E shtune, 03.05.2025, 08:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Primo Shllaku: Jemi në Europë vetëm gjeografikisht

E premte, 03.12.2010, 10:19 PM


PRIMO SHLLAKU:

“JEMI NË EUROPË VETËM GJEOGRAFIKISHT”

 

Cila është ngjarja më e madhe në histori: rënia e murit të Berlinit apo rrëzimi i kullave binjake?

 

Ramja e Murit të Berlinit ka randsi humanitare. Kampi socialist synonte gati-gati krijimin e nji specie të re njerzore: kët’ tonën, që nuk lidhemi as për kambe, as për kreje.


2-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?


Zoti ekziston dhe na e prekim te gjana të thjeshta specifike përvec krijesës. Infiniti, e pamunduna, e padukshmja, mendimi, vdekja, dashunia, gjithçka abstrakte ka farën e tij.


3-Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?


Gjuha shqipe më duket si të tjerat potencialisht, por e vorfnueme prej gjuhëtarësh.


4-Njerëzit janë esencialisht të mirë apo janë esencialisht të këqij?


Njerzit janë të mirë. Rrugës e kuptojnë se kshtu nuk fitojnë gjâ.


5-E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë europianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE? 


Turqia ka qenë aleat i Europës. Tashti duhet pa. Nëse asht prap, duhet pranue, përndryshe ajo, kulturalisht, âsht ende shum larg.


6-Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur? 


Praktikisht na jemi nji vend felëshues, pra, pak a shum ateist. Kët realitet politikanët, kulturologët e gazetarët e shesin për tolerancë fetare.


7-Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?

 

Po e shof. Por, shof edhe dëshprim kulturor tek kosovarët që kanë braktisë pa rikuperim vlera autentike identitare për hatër të nji periudhe që tashma ka marrë fund.


8-Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?

 

Numri i Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe.


9-Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?


Revolucion në gjurulldi âsht si me thanë banjo dielli në shtrëngatë.


10-Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?


Diktatori arriti me vdekë në dyshek.


11-Do ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive Big Brother?


Fmijët e mi janë vlla e motër. Asnjeni nuk ka vlla të madh, se djali im âsht mâ i vogël se e motra.


12-Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, me ndonjë organizatë tjetër, apo do të qëndronit

asnjanës?

Padyshim do të ndjehesha i fyem në sedrën time kombtare. Do të rrjeshtohesha në Frontin Nacionalçlirimtar, por mbas Mukjes, do të ikja prej ndikimit komunist.


13-Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?


Vetëm i qortueshëm. Po të rrinte ai në Shqipni, komunizmi nuk puthte ktej pari.


14-Shqiptarët e fituan pavarësinë më 1912-ën apo e patën dhuratë prej konjukturave ndërkombëtare?


Unë them se kishte ardhë momenti shtetformues i shqiptarëve. Rilindja punoi fort për kët’ qëllim. Por, nunët e shtetit shqiptar të 1912-ës ishin Austria e Italia.


15-Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?


Fjala mort nuk ban, thonë në qytetin tim të lindjes.


16-Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Baba im.


17-Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?

Ajo që duhet të ndodhte me adresë në 1990, ndodhi nëpër jerm më 1997. E njajta energji që do të shkaktonte të parën, shkaktoi të dytën.


18-Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?


Gjeografikisht po. Por kulturalisht kemi vetëm minoritete europiane që kanë e s’kanë lidhje me përkatësinë e tyne fetare.


19-Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do të donit të kishit qenë

protagonist?


Në ramjen e komunizmit.


20-Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?


Me Skënderbeun.


21-Cili është libri që po lexoni?


Nuk po lexoj,po shkruej.


22-Pse Shqipëria është tradicionalisht e fundit në përgjigje të zhvillimeve botërore e kontinentale? 

 

Sepse struktura e saj e thellë konstitutive nuk âsht homogjene. Ideja e kombit âsht dytësore ndaj asaj që kam ndër mend.


23-Ç’është Atdheu?


Atdheu tashti fillon prej votrës sime dhe shkon deri në Konispol a Mitrovicë. Vermoshin nuk po e zâ me gojë se âsht Shqipni e Mesme.


24-Keni frikë nga vdekja?


Sa mâ i miri qen. Por para saj, si frika, si trimnia janë pa dobi. Vetëm çastet e fundit të jetës mund të na diferencojnë.



25-Shyqyr apo sa keq që kemi internetin?


Dikur mburreshim se jetojmë në qytet. Interneti e ktheu planetin Tokë në nji katund të madh. Hajde e mere vesht se çfarë jemi tashti: qytetarë apo katundarë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx