E premte, 02.05.2025, 09:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Libri me poezi i Frederik Ndocit: I lindur dhe plak i divorcuar

E enjte, 09.12.2010, 10:35 PM


Hyrje

 

Një bisedë e thjeshtë, pyetje përgjigje, kthim në kujtimet e vegjëlisë, ëndrrat djaloshare, vitet e skenës, ankthe, dilema, përgjime, festivale, spektakle, grupe muzikore, filma televiziv, aktor, këngëtar, kantautor, lëvizje, Itali, Amerikë, përsëri Shqipëri...Këto janë gjeografia e jetës, skenës, filmit, të Frederik Ndocit. Por e panjohura e tij është ... Një e panjohur për ne lexuesit por jo për atë Rikun, të ndjeshmin, njerëzorin, gazmorin, intelektualin. E panjohura? Kush është?! Poezia! Sot ai vjen para dashamirësve jo si këngëtar, as si aktor, as si kantautor, as si piktor apo instrumentist, por si poet. Gjithkush do të bëjë pyetjen...Poet Frederik Ndoci në këtë moshë (jo se është i madh, por s’ka botuar më parë)?! Po, në këtë moshë. Por mosha e poezisë se Rikut nuk daton këtë dimër 2010. N.q.s i sheh poezitë e tij ato shtrihen në një kohë 40-vjeçare. Poezitë e para kanë qenë që në shkollë 8-vjeçare. Afërsisht katër dekada që Frederiku ka shkruar poezi që ka lëmuar mbi letër ndjenjat e shpirtit. Ai është shumë i vjetër në këtë gjini të letërsisë paccka se nuk i ka botuar. I shkruante në fletore, i lexonte netëve të vona, i fshihte nga njerëzit, s’i lexonte mes miqsh. Ato ishin dashuria e tij e parë bile para këngës dhe pse e panë dritën e botimit ndër të fundit e pasioneve të tij. Ishin ëndrrat e fëmijërisë, pasionet e fshehta, dhuntia e pa shfaqur, e pa bërë publike. Poezia e Rikut  do të ishte një mollë e ndalueme për kohën, për vetë problematikën e saj, për vetë fabulën e saj.  Ai vjen me këtë vëllim poetik me një këndvështrim tjetër të kompletimit të tij artistik, intelektual, me poezi zemre që i zbardhi nga fletorja e bardhë por shumë e vjetruar nga ajo -HESHTJA...Fletorja HESHTJE tashmë po shpalos vargun e tij profetik...!

 

I quajmë të tilla shumë vargje pasi ato pararendin në kohë e hapësirë, i kanë paraprirë me imagjinatë asaj ç’ka do të ndodhte në Shqipëri  pasi shumë poezi janë të vitit 1974. Poezitë e tij rinore që i përkasin viteve të sistemit komunist (të pa botuara dhe të pa lexuara),  ishin një parandjenjë e brendshme se një ditë të bukur Shqipëria e kafazit dhe telave me gjemba do të zgjohej prej gjumit letargjik, do të dilte prej skëterrës, do të flakte robërinë e izolimin, do të shembte muret mizore të shtetit-burg më të madh të botës dhe të përqafonte ëndrrën e re të demokracisë. Poezia e Frederik Ndocit e shkruar në vitet e monizmit, përballet ashtu si vet ai në jetën e përditshme me diktatorin dhe diktaturën. Kjo poezi i bën radiografi e skopi regjimit të komisarëve të kuq, pseudo-humanizmit, pseudo-ideologjisë, pseudo-lirisë, pseudo-patriotizmit.

 

Këto ëndrra, këto poezi ai e dinte më së miri se ishte e pamundur të shihnin dritën e botimit dhe të dilnin për publikun e gjerë në regjimin komunist. Në ato vargje zemre, dilnin qartë brengat, ëndrrat, mangësitë, çiltërsitë, varfëria, censura, lëngesa, frika, hijet gjurmues, çdo e metë e atij sistemi që i varfëroi shpirtërisht shqiptarët. Por edhe pa botimin e këtyre vargjeve Frederik Ndocit, nuk i munguan pengesat, privimet, peripecitë, përgjimet, kërcënimet, arrestimet, gjyqet, përndjekjet. Bashkë me to edhe poezitë e Frederikut rrinin të struktura në sirtarë sekrete. Vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre poezive, apo këngëve me këto poezi (ato me pak kripë) u kënduan në mirëbesim në festat e gëzimeve të ndrydhura mes shokësh, miqsh, admiruesish e të rinjsh dhe fare pak këngë u ngjitën në skenën e bukur të festivaleve. Vetëm në fund të viteve 1989-90, kënga e tij sikur pa dritë, mori krahë, ndezi zjarr demokracie.. Në këtë periudhë këngët e tij u bënë ushqimi shpirtëror i rinisë. Tashmë si kantautor ai del plot dinamizëm, vizionar, i sinqertë, i ndjeshëm inteligjent, ku me vargjet dhe këngët e heshtura deri dje, tashmë shpalosi plot virtuozitet këngët  “Kitarës pa tela” dhe “Zërit të shpirtit”. Poeti, këngëtari, kantautori, intelektuali, po plotësonin njeri-tjetrin. Poezia e Frederikut po kalonte barrierën dhe burgun tel me gjemba dhe merrte rrugën e madhe dhe të bukur të shpresës-demokracisë.

 

Në këtë vëllim të parë poetik janë përfshirë dhe vargjet e këngëve të para të kantautorit, që e ngjitën në skenë dhe e bënë që në fillim aq të dashur e të kërkuar nga publiku shkodran e i mbarë Shqipërisë. Janë këto vargje këngë të mësipërme që e bënë atë kantautorin udhërrëfyes të demokracisë. Por vitet post 1990, si shumë intelektualë të tjerë e gjetën atë në Ikjen e Madhe, në rrugën e pamat, të pa ditur të mërgimit duke marrë me vete, brishtësinë njerëzore, emocionet e artistit, çiltërsinë e moshës, brengat e dashuritë, ëndrrat dhe fantazitë.…Vite të tëra larg,larg, larg fizikisht, nga Italia në Amerikë por shpirtërisht në atdhe..Dhe vjen kthimi i Madh si dikur Ikja e Madhe... Kthimi i Madh me një fitore të Madhe...Frederiku kthehet bindshëm në Tiranë, pikërisht në netët e  Festivalit të 45-të të Këngës në RTV. Ëndrra e tij realizohet. Zëri i tij ishte bërë më melodioz, më perfekt, më burrëror, më tingëllues. Falë magjisë së këtij zëri engjëllor, interpretimit perfekt, “Balada e Gurit” e interpretuar nga ai dhe ish-bashkëshortja Aida zë vend të parë.

 

Një këngë plot art, emocion, dramaticitet të dhimbshëm, plot shpresë, dashuri, ëndrra, dëshira, mall prindëror e atdhetar.  Një këngë plot prezencë ku falë skenës dhe publikut të mrekullueshëm, falë vargjeve në gjuhën e bukur të Naimit, falë dhe Aidës, ish-bashkëshortes me zë melodios, mori kurorën e merituar. Kjo këngë Fituese e Festivalit, e shndërroi pa reklamë në “Ambasador” të këngës shqiptare në Eurovizion e (më gjerë) përmes pjesëmarrjes në Eurosong 2007. Ishte një vit magjik, plot suksese, ftesa, urime, përqafime, aktivitete...Pas këtij momenti ai jetën skenike e vazhdon në atdheun e dashur dhe pse është qytetar amerikan. Tashmë ai po shihte dhe fletoren e bardhë të dikurshme (tashmë e zverdhur nga koha) mbushur me poezi. Kënga dhe poezia filluan të ecnin bashkë në përditshmërinë e jetës artistike. Dhe ndërsa fundjavave kënaq publikun me zërin magjik, ku admiruesit e thjeshtë gëzojnë e dëfrejnë me zërin e tij, prezencën e tij, magjikshmërinë elektrizuese, ditët e tjera ai shfleton poezitë në letrat e çngjyrosura nga koha dhe reflekton...Por ndoshta janë këto vite që poeti tronditet nga dashuria. Dashuria, kantautorit, poetit Frederik Ndoci, i ka hapur një plagë të madhe në shpirt, brengë e dalldi që zuri vend parësor në poezitë e viteve të fundit. 

 

Muajt e fundit kantautori-poet ka sjellë në dritë fëmijën e tretë. Përsëri vajzë. Por për të është fëmijë. Tre vajza. Tre engjëj. Tre gëzime. Tre shpresa. Tre lule që i japin kuptim jetës. Mes tyre Fredriku duket më i gjallë, më i dashur, më i freskët, më njerëzor, më i dashuruar me jetën, me punën, me këngën me poezinë. Më i motivuar.  Ndaj ai këndon dhe thur vargje pa pushim. Ka një shtysë të madhe në jetë. Ka një detyrim të madh prindëror, por dhe intelektual ndaj të gjithëve. Ndaj ai sot shfaqet ndryshe, si poet. Një poet i ri me moshë jo të re, por me poezi sa vetë mosha e tij. . Një poet i ri me poezi plot dritë, plot mesazhe, plot vizion, plot shpresë, optimizëm. Lexojeni Fredrikun …Aty gjithkush do të gjejë vetveten. Ashtu është ai në këtë libër poetik, i ri dhe i vjetër, shok, vëlla, prind, mësues, kantautor, poet, dialogues, shpresëdhënës, energjik, vëzhgues, i gëzueshëm, i trishtueshëm, plot mall dhe brengë, por tepër njerëzor. Ai në këtë libër me poezi merr me vete këtë emër kaq të bukur, sinjifikativ  që gjithnjë e më pak po njihet me plot gojën në mbarë globin. NJERËZOR…Faleminderit Riku! Ky dimesion i ri të bën dhe më të plotësuar…

 



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx