak , edhe pak ! Dhe dynden e dynden drejt tokës arbërore. Dhe ajo e moçmja , e varfra , buzëplasura historike ka dalë e gjitha në rrugë , hap krahët e i pret. Ja Kosova , e gjitha këtu ! Nga avioni kampet e kosovarëve duken si varre të murrme. Ç’ka ndodhur vallë ? Mos kanë shpërthyer flakët e Vezuvit apo tërmeti ka rrafshuar gjithçka ? Jo. Nuk janë varre. Është Kosova mbledhur e gjitha këtu , nëpër kampe , nëpër çadra. Ja qytetet : Prishtina , Gjakova , Peja , Prizreni , Drenica…, ja një çadër e madhe maternitet , ja lavamani , ja shkolla dhe disa fëmijë që lozin me top. Ndanë rrugicave , diku , për të mos u vënë re , pleq të lashtë sikur kanë zbritur nga legjendat , kryqëzuar gjunjët dhe krahët e gjata humbasin me orë të tëra në vetvete të zhytur në mes të gjëmës…

Midis kampeve , midis qyteteve e fshatrave të mbledhur në krahë të njëri tjetrit , ca rrugë të ngushta , të përbaltura me emra të çuditshëm : Bill Klinton , Toni Bler , UÇK , Miss Albania… E nëpër to , gjithmonë , plot e përplot rrugicat me fëmijë , me mijra e mijra ! Janë mbledhur këtu të gjitha cicërimat e Kosovës , janë çarë qiejt e saj e kanë derdhur zogj. Sa shumë zogj paska pasur ai qiell ! E këto rrugë , që kufizojnë kampet , me ata emra kuptimplotë , ndoshta janë emrat e bulevardeve të nesërme , emrat e shpresës , emrat e lirisë , që këtë radhë i dërgoi zoti si shpëtimtarë nga qielli…

                                                                                        

TEUTA

 

Ajo kish emrin e mbretëreshës së madhe ilire. Ishte një nga mijëra vajzat shqiptare që nga Epiri deri në Dardani me emrin “Teuta” ; si mijra vëllezër të saj në çdo skaj të kombit shqiptar me emra mbretërish ilirë “Bardhyl , Agron , Genti , Pirro , Gjergj…”

E masakruan Teutën.

Se ishte kosovare. Se ishte e bukur. Se mbante emrin “Teuta”…

Ishte nga fshati Zhur , pranë kufirit me Shqipërinë. Buzë Zhurit u zvarritën qindra mijra kosovarë për të kapërcyer qafat e vdekjes , të ndjekur pas nga lukunia e militarëve serbë. Buzë Zhurit ishte instaluar një batalion ushtarësh serbë , që ruanin kufirin e do të ktheheshin disa herë në Zhur për të zhuritur çdo frymë të gjallë që guxonte të qëndronte në “Zhurin serb”!!..

Por dhembja nuk fillon e nuk mbaron këtu. Në atë përzënije të skëterrshme të një populli të fisëm ndoshta dhembja që vjen nga plumbi ishte më e lehta. Prindër kosovarë mbanin prej dore fëmijët e tyre , sidomos vajzat dhe me fytyra të tmerruara , nxitonin të kalonin kufirin. Maska të zeza serbe depërtonin midis turmave dhe me thikë në dorë shkëpusnin vajzat e bukura.

Halil Dauti 52 vjeçar , me të shoqen Farien , nuk e mbrojtën dot vajzën e vetme Teutën. Maskat e zeza e kapën vajzën pas gërshetit të trashë , e shkëputën nga prindërit përdhunshëm , e hoqën zvarrë dhe e përplasën veç , pranë bukurosheve të tjera , që qanin dhe lebetiteshin si zogjtë e sorkadhes midis panterave , që jargëzonin e qeshnin …

Prindërit hidhnin këmbët kuturu duke kapërcyer ferrin por fytyra u mbeti pas e tmerruar. Pas kishte mbetur Zhuri i tyre i përpirë nga flakët. Pas kishte mbetur Teuta , shpirti i tyre. Pas kishte mbetur një copë zemër e babait dhe e nënës ; një copë zemre prerë me thikë. Dhe gjaku nuk lëvizte nëpër damarët e prindit.

Atje , në të kapërcyer të qafës së Morinës , burri Halil Dauti do qëndronte një çast , do ta shkundte të shoqen prej supesh e do t’i thosh : “Mbaju , burrneshë ! Ky është fundi i shkjaut ! Kosova do çlirohet !”

Zemra e gruas donte t’i thosh : “ Po është e vogël Teuta , mor burrë ! Ata flokë të saj , ata sy ! Oj , oj !..

Ç’e dua unë jetën ?! Oii , Oii Kosovë , dashke dhe flokët dhe sytë e Teutës !! Por gruaja i përtypi lotët e kyçi zemrën dhe para burrit heshti.

E masakruan se ishte kosovare. Se ishte e bukur. Se mbante emrin “Teuta” !

 

                                                            *

                                                     *            *

 

Kur të gjithë kosovarët po kthehen me ngut në Kosovën tonë të lirë , Halil Dauti me të shoqen banon akoma në shtëpinë e mikut në Tiranë. Ata nuk po guxojnë të kthehen në Zhurin e tyre aq pranë kufirit , që tani , s’është më kufi. Ç’ka ndodhur ?

 Miku i tyre , Xhemali , që nxitoi për tu kthyer ka sjellë për ta nga Zhuri një dhembje të veçantë. Në jugë , nga anët e mia , i themi “mandatë”. Një zarf me anë të zeza , me vdekjen brenda ?! Jo. Një kujtim… Një kujtim të fundit nga Teuta ! Një qese e vogël plastmasi. Brenda një shall i bardhë mëndafshi , një orë dore , dy thika dhe fotografia e Teutës me sy të kaltër ëndërrimtarë…

Dhe dy thika , pra , që u ndodhën në tryesën e guzhinës së tyre. Njëra e mprehtë për të qëruar zarzavatet , tjetra për të prerë bukën…

E kish gjetur Xhemali nën mbulesën e divanit të përmbysur në shtëpinë e tyre atë mandatën e Teutës. Dhe mandata s’mbahet gjatë , mandatën e sjell edhe era edhe zogjtë , ajo është amanet.

Askush nuk guxon tu thotë prindërve të Teutës të kthehen në Kosovë. Të gjithë e dinë tashmë , por…

Dhe thotë nëna : “ Kam frikë të kthehem në shtëpi. Jo nga gërmadhat , jo ! Më përfytyrohet sikur në divanin , ku Teuta ka fshehur këtë qese të vogël plastmasi , do të gjej njollat e gjakut akoma të pa thara…”

Teuta nuk mundi ta duronte dot turpin. Nga fytyra e saj ëngjëllore nuk mund të shpëlaheshin jargët e serbëve. Në trupin e saj të brishtë demonët përdhunshëm kishin lënë farën e djallit…

Ejani me mua , vëllezër ! Edhe ju prindërit e saj ! Ejani ta kërkojmë Teutën në thepisjen e shkëmbinjve të Krujës ku pararendësit e saj u hodhën në greminë për të mos rënë në duart e turkut , ejani në humnerat e Sopotit , nëpër emrat e suljotëve. !

Është me to edhe emri i Teutës ; i pastër nëpër thikat e shkëmbenjtë e gjakut ! Humnerat e turpit janë më të thella. “Le të ndizet lulkuqe gjaku im”.

Këto mendoi në ato çaste me dy thika në duar , kur , me mënyrën e saj gjeti shpëtimin e nderit dhe emrit të saj.

 

KALI  I BALADËS

 

Po ktheheshin kosovarët me ngut. Varganë të gjatë me zetorë , kamionë e autobuzë gjarpëronin bjeshkëve e qafave , të heshtur si në një funeral kombëtar. Askush nuk e dinte numrin e të vrarëve të mbetur atu këtu të pavarrosur. Ata , ashtu tek treteshin ngadalë nën shi e nën diell , rëndonin mal mbi truallin e zhuritur të Kosovës.

Mujë Berisha , hipur në një autobuz luksoz të NATO-s , sapo syri mjegullor i kapi trojet e tij , u ngrit më këmbë , zgjati krahun kockor dhe i thirri shoferit : “Ndal këtu !”. Dhe bëri të zbriste me atë trupin e gjatë si një konstruksion kockash të lidhura prej qëmoti kështu.

Dikush tha se ai plak është Bacë Berisha , se ai nuk e mban mend sa vjç është , sa djem e stërnipër ka. Në të zbritur një plak tjetër i foli : “Bacë , mos po zbret gabim ?” Dëgjova zërin e kalit , u përgjigj ai dhe kryet s’i ktheu pas. Sapo këmbët i zunë dhe , si një siluetë fantazmë u përkul në tokë. Seç thoshte me vete brenda gjoksit tërë brinjë dhe me ballë e me shuplakat e dorës prekte tokën sikur t’i thosh : Ja , erdha ! Të pata thënë , o i gjallë , o i vdekur do të kthehem , o Kosova ime e madhe !

Pastaj fantazma vuri duart në vesh sikur donte të kapte në erë një kumt të njohur , mbetur këtu , fshehur nëpër ahishte rrëzë bjeshkëve. Një erë e zgjatur , si kujë monotonte e godiste në veshët e plakut dhe nuk ndjeu nëpër të as trokun as hingëllimën e kalit të tij të bardhë. E kish lënë këtu atë ditë kalin e dashur. Ai kishte mbartur në shpinë të gjithë rob’t e shtëpisë. Kish bërë disa rrugë me fëmijtë në fillim duke i mbajtur me kujdes në shpinë , në vithe , në qafë. Pastaj me plakën e me radhë nuset e gratë e veja. Rrugën e fundit e bëri me të zotin , Mujë Berishën , harruar nga vdekja qyshkur dhe që s’donte ta linte shtëpinë për qamet. Por kali kish ulur shpinën dhe i kish thënë : Hip ! Dhe plaku e dëgjoi. Mbahej me zor mbi jelit e kalit , dridhej si purtekë e atje , pranë kufirit , nëpër turmat e njerëzve që iknin nën një shi të zi , dikush e kish zbritur nga kali. Plaku kish mbetur i vetmuar , kish humbur të gjithë të tijtë dhe mendja i rrihte te kali i braktisur… Kur e pyesnin në Shqipëri për njerëzit e shtëpisë , plaku murrëtohej në fytyrë , sytë e vegjël i humbisnin thellë ballit prerë nga rrudhat dhe i munduar thoshte : “Nuk e di , kam shumë. Nuk e di sa u hodhën këtej e sa mbetun brenda , nuk e di sa janë gjallë e sa kanë vdekë , por kalin e mbaj mend. E lashë atje kalin e bardhë. Nën një shi të zi. E nuk e di , a ka bar me ngrenë , a ujë me pi ; a është gjallë apo ka vdekë…”

Kuja e erës sikur i hidhte copa copa në vesh hingëllimën e kalit. Ai është , mendonte plaku , ai – e njoh zërin e kujës. Po troku i tij pse s’po dëgjohet ?! A thua ia kanë prerë këmbët kalit tim ?! Mos ka venë krah e fluturon ? Apo ka dalë kullave të krajlit për me marrë Mujin e Halilin a një nuse me duvak ?!…

Befas ahet e lartë u drithëruan nga piskama e hingëllimës. U ça ahishtja e dendur më dysh dhe , me sytë e mjegulluar , plaku nuk e dalloi mirë kalin e bardhë. Zbriti nga gjiri i reve të bardha apo doli nga dheu në mes të aheve të lartë ? Ja kali i bardhë para tij. Plaku kish hapur krahët pa kuptuar. Kali zgjati kokën mbi supet e plakut. E pushtoi atë kokë kali plaku e , me duart që i dridheshin , i fërkoi gushën e jelet e gjata ia mori në gjoksin e tij. Seç mërmëriti ca fjalë shpirti kali e plaku vuri re dy vraga të zeza lotësh që iu varën nëpër nofullat e gjata. Dy vija të zeza , të thella. Kish qarë kali me lot të nxehtë e loti kish bërë udhë në nofullat e gjata të kafshës.

 -S’pata as bar me hangër as ujë me pi – tha kali e shtatë Omerat kanë vdekë…

-E di , vëlla – tha plaku , po këtë plagë në kofshë kush ta ka hapë ?.

-Më kafshuan – tha kali , por shumë herë u shpëtova.

Plaku vuri re plagën e dhëmbit në kofshën e kalit. Ajo kish zënë dregëz të zezë. Vija e zezë e gjakut nëpër këmbën e hollë kishte ngrirë. E patkoi kishte rrjedhë gjak nëpër gjurma.

-Më qëlluan edhe me plumb në vithe , tha kali , po as plumbi s’më mbajti dot e trupi im e treti predhën , e unë fluturoja nëpër bjeshkë. U mbushën bjeshkët me korba këtë vit. Ato binin mbi mua si re të zeza , por nuk më shtrinë dot se bëra krahë e plagët nuk u a dhashë.

Plaku dhe kali shikonin njëri tjetrin në sy. Plaku mundohej të përfytyronte të zezat që kish hequr kali i kali mendonte plagët e të zotit.

-Pse hesht ? – pyeti plaku.

-…

-Më trego për të tjerët. A është gjallë vatha e shtëpisë ?! Fol , vëlla !

-Delet i vranë me breshëri plumbash – tha kali. I vranë atë nati që ikët ju. Shpirtërat e bardha të deleve rënkuan tërë natën e blegërimat u shuan në mëngjez. Qeni ndenji me kufomat shumë ditë duke ulëritur mbi to. Pastaj dhe qenin e qëlluan me plumba e i këputën të dyja këmbët e para. Dhe qeni u hoq branë si cung i gjakosur rreth e rrotull vathës e vate e vdiq , pa bërë zë , në pragun e shtëpisë së rrënuar.

Heshti kali përsëri. Dhe plaku heshti. Dhe zemra e tij godiste përbrenda brinjët e plakura.

-Po ti pse nuk më pyet për nusen e për Mujin e vogël , o Bacë ?! – tha kali.

-Kam shumë nuse , e shumë të vegjël – tha plaku. Po nusja e vogël , Bora , dhe foshnja s’është më – tha kali.

Por unë mbaj mend se Borën ti e more në shpinë me të voglin e saj – tha plaku.

-Ata e ndanë nusen nga turma , Bacë dhe e vranë me foshnjën në gji.. Eh , eh ! – bëri kali.

Sikur iu ça gjoksi plakut. Zemra i shkallmoi brinjët e plakura , uli kryet dhe : Mos vëlla , mos ! Ish e bukur Bora dhe ferishtja kishte emrin tim…

…Ish i hidhur prilli e lulemollën në kopësht e dogjën. E jonxhat i përzhiti flaka. E drapëri i hënës humbi nëpër bar. Oh , oh !

