Kulturë
Vangjush Ziko: Përshpirtje e Vjeshtës
E shtune, 04.12.2010, 08:33 PM
Vangjush Ziko
PËRSHPIRTJE E VJESHTËS
PËRQESHJA E GJETHEVE
Vjeshta
rrëzon kurorët e pemëve.
Ec
edhe shkel
diamantët e gjetheve.
Si Leka i Madh
në tokën e persëve
kurorët e arta të mbretërve.
Bien përdhe
fuqia,
lavdia.
As bukuria
nuk ësht' e përjetshme.
Rënkojnë gjethet nën këmbët e mia
me gjuhën e tyre
të zverdhur,
të vdekshme.
Dhe unë i vdekshmi,
aspak i përjetshmi
e ndjej se si gjethet
nga pas
më përqeshin.
KURBANI VJESHTË
Ngjyra e verdhë
ngjyrë mehiti.
Lëngon pylli
në gjoks të malit.
Korie e zverdhur
psherëtiti.
Po jep shpirt
gjeth' e ndezur e manit.
Qajnë retë.
Në altar floriri
shtruar me fletë
Djeg viti kurbani e tij
Vjeshtën.
PËRSHPIRTJE E VJESHTËS
Drurët u zhveshën.
Të gjithë
u zhveshëm.
Me trishtim të heshtur
u veshëm.
Ikën thëllëzat.
Ikën mëllënjat,
Turtujt e majmur me vjeshtë.
Ikën
përndjekur nga retë.
Zër' i bilbilit
u ronit tok me fletët
e trëndafilit.
Një çoçër i vocër
çukit
gjakn' e piksur të vjeshtës
në ferrë.
Toka me zërin e ngjirur
të erës
Këndon
përshpirtjen e Vjeshtës.