Kulturë » Berisha
Cikël poetik nga Sejdi Berisha
E enjte, 02.12.2010, 10:44 PM
Sejdi BERISHA:
Cikël poezish “BALADA E HESHTJES PËR DETIN''
PULËBARDHA NË DHOMËN TIME
Për një çast
Pulëbardha erdhi në dritare
Vetëm me sqep preku xhamin
La gjurmë kujtimi
Dhe iku
Të nesërmen
Në plazhin e Durrësit
Puhiza ma solli lajmin
Është thyer dritarja
Brenda në dhomë
Me shikim të etur
Priste pulëbardha
Desha të të tregoj
Për historinë e detit
Për eshtrat e ushtarëve
Atje në thellësitë e mëdha
Desha të të rrëfej
Për gjelbërimin e ujit
Për fshehtësitë e zogjve të detit
Për një çast
Të gjitha këto
M’i tha pulëbardha
Dhe sërish iku
U tret nga dhoma ime
Me sqep preku derën
La gjurmë kujtimi
POEZI PA TEKST
Hesht...
Mos fol
Mos shkruaj
Mos këndo
Mos u gëzo
Mos dashuro
Mos u hidhëro
Mos jeto
Hesht...
Kështu është jeta
Nëse do
I lumtur të jesh
Kjo është madhështia
Kurrë e studiuar
Deri në fund
As kurrë e hulumtuar
Mos e studio as vetveten
As njeriun
Hesht në heshtje
Kështu shkruan histori
Histori për histori
Kurse
Dhembja bëhet
Si gur mulliri
Vetëm bluan
E, kurrë nuk merr ujem
Hesht...
(Durrës, e diel 22 gusht 2010/18:25)
NË TARARRACËN E DARKËS BUZË DETIT
Sa kisha ikur nga plazhi
Ishte bukur vonë
Gumëzhinë e mbrëmjes
E dëshiroja atë natë
Ndalova në tarracën e darkës
Ishte krejt buzë trotuarit
Posa mora kafshatën e parë
Një fëmijë buzëqarë
I cili të së ëmës
Ia rëndonte kraharorin
Zgjati dorën
Duke e përbiruar
Përmes rrethojës me dru
Papritur ma grabiti
Kafshatën e bukës
Dhe iku
Së bashku me të ëmën
Ngela duke menduar
Bile sikur ta kisha ngazëllyer
Me një falënderim
Ose t’i kisha thënë
Më fal që s’të kuptova
Përnjëherë më erdhi
Një lloj çmendurie
Mu këput darka
E lutja Zotin
Për të ardhur dikush
Mu si ai djaloshi
Për t’ia dhënë darkën time
Por askush nuk vinte
Ndoshta
Ai vogëlushi
Kështu ka qortuar
Ndoshta e ka rebeluar uria
Kurse unë nga etja
Ngela i uritur
Edhe i etur
Pranë detit
I tërë pushimi më iku
I palarë
Ai fëmijë
Në të njëjtën kohë
Ma kujtoi edhe shqiponjën
Edhe piratët e detit
Ani...
Durrësi është qytet i vjetër
Ka histori të lashtë
Ka edhe histori të vjetër e të re
O Zot
Kush i deshifron tani
Këto vargje të mia
ENGIMË ËNDRRA IME
Erdha
Të pashë
Mu shtua dhembja
U gëzova
Udhëtova
Shumëçka mësova
Këndova
U zhgënjeva
Shkova
Ika
Asgjë nuk dita të tregoj
Për ëndrrën time
Për tokën e gjyshit
Për lulet e paçelura
Tash
Lumturia si shikim i ndrojtur
Në sy më ka ngelur
Pritje për ardhjen e engjëjve
Ëndrrat sërish
Së paku në shpresa
Të m’i shndërrojnë
Oj, nëna ime
Që shikimin e ke mbi tokë
Duke kërkuar varrin e babait
Diçka për t’i treguar
Se çfarë
Vetëm Ti
E, ndoshta edhe unë do ta di
Oj, dhembja ime-loke
Nëse më tregon edhe mua
Fjalën e nderit e ke
Kurrë askujt nuk do t’i them gjë
Prandaj më trego
Nëse babanë nuk e gjen
(Durrës, e hënë 23 gusht 2010/02:24)
GUACË
Në stom deti
Në plazh plotë pushues
Uji nga thellësia e vet
Kishte nxjerr guacën
Apo, vet ajo
Deri aty kishte rrugëtuar
Me ngjyrë të fildishtë që kishte
Duke e shikuar guacën
Nga shkëlqimi i saj
Desh sa nuk mu verbuan sytë
Kisha kërshëri për ta hapur
Ndoshta në te
Xhevahirin e kohës do ta gjej
E hapa guacën-bilur
Ajo çudi e çudirave
Në vete kishte fshehur
Tërë ujin e deteve
Kurse uji
As tash as kurrë
Nuk tregon për fshehtësitë e thellësive
As të deteve dhe as të oqeaneve
As për furtunat e papërballueshme
Çudi
Guaca më mbeti në dorë
Më le në dhomën tënde
Nuk di
Pse kështu më tha ajo
Në shenjë dashurie
Për ta kujtuar
Historinë e vaporrave
Me ushtarë plotë
Apo për ta trishtuar
Mendjen time
Me rëndësi është
Tani guaca
Qëndron në dhomën time
LUTJE MËNGJESI NË DET
Në këtë mëngjes
Vetëm një varg dil
Nga brendia e shpirtit tim
Sepse kam zjarr
Shumëçka për të thënë
Të lutëm
Eja fjala ime e ëmbël
Sa nuk e kam harruar
Vargun që do ta këndoj
Ama
Vetëm dua ta këndoj atë
Por nuk di ta shqiptoj
Asnjë fjalë
Se më ikën nga mendja
Mos shkruaj më
Dikush sikur më pëshpëriti
Pastaj
Sinqerisht shumë u hidhërova
O, vargu im
Nëse do
Rri dhe mos dil nga ky zgurrë
Ndoshta dikur diçka do të them
Edhe për fshehtësitë tuaja
Edhe për tradhtinë
Që ma ke bërë nganjëherë
Edhe për marrëzinë time
Të gjitha do t’i them
Në një mëngjes
Sepse
Ti je vjedhësi im i vockël
I dashurisë sime
Që si fëmijë prore më rritët
Deri në qiell
Deri atje lartë
Ku nuk ka numra
Përveç zeros
Kaq
Dil vargu im
Po të lutëm në këtë mëngjes
Plotë çudira
Se me ikën mendimi
Edhe ai i lodhur
Edhe ai i hidhëruar
Edhe i çekuilibruar
Nga teket e mia
Për teket e jetës
Kaq dhe vetëm kaq
O, vargu im
E, ti bën ç’të duash
RRI DHE SODIS DETIN
Buzë detit
Rri dhe sodis
Duke pritur atë valën
Që me shekuj është në udhëtim
Pranë meje kam gruan time
Edhe ajo bëhet valë
Që më shndërron në barkë
E cila kërkon stuhitë
Për tu përballë me vetveten
Sërish
Vetëm ujë plotë kripë
Sërish
Sytë me etje pritjeje
Me shikimin e trembur
Për aromën e luleve
Buzë detit
Rri dhe sodis
Ku është ai njeriu im
Me shekuj i tretur në valë deti
Por
Askush me sy nuk më shikon
As nuk më dikton kush
Se jam në plazhin e dritës
Vetëm hëna më përkëdhelë
Me rrezet e saj
Kurse mua më bëhet
Se jam shndërruar në përrallë
Unë
Deti
Dhe përralla
Anije me vela të bardha
Duke pritur
Nisjen apo ankorimin
Arritjen apo udhëtimin
E, tash
Buzë detit
Rri e sodis
Hëna më përkëdhelë
Rrezet e saj më qortojnë
Kanë të drejtë
(Durrës, ditë me vapë, natë pagjumë)
DUKE KËRKUAR...
Në bastore
Populli im
Ka për të fituar
Jo
Ka për të humbur
Ose
Baras do përfundojë
Pa fitues
Ka fitore...
Jo...
Nuk do të ketë humbje
Tërë natën pagjumë
Të nesërmen në plazh
Ishte shtuar numri i pushuesve
Kështu
Populli im
Duke e kërkuar rrugën e Zotit
Gjumin shekullor për ta pashitur
E, shekujt kur t’i gjejmë
Në bastore shpresë
Sonte do të ketë fitore
Nga deti Jon
Po vijnë krushqit
Për ta festuar rrugëtimin
Gjer në Durraco duke udhëtuar
Nga uji i kripët
Të gjithë ishin dehur
Edhe krahët i kishin humbur
Ka fitore
Në bastore...
(Plazhi Apolonia-Durrës, gusht 2010)
ZANAT E DETIT-NISHANË MË DHURUAN
E di se zanat e detit
Nuk më kërkojnë mua
Por unë e di etjen e tyre
Për frymën time
Për fjalën pa nyje
Andaj
Po po
Mua më kërkojnë ato
Dashurinë për t’ma dhuruar
Arkivin e legjendave
Për të ma dorëzuar
Ato...
Mua më kërkojnë
Sepse
Askënd nuk e duan si mua
Ose
Ndoshta duan
Të më tregojnë se si dashurohet
Apo
Ashtin e Adamit
Gjethin e Evës
Për të m’i marrë
Që kurrë më
Fshehtësi të mos ketë
Kur u ktheva
Në plazh
Nga rëra e kishin formësuar
Shtatin e zanës së detit
Me ëndrra tjera
Papritmas
Më rrethuan ato
Secila ma dhuroi nga një nishan
Me to u bashkova
Nuk di në ç’drejtim më çuan
Zanat e detit
Kështu edhe le të jetë
(Durrës, mesnatë, pa pirë verë as raki)
DUKE PRITUR VETVETEN
Shkova
Nuk e pashë
As nuk e takova
Atë që dëshiroja
Erdha
Sërish shoqërohem
Edhe zihem
Me mendimin hidhërak
Me pritjen e rebeluar
Tash po rri qetë
Si zorra në prush
Tash po pres urtë
Vetveten
Gjithnjë i pa pajtuar
Mos ma ngacmoni ecjen
Ju lutëm
(Durrës, e premte 27 gusht 2010/03:53)
SONTE, NDOSHTA
Ndoshta sonte nisem
Shtigjeve të pritjes
Sonte, ndoshta
Sërish pritja më shoqëron
Ndoshta sonte
Lotët do bëhen stacion
Aty, mu aty
Do të bisedojnë
Pikat e ujit të njelmët
Për reliktet e vjetra
Për ndrydhjen e kohës
Për tkurrjen e tokës
Për mallin e hënës
Ndoshta sonte
Sonte, ndoshta
Do ikin muzat
Lakuriq duke lënë mendimin
Ndoshta sonte
Edhe ndjenjat udhëtojnë
Shtigjet e pritjes
Në rreze hëne shndërrohen
Rrugët bëhen të çuditshme
Nuk pranojnë as dritë
As rrapëllimë hapash ushtarësh
Ndoshta sonte nisem
Për ta prekur diellin
Për ta bekuar mallkimin
Në kënetë
Ende ka mushkonja
Ato tradhtisht pickojnë
Sonte, ndoshta
(Durrës, gusht 2010)