Kali ngriti kryet , e pa të zotin në sy e i tha : Mbaju Bacë ! Qumështi i nuses rrodhi nëpër vrima plumbi e buzët e foshnjes më kot kërkonin në gjirin e së emës. E qumështi u bë gjak e gjaku ngriu. E foshnja u bë engjëll e fluturoi me krahë pëllumbi. E kërkonte të emën varr më varr. E emrin e Mujit të legjendës mbante. Nipi i Nënë Terezës ishte e një mijë breza kosovar.

Hoqa keq , o zoti im – tha kali – Edhe unë bëra krah e po e kërkoj foshnjën gjithandej nëpër bjeshkë e s’po bije dot në të. ndoshta u bë shpirt a u bë ajër. E buzët e tij kërkojnë gji. Po s’pati gji për engjëj këtë radhë. Dhe shkëmbi dhe pema dhe bjeshkët dhe lulemolla në kopësht , donin të bëheshin gji e qumështi u ngriu. Thërret me piskama foshnja e britmat e tij ngrihen në kupë të qiellit. U shkoq shkëmbi e bjeshka e lulemolla u dogj. Shteruan buronjat e Kosovës dhe krojet rrodhën gjak.

E dëgjuan zanat e malit gjëmën , ato të kahershmet zana , që kishin ushyer Mujin e legjendës me qumësht ; donin të ngriheshin nga honet e baladës e të nxirrnin gjirin majë bjeshke , por kish shterruar prej dhembjes dhe gjiri i tyre. Zanat dëgjonin britmën e fëmijës e nga tmerri filluan të shkulnin flokët e gjijtë e sytë e tyre donin t’i nxirrnin me duart e veta.

Klithte pylli i lismajave e lisat thyeheshin një nga një. Ahet e gjatë rrëzoheshin me kujë , binin plasur , çaheshin trungjet e radhë radhë ktheheshin në arkivole. Kisha dëgjuar kujën e Ajkunës e të nuseve të veja , kisha dëgjuar dhe burrat të qanin e t’i binin gjoksit me bat , por s’kisha dëgjuar vaje bjeshkësh e shkëmbenj të thërrmuar nga morti jo !

Hip , o Bacë mbi shpinën time e unë do të të mbaj e bashkë me ty do fluturoj nëpër varre. Qëkur nisët të ktheheshit ju , ka fillue Muji me bezajt. Grykat e bjeshkëve oshtëtijnë ndryshe e gjokset e virgjëra të vajzave kanë fillue të rrjedhin qumësht të bardhë si bora. Është i gjallë Muji i vogël , Bacë ; ai endet si shpirti i pavdekshëm i Mujit të baladave ; thërret ai dhe po dëgjojnë edhe zanat e kahershme , që tundin gjirin , dhe buronjat e Kosovës e dëgjojnë e po shkrijnë e kanë filluar të rrjedhin edhe ujë të ftohtë dhe qumësht të bardhë

                               

LUGINA  E  VDEKJES

 

Kish vite që kjo luginë e kish humbur emrin e saj dhe quhej “Lugina e vdekjes” ose “Kazermat e Llukarit”. Çmenduria serbe kish grumbulluar këtu gjithë arsenalin luftarak të vdekjes. Qindra automjete lëviznin këtu ditë e natë me vdekje ngarkuar. Depot e pafund rreshtoheshin njera pas tjetrës me barkun e zi mbushur me vdekje. Dhe pemët përreth dhe bari , dhe ujët , që çuçuriste me gjethet në fund , i përkisnin vdekjes.

Po përgatitej vdekja e një populli. Ushtarakë të çmendur serbë kishin projektuar në këtë luginë të gjitha llojet e vdekjeve. Ç’logjikë e përçudnuar njerëzore qe kjo që llogariste vrasjen e një populli me plumba të thjeshtë , me predha artilerie të të gjitha milimetrave , me lëndë kimike , me mina xhenjere , me raketa tokë-tokë e tokë-ajër ? Nga kjo luginë vdekja shpërndahej kudo nëpër Kosovë. Ajo binte nga qielli dhe qe mbjellur edhe në tokë. Qindra mijë mina të ish markës “BRSS” u mbollën nëpër rrugë , nëpër shkolla , spitale , nëpër kopshte pranë çezmave me ujë , kudo që mund të kalonin fëmijët kosovarë për të luajtur me minakukullat e bukura serbe. Vdekja do të mbetej pas edhe pas luftës si një mesazh i përhershëm. I gjaktë.

Një natë prilli , të gjitha depot e vdekjes i përpiu flaka. Aviacioni i NATO-s kish goditur me saktësi. Në “Luginën e vdekjes” ishin hapur varre gjigande. Krateret ishin kaq të thella sa nga nëntoka kish dalë uji i zi. Faqet e luginës i përzhiti flaka dhe vdekja e groposur thellë kratereve dukej se kishte gjetur fundin. Ndoshta Aleanca Atlantike bëri një provë të suksesshme dhe tregoi se si mund të groposej vdekja. Vite më vonë , ndoshta kur të mbijë bari i gjelbër dhe pemët të quhen pemë, mund të ndryshojë edhe emri “Lugina e vdekjes”.

 

STALLA  E  DERRAVE

 

Pranë “Luginës së vdekjes”, buzë gropës së thellë , që kishin hapur bombat , kishte shpëtuar për mrekulli një stallë derrash. Zëdhënësi i NATO-s , pasi raportoi se “Lugina e vdekjes” nuk ekziston më , se avionët e Aleancës nga distanca 5000 metra lartësi kishin kryer një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e saj me saktësi matematike , si për të qeshur , shtoi se një stallë me derra serbë kishte shpëtuar e paprekur disa metra më tej.

Zëdhënësi i NATO-s nuk mund ta dinte se derrat serbë kishin filluar sherrin midis tyre. Ulërimat e tyre dëgjoheshin në të gjithë luginën. Ata kishin mbetur pa ngrënë dhe godisnin njeri tjetrin me nofulla ta shkumëzuara. Disa ishin shurdhuar e verbuar nga bombardimet dhe disa të tjerë kishin guxuar të çanin gardhin dhe kishin dezertuar. Por derrat nuk e kanë problem , as veshin , as syrin , ata çdo dhembje e ndjejnë në stomak. Të mësuar të futin nofullat kudo për të ngrënë në çdo çast , tani stomaku i tyre kish filluar të ulërinte nga uria. Ata janë derra nga më të zgjedhurit e racës së vet që s’e kishin provuar kurrë urinë dhe stomaku i tyre ishte gjithmonë plot. Tani kërcitjet e dhëmbëve po bëhen më të shpeshta dhe nofullat kockore goditnin njera tjetrën majtas e djathtas. Ata që kanë shpëtuar edhe nga sytë edhe nga veshët , tregojnë shtegun nga dezertuan derrat e parë , por derrat qorra me trupat e tyre të rëndë e me dhëmbët e derrit , nuk lënë shteg për ikje. Derrat më të mençur kanë filluar të grupohen dhe guxojnë të dalin kundër shefave të tyre , që po harrojnë masën e madhe të derrave , të cilët mbushën plot 48 orë pa ngrënë , pa pirë e pa dritë. Derrat me shkollë , në mesnatën e tretë u kërkuan vëllezërve të tyre që të vihen të gjithë në rresht dhe të organizojnë mitingje proteste , por hajde të të dëgjojë masa derrave shurdhë dhe qorrë , që duan të hanë. Vetëm një bisht derrash i dëgjoi ata , bile i akuzuan se ata me shkollë gjithnjë kanë ngrënë më shumë.

Ditën e  tretë , pas bombardimeve të “Luginës së vdekjes” , një avion spiun i NATO-s pa pilot , arriti të filmojë një skenë derrash , që akoma mbahet sekret : një derr qorr , duke përplasur dhëmbët me një tjetër qorr , i kishte hapur një plagë gjaku. Derrat e tjerë përreth , sapo ndjenë erën e gjakut , e kishin kollofitur të plagosur me gjithë qime.

Specialisti përkatës në komisionin e “Ndalimit të luftrave civile”, me gjysëm zëri , ishte shprehur : “Lusim zotin të mos përsëriten skena të tilla , përndryshe në stallën e derrave do të kemi shumë gjak”.

Një specialist tjetër në “Komisionin e goditjes së centraleve elektrikë” , duke kundërshtuar të parin , këmbënguli  në bombardimin e centraleve , me argumentin absurd , se derrat shohin më mirë njeri tjetrin kur ndërpriten dritat…

 

VAJZA E KOSOVES

 

Në të dalë të Llukarit , në rrugën Prishtinë – Leskovac , kosovarët u mblodhën me mijëra për të rivarrosurr 47 kufomat e një varri masiv. Mbi kufoma kishin hedhur një shtresë të hollë balte dhe të afërmit e largonin baltën me dorë për të njohur njerëzit e tyre. Kishte edhe fëmijë 2-3 vjeçarë , me kafkat e vogla të shpuara nga plumbi. Në togun e kufomave dhe një kokë e prerë vajze. Një kokë e bukur me sy të kaltër , ku dy copa qielli kishin ngrirë ; një kokë vajze me flokë të gjatë të verdhë sikur hëna të kish mbledhur tufë të gjitha rrezet e saj ; një kokë vajze me faqe të bardha sikur kishin mbledhur tërë nurin dhe hirin e nusërisë nga vellot e së dielës…

Një kokë e prerë vajze !

E morën njerëzit dhe e kaluan dorë më dorë. E kujt është kjo vajzë ? Ku e ka trupin ? Mos është koka e ndonjë engjëlli të panjohur që kish rënë në atë varr për të ndriçuar si diell midis vëllezërve dhe motrave të saj ?! Askush nuk e njohu askush nuk e gjeti trupin e saj.

…Thonë se trupin e vajzës e kanë bërë copa copa , thonë se e kishin parë në një kazermë militarësh nga të Arkanit që zgërdhiheshin nën maskat e zeza , thonë se… E dëgjuan pleqtë e urtë dhe thanë në kuvend : “Është jona  , është e të gjithëve. Do ta varrosim kështu pa trup dhe le të bëhet i gjithë dheu i Kosovës trupi i saj”.

E dëgjoi dielli i Kosovës dhe tha : “Kjo tokë ka nevojë për mua edhe nën dhe”.

E dëgjoi hëna e netëve të Kosovës dhe tha : “Trupi im do të ketë ballin e saj”.

E dëgjuan pemët dhe e morën nëpër rrënjët e thella që ta nxjerrin sythe nëpër stinët që vijnë.

Një shegë e varur në degë afër varrit me emrin “Vajza e Kosovës” plasi nga dhembja , u ça në mes. Kokrrat e shegës bien në tokë si lotë të nxehtë prej breshëri të kuq.

 

ULITIMATUM

 

Në të pesëdhjet e shtatë ditë të bombardimeve mbi ish Jugosllavi , gjenerali i NATO-s U.Klark , mori nga zëdhënësi i tij një zarf që i tërhoqi vëmendjen. Mbi të  , me bojë të kuqe , sipër emrit të tij , ishte shkruar fjala “Ultimatum”.

E hapi zarfin dhe lexoi :

“Ne , një grup poetësh nga Kosova , të mbledhur sot më 21 maj 1999 , të armatosur vetëm me armët strategjike të shpirtit human , urdhërojmë ulitimativisht :

Të ndalohen urgjentisht bombardimet mbi Serbi ! Bombat e Aleancës Atlantike të cilat atje ku bien , hapin gropa të mëdha , janë të paefektshme. Ne i konsiderojmë ato bomba arkaike për shekullin e ri , që po vjen , prandaj urdhërojmë që bombat të mos mbushen me lëndë plasëse , por me QUMËSHT , të tipit “Nunu” dhe derivateve të tij. Vetëm kështu fëmijët serbë nuk do pinë qumështin e nënave të tyre që u ushqen urrejtjen ndaj kosovarëve. Qumështi “Nunu” i mbyll gropat e urrejtjes..!”

                                                                                      Vazhdojnë firmat                   

KOMANDANT PRESHEVA

 

Ai ishte ushtar , por të gjithë e thërrisnin “komandant”. Kishte vite që kish mërguar në Gjermani bashkë me gruan dhe vajzën e vetme. Punonte atje dhe me djersën e ballit mund të ndërtonte i qetë lumturinë e tij dhe të familjes.

Por damarët e gjakut i ulërinin përbrenda se zemra e tij , Presheva dhe e gjithë Kosova , lëngonte nën Serbi.

Një ditë dimri , më 1996 , ai la Gjermaninë dhe u fut ilegalisht në Kosovë. Prej vitesh ishte shpallur nga policia serbe person i rrezikshëm në kërkim dhe forca të shumta i qëndronin në pritje. “Puthmëni , i tha gruas dhe vajzës , se nuk mund të rri më këtu. Mua më pret Kosova”. E puthi gruaja dhe vajza me lot në sy dhe ai , burri dhe babai , mori një fotografi të tyre në portofol dhe u nis. Ish ditë dimri dhe një suferinë e ftohtë bore frynte në kufijtë e Kosovës. Grupi i tij u diktua nga forcat serbe dhe ra nëpër pushkë. Një shok i plagoset rëndë. Atëherë Presheva hodhi çantën e tij dhe e rrëmbeu të plagosurin në shpinë. E gjetën serbët çantën e tij me dokumentat e identifikimit edhe që atë natë të gjitha agjensitë televizive të Beogradit , kishin ndërprerë progarmet dhe dhanë njoftimin sensasional se “forcat serbe kishin vrarë në kufi terroristin e tmerrshëm me emrin “Presheva””. Pamjet tregonin fotografinë e tij të pasaportës , faqe nga ditari i tij i gjetur në çantë  dhe fotografinë e vogël ku ish fytyra e gruas dhe e vajzës.lajmin e dhanë edhe agjensi televizive të Evropës duke e bërë më të besueshëm kapjen e “terroristit”. E dëgjoi gruaja dhe u drithërua. Ra e këputur nga helmi në karrike dhe lotët i rrodhën breshër. “Puthmëni , - kujtoi se mua më pret Kosova !”. E dëgjoi vajza e tha : “Nuk e besoj. Ai më ka thënë se nuk e zë dot plumbi i serbit se unë kam dy zemra , njera quhet “Kosovë” tjetra ka emrin e vajzës sime…Jo , jo !”

Gruaja hapi portën e shtëpisë dhe priste ngushëllime nga qindra bashkatdhetarë emigrantë. Paketat e cigareve mbushur me nikotinën e dhembjes radhiteshin pa emër në tavolinën e dhomës. Vetëm vajza nuk ish përlotur asnjë herë. Atje midis burrave dhe grave kosovare ajo çohej më këmbë dhe nuk pranonte njeri për “kryeshnoshë”. Unë e di , thosh ajo , babai im nuk vritet , atë nuk e zë plumbi se ka dy zemra…Burrat dhe gratë përmalloseshin edhe më tepër nga fjalët e vajzës , pinin kafen e hidhur dhe largoheshin superënduar nga dhembja e atij burri…

Më datën 2 gusht 1999 midis të tjerëve , në portin e Durrësit priste tragetin e radhës edhe një burrë me mjekër të gjatë , i shkurtër në trup por i lidhur si me gjymtyrë të hekurta ; kish veshur uniformën e UÇK-së ; i qeshur në fytyrë dhe në ballë sikur i ishte ulur dielli i Kosovës. Ishte komandant Presheva që priste gruan dhe vajzën të vinin nga Gjermania. U kish bërë telegramin më të gëzueshëm të jetës së së tij :”U pres në Durrës më datën 2 gusht 1999 për të jetuar përfundimisht në Kosovën tonë të lirë !”

Gazetarë të shumtë që kishin dëgjuar vdekjen e tij e pyesnin :

- Ku ke qenë dy vjet ?

- Në Kosovën time. Kosova më thirri dhe unë e dëgjova.

- Pse të thërrasin “komandant Presheva”?

- Se jam ushtar i thjeshtë i UÇK-së.

- Pse është hapur fjala se nuk të zë plumbi ?

- Se kam dy zemra...     

Ja tek vrapojnë drejtim tij gruaja dhe vajza. Përqafohen. Shtrëngojnë në gji “terroristin” e vrarë para dy vjetësh. Vajza nuk përmbahet dot. Ngre krahët lart , i tund sikur do të përqafojë të gjithë njerëzit me radhë. Për herë të parë i shikon vëllezërit e saj të dashur në Shqipëri. Kaq të largët e kaq të afërt. Tek po linte buzën e detit e pyesnin vajzën :

- Pse nuk besoje në lajmin e vrasjes së babait ?

Ajo mban hapat dhe përgjigjet e vendosur :

-Sepse e dija që babai im nuk mund të vritej nga serbët , sepse e dija që ka dy zemra , njerën Kosovën , tjetrën mua , vajzën e tij , sepse e dija se ky det që ka emrin “Adriatik”, këto brigje të mrekullueshme një ditë do të ishin EDHE TË MIAT.

 

GJASHTË  LISA…

 

Atje , në vargmalet e Zhurit , në kufi me Shqipërinë nxin një lisnajë. Mbi të ndalet era , vërshëllen dhe tutje luginës dëgjohet si rënkim bjeshke. E gjelbra e lisave është mbyllur në zi. Lisnaja rënqethet nga dielli nga hëna edhe nga yjet , sikur brenda saj ka një dhembje që s’e thotë dot.

Çobanë e fshatarë me bagëtitë e tyre i largohen lisnajës së frikshme. Nëpër të qarkullonin militarët serbë , kryq e tërthor , dhe akoma nuk dihet ç’fshihet nëpër hijet e rënda të lisave.

Qentë e mëdhenj të kopesë ngrenë kokën drejtim pyllit dhe ulërijnë për kob. Nisen për atje , por gjunjët u priten dhe kthehen pranë të zotit duke qarë me zë të mbytur. Dhe leshi i lëkurës u ngrihet gjemb përpjetë.

Diku , pranë një sheshi të vogël , ngrinin kryet gjashtë lisa të lashtë që vit për vit stinët i vishnin në trup.

Tani të gjashtë kanë ulur supet. Këtë vit pranvera erdhi me barut e plumba. Zogjtë braktisën foletë dhe degët krahëthyera , rënkojnë për ta. Majëlisat , të gjashta , drithërohen nga dhembja dhe gjethet e tyre i lëshojnë në erë të zverdhura e të ndryshkura si nekrologji të kaluara.

Lisat e panë me sy masakrën :

Sheshi i vogël pranë tyre u mbush , jo me dele të bardha si çdo vit , por me ushtarë të zinj. Ata i komandonte një oficer , emri i të cilit ishte diçka  si “Akrep”. Dhe sytë i shkëlqenin si të gjarpërit. Ai dha urdhër që të gjashta vajzat e zgjedhura të lidheshin në trungjet e lisave dhe të shijoheshin në këmbë. Akrepat u lëshuan mbi to. Trupat e brishta , lakuriq , i kishin lidhur me tel , shtrënguar pas lisave. Dhe krahët e hollë të vajzave i kishin ngritur lart të lidhura fort. Dikush tha “t’i gozhdojmë si Krishtin” por arkanët ishin ordhodhoksë dhe …dhe….

Pastaj të gjashtave u prenë kokën. Pastaj komandanti urdhëroi të vriten edhe lisat. Qindra breshëri plumbash ranë mbi ta dhe atje , ku mungonin kokat e gjashtë vajzave , ata prenë lëkurën e lisave rreth e rrotull. Lisat po vdesin ngadalë. Trupat e lakuriqta të vajzave po treten ngadalë. Kokat e tyre të bukura u morën nëpër çanta ushtarake për të zhdukur identitetin e bukurisë , ose për të treguar , atë , përkatësinë orthodhokse të një rrace të zgjedhur.

Ndaj lisat kanë varur supet dhe po vdesin më këmbë. Ata mbajnë në trup masakrën e gjashtë vajzave dhe vdekjen e tyre ; ndaj ulërijnë qentë e lisnaja ka rënë në zi.

Po njerëzit dinë të ulërijnë ?

 

Solana , Kushner , Xhekson … apo gjenerali Klark , të paktën , duhet të mësojnë të qajnë…

 

TERRORISTI

 

Emrush Xhemajli mbushi 40 vjeç. Nuk e kish shkuar në mendje se kjo moshë do ta gjente të veshur ushtar me inicialet e UÇK-së. Në krah mban një çantë që e hap kur bëhet mbledhja e shtabit të UÇK për rajonin e Gjakovës. Ka një zë të urtë ai në atë shtab dhe , si intelektual , ka të drejtë të presë edhe grada në pushtetin e ri. Ka mbaruar akademinë e arteve në Prishtinë dhe Kosovën e ka përjetuar me shpirtin e tij tërë ngjyra nëpër telajo me vaj e me akuarrele. Para lufte serbët e kapën dhe e futën në burg si terrorist. Në çantë i kishin gjetur portretin e një gruaje. Një dardane me sy të ndritshëm. Mund ta titullonte “nëna” ose “gjyshja” ose “Kosova”. Por ai tha se ishte gjyshja e tij. Peneli i tij i kishte ndezur “gjyshes” sytë , dy sy të bukur , nën strehet e qerpikëve , që pikonin një dritë të brendshme. Dy sy si të një shpendi , që pret një rrezik nga çasti në çast ; dy sy që sulmohen nga të gjitha rrudhat dhe dertet e që vinë e trashen e kryqëzohen mizorisht në portretin e gruas , duke terrorizuar tiparet klasike të një dardaneje të lashtë dhe të re. Rrudhat përbënin terror dhe piktori u quajt “terrorist” dhe , të mbërthyer me pranga , e futën në burg…

Në çantën e tij “prej ushtaraku” ka një autoportret që , po ta shikojë një specialist serb , përsëri do ketë urrejtje për sytë ; përsëri sytë e piktorit i thonë persekutorit të tij “s’ta kam frikën” ; sytë e tij , pak të mbyllur , sikur marrin “ në shënjë” , sy “terroristi !” Për ca kohë piktori e la penelin në fund të çantës dhe mori në sup një mitroloz të lehtë (MLD). “Quhet mitroloz i lehtë , thoshte , por për mua është i rëndë , veçse di të këndojë bukur…” Dhe e zgjodhën në shtab.

E pyesin shumë gazetarë të huaj :

-Po tani ç’do bësh me mitrolozin ?

-Do t’ia dorëzoj gjeneralit të NATO-s , Xhekson por me një kusht :Dua ta di depon e armëve ku ndodhet.

-Pse duhet ta dini ?

-Se përsëri mund të më duhet… Mund të më duhet për të mbrojtur penelin , akuarrelet , bojrat e vajit … Herë pas here do shkoj ta vajis , të mos ndryshket. Dhe “terroristi” hap çantën dhe u tregon njerëzve arsenalin e armëve të tij : Një fletë të bardhë ku ka vizatuar buzëqeshjen e një shoku të ngushtë. E vizatoi me thëngjillin e një trau që vazhdonte të digjej , nëpër gërmadhat e shtëpisë të tij. Vizatoi buzëqeshjen e bardhë me blozë të zezë. Atë pasdite ai u hodh në luftë dhe një plumb e shtriu përdhe. Donte të merrej edhe pak me portretin , por nuk mundi t’i shtonte asgjë. Nuk donte t’ia prishte buzëqeshjen e bardhë… mjeti i zi paskeq qenë i përsosur !

Ky këtu është Ilir Soba – thotë piktori – Me këtë portret do kem punë tërë jetën. E kam filluar që përpara një viti dhe nuk e mbaroj dot. Ishte muzikant Iliri dhe u vra në mars të 1998-ës. I këndonte shpirti dhe kënga iu pre në mes. Edhe atij i thanë “terrorist” si mua. Ai vriste me këngë unë me akuarrele. Dhe kënga dhe ngjyrat “vrasin”. Më duhet t’i kthehem hera pas here për të dhënë shpirtin e muzikantit. Por nuk është e lehtë. Kishte mijra melodi shpirti i tij dhe njerëzit duan të dëgjojnë këngë. Melodia e prerë është element i lirisë , pra , melodi terroriste në pentagramet e luftës.

-Ç’do të bëhet me shtabin e UÇK-së ?

-Shtabi i UÇK-së do të kthehet në shtab të mbrojtjes civile. Le të vinë edhe serbë atje , po të duan por… por unë shtabin tim të rajonit do ta mbaj të paprekur…

-Si ? Po kjo bie në kundërshtim me marrveshjet.

-Jo , jo ! Unë kam frikë që ata do të më shpërndahen se ca janë bujq , ca çobanë ca studentë , ca minatorë… Ata i pret puna e tyre në paqe. Por unë si “terrorist” do tu bëj të tërëve portretin me akuarrele dhe do hap një ekspozitë me fytyrat e tyre të bukura prej luftëtarësh. Po të duan t’i takojnë njerëzit do t’i kenë të gjithë në një sallë , po të duan t’i dëgjojnë , do tu jap një zë e ata do vinë nga ara , nga bjeshka , nga bangat e shkollës , nga minierat , nga akademia.

Dhe armët e mbledhura do t’i gjejnë këtu.

 

BUKURIA  E  PËRGJAKUR

 

Emrin e Bukurie Muratit nga Malisheva e Kosovës e dëgjova nga televizori. Më drithëroi historia e saj. Se kam për turp të them që më lëvizi mjekra , më përcëlloi gurmazi , sikur do çahej , mbulova fytyrën me duar dhe shpërtheva në lotë. Lajmet marramendëse nga skenat tragjike të Kosovës , kishin tronditur të gjithë familjen time dhe të Primos. Ndërsa mundoheshim të qëndronim burra , duke i fshehur lotët në sy të fëmijve , si një shpresë të fundit , për ditë do përsëritnin fjalët e gjeneralit Klark apo Xhemi Shei , që , që bombardimet e NATO-s do të vazhdojnë deri sa …

…Bukurie Murati e thonë. Ajo u foli gazetarëve duke mbajtur një fëmijë prej dore. E mbante fort , e shtrëngonte në gji sikur kish frikë se mos i shkëputej. Foli dhe shpirti i ulërinte. Nuk qante me lot. Nuk kishte. Gjendrat e lotit i qenë mbushur me gjak. S’ka lot Kosova , gjak po , shumë gjak !..

15 prill ishte. Kulmi i stinës së varreve… Buldozjerë serbë , me nofullat e hekurta , si dinosaurë modernë hapnin varre masive. Kosovarët duhet të zhdukeshin fizikisht , ata që rezistonin duhet të varroseshin së bashku…

Mora Primon në telefon për ta ndarë dhëmbjen me të. kështu bënim gjithmonë në të gjitha ditët e LUFTËS. Më doli , e shoqja , Sonja. Mezi më fliste. E kish dëgjuar edhe ajo. Ndjeva frymëmarrjen e tronditur. Nuk mundet të flasi tani , tha. Primua është mbyllur në dhomën e tij dhe qan. I vjen rëndë ta shikojë vajza të lotuar.

…15 prill ishte. Mbi Kosovë binin bomba të mëdha e hapnin gropa atje ku ishte instaluar kuçedra serbe , nëpër pallate e bunkerë , por më të mëdha ishin gropat që hapnin buldozerët…

…Nuk e mbaj mend vendin ku na grumbulluan por atje është diku në mes të Kosovës. Rreth e rrotull kishte pemë të gjelbëruara. Kishin hapur një gropë të madhe sa dyqind varre bashkë. Buldozerët qëndronin në anë. Me nofulla të mëdha , të kuqe turfullonin e sikur nxirrnin duhma gjaku të piksur dhe tym të kuq. Në fund të asaj grope kish kufoma të tjera me fytyra të ngulura në dhe. Pashë dhe kufoma pa kokë. Midis tyre dhe truptha fëmijësh që i kishte zënë gjumi ! Serbët nxitonin bërtisnin , shanin serbisht. Na rreshtuan rreth e rrotull gropës. Nuk e di sa ishim por bërtisnim shumë. Dridheshim. Dikush nga ne thirri fort : Mos u ligështoni se serbët qeshin ! Rroftë Kosova e pavarur !…Përqafova fort burrin. Dy fëmijtë më kishin kapur me krahët e tyre , më mbanin fort e mbulonin fytyrën me fustanin tim. Më tutje qe i gjithë fisi im. Në krah kunata që dridhej si zog e lebetitej. Serbët qeshnin. Njoha dhe dy komshijtë e mi që ishim rritur bashkë. Serbët nxitonin. Nuk e di sa ishte ora. Nuk e di a qe ditë apo natë por shikoja qartë se pemët rreth e rrotull shkëlqenin nga një gjelbërim i pazakontë. Të gjithë ne , përqafonim njëri tjetrin. Po ndaheshim për herë të fundit. Klithma fëmijësh. Dhe ato kufomat në fund më dukej se lëvizën. Serbët nxitonin , qeshnin. Pastaj breshërima automatikësh. Ramë. Serbët qeshnin. Nuk ndieja gjë. Të gjithë ramë mbi njëri tjetrin. Kufoma mbi kufoma. Mbi trupin tim kish rënë kunata ime , shpuar tej e tej nga plumbat. Kufomën e burrit dhe të fëmijve nuk i pashë. Të gjitha ishin njëlloj , të gjitha mbytur në gjak rënë njëra mbi tjetrën… Nuk di sa zgjati kjo , por ata nxitonin. Lëviza dorën dhe këmbën dhe mu bind dhe dora edhe këmba. Hapa sytë e pashë se nga qielli i stërkuqur kullonte gjak. Isha e gjallë e mbytur nga gjaku i kunatës. O zot ku jam ? O zot , ç’të kam bërë ? Pastaj u ngrita më këmbë. Kërkoja burrin dhe fëmijët. Kufomat ishin të ngrohta. Nuk e di sa u enda nëpër të vdekurit e mi. I thirra kujtesës. Nuk mbaja mend asgjë ; as emrin tim , as burrin , as fëmijët ; isha kufomë. Kur këmbët bënë të iknin dëgjova një zë :

-Teta , teta ! mos më lër këtu ! Jam gjallë ! Ishte një djalë i vogël flokëverdhë me sy të kaltër. Në rroba e në fytyrë kishte stërka gjaku. Ndoshta i kish shpërthyer gjaku nga zemra e nënës…E mora prej dore. Ecëm kuturu. Nuk e di ku na shpunë këmbët. Nga qafa e malit u drejtuam. Kur dola sipër pashë se isha me një këpucë. Ecnim. “Beni”quhej djali me flokë të florinjta. Nuk guxova ta pyes , i kujt është ? Ku e ka babin e mamin ? Jo nuk guxoja. Akoma nuk e kam pyetur. Unë kisha dy fëmijë tani kam vetëm Benin. Oh , oh ! Kisha burrin që atë ditë u kthye nga mali për të na prurë bukë. Kisha një fis të tërë. O zot ! Nëm forcë të kthehem t’i takoj të gjithë. Beni , të ka nëna ty ! Mos u shkëput nga mami !

Eja , bir i nënës ! Do kthehemi. Kosova është atje…

Pak ditë më vonë ajo u tha gazetarëve në një kamp se quhej Bukurie Murati , u tha se ishte nga Malisheva , u tha si i kishin kapur e rreshtuar rreth e rrotull një varri të madh.  

 

MISS  ALBANIA

 

Venera Mustafa u shpall bukuroshja më e mirë shqiptare për vitin 1999 dhe kurorën e Missit e mori në Tiranë. Është rastësi , thua , që ka emrin e perëndeshës së bukurisë ? Ndoshta. Por nuk është rastësi që është nga Prishtina e Kosovës. Venera “Miss Albania” shkëputet nga tmerret e luftës dhe vjen e bëhet simbol i bukurisë kombëtare. Ajo mundi tu shpëtojë masakrave serbe duke e maskuar bukurinë e saj , se serbët e kishin parë nëpër spektaklet e bukurisë që në moshën 14 vjeç. E ajo donte të konkuronte me bukuroshet e tjera nga Prishtina , Peja , Gjakova , Prizreni. Por skenat e qyteteve të Kosovës ishin mbushur me të gjithë shëmtinë që mund të pjellë vetëm raca serbe. Bukuria kosovare po përballej me përdhunime tortura , vrasje të vajzave të reja. Spektaklet serbe , gjithandej nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës , pa dëshmitarë , pa kamera e gazetarë po masakronin bukurinë e një race fisnike. Venera Mustafës i mbushet trupi mornica e sytë me lot kur kujton bukuroshet e tjera të konkurimit për “Miss Kosova”. Ato janë diku duke maskuar trupin e tyre. Ndoshta pyjeve të Kosovës , ndoshta kampeve të refugjatëve ; Mos o zot ! Ndoshta ndonjëra ka përfunduar në kthetrat e serbëve. Ndaj ka marrë të gjithë pikëllimin e vajzave të Kosovës dhe e ka qendisur në sytë e saj. Sytë e zi , sy të thellë në fytyrën e saj bjonde , trupi i saj i gjatë si dardanet e hershme të racës së saj , duket sikur u shmanget kamerave nga tmerri që ka parë e sikur do të shpallë dramën e bukurisë së saj.

Ajo mbuloi fytyrën me shami , veshi rrobat më të këqia të së emës dhe u shpëtoi militarëve serbë , që e lakmonin , kur e përzunë nga shtëpia e saj dhe hipi bashkë me dhjetra të tjerë në një makinë. Ishte e vetmja miss në botë që e përkuli trupin e saj për të mos iu dukur , mori një torbë në shpinë me ca tesha të saj të futura me shpejtësi ,dy libra , disa fotografi dhe një kukull moshatare me të. E raskapitur , pa bukë e pa ujë , nëpër kodra e gërxhe si refugjata , ajo , po ngjiste shkallët drejt një podiumi madhështor për tu shpallur jo “Miss Maji” e “Miss Prishtina 97” , por “Miss Albania 99”.

Bukuroshja jonë më të bukur ka shpirtin. Kur do të ketë kurorë bukurie për shpirtin ?! Është e ndjeshme si fëmijë, ndruhesh ta shikosh gjatë fytyrën e saj engjëllore se sikur e lëndon , sikur shkund vesën e majit nga një petale trëndafili.

Fytyra , trupi , emri dhe shpirti baraz Miss Albania. Kur i flet për këtë harmoni ajo të shikon gjatë , me ata sy ëndërrimtarë e të turpshëm , sikur i thyhet përbrenda diçka kristaline e loton.

- Ç’dëshironi ?, e pyes

- Asgjë që nuk meritoj.

- Po pse qan ?

Merr frymë thellë , shkrepëtin qerpikët dhe thotë : jam shumë e gëzuar se do rreshtohem me bukuroshet e Evropës jo për kurorë misi , jo ! Shqipëria ka vajza më të bukura se unë , por unë jam fatlume. Jam e sigurtë se kur të kthehem në Prishtinë , mbi qiellin e saj , do shpall KURORËN E LIRISË. Dua të vë me dorën time mbi flokët e përzhitur , dua të kthehem me fustan të bardhë nusërie , dua të fluturoj si pëllumb i bardhë mbi tymrat e luftës…

 

UJKU  I  RROK  ROSHIT

 

Vite të shkuara , kur nuk qe gremisur akoma sistemi komunist mu kthye “i pabotueshëm”edhe një libër me tregime. Unë dhe naiv dhe trim kërkova të ballafaqohesha në Shtëpinë Botuese. Redaktori kishte qëlluar një shoku im që kishim mbaruar së bashku universitetin

- Justifikimet tuaja , i thashë , janë budallëqe dhe jashtë parimeve letrare.

U vu në pozitë të vështirë redaktori (S.Ç) dhe kur pa që këmbëngulja në të drejtën time , më tha :

- Prit pak , të bisedojme shefat.

Prita. Ai u bë kokë më kokë me sekretarin e partisë dhe drejtorin për të më përcjellë me lezet. Me sa duket S.Ç u kish thënë se më kishte mik dhe i vinte rëndë të më thoshte se tregimet vuajnë edhe nga disa gabime ideore.

I kish thënë sekretari : me që e ke mik , i thuaj të ruhet , i thuaj të heqë dorë nga “Ujku i Rrok Rroshit” se do ta hajë.

Piva një kafe ngushëllimi me S.Ç dhe miqësisht i thashë :

 - Më vjen keq për ty !

- Pse ?, tha ai

- Të janë rritur dhëmbët , i thashë , ata hanë edhe miqësisht…

Akoma edhe sot nuk mund ta kuptoj pse duhet të heshtnim ne për Kosovën , e pse poetët e saj i trajtonim si një shtojcë mjerane në programet tona sikur të ishin , fjala vjen , nga Nikaragua… Neise , personazhi im , Rrok Rroshi nga Drenica paskej qenë i “rezikshëm” dhe donte të hante autorin !

Po e kujtoj :

…Rrok Rroshi ishte bari ,kish dele shumë dhe kish gjetë belanë me ujq. Ata binin çdo natë në vathë dhe bënin kërdinë. Kështui kish ndodhur edhe të atit edhe gjyshit të bariut. Shtoheshin delet , shtoheshin dhe ujqërit. Çdo vit Rrok Rroshi llogariste që gjysmat e qengjave i hante ujku.

Më në fund bëri një plan : vuri para e mall dhe filloi të ndërtojë një mur të lartë andej nga zbriste ujku me lukuni. Hapi themele të thellë , mblodhi gurë të mëdhenj anë e kënd sikur do të bënte mur kështjelle. Andej nga veriu , nga shtigjet ku zbrisnin ujqit , murin e bëri më të lartë. Dhe një natë grahën ujqit të uritur. I printe një ujk , më tinzari dhe më gjakatari i racës së tij. Pa vathën rrethuar me mur , ktheu kokën nga të tijtë e në gjuhën e ujkut u bëri shenjë të vërviteshin brenda.

Dhëmbët kërcisnin. Të tërbuar nga uria dhe nga blegërimat , u çanë barkun deleve të bardha sa u lodhën e prenë shumë qengja të njomë. Natë ish dhe frynte erë. Rënkimet e deleve ngriheshin në qiell po qielli s’kishte veshë. Natë ish dhe frynte. Nëpër natë nuk dukeshin as nofullat e gjata të ujkut , që thithte gjak. I zuri gjaku patsaj e , të ngopur morën një sy gjumë. Atje , pranë e pranë me delet e vrara. Blegërimat e përgjakura të qengjave i shpërndante era copa copa dhe ujku plak qeshte dhe në gjumë. Por , edhe nata më e gjatë ka një fund. I doli gjumi ujkut plak e bëri të ikte me këlyshët e tij. Nata po hollohej e ujku dalloi Rrok Rroshin , më këmbë me dyfek në sy. I frikshëm iu duk , i tmerrshëm e trup lartë me kokën në mal. E bashkë me sojin e tij u hodh e përhodh nëpër pjerrësitë e mureve , por sakaq , binin plasru në truallin e vathës e shkisnin nëpër gjakun e ngrirë. Plumbat e Rrok Rroshit qëllonin mbi ujk , e plumbave që bien nga qielli nuk u ruhesh dot.

Ca kohë u fsheh ujku plak nën barkun e deleve , por më kot , lëkurën e lanë atje. Atëherë ujku i plagosur , filloi të villte gjak. Nga dhëmbët i dilnin copa copa mëlçitë e njoma të qengjave dhe duke blegëritur si dele , ngriti kokën drejt qiellit dhe me lot në sy u lut : “Falëm o zot ! Të betohem se do ta ndryshoj zanatin e ujkut ! Ulma pak murin ta kapërcej e të mblidhem në shpellën time ! Falëm dhe këtë radhë , o zot !”

E doli fjala : “Mirë hyre , por mos mbetesh brenda si ujku i Rrok Rroshit”. 

 

RENESANCA

 

Ka rifilluar jeta. Pas asaj ikje makabre , duke sfiduar vdekjen , erdhi rikthimi i kosovarëve. Pa pritur autobusat e OKB-së , ata vrapuan për të gjetur Kosovën ashtu turma turma drejt tokës së premtuar. Biblike në ikje e biblike në kthim.

Shumëkush mendoi se e humbëm Kosovën. Analistë të shumtë e mendonin Kosovën gërmadhë bosh , bile pati edhe nga ata që akuzonin NATO-n se ndihmoi Milosheviçin për genocid… Në një nga ato nenet e tmerrshme të ikjes , pas mesnate , poeti Astrit Ajdini , do më thoshte në telefon ca vargje që më ngjethën shpirtin :

“U trembëm se do të vdisje , Kosovë

Dhe tim bir e përgatita

Si një gur varri mbi kokën tënde.

Vajzën time si një manaferrë të shkelur

Dhe gruan si një kordon të zi të mëndafshtë.

Unë do të isha si një manastir i shkretë

Me një gur varri në kokë ,

Një manaferrë e shkelur

Dhe një kordon i zi…

Por…

Kur kujton se e ke humbur , atëherë vjen e rishfaqet madhështia e Atdheut , paçka se me varre të mëdhenj , ti vrapon drejt tij dhe me ta prekur , vjen e ngrihesh si Anteu i legjendës… Pas rrezikimeve të mëdha.

Ka rinisur jeta. Atje në Çarshinë e madhe plotësisht të shkatërruar u hap kafeneja. U mblodhën njerëzit. E ndjenin të nevojshme të shikonin njeri tjetin në sy. Janë të rëndë , të heshtur.

Ngushëllojnë njeri tjetrin për ata që mungojnë dhe pinë kafen e fitores. Kanë dalë nga lufta me plagë të mëdha. Është shkatërruar buka , uji , rryma , spitali , shkolla , posta , fabrika dhe shumica në darkë nuk kanë ku ta vënë kokën , se shtëpia është kthyer në një grumbull gurësh që nxijnë.

Një artist propozoi që kafja e Çarshisë të quhet “Renesancë”se këtu mblidhen burrat që , pasi presin ngushëllimet , hedhin planet e jetës për nesër. Duhet të fillojnë nga buka e uji e pastaj me radhë : drita , shkolla , spitali , ara fabrika. Të gjitha duhet të rilindin. Po shënohen lindjet e para të pasluftës me emra foshnjash : Ilir , Drita , Fitore , Besim , Durim… (Një çift kosovar refugjat , që arrit të sistemohej në Londër , ato ditët e ikjes biblike , djalin e e porsalindur atje e quajti “Toni”, për nder të kryeministrit britanik Toni Bler , luftëtarit të vendosur për çlirimin e Kosovës)…

Radiot kanë filluar të flasin shqip të lira e të pavarura. Gazetat shqip po dalin me nxitim. Kronikat e tyre nxijnë nga bloza e masakrave por pas nekrologjive vijnë radhët e shpresës. Dimri i parë pas luftës po troket në Pejë , ku 80% e shtëpive janë shkatërruar. Po edhe dimri do të jetë stinë e punëve të mëdha dhe e ringjalljes. Ka filluar të qarkullojë leku shqiptar krahas markës gjermane. Kamarierit i vjen turp të të  kthejë resta me dinarë e emërtimet cirilike po zëvendësohen me shqip. Fëmijët kanë filluar të venë në shkollë. Po çelet univesiteti i Prishtinës pa frikën e policisë , tashmë. Dhe bujqit të djersitur kthehen nga ugaret. Bedri Emra , piktori i njohur çeli ekspozitën e tij me motivet e luftës dhe të fitores. Prishtina po përgatit pavionin e librit gjithshqiptar. Regjisori Ekrem Kryeziu pret t’i dhurojë Kosovës filmin me metrazh të gjatë për lotët dhe shpresën atdheut. Filmi është sponsorizuar nga disa shoqëri amerikane në Karolinën e Veriut. Po nisin koncertet. Këngëtarë të mëdhenj nga bota , artistë të mëdhenj të skenës duan të përshëndesin Ringjalljen e një populli. (Ronaldo , ylli i futbollit brazilian tha : “Do shkoj të luaj futboll me fëmijët e Kosovës”)

E gjithë Kosova e pas luftës më duket se është Agim i madh ose Renesancë.

 

***: Këto skic-tregime të shkruara nga Pirro Loli në vitin 1999, janë këputur nga libri”Kosova saga e Ballkanit” shkruar me bashkëpunim me Primo Shllakun, botuar nga “Cama-pipa”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx