Kulturë
Dibran Demaku: Vrasja e qenit
E diele, 05.12.2010, 08:41 PM
Tregim
Dibran Demaku
VRASJA E QENIT
Vrasja e qenit të Boshkos autoritetet vendore i kishte shqetësuar tej mase.Çdo ditë e kalur pas incidentit sillte frikë e tension.Nga hetues të ndryshëm u bën u shqyen e sërish u ribën shumë raporte mbi mënyrën e vrasjes së qenit,por në asnjërin raport nuk u përcaktua asnjëherë mënyra e vrasjes.Në ndonjë raport thuhej se vrasja ishte shkaktuar nga goditjet me gjëra të forta,por edhe ai variant hudhej poshtë nga konziliumi i mjekëve,sepse në trupin-kufomë të qenit nuk kishte mbetur asnjë shenjë goditjeje.Në raportin tjetër supozohej se vrasja ishte bërë me armë zjarri,por fill pastaj edhe varianti i tillë hidhej poshtë,pasiqë po të kishte ndodshur një vrasje e tillë,në trupin kufomë të qenit do të mbetej si dëshmi plaga e hyrjes dhe e daljes së plumbit.
Në një raport tjetër që në fillim u besua se do të ishte i saktë ishte shkruar se vrasja e qenit kishte ardhur si shkak i një helmimi.Dhe kur të gjithë menduan se misteri i vrasjes së qenit të Boshkos ishte zbuluar, një raport i konziliumit mjekësor e hidhte poshtë edhe atë variant.
Autoritetet vendore si dhe hetuesit e shumtë që ishin marrë gjatë me misterin e vdekjes së qenit të Boshkos, pas mendimit të konziliumit mjekësor se vdekja e qenit nuk ishte shkaktuar nga helmimi e ndienin vetën të lodhur dhe të fyer:-Lehtë e kanë mjekët e qendrës të deklarojnë çfarë të duan! Ndërkaq për ne që po na lozë mendja e kokës nga puna nuk do të di askush! Dhe frika e dëshpërimi rritej edhe më.
Plakat e shtëpive të kolonëve që kishin ardhur në këtë vend të mallkuar me detyrim dhe pa dëshirën e tyre në ndeja të ndryshme pëshpërisnin:-Qenin nuk e vrau askush, por ai vdiç nga mërzia! Ashtu siç do të vdesim edhe të gjithë ne! Sepse jeta në vend të huaj është e rëndë.Lehtë e kanë ata në qendër të flasin çfarë të duan! Ndërkaq, neve këtu po na lozin mendët e kokës! Sa i lumtur duhet të jetë shpirti i qenit të vdekur i cili tashmë ka ikur nga kufoma e qenit dhe ka shkuar në vendlindjen e vetë!-Shsht,ule zërin e mos të dëgjojnë lakejt dhe të lajmërojnë në qendër!Pastaj vaj halli për ty që fole e për ne që të dëgjuam?!
Ndërkaq nga qendra vinin lloj-lloj urdhërash.Në urdhërin e fundit për autoritetet vendore thuhej edhe kjo:-Në të vërtetë ne nuk na intereson aq shumë vrasja e qenit,sepse atë mund ta zëvendësojmë me një tjetër edhe më të mirë!Nuk na intereson shumë as vrasësi apo ekzekutori!Më shumë se kjo na intereson inspiruesi apo ideatori i vrasjes.Ai duhet të zbulohet patjetër!Sepse ai ashtu siç e ka ideuar vrasjen e qenit,nesër mund ta ideojë edhe vrasjen e njerëzve,pra vrasjen tuaj!Andaj duhet t`i bëni sytë katër dhe të jeni të kujdesshëm! Me zbulimin e tij ju do të jeni më të qetë ashtu siç do të jemi më të qetë edhe ne këtu në qendër!
Pas këtij urdhri të prerë autoritetet vendore si dhe hetuesit e shumë sikur e harruan vrasësin e qenit. Ata tani mëtonin të zbulonin ideatorin e vrasjes.
Në çdo fshat e lagje u shtua numri i hafijeve apo spiunëve.Dhe detyra e tyre ishte që të flisnin mirë dhe sa më shumë,jo për vrasësin,por për inspiruesin e vrasjes.Në këtë mënyrë shpresonin se ndonjë kokëshkretë i popullatës vendore do të tregonte se cili ishte ai,inspiruesi i kësaj vrasjeje të bujshme.
Por, si për inat nga popullata e mbetur vendore nuk fliste askush.As për vrasësin e qenit dhe për asgjë rreth tij.Në njëfarë mënyre ajo ishte krejt indiferente ndaj të ardhurëve të rinj në tokat dhe pronat e tyre.Kjo indiferencë e popullatës vendore i bënte norvoz si autoritetet vendore ashtu edhe ato të Qendrës.Nuk e kuptonin se indiferenca e tyre kishte të bënte me frikë apo me urrejtje!
