E premte, 03.05.2024, 05:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Mark Tirta: Elita nuk vlerësohet, ndërsa të paaftët bëhen drejtorë

E shtune, 04.12.2010, 01:24 PM


Flet akademiku dhe etnologu Mark Tirta: “Ja ndryshimet që bëra në drejtshkrim”

Elita nuk vlerësohet, ndërsa të paaftët bëhen drejtorë

 Nga Albert Zholi

 Kohët e fundit janë bërë shumë diskutime mes akademikëve për mënyrën e shkruarjes së Historisë, për gjuhën standarde dhe për reformimin e Akademisë së Shkencave. Janë bërë komente dhe janë hedhur mendime të ndryshme, ku shumica konvergojnë në një pikë. Reformimi i Akademisë nuk është produktiv si dhe nuk duhet të ndryshohet standardizimi i gjuhës por të rishikohen disa elementë të drejtshkrimit.

-Kohët e fundit po shikojmë në shumë media se historia shqiptare po politizohet. Cili është mendimi juaj për këtë debat kaq të hapur sidomos pas periudhës postkomuniste?

Është e vërtetë që në kohën e komunizmit ka qenë shumë e politizuar, por përsëri po politizohet. Historia në qoftë se nuk shkruhet në bazë të një kodi të caktuar të vërtetë si kulturë atëherë ajo deformohet. Sepse historia është historia e qytetërimit shqiptar për çdo periudhë. Çdo njeri mund të flasë dhe mund të fusë fantazi apo ëndërrime nga më të ndryshmet, por e vërteta është që ne duhet ta shohim gjithmonë realisht të kaluarën e largët komuniste dhe të sotmen që t’u shërbejë edukimit të popullit dhe të rinisë në rrugë të zhvillimit.

Ç’është historia në këndvështrimin tuaj?

Historia është shkencë. Është shkencë me përgjegjësi. Ne deri tani kemi pasur Histori politike jo Histori qytetërimi.

- Kush është mendimi juaj si mund të zgjidhet realisht historia shqiptare diktatoriale postkomuniste të mos politizohet?

Pas kohës së diktaturës duhet të bëhen ndryshime dhe të hiqen politizimet.  Unë jam specialist dhe jam i lidhur shumë me historinë. Kultura nuk kuptohet pa vijën e zhvillimit të qytetërimit shqiptar. Por ne, në qoftë se fusim vetëm sharje në çdo vend dhe të fusim vetëm interpretime që ta bëjmë histori politike, ne në të vërtetë e kemi shmangur të vërtetën. Ne duhet ta bëjmë historinë me gjithanshmërinë e saj dhe me të gjithë vlerat dhe kulturën e saj. Janë edhe shumë intelektualë shqiptarë që janë fajtorë për atë gjendje dhe për atë kulturë që është shkruar dhe duhet korrigjuar patjetër në përmbajtje të gjërave, e jo me gjëra anësore të ndërtojmë trungun e historisë. Por unë nuk jam me atë që historia të jetë vetëm politikë, sepse nuk është më me vlerë. Proceset demokratike kanë qenë një shkallë e kalimit në lidhjet e qytetërimit dhe të mendimit të lirë. Kur mendimi nuk ka qenë i lirë janë detyruar që të ecin sipas kodit të kohës. Në kundërshtim me kodin e kohës e dinim se ku shkonim pra në burg ose në internim. Politizimi duhet mënjanuar dhe janë kushtet për ta bërë këtë ashtu si duhet.

Në botë bëjnë tryeza të rrumbullakëta, kur debatohet për probleme të caktuara të historisë, të kulturës, ndërsa tek ne nuk bëhen të tilla, por bëhen vetëm diskutime. Nuk bëhen diskutime për historinë dhe për kulturën dhe rrugën për ti çuar ato në  rrugë të mirë. Dhe pastaj të korrigjohen ashtu si duhet mendimet e shtrembra, që nuk përputhen me të vërtetën.

- Po ndodhin reformime në Akademinë e Shkencave, kjo shpërndarje e akademisë pranë universiteteve ka bërë që të bjerë rendimenti i studimeve?

Akademia i ka pasur institutet në vartësi. Ato duhet të ishin edhe për të diskutuar projektet, si bashkëpunimin mes instituteve. Duke u shpërndarë këto ne kemi fakultetin e filologjisë, fakultetin e shkencave sociale, fakultetin juridik dhe fakultetet të tjera të shkencave shoqërore dhe kështu shpërndarja e bën që të mos bëhen si duhet studime si p.sh, ato që janë më të nevojshme dhe që  janë tepër urgjente për t’i bërë. Kjo bëhet  edhe me projekte dhe me diskutime, por tek ne nuk janë pjekur kushtet. Kur bëhen diskutime gjendet ajo, rruga që  është më e mirë dhe që çon në realizimin sa më të shpejt. Unë mendoj se, ky reformim ka më pak produkt, ka sjellë më pak prodhim. Është mbështetur në organizime ku nuk ke elitën më të mirë të vendit në krye, atëherë ndodh që secili bën si  të dojë. Edhe njerëzit e paaftë paraqiten si të aftë dhe vihen shefa dhe drejtorë. Pra i zoti duhet të marrë pranë vetes më të zotët sepse ato e bëjnë punën, i pazoti merr pranë vetes njerëzit e nivelit të tij.

-Cilat janë problemet pikante të etnologjisë shqiptare në kohën që jetojmë?

Unë e shikoj se, është studiuar dhe janë bërë libra për mitologjinë shqiptare dhe për zhvillimet në etnologjinë shqiptare. Por shumë probleme janë studiuar jo në mënyrë të plotë dhe të thellë. Në atë kohë bënim ekspedita shumë. Ekspeditat bëheshin në ato forma mjaft primitive dhe në kushte e kohës. Shumë gjëra i kemi të pa studiuara si duhet për të treguar të kaluarën e kombit tonë që ti shërbejë të sotmes dhe të ardhmes. Ka dy gjëra: ekspertët s’kanë shkelur në terren dhe problemet teorike bashkëkohore nuk janë bërë për vite të tëra në etnologji dhe folklor (pa ekspeditë nuk mund të bëhen studime për natyrën e etnologjisë dhe për natyrën e folklorit) dhe e dyta studimet janë në arkiva dhe janë nga literaturë e shkruar.

-Pse nuk kishte në Shqipëri një Departament për Etnologjinë? Ish -kryetari Aleks Buda nuk kishte këmbëngulur?

Aleks Buda ishte historian, ai i përmbahej kodit përkatës vetëm në anën e historianit. Atëherë duhej të viheshin në krye vetëm njerëzit politikë. Dhe atëherë ato bënin historinë politike të kohës së Zogut (e reduktonin), historinë politike duke ngritur lart  luftën nacionalçlirimtare dhe sukseset e socializmit që nuk ishin. Në atë kohë u bë ekonomia e shtetit, politizimi tejskajshëm. Çdo gjë shtetërore. Kush mund të vidhte mund të jetonte të tjerët jetonin me vështirësi.

 -Kohët e fundit flitet shumë për ristandartizimin e gjuhës shqipe, cili është mendimi juaj?

Mendimi im është që gjuha shqipe duhet parë vetëm në drejtshkrim. Pra jo të ristandardizohet. Duhet lënë liria e formës së shkruar dhe e dyta janë disa emërtime që janë marrë nga Moska dhe nuk i përshtaten drejtshkrimit të shqipes. Ose ata që shikojnë se perëndimi i shkruan në këtë mënyrë dhe ne duhet t’i shkruajmë në këtë mënyrë. P.sh. etnonimet në të gjithë  Europën, në qytetërimin europian dhe në kombet e ndryshme  shkruhen me të madhe pra etnonimet shkruhen me të madhe dhe vetëm ne me germë të vogël. Sot etnonimet, ne, bullgarët dhe Moska i shkruajnë me të vogël. Pra ne kemi kopjuar Moskën. Kemi kopjuar Moskën edhe në të shkruarit Evropë në tingullin e sllavishtes, greqishtes, turqishtes. Pra, edhe tek ne, nuk duhet të themi Evropë, por Europë (ku e-ja duhet me të madhe). Fjalori enciklopedik shqiptar, i ndryshoi, i shkroi europa dhe shumë etnonime i shkroi me të madhe. Por është edhe një problem tjetër se në kodin që ka përdor Eqerem Çabeji (që ka qenë një kolos i gjuhës shqipe), në përditshmëri ai shkruante proçes dhe jo proces (pra sipas perëndimit jo sipas Moskës). Kjo për gjuhën ruse shkon sepse gjuha ruse ka kaluar nga latinishtja  në frëngjisht dhe nga frëngjishtja ka kaluar në Moskë. Kjo nuk ishte e drejtë për strukturën e gjuhës. Kur bëra Etnologjinë e Përgjithshme Shqiptare rashë ngushtë. Kisha për të përmendur bashkësi etnike të ndryshme nëpër botë. Po ti shkruaja me të vogël nuk i kuptonte kush. Duhej ti shkruaja me të madhe. Samojdet është një grup gjuhësh në Azinë Veriore, kjo nuk është fjalë ruse. Kur e shkruan me të madhe kuptohet se është një identitet të një grupi popujsh. Ose Morlakët, vjen nga fjala morje-morlakët  që është një identitet i caktuar etnik, dhe me të vogël nuk e kupton lexuesi. Kur shkruajmë dhe kur flasim shkruajmë dhe flasim për të na kuptuar të tjerët. Kjo me të madhe është bërë sepse  janë gjëra me identitet të caktuar. Ai që e shikon këtë menjëherë e kupton se kemi të bëjmë me një etni të caktuar.

Si vendose ta bësh këtë ndryshim në drejtshkrim?

Unë bisedova me ata që merreshin me studimin e drejtshkrimit dhe më  thanë bëje me të madhe sepse e kemi lënë një dritare  të veçantë. Ka shumë akademikë, apo intelektualë me tituj që i kanë shkruar me të madhe deri sa kanë vdekur, si: Eqerem Cabej, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani etj.. Ndërsa në gjuhën zyrtare apo në shkresat e ndryshme edhe sot shkruhen me të vogël. Ne gjithmonë i kemi shkruar me të vogël, kur edhe rusët deri në vitin 1925, i kishin me të madhe si perëndimi. Më vonë rusët ndoqën shkollën e tyre. Kur perëndimi e përcaktonte etnologji ne e shkruanin etnografi, ose topologji-topografi. Ne ndryshonim edhe në gjuhë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora