Kulturë
Skënder R. Hoxha: Dy legjenda për legjendarët
E diele, 05.12.2010, 08:58 PM
(Rilexime me shkas)
DY LEGJENDA PËR LEGJENDARËT
Nga PROF. SKËNDER HOXHA
(Duke e lexuar (apo rilexuar) përmbledhjen me poezi “Dy legjenda” të Hasan Hasanit (botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1969), vërejmë se aty gëshetohen elemente të letërsisë gojore dhe të letërsisë artistike, e legjendat e ruajtura në thesarin popullor, marrin anatomi e fizionomi poetike.)
Në letërsinë artistike, temave nga historia kombëtare, jo rrallë, poetët iu kthehen për t’i madhëruar ato me mjete poetike, e pse jo edhe për t’i himnizuar ato. Të kësaj tematike kemi trashëguar vepra të ndryshme të shkruara në poezi, prozë, dramë etj. Ndaj, është mirë që edhe shkrimi letrar, dedikuar figurave historike, heronjve kombëtarë, kurdo që shkruhet, të tingëllojë si aktuale. Për t’u arritur kjo, artistikisht, lypset që shpërthimet emocionale historike të ngërthejnë në mënyrë realiste me lidhjet e së kaluarës, veprimet e heronjve, pa i zbukuruar e stërmadhuar, me atë që është e përafërt dhe e pranueshme për kohën në të cilën shkruhet. Pra, kjo përkon edhe me ato fijet e mundshme që lidhin ideologjinë dhe veprimet e njerëzve në kondita të caktuara historike, pastaj përqafimin e veprimeve të atyre figurave nga autori, si dhe reflekset në kontekstin kohor bashkë me kufijtë e vërtetësisë historike.
Jo pa shkas, kemi marrë në shqyrtim një përmbledhje poezish, të botuar rreth dyzet vjet më parë, “Dy legjenda” të Hasan Hasanit, (botim i “Rilindjes”), në të cilën kemi gjetur edhe traditën, edhe heronjtë legjendarë shqiptarë, motive këto të thëna artistikisht, e të gërshetuara edhe me gjuhën e krijimtarisë gojore. Gjatë periudhave të caktuara letërsia gojore dhe letërsia e shkruar u ndikuan reciprokisht, duke huazuar motive, tematika, figura të rëndësishme, si dhe elemente të tjera krijuese. Në këtë rrafsh, lidhjet dhe përkimet e vargjeve të këtij libri të poetit Hasani, me ndonjë formë të letërsië gojore, janë manifestime të rëndomta që ndodhin në kuadër të bashkëjetimit të dy letërsive si dhe nevojës, përkatësisht kërkesës për t’u realizuar artistikisht ideja poetike.
Kur u botua ky libër (1969), krtiku letrar Mensur Raifi, në një shkrim të shkurtër (në “Vitrina e librit”), pat thënë: “Të dy legjendat janë shkruar në formë tingëllimesh të rregullta. E para ka pesëdhjetë sosh, ndërsa e dyta po ashtu pesëdhjetë por duke llogaritur edhe të katërmbëdhjetë tingëllimat e kurorës së soneteve dhe Magjistralin përmbledhës. Theksojmë se poeti Hasan Hasani i kushton rëndësi të madhe formës poetike, gjë për të cilën dëshmon edhe numri i caktuar i soneteve të çdo legjende, metrika e tjera…” (Shih, MR (kupto: Mensur Raifi – sqarim yni), gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1. V. 1969). Kjo që shkëputëm nga ai shkrim i qëmotshëm i M. Raifit, në miniaturë, tregon ndërtimin strukturor dhe metodën e vargëzimit të këtij libri. Ndërkaq, himnizimi i traditës, miti prindor, parandjenjat si paralajmëruese të së keqes, himnizimi i heroit, ideali patriotik i heroit dhe i kolektivitetit, me fanatizëm spikaten si shtylla intitucionale të veprës në fjalë.
1. Himnizimi i traditës
Në legjendën e parë të librit, “Legjenda e motrës së Avdisë” ndërthuren disa elemente, por, gjithsesi, spikatet tradita malësore shqiptare. Jeta e një familjeje malësore, pa burrë në shtëpi, me një djalë të vogël që e rrisin, pastaj edhe vrasja e atij të vetmit djalë, përbëjnë strumbullarin e kësaj legjende. Këto rrëfime poeti i fillon me dhënien e tablove malësore, duke e ngritur e madhëruar institucionin e mikëpritjes shqiptare, sidomos në sonetet: 3,4,5,6,7, ku: “Edhe shpella e gurit ka qenë e hapun për udh’tarë” (soneti
“Si e ke pagëzue kët’ djalë, i madhi zot e baftë burrë,
Kësi skyfteri n’këto male ka mot s’a rritë – nuk di”, kurse nëna përgjigjet në vargun vijues: “Avdi!” – u përgjigj malsorja si zanë tue u mburrë!…” (soneti
2. Miti prindor për Avdinë
Brenga e kësaj familjeje malësore ishte mungesa e të zotit të shtëpisë, që sipas vargjeve, ua kishin vrarë dhe përkujdesja e motrës dhe e nënës që ta rrisnin Avdinë e vogël: “N’mes të votrës motra gjithë ditën, luente me Avdinë,/ Me t’vetmin vëlla që qefin ja ndiqte n’për fusha e ledina” (soneti
“Sa shpejt kaluen në këto male njizet pranvera
Avdia si bërsheni në shkamb u rrit, për këto troje
Zemra i hapej nanës dhe motrës, si për miq dera
Jetës së re me i thurë kangë gëzimi – t’shpirtit hoje” (soneti
“Dy zana thonë – kanë ruejtë kur n’gjum’ flente Avdia
Dhe dy gjarpij që natën t’flejë qetë dhe thellë
Mordjen e kanë ndalue kur kanë marrë turr n’frangjia –
Për ta herrë malsorin skofiar n’err’sinë përcjellë.” (soneti
Pastaj vijnë përshkrime për atë që bënte Avdia, meqë ai ishte rritur e bërë bari: “Me strajcë të mbushun bukë, Avdia, derën ia hapte vathit “ (soneti
“Ai log ki’ pa’ thanë: “ – Kësi djali s’a rritë n’këto troje
Dhe i ati besa ka qenë burrë që ka vdekë për besë,
- Nëpër oda burrash kurr’ s’hiqej mendsh, as goje.” (soneti
Kur elementet mitike përzihen me ndjenjën e motrës, kryepersonazhit të legjendës, ndaj vëllait të vetëm, të cilin e lartëson në atë masë sa e krahason me Skënderbeun, poeti thotë:
“E ka motra ‘i vëlla – mendonte – të pashoq n’këtë anë
Shkrepa e curra betohen n’të, si n’t’madhin SKËNDERBE
Zanat e malit ja kanë dhanë sisën e ambël plot namë
Magjia u ka gufue zemrave për këtë pjellë ndër NE.” (soneti
“O, athue do t’m’ shohin sytë e mi ndonjëherë vallë/
Nusën e tim vëllau te kroni me bulerë tue nga!” (soneti
“Lotët i pikuen thekshëm n’drrasë veku – n’shkallë. ( Po aty).
3. Parandjenja e kobit
Sipas një gradacioni të zhvillimit të ngjarjes, sipas legjendës, motrës së Avdisë i shfaqet një shqetësim i papritur, një parandjenjë, e cila si në një ëndërr sheh zhvillimet, gjoja, si në dasëm të Avdisë. Poeti këtë e këndon në vargjet që gjenden në faqet: 39, 40, 41, 42, … të kësaj përmbledhjeje. Ky narracion merr edhe trajta të dhembshme, ku parandjenja e motrës bëhet realitet i hidhur:
“Kobshëm nji grykë tyte lugjet shkoi tue i ça
Në atë zemër mali ku Avdia i mrizonte dhit’!
Te Kroni i Akullit nën hije toka e zezë pat ofsha
Në roga t’malit si trungje u shtangën barit’.” (soneti
“Në Mrize të Mëdha, te Kroni i Akullit, kur zbritën
Avdinë e gjetën vrushkull të ngrirë, la në gjak –
“Ç’paska krisë e zeza ditë, vallë, ty ku t’gjetën?!” (soneti 38, f. 46). Nga kjo dhembje e madhe poeti parafrazon se edhe: “Zanat kanë derdhë lotë ulun në rogë të malit, në bokë” (soneti 39, f. 47), por janë edhe momentet e rënda se: “Si ja tregojmë nanës Avdinë, të vetmin djalë!… (Po aty), ku për këtë: “Zanat në male atë ditë u zhgrehen në lot e vajë.” (f, 47). Ndërkohë që malësorët e kishin marrë Avdinë të vdekur, e kishin vënë në vigj dhe e çojnë afër shtëpisë, ku edhe ishin ndalur. Motra kishte vërejtur turmën afër shtëpisë së tyre dhe klithma e saj është prekëse: “Oj nanë, medet, diçka ka ndodhë, do njerëz te dera tubue”… (soneti 41,f. 49). Ndërsa momentin kur motra doli, tinëzisht, te dera e oborrit dhe e sheh të vëllain të vdekur, poeti e përshkruan: “Kuku” – e lëshoi nji britmë, vishkull për tokë u rrëxue.” (Po aty). Nëna e sheh Avdinë të vdekur. Kasolla mbushet gjamë (soneti 42, f. 50), situatë që përcillet me vajtimin e saj: “Syshkruemi i nanës, si munde sot me u nda prej lokës!”, kurse motra mbi krye të Avdisë: …“Bajshe mriz, o vëlla, në mrizet e mëdha të rrafshit!” (refren ky i njohur edhe nga kënga popullore), e cila vazhdon me interpretimin e momenteve që ajo i kishte paramenduar, se me çfarë çike me e fejue etj. Ndërkaq që dhembja në shpirtin e motrës arrinte përmasat kulmore: “ – Fort po kjanë!… - o motra e Avdisë!… - (…) – Sot na u këput, o vëlla, kulmi i shpisë?!…” (soneti 44, f. 52), por te kryet, duke e vajtuar, i premton se nipat do ta nxjerrin gjakun, ndërsa për malësorët që kishin mbetur të stepur si trungje: “Në këto troje moteve s’ka mbetë gjak pa u marrë,/ E gjaku i Avdisë do t’paguhet shtrejtë…” (soneti 45, f. 53), pastaj, nga ajo humbje e madhe: “Shaminë e zezë motra e kishte pasë vu mbi kokë” (soneti 47, f. 55), si dhe: “Peçën e zisë si korb, amë e bijë, se hoqën nëpër mote” (f. 55). Por edhe: “Në rreze dielli nana ishte ulë mbi cung t’oborrit/ Tue i përtri ndër mend do kohna – Avdia tue i ra fyellit”. … “Medet - tha – motra në vek, lotët tue pikue në pëlhurë/ Zani yt, o vëlla, nuk do të jehojë ma në këto dhena,”. Këto vargje që i cituam në fund, sikur jepin vulën përmbyllëse për të ardhmen e papërspektivë, për të ardhmen e zezë të asaj familjeje pa mashkull në shtëpi, të cilën e përcollën zezonat e jetës.
4. Himnizimi i heroit
Edhe kur ka munguar letërsia artistike, në letërsinë gojore, veçmas në rreshta të rapsodive popullore, janë mbajtur të ndezura ndjenjat patriotike, bëmat atdhetare të figurave të shquara, elemente të rëndësishme të traditës etj. Këtë e kishte shfrytëzuar edhe poeti Hasani, i cili për krypersonazh të legjendës së parë kishte marrë motrën e Avdisë, ndërsa në të dytën Azem Bejtën dhe gruan e tij Shotën, si dy trima që deri në frymën e fundit luftuan kundër pushtuesve.
“Dy legjendat ishin dy rrëfime në vargje për dy figura të ndritshme të historisë sonë kombëtare. Motra e Avdisë njihet nga epi kombëtar i Gjergj Fishtës, pra nga “Lahuta e Malcis”, ndërsa Azem Bejta dhe Shota si dy trima që deri në frymën e fundit luftuan kundër serbit. Që të dy këto legjenda burimin e kanë në gurrën e pasur folklorike (…). Nëse te Legjenda për Azem Bejtën e Shotën u shfrytëzua kënga historike per Azem Bejtën, për Motrën e Avdisë më shërbeu pak “Lahuta…” (atëbotë vetëm sa e mora personazhin e motrës së Avdisë) e sidomos kënga tjetër (balada) e njohur me titull “Sali Syla”, një baladë kjo shumë prekëse për botën shqiptare”- kishte thënë vetë autori i “Dy legjenda”, poeti Hasan Hasani, në një intervistë për libër - bisedë. (shih, Skënder R. Hoxha, Poet i trazuar, Art Poetika, Pejë, 2007, f. 48 – 49).
“AZEM BEJTA SI KRESHNIK
FORT LUFTON, THA, GRYK’ E M’GRYKË!…” Këto vargje autori i ka vënë në ballë të pesëdhjetë soneteve, sa ka legjenda për Azem Bejtën dhe Shotën, në përmbledhjen poetike “Dy legjenda”.
Periudha historike në të cilën u kalit si patriot Azem Bejta, ishte periudhë që karakterizohet me invazione të mëdha të forcave pushtuese, e veçmas atyre turke e sllave, për të pushtuar trojet shqiptare. Ai iu kishte përgjigjur zërit të atdheut dhe kishte dalë në mal, në ballë të lëvizjes kaçake, ku bashkë me gruan e tij, Shotën dhe shumë atdhetarë të tjerë, luftuan për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Për largimin e tij nga shtëpia, që në fillim të kësaj legjende, kushtuar Azemit dhe Shotës, poeti thotë: “Prej votrës ka mot ky trim ishte largue” (f. 74). Sipas vargjeve, edhe gurët në temele të kullave kanë qarë për Azemin, e njerëzit aty thonin: “Medet u ba i huej Azem Bejta, ai kreshnik e burrë,” (f. 74). Sakrifica e heroit të poemës preokupon ndjenjat e poetit, shih, sidomos këngët: 12, 13, 14, 15 etj: “Kreshtave të kuqe rininë ai burrë ua fali” (f. 76) dhe lëshon shtat edhe zëri i popullit të robëruar: “Sa randë asht, njerëz, mbi supe ajo kambë sulltani,/ E na vdekjen do ta varim t’leckosun në gur e thepa” (f. 76), si dhe: “Jo, jo, këtyne trojeve dëshirojmë me vdekë të lirë,/ Mjaft ma shtriga që na shkeli randë mbi kurriz/ E gjakun na pinë me gotë brez mbas brezi pashë e vezirë” (Po aty), për të vazhduar me ndjenjën e sakrificës, për mbrojtjen e trojeve: “Do të vdesim për atë pëllambë toke ku kem le e jem rritë” (Po aty), ndërsa Azemi: “Si shigjetë brigjeve, kalorësi teposhtë ka nga/ Me hutën e gjatë në dorë, për këtë të ambël guri,” (f. 77). Atë mëngjeseve dielli e ka çelë “si zog ndër shpella” dhe: “Njerëzit bukën ja kanë dërgue fshehtas nëpër grella.” (f. 77). Ai ishte një trim i pathyeshëm për punë atdheu: “E mbretnit në fron s’ja kanë trembë kurr atë të zi sy.” (f. 77). Të bëmat e Azemit ishin mbetur në zemrat e malësorëve, në kujtesën e rapsodëve: “Se malësorët në bisht lahute trimnitë i kanë rujtë” (f. 84), apo:
“Shpeshherë edhe pa bukë ka luftue nëpër bjeshkë,
Me cubat e malit, që moteve këto troje i shkelën” (f. 85).
Poeti, duke e himnizuar më tej heroin thotë: “Ati i Azem Bejtës – thonë pleqtë – ka qenë me krah’ “ (f. 86), ai edhe ka fluturue: “Si drangue ka fluturue prej rrahut t’thatë në rrah” (po aty), ndërsa Azemi ishte një trim dhe luftëtar i paepur, ishte legjendë e gjallë edhe në gojë të popullit: “Legjendë e gjallë, njerëzit Azemin s’e heqin goje!” (f. 87). Po ashtu poeti e portretizon edhe Shotën: “Shtatin si një bërshe në bjeshkë, e kishte Shota,/ Krah për krah me Azem Bejtën ndër lufta hudhej,” (f. 88), apo: “Krah i djathtë i Azemit, Shota, ka qenë ndër beteja”, dhe: “Azemi e Shota endeshin kryq e tërthor n’ato bjeshkë,/ Si drangojtë e qiellit, ato male e fusha tue i vërejtë,” (f. 91). të cilët: “Si dy pëllumba krahhapur fluturonin mbi male e curra” (po aty). Siç shihet, janë të theksuara në vargje të “Dy legjendave” të Hasanit figurat stilistike, sidomos: krahasimi, personifikimi e hipërbola, figura këto që janë karakteristike në letërsinë gojore. Duke iu referuar kësaj legjende, hasim në një moment kur armiqtë gjakatarë: “Rrëshanë zbritën si hijet, fshatin flakë me djegë,/ Azem Bejtë Galicën dhe Shotën shtat bajraku;/ Në shigjeta me i ngulë, sytë me ua threë me bjezgë.” (f. 93). Kjo koinçidon me ëndrrën e Azemit: “Herët, Azemit, iu diftue në gjum, nji andërr!…”, që është element i huazuar nga letërsia gojore. E, për kullat që ishin rrethuar nga ushtrisa barbare dhe për qëndresën e malësorëve për t’u vetëmbrojtur e kundërpërgjigjur atij rrethimi, poeti thotë: “Mbas gurëve malsorët tytat i kishin futë n’frangjia,/ Plumbi i tyne i rrallë asnjiherë nuk shkonte kot” (f.95), …, ndërsa nga kullë tjetër: “Në kullë tjetër, Shota. Shkonte tue i kositë pritat,/ O, ku të kam Azem Bejtë Galica, o, Luan Kosove!” (po aty).
Në këtë legjendë, poeti, jo një herë, bën vijëzime të figurës së Azem Galicës, si trim e atdhetar, si prijetar në ndeshje me armikun, si njeri me karakter të fortë luftarak etj. Edhe për këtë le të flasin vargjet: “N’tela të çiftelisë kanga odave zemrën ta kallë,/ “Azem Bejta more, keq piskati,/ O, lëshomna mue se vet’ du’ m’u dalë për ballë!…” (f. 100). Trimi nuk dorëzohet por lëshon kushtrimin edhe kur plagoset në luftë me armikun: “N’atë fushë të gjanë, nji plumb e goditi lehtë/ Azem Bejtë Galicën, atë bjeshkë të kuqe, n’krahnor:/ Ecni, o burra, përpara në luftë, asgja s’m’ka gjetë!” (f. 103). Në një betejë tjetër, heroi i legjendës, Azem Bejta, prapë ishte plagosur, por shpëton edhe kësaj radhe. Kur kishte dëgjuar Zhupani i Shkupit, sipas vargjeve, ishte hakmarrë keq, duke djegur e pjekur disa fshatra: “Zhupani i Shkupit kur ndëgjoi se shpëtoi Azemi,/ Galicë, Mikushnicë, Lubovicë, i ndezi zjarr e flakë” (f. 104). Mirëpo, heroi kryesor i legjendës, Azem Bejta, i ballafaquar me shumë beteja, ishte plagosur rëndë në Çiçavicë: “Dhe nji ditë Zhupani i tërbuem, n’ato male klithi/ Të gjallë apo të vdekun Azemin me shti në dorë,” (f. 105).
5. Ideali dhe porosia e fundit të heroit
Dhe fjalët e fundit të heroit, të udhëheqësit të shquar të Lëvizjes Kaçake:
“Lamtumirë, o, ju vatra, që flakë u dogjët në Galicë!
Lamtumirë, o, ju njerëz që jetën e harruet në shkrepa!
Lamtumirë, o, ju male, që me bukë na mbajtët n’Drenicë,
Tash dhetë vjetë n’qeta e curra, bjeshkë e thepa!” (f. 106). Në një vrojtim më të hollë, këtu shohim se secili varg i kësaj strofe mëton të paraqesë nga një fragment të historisë së njerëzve liridashës dhe trojeve të tyre. Janë këto çaste dramatike të legjrendës. Heroit i kishte ardhur fundi. Ishin këto momente që i kishin përjetuar shumë rëndë Shota dhe shokët e Azemit. Në atë zymtësi, shokët e bartin Azemin me vigj, e kur shkojnë te shpellat e Uluricës, Azemi (sipas narracionit poetik) iu flet bashkëluftëtarëve, malësorëve të tij, se duhet të ndalen, sepse atij i kishte ardhur fundi…, si dhe: “Vllazën, unë po vdes, por mos më shtini në dhe,/ Për së vdekuni më nxjerrin , e me mue tallen,/ Po! Trupin tim rrugëve, zhag, nëpër pluhun kanë me ngre’ …”, por porosia e fundit e heroit, drejtuar malësorëve të tij, tingëllon edhe më fuqishëm, ku sipas legjendës: “Pashë besën, që kem’ pasë, o, vëllazën, qysh në fëmini/ Ma digjni trupin për së vdekuni, si kashtallen/ E as i vdekun në duer të gjaksorëve mos të bi’!”.
Pas ndërroi jetë heroi, nga ajo humbje e madhe dhe dhembje e madhe, autori prapë fut në përdorim elemente mitike: “Zanat në male lotonin nën shamijat e bardha, n’shkrepa;” (f. 110), element ky sipas baladave popullore me këtë motiv. Trupi i Azemit prehet në një shpellë të Uluricës, ndërsa: “Shota me shokë e vazhdoi atë rrugë të gjatë,/ Që me Azem Bejtën e filluen t’plaguem randë n’stuhi,” (f. 111).
Në të dy legjendat vërehen mjaft gjurmë ndikimesh nga letërsia gojore, përfshirë këtu edhe eksklamacionin rrëfimtar, që, fundja, janë krejt normale për këto tematika e motive vjershërimi. Gjejmë këtu të jenë të brumosura elementet mitike e gjuha popullore, ku ishin ruajtur, me frymëzimin e realizimin poetik.
Kur lexohen me kudes “Dy legjendat” e Hasan Hasanit, vërehet se fjalët dhe sidomos frazeologjizmat popullore tradicionale që përdor autori, në të shumtën e herave vihen në funksion të poetikës së tij e ndonjëherë marrin edhe rolin e metaforave.