Kur u mendua se me kalimin e kohës, vrasja misterioze dhe e pazbuluar e qenit ishte harruar, pronari i qenit deklaroi se do të ikte nga kishte ardhur:-Nuk dua të vdes një ditë si qeni!-kishte deklaruar.-Dhe edhe i vdekur të mbetem në këtë vend të mallkuar!
Deklaratën e tij në fillim si autoritetet e vendit ashtu edhe ato të Qendrës e kuptuan si shprehje të dëshpërimit dhe mllefit.Por,kur ai e ripërseriti atë,atëherë të dy palët e kuptuan seriozitetin e asaj deklarate.Dhe shqetësimi i tyre arriti kulmin.Kthimi i Bashkos dhe familjes së tij në vendin nga kishte ardhur për të dy palët kuptphej si një thikë pas shpine!Ishte kjo një thikë pas shpine edhe për vetë shtetin,sepse pas ikjes së tij do të iknin edhe të tjerë.Dhe këtë tokë të premtuar të fituar me aq mund do ta humbnin sërish.Andaj kjo nuk duhej të ndodhte në jetë të jetëve!
Nga Qendra erdhi një delegacion i lartë që të bisedonte me Boshkon.Pasi i dëgjuan kërkesat e tij dhe i premtuan gjithçka,vetëm që ai të qëndronte në tokën e premtuar,e siguruan se do ta zbulonin dhe do ta dënonin vrasësin e qenit të tij.Dhe jo vetëm kaq.Ata do të zbulonin edhe ideologun e gjithë kësaj.-Dhe pas zbulimit dhe të dënimit të ideologut të kësaj të keqeje,ju do të jetoni të qetë në vite e shekuj në tokën tuaj!Sepse kjo është toka juaj dhe e tillë do të jetë në jetë të jetëve!
Pas ikjes së delegacionit të lartë nga Qendra filloi nga puna sërish hetuesia.Ajo kishte marrë urdhër të prerë të zbulohej jo vrasësi, por ideologu i vrasjes.Ai duhej të zbulohej patjetër përndryshe që të gjithë hetuesit do të ishin të humbur.
Raportet e shumta të hetuesve filluan rrugëtimin provincë Qendër dhe anasjelltas.Por,ideolugu i së keqes nuk po zbulohej se nuk po zbulohej.
Në një raport të dërguar nga Provinca në Qendër thuhej dhe dyshohej se në tërë këtë mund të kishte gisht kryeplaku i fshatit.Ai kryeplak që ishte zhdukur me një pjesë të fshatit në mënyrë krejt misterioze.Dërguesi i këtij raporti, që nuk dihej cili ishte,sepse në raport nuk kishte shënuar as emër e as mbiemër,ishte i bindur se ideologu i gjithë kësaj ishte kryeplaku i fshatit,që nuk dihej as ku ishte dhe as nga kishte shkuar.
Autoritetet e qendrës në fillim të arritjes së këtij raporti anonim nuk deshën të merreshin me të, sepse u dukej si diçka fare e kotë,e shkruar nga ndonjë hetues me mendje tyryfyl,apo që e kishte shkruar nën ndikimin e alkoholit.
Por, me kalimin e kohës dhe kur raportet e reja nuk thonin asgje të re për rastin,vendosën që të analizonin raportin anonim.Gjithnjë me shpresë se nga ai raport do të nxirrnin diçka me vlerë!
Zhdukjen misterioze të kryeplakut dhe të gjysmës së banorëve të fshatit, raporti anonim e riaktualizonte tash edhe me një akuzë të rëndë në adresë të tij.
E morën dhe e rishikuan edhe njëherë dosjen e kryeplakut të fshatit D.Në dosjen e tij në mes të tjerash thuhej: Pas shumë përpjekjesh dhe shantazheve që i kemi bërë kryeplaku i fshatit D.dhe një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati do të shpërngulen për në Anadoll.Ikja e tij dhe e gjysmës së banorëve të këtij fshati për ne do të thotë shumë! Të mbeturit nuk do të kenë asfarë peshe për fshatin tonë.Ata ose do të asimilohen ose edhe ata një ditë do të ikin nga këtu!Dhe krejt në fund të raportit ishte shënuar:Megjithate me kryeplakun dhe me ata që do të ikin na ka dalë një problem tjetër.Ata duan të shpërngulen,por nuk duan t`i shesin shtëpitë dhe tokat e tyre!Kur i kemi pyetur se pse nuk duan t`i shesin shtëpitë dhe tokat e tyre ata na janë përgjigjur:-Sepse shtëpitë dhe tokat janë tonat dhe ne bëjmë çfarë të duam me to!
Ndërkaq në një cep të dosjes së kryeplakut të fshati D. ishte shkruar me dorë edhe kjo fjali në të cilën thuhej: Në raportin e ardhur nga qendra thuhet:-Le të shpërngulet kryeplaku dhe gjysma e fshatit D. pa me shtepitë dhe me tokat e tyre bëjmë si të duam ne! Shtëpinë she token e kryeplakut ia falim ndonjë kolonisti tonë!-thuhej krejt në fund.
Shtëpinë dhe tokat e kryeplakut autoritetet vendore,me sygjerimin e atyre qendrore ia kishin falur kolonistit Boshko.Dhe nuk kishte kaluar shumë kohë nga vendosja e tij në shtëpinë e kryeplakut,kur kishte ndodhur vrasja e qenit të tij.
Sipas tërë kësaj mbase kishte të drejtë raportuesi anonim,kur në raportin e tij kishte thënë se si ideolog i vrasjes së qenit duhej të ishte kryeplaku!
Por,mbetej sekrete dhe e pazbuluar enigma tjetër:Kryeplaku dhe gjysma e fshatit kishte kohë që kishte shkuar në drejtim të panjohur.Ai,pra ishte zhdukur pa nam e pa nishan-siç thuhej shpesh,por enigma e zhdukjes së tij kishte mbetur e pazbuluar.Edhe pse ishin të shumtë ata që thonin se të shpërngulurit me kryeplakun në krye kishin thyer qafën në Anadollin e largët,të vërtetën nuk e dinte askush.
Raporti anonim i ardhur nga Provinca me akuzën se kryeplaku mund të ishte ideologu i vrasjes së qenit, kishte riaktualizuar nevojën e zbardhjes se zhdukjes së tij misterioze. Me zbardhjen e vendqëndrimit të tij do të zbulohej edhe se a mund të ishte ai ideologu i vrasjes.
Kërkimet kishin filluar në dy rrafshe:Në rrafshin e brëndshëm dhe atë të jashtëm.Ishte vendosur që në rrafshin e jashtëm të dërgoheshin hetuesit më të specializuar në profesionin e tyre.Shumë hetues ishin dërguar në Anadoll.Dhe atje në dy rrafshe:Në rrafshin zyrtar,që do të thotë se ishin dërguar delegacione shtetërore,por edhe në rrafshin e fshehtë,që do të thotë ishin dërguar shumë hetues pa dijen e autoriteteve të Anadollit.
Në raportet zyrtare që do të vinin nga Anadolli thuhej se familje me mbiemër Guri atje nuk kishte.Në fillim autoritetet qendrore ishin habitur nga raportet e tilla që bëheshin në suaza shtetërore,në nivel amabsadorësh,por pastaj ishin kujtuar dhe ishin bindur në vërtetësin e atyre raporteve.Ishin kujtuar që ata vetë ishin kujdesur që të shpërngulurit nga toka e premtuar,kur të iknin për në Anadoll të kishin emra e mbiemra krejt të tjerë dhe që përngjanin me emra dhe mbiemra të banorëve të Anadollit.
Ata në fillim krejt të entuziazmuar që kishin arritur të shpërngulnin një masë aq të madhe të popullatës së tokës së premtuar dhe të gjithë me identitet të ndryshuar,nuk u kishte vajtur kurrë në mendje se më vonë do t`u lindnin ngatërresa të ndryshme që do t`i linin pa gjumë net të tëra!
Ndërrimi i identitetit të kryeplakut dhe të banorëve të shpërngulur të fshatit D.tash po u nxirtte probleme të pa parashikuara.Andaj e kishin pushuar kërkimin zyrtar të kryeplakut Dasho Guri dhe të shpërngulurve të tjerë të fshatit D.Sepse ata tashmë nëse ndodheshin në Anadoll do të kishin emra dhe mbiemra krejt tjerë dhe ata nuk do t`i identifikonin kurrë më.Vetëm atëherë e kishin kuptuar gabimin e bërë me të shpërngulurit:Ata do të duhej që t`i ruanin në dosje sekrete emrat e tyre të vërtetë si dhe ata anadollakë të të shpërngulurve,që më vonë t`i gjenin nëse u duheshin.Por,gabimi i bërë nuk riparohej më.Por,në anën tjetër kujt do t`i ketë vajtur në mendje se do t`i duhej emri i dytë apo emri anadollak i njëfarë kryeplaku të fshatit D. me emër sa të urryer aq edhe qesharak Dasho Guri?!
Dhe u vendos që kërkimi i kryerplakut të fshatit D.të bëhej vetëm në rrafshin e fshehtë,sepse kërkimi zyrtar kishte dështuar.Dhe atë me fajin e autoriteteve qendrore që nuk ishin treguar të kujdesshme që në fillim.Por edhe ky faj pëshpëritej fare rrallë e me zë të ulët,sepse askush nuk donte ta pranonte si të vetin.
Ndërkaq autoritetet vendore, nën presionin e atyre te Qerndres dhe të pronarit të qenit të vrarë po bënin të pamundurën që të zbulonin vendndodhjen e kryeplakut, por pa sukses.Atë sikur e kishte përpirë vetë nata e zezë, ajo natë në të cilën kishte ikur...